Shkrimtari dhe intelektuali hebreo-rumuno-amerikan Andrei Codrescu rrëfen çfarë ka dëshmuar vetë, gjatë një vizite në Rumani fill pas rrëzimit të klikës Çaushesku.
Në 1990, ose plot një vit pas shfaqjes së televizuar të “revolucionit”, një grup dinjitarësh të tranzicionuar nga regjimi i vjetër dhe sekretaret e tyre më të reja sexy e lanë përgjysmë një party në kështjellën Mongoşoaia, afër Bukureshtit […], për të bërë një shëtitje në ajër të pastër dhe për të parë dy statuja gjigante prej bronzi, të fshehura mes kallamishteve buzë liqenit; shtrirë pranë njëri-tjetrit, kokë më kokë, gjendeshin çifti i kolosëve – Lenini, me sy të kthyer nga qielli, dhe diktatori i parë komunist i Rumanisë, Petru Groza. Të vjetrit u ndalën në një distancë të respektueshme, duke soditur format e rrëzuara të burrave që kishin pasur eprorë për më të shumtën e jetës së tyre, por personeli që i shoqëronte nuk kish skrupuj të tillë. Një grua e re elegante u ngjit në trup të Leninit dhe u ul në bisht mu në fytyrë, duke u shtirë sikur po i pshurrte në gojë (ose kushedi ashtu bëri vërtet). Të rinjtë e tjerë që ishin atje qeshën, teksa të vjetrit i ngërtheu një e dridhur, si një acar i akullt dhe i papritur llahtarie. Shumë prej tyre u larguan, me kokën ulur, si qenër të ndëshkuar pa të drejtë.
Kështu rrëfen Codrescu (The Posthuman Dada Guide: Tzara and Lenin Play Chess, Princeton University Press, 1st Edition, February 2009). Kur e lexova këtë pasazh, më shkoi mendja se skena të ngjashme me statujat e Enverit, të Leninit dhe të Stalinit do të kenë ndodhur edhe në Shqipëri – tek e fundit të gjithë e dinë se paraqitja skulpturore e udhëheqësit nuk është veçse një shenjë e adhurimit që kanë për të ngritësit e statujës.
Këto monumente – dhe nuk kanë qenë pak – i kanë rrëzuar, gjymtuar, zvarritur rrugëve, hedhur në kanale dhe në plehra, dërguar për skrap; të tjera i kanë “zbukuruar” duke i lyer me bojë ose duke u vizatuar mustaqe dhe syze ose mbishkrime të ndyra. Përdhosja e shenjave deri dje të frikës, të nesërmen e përmbysjes, vjen gjithnjë si karneval: këmbët zënë vendin e kokës, dhe koka shkon e struket në orificet e jashtëqitjes. Pa mundur ta nxjerrë dufin e frustrimit drejtpërdrejt me të përgjegjshmit për mjerimin e tij, njeriu i rrugës godet shenjat e tyre – ose atë pjesë të vetes që deri dje ia kish dhënë borxh a peng pushtetit.
Sekretarja që u kacavarr si majmune në trup të Leninit dhe pastaj iu ul në bisht mu mbi gojë, për t’ia sprucuar mollëzat, mustaqet dhe mjekrën me urinë, mund të ketë qenë frymëzuar edhe nga vodka; ose të ketë dashur thjesht t’ia përfushë, në gjest e sipër, këmbët e hajthme bosit të vet aty pranë. Megjithatë, vështirë të mos e lidhësh urinimin e vetëdijshëm mbi një objekt si gjest përvetësimi; duke pasur parasysh se shumë kafshë e bëjnë këtë për të markuar territorin. Akti i kësaj gruaje do kuptuar pra edhe akti i një brezi që ashtu parapëlqen t’i marrë në dorëzim reliket enigmatike të epokës që sapo perëndoi.
Codrescu e rrëfen incidentin në një libër-ese për dadaizmin, duke lënë të kuptohet natyrën dada të këtij përvetësimi nëpërmjet pshurrjes; meqë aty figura deri dje autoritare por tashmë e rrëzuar përdhe poshtërohet edhe nëpërmjet një ekzibicioni erotik – që vjen me zhveshjen dhe pastaj me vetë urinimin drejt e në gojën e “partnerit.” Mes spektatorëve “më të vjetër”, që e ndoqën performancën me tundje kokash dhe brerje të ndërgjegjes, do të ketë pasur edhe një takëm bosësh që e kanë përfytyruar kushedi veten poshtë orificit të sekretares së tyre, duke e manifestuar këtë herë autoritetin e tyre paradoksalisht, ose nëpërmjet një rituali sado-mazo.
Mirëpo statujat, përfshi edhe ato që mishërojnë fenë a ideologjinë sunduese dhe riprodhojnë simbolikisht hierarkitë e pushteteve janë gjithnjë vepra arti, ose janë edhe vepra arti, sado të shëmtuara, groteske ose kitsch të na duken sot. “Revolucionarët” rumunë të vitit 1989, ose pikërisht ata që ekzekutuan çiftin Çaushesku për të ruajtur anë të tjera, më të qenësishme të sundimit të klasës së tyre, nuk ditën ç’të bëjnë tamam me kryeshenjat e totalitarizmit rumun – dhe vetë fakti që Leninin, bashkë me Petru Groza-n, nuk i kishin shkatërruar krejt, as dërguar për skrap ose shitur kontrabandistëve turq, por vetëm fshehur në kallamishtet buzë liqenit, tregon ambiguitetin e tyre; ose dëshirën jo aq për t’u ndarë me të kaluarën, sesa për ta hequr atë sysh, për ta dërguar në pavetëdije, në emër më shumë të ekspediencës sesa të moralit demokratik.
Në të njëjtin libër, pak më poshtë, Codrescu përmend një tjetër monument të megalomanisë së Nikolae dhe Elena Çausheskut, të cilët, thotë ai, “e çuan vendin në falimentim për të ndërtuar një pallat madhështor atje ku më parë ngriheshin kisha të vjetra dhe rrugë,” duke zhvendosur dyzet mijë banorë të Bukureshtit. Pallati sot është seli e Parlamentit Rumun; ndërsa kati i parë shërben si një muze i artit modern – kushedi gjesti i asaj sekretares anonime do të ishte përjetësuar ndryshe, sikur të ish kapur në një video-instalacion dhe të ish ekspozuar pastaj në këtë hapësirë të “ripërvetësuar.”
Sikur një skenar i tillë, me shëtitje natën në pyll dhe përballje me statuja perëndish të një feje tashmë të zëvendësuar, të ish përsëritur mrekullisht sot në Shqipëri, vështirë se kjo do të kish zgjuar ndonjë ndërhyrje dada përndryshe të mbetur në nivelin e dëshirës. Duke pasur në mendje disa performanca të vetvetishme, natën kur u hap “vila e Enverit” në bllok për një elitë artistësh dhe pak kureshtarësh fatlumë, e kam më të lehtë të përfytyroj vizitorët, edhe pse me fshikëzat gati për t’u shpërthyer (nga entuziazmi), të mbanin radhë për të nxjerrë selfie me bidenë e diktatorit made in Albania në sfond. Jetojmë në kohë kur gjesti dada, ose refuzimi i normalitetit qoftë edhe thjesht nëpërmjet provokimit, mund të ndodhë vetëm me kusht që të jetë skriptuar, regjisoruar dhe provuar prej muajsh; ndërsa spontanitetit i ka mbetur në dorë vetëm konfirmimi i pranisë, nëpërmjet selfie-t që thotë “unë isha aty”, versioni radical chic i më të vjetrës unë pshurra aty – çka shënjon edhe kalesën nga përvetësimi (si shënjim territori) në ri-përvetësim ose “hapje” ndaj kamerës së kudogjendur.
E gjitha kjo, në kontekstin e një party që nuk ndërpritet kurrë pa çka se mbetet gjithnjë në sfond; dhe ku traumat e vjetra të kastrimit dhe të nënshtrimit seksual përzihen me ekzibicionin e femrës lakuriqe dhe dëshirës për t’u ngërthyer në kongres erotik me Bafometin.
Imazhi: Lenin Dance, by Elisanth, Deviant Art.