NËSE NUK ËSHTË HAN

Shqipëria është një nga vendet më serioze nga pikëpamja e kontrollit të dokumenteve të identitetit të udhëtarëve që kalojnë nga pikat kufitare. E këtë mund ta thotë kushdo që ka udhëtuar të paktën një herë nga Rinasi, ose nga një port detar.

Nga përvoja e dimë se kontrolli i pasaportave nuk është thjesht formal, në kuptimin që nuk mjafton vetëm paraqitja e tyre, por hyrjet e daljet regjistrohen me emër e mbiemër. Çdo person që kalon kufirin, regjistrohet si hyrës e më pas si dalës. Pavarësisht se shumë qytetarë shqiptarë regjistrohen si shtetas të huaj, kur hyjnë ose kur dalin nga territori, pasi kanë pasaporta të huaja, prapë se prapë ata shënohen në bazën e të dhënave të policisë së shtetit, njëlloj sikur të kishin pasaportë shqiptare.

Pra askush nuk hyn e nuk del nga Shqipëria pa u shënuar formalisht. Duhet ta pranojmë se kjo nuk ndodh në çdo vend të botës dhe se kontrollin shqiptar e kanë “zili” shumë vende të botës. (E këtu nuk po flasim për lëvizjet ilegale).

Deklarata që bëri Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, nga fundi i gushtit 2015, befasoi shumë vëzhgues. Titulli i deklaratë së tij ishte ky: “Azilkërkuesit kryesisht nuk nisen nga Shqipëria, por nga vendet ku janë emigrantë”. Midis të tjerash ai thoshte:

Megjithatë dua t’ju bëj me dije ju se nga analiza e të gjitha të dhënave dhe informacioneve që ka Policia e Shtetit, autoritet tona dhe në shkëmbim intensiv informacionesh që ofrojnë vendet partnere, rezulton se shumica dërrmuese e qytetarëve që kërkojnë azil janë shtetas shqiptarë me banim të përhershëm në një nga vendet e BE, pra emigrant shqiptar me banim të përhershëm në një nga vendet e BE që shpërngulen nga ai vend për të kërkuar azil në Gjermani ose në një vend tjetër të BE.

Këtu mjafton t’ju them dhe shifrat janë të disponueshme nga të gjithë ju, mjafton t’ju them se numri i shtetasve shqiptar në 7 muajt e parë të këtij viti nga pikat kufitare të shtetit tonë është rritur me 0.6% të krahasuar me shifrat e një viti më parë, gjë që do të thotë se kërkesat për azil dhe shifrat e deklaruara nga Gjermania apo vendet e tjera të BE, nuk korrespondojnë kurrkund dhe nuk përputhen absolutisht fare me numrin e shtetasve shqiptarë që kanë dalë nga pikat tona kufitare.

Rritja me 0.6% në shtatë muajt e parë të këtij viti do të thotë trendi natyral i lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptar në vende e BE-së dhe nuk i përgjigjet fare rritjes së azilkërkuesve në Gjermani apo në vendet e tjera të BE. (nënvizimet janë të miat, kurse tekstin e plotë të deklaratës mund ta gjeni këtu)

Nuk ka asnjë arsye që të dyshohet për vërtetësinë e të dhënave të Ministrit Tahiri. Mirëpo, njëra nga fjalitë që më tërhoqi vëmendjen është pikërisht kjo: “Këtu mjafton t’ju them dhe shifrat janë të disponueshme nga të gjithë ju…”. Me siguri u drejtohej gazetarëve, të cilët mund të kenë kanalet e tyre të privilegjuara për t’i marrë të dhënat. Po të tjerët, ç’duhet të bëjnë për të marrë ndonjë të dhënë për hyrje daljet nga Shqipëria?

Databaza e Ministrisë së Brendshme duhet të ketë një sërë të dhënash të çmueshme për hyrje-daljet nga Shqipëria, sidomos në këtë periudhë verore. Këto statistika do të ishin të vyeshme për të gjithë, studiuesit e qytetarët bashkë, sepse mund të hedhin dritë për dukuri si migracioni, turizmi, transporti, etj. Për këtë arsye, nuk kuptohet përse këto të dhëna nuk botohen online në faqet zyrtare të institucioneve përkatëse. Natyrisht, do të ishte me rëndësi që këto të dhëna të bëheshin publike periodikisht, çka mund të realizohet edhe çdo dy muaj për shembull.

Nga pikëpamja informatike dhe statistikore nuk është e vështirë. Fundja, statistikat e përgjithshme, p.sh. numri i hyrje daljeve, grupmoshat, gjinia, etj. nuk e cenojnë të drejtën e privatësisë, pasi nuk përdoren emra të përveçëm. Këtë punë zakonisht e bën Instat, por nuk po shoh të botohen online të dhëna periodike. Në fakt, po të konsultoni faqet zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të Policisë së Shtetit dhe të Instat, nuk do të gjeni statistika të përditësuara. Ndoshta nuk kemi parë mirë (kërkojmë falje që tani), por në këto faqe nuk ka të dhëna. Ndonjë lajm, ose e dhënë aty këtu, por asgjë të plotë e konstante, që t’i shërbejë studiuesit ose gazetarit.

Nga të dhënat që Ministri i Brendshëm njoftoi me komunikatën e lartcituar, shifrat e migracionit nuk duhet të na shqetësojnë, sepse nuk janë alarmante, janë si të thuash në trendin e zakonshëm. Mirëpo, si ta shpjegojmë shkrimin e botuar më pak se një muaj më parë nga gazeta “Shqip” me titullin “Rekordi i eksodit, rreth 78 mijë largohen nga vendi dhe nuk kthehen” (me autor Zamir Alushi, 29 Korrik 2015)? A nuk bie ndesh me shpjegimin e Ministrit për vendnisjen e emigrantëve shqiptarë? Nuk niseshin vallë nga Greqia? Megjithatë, në mungesë të të dhënave të sakta, jemi në fushën e spekulimeve e të përgjithësimeve.

Dukuria e imigracionit është tepër e ndërlikuar për t’u sqaruar vetëm nëpërmjet të dhënave të Rinasit ose të porteve detare, por pak dritë mund edhe të hidhej, sidomos po të krahasoheshin të dhënat në vite. Do të ishte e dobishme që këto të dhëna të viheshin në dispozicion online, në mënyrë që të gjithë studiuesit t’i konsultojnë, e ç’është më e rëndësishme, t’i krahasojnë me të dhënat e vendeve të tjera.

Flukset migratore janë shpesh të vështira për t’i monitoruar, sepse shumë vetë mund të dalin nga vendi me modalitete e periudha të ndryshme. Megjithatë, krahasimi i vazhdueshëm i statistikave midis Shqipërisë dhe vendeve që mendohet se janë objektiv i migracionit mund të na thonë shumë për natyrën e dukurisë.

Transparenca e të dhënave të përpikta do t’ua hiqte alibinë edhe atyre që polemizojnë për çdo problem e do t’ua rriste besueshmërinë institucioneve shqiptare tek qytetarët. Kurse e kundërta…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin