TË GABOSH

“Janë bërë gabime,” tha Pësorja.

“Kush gaboi, kjo është çështja,” tha Kryefjala.

“Gabuam,” tha e Kryera e Thjeshtë.

“Fol për vete,” tha Urdhërorja.

“Janë bërë gabime, lajthitje, gafa, prroçka, mufka,” tha Leksiku. “Le t’i japim gjithsecilit çfarë i takon me Fjalor.”

“Do të bëhen gabime,” tha Orakulli.

“U tha se janë bërë gabime,” tha Ligjërata e Zhdrejtë. “Por në qoftë se na thonë pastaj se gabime rezulton që nuk janë bërë, atëherë le të themi se vetë kjo që u tha është gabim.”

“Ata që i bënë gabimet, nuk e dinin që po gabonin,” tha Vetëdija. “Gabimet janë në sytë e atyre që i shohin.”

Jacques Carelman - Cafetière pour masochistes

Jacques Carelman – Cafetière pour masochistes

“Kush sheh, kjo është çështja,” tha Kryefjala.

“Ju i keni fshehur gabimet,” tha Zbuluesi.

“Ju i keni mbyllur sytë,” tha Syri.

“Në raport ka edhe gabime drejtshkrimore,” tha Norma.

“Tre lloje gabimesh,” tha Pedanti. “Gabime si të tilla, gabime në raportim dhe gabime drejtshkrimore.”

“Jo tre lloje, por tri lloje,” tha Gjinia.

“Gabimi mbetet gabim edhe kur raportohet gabim,” tha Meta*.

“Ka gabime, ka edhe jogabime,” tha Dialektika.

“Ka edhe jo-jogabime,” tha Trolli.

“Bëfshi gabime,” tha Opozita.

“Kur gabimi nuk ndreqet, bëhen dy gabime,” tha Numërori.

“Kush punon, gabon,” tha Proverba.

“Kur gabimi ndreqet gabim, bëhen tre gabime,” tha Qimja-në-Vezë.

“Ose gabohet tre herë,” tha Numërori.

“Ose tre-gabohet,” tha Neologjia.

“Gabofshi tre herë,” tha Opozita.

“U gabofshi tre herë,” tha Opozita tjetër.

“Deri tani folëm për gabimet që janë bërë. Le të flasim për ato që do të bëhen,” tha Largpamësi.

“Që mund të bëhen,” tha Relativizuesi.

“Që pritet të bëhen,” tha Arsyetuesi.

“Që nuk mund të shmangen,” tha Fatalisti.

“Që ka gjasë të bëhen,” tha Probabilisti.

“Sipas gjasave edhe bastet,” tha Kazinoja.

“Është gabim të flitet për gabime që nuk janë bërë,” tha Realisti.

“Gabimi është gabim edhe kur nuk është bërë,” tha Nominalisti.

“Për gabimet që janë bërë le të flasë Ndëshkimi,” tha Ndëshkimi.

“Ndëshkimi le të mos bëjë vetë gabime,” tha Kryefjala.

“Ç’është tamam gabimi, vëllezër?” tha Leksiku.

“Shuma e konteksteve të veta,” tha Google-i.

“Fëmijë i paligjshëm që ka Qëllimi i mirë me Fajin,” tha Autoriteti moral.

“Një fjalë shqipe, në rastin më të mirë,” tha Formalisti.

“E ke gabim,” tha Antikonformisti.

“Të gjithë e kemi gabim,” tha Maska.

“Gabimet na mbajnë gjallë,” tha Ndëshkimi.

“Kush mbetet gjallë, kjo është çështja,” tha Kryefjala.

(*) Është gabim të mendohet se e kemi fjalën për Kryetarin e tanishëm të Parlamentit. Meta në këtë tekst është thjesht deputeti i funksionit meta-linguistik, ose të aftësisë që na jep gjuha për të reflektuar rreth përdorimeve të saj.

Nuk ka komente

  1. A është gabim të thuash ‘Askush s’e pranon gabimin’?
    Sinqerisht,
    Askushi

    Pyet pjestarët e blogut në facebook Askushi nga Kërrkundi i Vlorës.
    Githëkush mun t’i përgjigjet në e-mailin a tij privat tek askush@kërrkund.com

  2. “Njerëz jemi, gabuar kemi”, tha Proverba.

    “Gabimi është Babai i Përvojës”, ia ktheu Përsëritja, mëma e Dijes.

    “Aspak”, u përgjigj Mërzia, motra e madhe e Dijes dhe vajza tjetër e Përsëritjes, “ Gabimi është Babai i Ndëshkimit e ndaj është mirë të shmanget me çdo kusht, edhe sikur të dukemi shitmendësa të vetëkënaqur”.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: