LAGJJA PA LIBRARI

Kisha, xhamia, zyrat e pushtetit vendor, shkolla, kinemaja, teatri, spitali, farmacia, etj. janë disa objekte të veçanta që na tregojnë shumë për jetën e një bashkësie. Janë më shumë se shërbime. Përbëjnë çelësa leximi të territorit, janë legjenda e hartës komunitare. Prania ose mosprania e tyre në qytet, lagje apo fshat, na flet më tepër se shumë manuale ose udhëzues të specializuar.

Libraritë janë pa dyshim një nga pikat më të rëndësishme për të kuptuar një territor të caktuar dhe jetën e qytetarëve. Sepse bashkësia ka vërtet nevojë për dyqane byrekësh dhe qoftesh për të ushqyer barkun, sikurse ka nevojë për dyqane brekësh e veshmbathjesh për të veshur lakuriqësitë, ose për ambulanca e farmaci për të shëruar trupin. Por bashkësia ka nevojë edhe për librari për të ushqyer mendjen.

Lagjja e Kombinatit në Tiranë (Njësia bashkiake nr. 6) na jep një shembull domethënës në këtë drejtim, sepse është në periferi, disi e veçuar nga zonat e tjera të kryeqytetit, e nuk mund të fshihet pas shërbimeve të zonave të tjera. Pastaj, Kombinati është një nga lagjet më të populluara të Tiranës, çka mund ta themi pa vështirësi edhe pse na mungojnë shifra të sakta për popullsinë aktuale të kësaj lagje të njohur për historinë e saj industriale. Gjithsesi, sipas disa burimeve, lagjja shkon mbi 60 mije banorë, por sipas gjasës mund të ketë edhe më shumë, po të llogariten rrethinat, konturet e të cilave janë zbehur dhe po zbehen gjithnjë e më shumë dita ditës.

librari-periferikeE pra, një lagje e tillë nuk ka sot një librari të mirëfilltë, të furnizuar, ku të shiten libra të çdo lloji e për të gjitha grupmoshat. Ka nja dy shitore që mbajnë një emër të tillë, me hapësira disa metra katrore, pra tejet modeste, por siç thotë edhe shitësi i njërës prej tyre, janë më shumë dyqane kancelarish se sa librari. Në fakt, gjenden afër dy shkollave të lagjes ku me sa duket nxënësit furnizohen me fletore e lapsa, por edhe me fotokopje e printime.

Përse vallë një lagje kaq e madhe e kryeqytetit nuk ka librari? Ata që e njohin lagjen e Kombinatit e dinë mirë se para shumë vjetësh ka qenë një librari e madhe mu në qendër, afër postës dhe stacionit të autobusit. Libraria ka pasur jo vetëm furnizim të pasur, por edhe një dukshmëri të jashtëzakonshme. Kombinati, edhe pse lagje punëtorësh, e kishte traditën e leximit, kështu që banorët e saj nuk duhet të shkonin nga qendra për të blerë një libër të caktuar. Nga ana tjetër, aty afër, tek ndërtesa e Kinoteatrit, kishte selinë edhe biblioteka e lagjes. Asnjë gjurmë nuk ka mbetur, asnjë rrënojë, nga ajo “periudhë e librit”. Megjithatë, dikush më thotë se janë duke hapur bibliotekën e lagjes. Nismë e mirëpritur.

Si shpjegohet që një popullsi kaq e madhe, me shumë të rinj, me shumë të ardhur, me kërkesa të natyrshme kulturore, të mos shërbehet nga një librari të mirëfilltë? “Kështu mendoja edhe unë”, më rrëfen shitësi i sjellshëm dhe i kulturuar i kancelari-librarisë. “Në teori duhet të kishte pasur shitje librash, por ja që realiteti të përgënjeshtron, kjo është më shumë kancelari se sa librari. Librat shiten shumë pak, praktikisht në Kombinat nuk ka librari. Unë përpiqem me sa mundem të mbaj një farë rregulli”.

Po cilat janë arsyet e zbythjes së lexuesit? Sipas bashkëbiseduesit tim varet nga kultura e lagjes. Banorët e saj nuk kanë familjaritet me librin. Po si shpjegohet që vite më parë e kishin? Si shpjegohet që dikur kishte si bibliotekë, ashtu edhe librari të pasur? Kjo mund të shpjegohet me ndryshimin e njerëzve, tashmë lagjja ka shumë banorë të rinj, thotë librashitësi (që po e quaj kështu për dashurinë që tregon për librin). Prurjet e reja kanë qenë kryesisht nga fshati, duke filluar nga zonat përreth, ku edhe vihet re një qëndrim tjetër ndaj librit.

Në fakt, lagjja ka pësuar transformime të thella në strukturën e saj demografike. Fillimisht emigracioni i eksodeve, kur shumë kombinatsa morën rrugët e mërgimit. Pastaj mbyllja e fabrikave të Kombinatit në vitet 1990, që shtoi papunësinë në lagje, rriti varfërinë, por edhe e privoi nga qendra gravitacionale, ku tërhiqeshin edhe njerëz nga zona të tjera të kryeqytetit. Më pas, me shkatërrimin gjithashtu të administratës së Kombinatit të Tekstileve, u rritën edhe ikjet e shumë familjeve drejt qendrës. Këto ishin tronditje të vërteta për lagjen.

Por ka edhe arsye globale, që shkojnë përtej krizës lokale. Leximi ka hyrë në ngërç për shkak të internetit dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Nevoja e leximit mbulohet tani nga ato dy rreshta në facebook, thotë librashitësi. Të gjithë shikojnë mbi celular. Të rinjtë kanë stimuj të tjerë. Por kjo ndodh në të gjithë planetin.

E çuditshme se si në këtë lagje të vjetër industriale, me lavdi tashmë të perënduar, shkojnë e ndërthuren të gjitha kontradiktat e botës së djeshme dhe moderne. Të gjitha të koncentruara në një dyqan, që përpiqet të jetë librari.

Për mungesën e librarive në këtë lagje nuk mund të akuzojmë përhapjen e librit në format virtual, që lexohet në aparatura si kindle. Ky rrezik mund të jetë serioz në pjesë të tjera të botës, por jo këtu. Nuk është fjala për ndryshimin material të librit, të formave të tij, në letër ose në e-book, por të leximit si proces mendor.

E megjithatë, libraria e dikurshme e kishte sharmin e vet. Jo aq tek denduria e blerësve, që do të mbetet gjithnjë e panjohur statistikisht, por tek prania e saj mu në qendër të lagjes. E rrethuar nga institucione të padiskutueshme si posta dhe birraria, ajo dëshmonte me praninë e saj se njeriu nuk mund të jetojë vetëm për të punuar e për të ngrënë. Në një farë mënyre ishte edhe ngushëllimi i dashamirësve të librit, pika e referimit, mundësia për ta blerë, ose thjesht kujtimi i përditshëm se në këtë botë ekziston edhe kultura.

Për krizën e librit ka kohë që flitet në Shqipëri. Citohen edhe shifra për rënien e shitjeve, ose përmenden problemet gjatë panaireve të përvitshme. Si shkaqe rreshtohen kriza ekonomike, mungesa e edukimit për të lexuar, mungesa e politikave të nxitjes, etj. “Tirana e paraluftës, më shumë librari sesa kryeqyteti i internetit”, titullohej pak kohë më parë një shkrim i Ben Andonit.

Mirëpo, libraritë janë si postet e policisë, shkollat, qendrat spitalore, garnizonet, zjarrfikësit… Janë aty sepse lidhen me territorin, me jetën e përditshme të qytetarëve, me bashkëjetesën. Libraritë janë pjesë, e njëkohësisht e shënjues të territorit, e karakterizojnë dhe e përshenjojnë atë. Janë aty pavarësisht nga përdorimi, pra edhe nga numri i shitjeve. Prandaj edhe nuk duhet të lihen në mëshirën e plotë të tregut.

Pyes një vajzë të re nga Kombinati se ku mund të gjej një librari. “Shko nga qendra” më thotë gati automatikisht. Duke më vërtetuar edhe një herë se obsesioni ndaj qendrës në Shqipëri ka hyrë edhe në fushën e kulturës dhe të librave. E ndërsa iki, më zë syri një farmaci. E përfytyroj me rafte plot libra, sepse librat ashtu janë për mendjen, si barnat për trupin.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin