PESHKU I VOGËL E HA TË MADHIN

“Reforma e drejtësisë shqiptare – tha deputetja e pavarur Liri Shashka – lindi krejt rastësisht, siç ndodh me shpikjet shkencore. Por tani, ideja jonë e drejtësisë do të na kopjohet nga shumë shtete në botë”.

Kështu e filloi prezantimin e reformës në drejtësi Kryetarja e Komisionit për Ligjet sipas qejfit të Parlamentit shqiptar. Reforma bazohet në një parim të thjeshtë, por tejet inovativ, në kuptimin që nuk u ka shkuar ndër mend asnjë juristi e ligjvënësi, as në Shqipëri e as jashtë shtetit.

Parimi revolucionar është ky: sa më e lehtë të jetë vepra penale ose shkelja ligjore, aq më i rëndë bëhet dënimi. Pra përmbyset raporti mijëravjeçar i njerëzimit midis krimit të rëndë dhe masës së dënimit.

Se si lindi kjo ide, e bëri të qartë deputetja Bardha Vija, nënkryetare e Komisionit për qarkullimin në rrugët rurale: “Ne u nisëm nga rasti i njohur i parkimit në Bllok. Dënimi i rreptë i kamerierit e rriti respektimin e ligjit në të gjitha shtresat sociale dhe për të gjitha llojet e krimit. Së shpejti, përfundoi Vija, qeveria do të ndërmarrë një aksion për respektimin e ligjit, duke zbatuar pikërisht paketën ligjore që po miratojmë këto ditë”.

Rasti që i referohet deputetja e partisë PLPSSID, ka të bëjë me lajmin, që u dha nga mediat ditën e fundit të gushtit 2015. Ja edhe titulli me tekstin origjinal: “Parkoi makinën e gazetarit mbi trotuar, pranga kamerierit të ‘Bllokut’”.

Në kuadër të masave të rrepta të policisë rrugore për respektimin e rregullave të qarkullimit, ditën e sotme në prangat e uniformave blu të kryeqytetit ka rënë edhe një nga kamerierët e lokalit ‘Choco bar’ i lokalizuar tek ish-Blloku. Mësohet se kamerieri Mario Abazi 23 vjeç është arrestuar nga policia pas parkimit në trotuar të makinës të një gazetari sportiv. […]

Sipas reformës së re të drejtësisë shqiptare ata që kryejnë krime, që deri më sot janë quajtur të rënda, do të dënohen më pak. P.sh. trafikantët e drogës, vrasësit, të korruptuarit, mitëmarrësit, vjedhësit, grabitësit, përdhunuesit, e kështu me radhë do të dënohen më pak. Le të japim disa shembuj konkretë: në rast se kapesh me një avion që transporton drogë rrezikon një gjobë deri 10000 (të vjetra); po të panë duke marrë ryshfet tenderi mund të qortohesh me shënim në librezën e punës; po të rezultojë se je punonjës doganash dhe je i korruptuar, mund të transferojnë në një pikë tjetër kufitare, por gjithnjë në doganë.

Në të kundërtën, për ta bërë më efikase luftën për respektimin e plotë të ligjit, një person që e parkon makinën mbi vijat e bardha, rrezikon deri 15 vjet heqje lirie. Por më keq e ha ai që nuk paguan biletën e autobusit, dënimi i të cilit shkon deri 20 vjet burgim. Pa folur për vepra më të rënda si hedhja e plehrave jashtë kazanit, ardhja me vonesë në shkollë, urinimi jashtë tasit të banjës, humbja e kuponit tatimor… Këtyre u hidhen prangat deri në vdekje.

Filozofia që qëndron në bazë të drejtësisë së re shqiptare është ajo e edukimit dinamik shpërpjesëtimor. Një person edukohet me respektimin e ligjit duke filluar nga shkeljet më të vogla, jo nga më të rëndat. Kush bën shkelje të rënda ka aftësi imprenditoriale dhe fantazi, që mund ta ngrejë lart në karrierë, si në politikë ashtu edhe në ekonomi. Por shumë të mira i vijnë edhe vetë komunitetit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin