PUERTO RICO NË BALLKAN

Një shënim i Paul Krugman-it për Puerto Rico-n që pata lexuar para disa javësh në The New York Times (Geographical Notes on Puerto Rico) më bashkëtingëlloi me disa shqetësime që i ndesh relativisht shpesh për Shqipërinë, ose që të paktën më qëllon mua, si qytetar i interesuar, t’i kem.

Krugman kërkon të ndriçojë shkaqet e dobësisë ekonomike të këtij ishulli; dhe t’i japë një përgjigje të shpejtë pyetjes së çfarë duhet të bëjë pikërisht një ekonomi si ajo e Puerto Rico-s, për të dalë nga kriza.

Dimra të butë dhe plazhe ky vend ka, por ashtu kanë edhe plot vende të tjera të zonës dhe gjetiu; dhe ishulli ka popullsi shumë më të madhe se fqinjët e vet, me një raport mjaft më të vogël të vijës bregdetare me sipërfaqen dhe popullsinë; që këtej, nuk është i pozicionuar mirë për të pasur një ekonomi të organizuar rreth turizmit, thotë Krugman.

Në fakt, ishulli ka shërbyer si qendër manifakturash, veçanërisht sa i përket industrisë farmaceutike, që ka përfituar nga lehtësira fiskale.

Mirëpo, pyet Krugman, pse të prodhosh atje? Puertorikanët nuk ofrojnë dot një bazë të specializuar, si Gjermania; as rroga të ulëta si një numër ekonomish emergjente në Azi; dhe as avantazh logjistik për shkak të afërsisë me tregje të mëdha, si “brezi i eksporteve” (export belt) në Meksikën e veriut.

Puerto RicoAsgjë nga këto nuk gjen në Puerto Rico: popullata nuk zotëron mjeshtëritë e duhura për të konkurruar, rrogat janë vërtet të ulëta në krahasim me ShBA, por jo dhe aq të ulëta; kostot e transportit të mallrave janë të larta, ndërsa vetë transporti i ngadalshëm.

Krugman nuk arrin t’i japë përgjigje të prerë, për këtë arsye, pyetjes se si mund ta zhvillosh tamam ekonominë në atë ishull, në atë pozicion gjeografik.

Meqë Puerto Rico është pjesë e ShBA dhe banorët e ishullit janë qytetarë të ShBA, rrogat nuk ulen dot, përtej një caku të caktuar; ngaqë përndryshe shumë të punësuar do të parapëlqenin ose sistemin e mbrojtjes sociale, ose emigrimin.

Thotë Krugman: në qoftë se një rajon në ShBA do të rezultonte i keq-pozicionuar sa i përket prodhimit, ne nuk do të prisnim që popullata atje të mbijetonte duke konkurruar me rroga ultra të ulëta; por thjesht që banorët në moshë punësimi të largoheshin drejt vendeve më të favorshme.

Tani, çdo ekonomi ka specifikën e vet; por kushedi nuk do të gabonim shumë, sikur këto përsiatje të Krugman-it t’i përthyenim në lidhje me Shqipërinë dhe marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian, sot dhe sidomos nesër.

Shqiptarëve u mungon ajo që Krugman e quan “skill base”; vendi nuk konkurron dot, si ofrues turizmi, me fqinjët; dhe nuk mund të mbështetet ekonomikisht te turizmi, për shkak të popullsisë së madhe në raport me vijën bregdetare. Shqipërisë gjithashtu i mungon infrastruktura: portet, hekurudhat, autostradat – që do të duheshin për t’i transportuar mallrat e prodhuara drejt tregjeve të mëdha.

[Ç’do të thotë të mos kesh infrastrukturë: i keni parë shkrimet këto ditë në mediat, për potencialin turistik të Sazanit? Kanë harruar të marrin parasysh se në ishull mungon uji i pishëm: vallë do t’ua çojnë ujin vizitorëve me autobot?]

Më tej, edhe në Shqipëri rrogat janë relativisht të larta, në krahasim me fqinjët me të cilët duam të konkurrojmë; dhe nuk ka gjasa të ulen, pa shkaktuar kjo emigrim masiv.

Sido që shqiptarët kanë emigruar në mënyrë dramatike gjatë këtyre 25 vjetëve, sërish vendi ka popullsi më të madhe se ç’mund të pranojë dhe të përballojë ekonomia ekzistuese; sikurse e tregojnë të dhënat e papunësisë.

Dhe çfarë është edhe më serioze, sikur të mos mjaftonte emigrimi masiv, shqiptarët janë mbledhur si milingonat pothuajse të gjithë rreth zonës së urbanizuar bregdetare, duke e braktisur pjesën tjetër të territorit kombëtar.

Deri para pak kohësh, dërgesat e emigrantëve nga Italia dhe Greqia siguronin një farë mirëqenieje surrogato; por këto dërgesa tashmë kanë ardhur duke rënë dhe do të bien edhe më.

Megjithatë, Shqipëria nuk bën pjesë në BE; dhe nuk përfiton vetvetiu nga ndihmat dhe programet ekonomike të BE-së, sikurse përfiton Puerto-Rico-ja nga ShBA. Sot për sot, përpjekjet e shqiptarëve për të emigruar drejt Perëndimit, qoftë edhe nëpërmjet marifeteve të azilit politik, janë bllokuar; dhe gjasat janë që ky bllokim të vazhdojë.

një shkrim të mëparshëm, pyesja se çfarë i shtyn bashkatdhetarët tanë të ikin nga Shqipëria, edhe pse duhej ta dinin që gjasat për t’u sistemuar gjetiu janë fare të ulëta.

Në kontekstin e shtjellimit të tanishëm do të thoja: instinkti. Kushedi ekziston një mekanizëm social i paftilluar mirë, që i bën njerëzit ta kuptojnë – pa e kuptuar mirë – se ka ardhur koha për të ikur. Kjo ka të bëjë me papunësinë, me pamundësinë për t’u siguruar të ardhmen fëmijëve dhe për t’u kujdesur për prindët e moshuar dhe me vetëdijen e mbipopullimit relativ.

Edhe më dramatike duket ikja masive e më të mirëve, më të zotëve, më të talentuarve, më të moralshmëve; e cila vepron si seleksion natyror negativ ndaj pjesës së popullatës që nuk ikën.

Megjithatë, ftoj ekonomistët që e lexojnë blogun të japin një mendim nëse, në pozicionin gjeografik të Shqipërisë dhe shanset e vendit për zhvillim ekonomik, emigrimi drejt BE-së mbetet apo jo i vetmi opsion i arsyeshëm në afat të mesëm, për të shmangur kolapsin dhe trazirat politike; por edhe probleme të tjera më alarmante – si radikalizimi i të rinjve, veçanërisht i të rinjve të papunë

Deri më sot, Shqipëria ka eksportuar drejt Perëndimit kryesisht njerëz (emigracion) dhe kriminalitet. Nuk ka dyshim që elementi kriminal do të kërkojë të zhvendoset drejt kullotave ku jonxha është më e gjelbër dhe ku ka hapësira relativisht të mëdha parazitimi; por, nga ana tjetër, ky element nuk e ka shumë problem çështjen e barrierave ndaj qarkullimit të lirë të njerëzve.

Pyetja që i bëj unë vetes është: a mund të bëhet Shqipëria pjesë e Europës së Bashkuar dhe ekonomisë europiane të përbashkët, pa qarkullim të lirë të shqiptarëve në kontinent? A mund të mbahen shqiptarët me zor brenda kufijve të Shqipërisë, në një kohë që këta kufij janë të përshkueshëm nga gjithçka tjetër që qarkullon në Europë? Prirem t’i përgjigjem kësaj pyetjeje negativisht; por përgjigjja ime nuk është se ngre ndonjë peshë.

Alternativa do të ishte rritja galopante e borxhit publik në Shqipëri; pa llogaritur që këto para nuk do të përdoreshin për investime, por thjesht do t’i duheshin shtetit (dhe pushtetit) për të mbijetuar. Vërtet, një krizë shqiptare e ngjashme me atë greke nuk do ta trondiste shumë BE-në, as tregjet financiare; por a nuk do të ishte emigrimi i kontrolluar i preferueshëm ndaj përballimit të kësaj krize hipotetike?

Madje, madje, edhe sikur BE-ja me Gjermaninë në krye të vendosnin t’i paguanin shqiptarët për të mos emigruar – nëpërmjet një programi të asistencës sociale në nivel si të thuash kontinental – kjo zgjidhje do të mbetej në nivelin paljativ, në një kohë që stabilizimi i popullsisë në nivele të mbajtshme (sustainable) nëpërmjet emigrimit do të vepronte në mënyrë më kapilare.

Do ta vlerësoja shumë mendimin e ekspertëve dhe atyre që janë më të informuar se unë. Për kë nuk e hap dot linkun më lart, kam përgatitur një PDF të shkrimit të Krugman-it, që mund të hapet duke klikuar këtu.

Nuk ka komente

  1. Handikapi më i madh “gjoegrafik” që kanë shqiptarët është se kriza e ekonomisë tonë, ndryshe nga ajo Portorikane apo Greke, është vetëm problem i yni dhe askujt tjetër. Arsyeaja përse dëgjojmë të flitet për krizën Portorikane dhe Greke është se ato në të vërtet janë probleme dhe kriza përkatësisht të SHBA-së dhe Europës (pra të establishmentit financiar), të detyruara të derdhin para për t’i mbajtur këto ekonomi mbi ujë. Përndryshe askujt nuk i bëhet vonë se ç’po ndodh me Argjentinën, Perunë, apo Zimbabven. Po njësoj Shqipëria shihet dhe trajtohet nga institucionet financiare ndërkombëtare si të jetë në krizë permanente, mbi të cilën aplikohet, me gjuhën e ekspertëve, containing strategy (si të ishte ISIS).

    Analiza e Krugman me të drejtë ngre probleme strukturore të ekonomisë kur flet për rrogat, aftësinë e krahut të punës, taksat, subvencionet, lëvizjet e popullatës, pozicionin gjeografik etj. Por i vetmi problem strukturor që Krugman nuk ngre – ndoshta edhe më i rëndësishmi – është korrupsioni.

    Ajo që kanë të përbashkët Puerto Rico, Greqia, dhe Shqipëria është se gjatë historisë moderne u janë ofruar mundësi e shance që shumë vëndeve në botë me pozicione gjeopolitike, dhe probleme strukturore ekonomike më të disfavorshme nuk u janë ofruar. Përsëri e përbashkët është se si pasojë e abuzimit e korrupsionit, ato i kanë djegur shancet që u janë ofruar në mënyrën më jodinjitoze.

    Shancet që i jepen një ekonomie të një vëndi nuk janë shumw të ndryshme nga shancet që i jepen një individi, në kuptimin që duhen kapur kur vijnë dhe jo kur fluturojnë. I vetmi ndryshim: se kur djeg apo humb shancet e një vendi, ke djegur dhe humbur shancet e gjithë individëve që jetojnë në atë vënd.

    1. Kështu e mendoj edhe unë. Nuk ka gjasa që një kokë si Paul Krugman të merret ndonjëherë seriozisht me ekonominë shqiptare – përveçse po të ndodhë ndonjë thagmë e paparë, si kriza e firmave financiare në 1997. Prandaj edhe mendimet e tij dhe zgjidhjet e ofrueshme mbase na duhet t’i marrim parasysh tërthorazi.

      1. Xha Xhai,

        Në fakt nuk e kisha fjalën për interesin e Krugman-it si ekonomist i klasit të parë, por për interesin e institucioneve ndërkombëtare financiare. Nëse një krizë në Greqi apo Porto Riko i nxit këto institucione të mendojnë për politika rritjeje të këtyre ekonomive, p.sh. debati stimulus vs. austerity, në rastin e Shqipërisë startegjitë e investimit dhe ndihmave nisen nga premisa të tjera. Ato janë të ashtëquajturat containment policy, që sigurojnë krizat ekonomike të mos kthehen në kriza humanitare, dhe rritja është prioritet i dorës së dytë.

        Por ky është një ndryshim shumë i madh midis dy qasjeve, kur mendon se janë qasje institucionale të organizmave financiarë më të fuqishëm të botës, aty ku shpesh shkruhen fatet e ekonomisë botërore.

        Në këtë kuptim indiferenca që ka në Shqipëri rreth debatit pothuajse filozofik që zhvillohet midis Greqisë dhe Eurozonës (sikur në të njëjtën kohë të mos ishte dbeat tërësisht ekzistencial dhe pragmatik), tregon sa keq e kuptojmë ne mënyrën se si funksionon ekonomia botërore.

        Ne sigurisht që nuk ia kërcasim dot dhëmbët IMF-it, Gjermanisë dhe Eurozonës, por e pakta që mund të bëjmë është të hapim një debat me partnerët ndërkombëtarë mbi shancet e politikave ekonomike ndërkombëtare për tu kthyer në politika zhvillimi. Dhe për mendimin tim ky është rast ideal, sepse vëmendja është e përqëndruar në këto probleme në rajon pikërisht për shkak të krizës Greke.

        Por sigurisht që vëmendja nuk mund dhe as duhet tëhiqet dot me fishekzjarre.

        1. indiferenca që ka në Shqipëri rreth debatit pothuajse filozofik që zhvillohet midis Greqisë dhe Eurozonës (sikur në të njëjtën kohë të mos ishte dbeat tërësisht ekzistencial dhe pragmatik), tregon sa keq e kuptojmë ne mënyrën se si funksionon ekonomia botërore.

          Nqs eshte si thoni ju, diskutimi i krizes Greke ne Shqiperi do ti ngaterronte edhe me keq pasi subjekti stumulus vs austerity nuk perafrohet fare me ‘contaiment’. Diskutimi i krizes Greke do nanuriste enderrat se dikush te pakten po mendon per rritje te ekonomise. Nderkohe mbetemi te 2% ne vit, nje numer fatal per nje vend te varfer, gje qe provon tezen tuaj se atje politika eshte vertet ‘containment’.

          Dmth ti japim aq sa te mbajne frymen e te mos ikin. Nderkohe, 6 mije azilante ne Gjermani ne muaj tregon se ‘containment’ ka deshtuar.

          1. Termat e debatit varen nga këndvështrimi. Por fakti që nuk bëhet fare tregon se jemi të kënaqur me (na intereson) containment – sëpaku klasa politike flas.

        2. Në këtë kuptim indiferenca që ka në Shqipëri rreth debatit pothuajse filozofik që zhvillohet midis Greqisë dhe Eurozonës (sikur në të njëjtën kohë të mos ishte dbeat tërësisht ekzistencial dhe pragmatik), tregon sa keq e kuptojmë ne mënyrën se si funksionon ekonomia botërore.

          Po pra, flm, dmth shyqyr qe e tha dhe dikush tjeter!. Me ka habitur indiferenca totale, kam hasur vetem artikuj dhe komente qe e shikojne si nje ndeshje sporti, ne mos si perplasje gladiatoresh, e kuptohet shumica e shqiptareve rreshtohen bindshem me me te fortin, Gjermanin. Ajo cka ndodhi me Greqine pike se pari ne shqiptareve duhet te na kishte hequr nga syte perden “na i rregullon punet Evropa/Amerika”. Kur Evropa/Gjermania eshte gati te bluaje 11 milion banore te nje vendi te saj (Thanasit rripi po i merr frymen ketu e 5 vjet, Gjermania thote edhe nja dy vrima qe mos me besh me vicka me referendum as ti as ndonje tjeter), imagjino sa indiferente jane ata ndaj fateve te shqiptareve per te cilet kane dhe nje thes paragjykime. Elita shqiptare–sado sporadike, s’eshte inegistente–duhej se pari te degjonte alarmin e Greqise qe bucite edhe ne Shqiperi, e me ate rast t’i kujtonte popullit shqiptar qe s’duhet te flere me ninullen “do tju cojme ne Evrope” me te cilen e nanurisen politikanet shqiptare ka cerek shekulli, e nje pjese te popullit tashme (already) i duket vetja si parizien, i mungon vetem bereta dhe kulla. Mediat jane mjaftuar vetem me disa perkthime ne shqip te artikujve te huaj per Greqine, ama shume pak gje shqiptare nga shqiptaret per Shqiperine.

          Tjeter, per pasojat imediate ne Shqiperi (0-3 vjet e ardhshem p.sh) te pershkallezimit te krizes greke, si shtimi i emigranteve te kthyer ne Shqiperi, por dhe atyre qe maren rruget e azilit per vendet e tjera (Greqi-Shqiperi-Gjermani) e pasojat qe kjo ka ne dinamikat e tjera Shqiperi-Evrope, etj.

          Tjeter, nje grafi e brendshme shqiptare per te pare sa larg eshte Shqiperia nga pikjata pa kthim e piramides fiskale (aty ku Greqia arriti pak vite me pare, kur falimentoi dhe filloi te mbahet me serum nga BE) dhe c’duhet bere per te korigjuar kursin. Etj etj ceshtje shqptare per te cilat duhet te kishte rene alarmi i krizes greke.

          Pa anashkaluar pozicionimin e pales shqiptare per te ndikuar dialogun me nderkombetaret qe thua ti, mgjths druaj fort se shetetaret shqiptare do merreshin papritur seriozisht nga nderkombetaret ne kesi rangje bisedimesh…burokratet e vendeve te BE i shikojne politikanet shqiptare vetem duke u ankuar neper ambasada e kancelari per sho-shoqin e duke bere sofizma bajate tek ta tip “fajin e ka sistemi, por dhe Saliu, por ne do punojme fort se s’kemi kohe te humbasim”, imagjino cfare mendojne ata per keta “shtetare” e sa seriozisht do ti merrnin. Megjithese asnjehere s’eshte vone, dikur duhet te fillojne te sillet si shtetare keta tanet e te levrojne guret e tyre, por se pari duhen politika e strategji, jo vetem shashka spontante tip sot i thua BE ne jemi muslimane model tolerante e parakalon ne Paris me kreret e fese e neser i thua do behemi radikale terroriste po s’na pranuat.

  2. Madje une do te shtoja se Shqiperia dhe vende te tilla te vogla futen ne kategorine e konsiderimit “hajt mo se vende te vogla jane, rregullohen kollaj”. Por qe ne fakt nuk rregullohen kurre, pjeserisht sepse edhe ato pak shance qe i jane dhene jane keqperdoruar dhe pjeserisht se ata qe mendojne se rregullohen lehte nuk jane marre kurre seriozisht me ta duke i injoruar pikerisht se jane vende te vogla e papeshe.

    Dhe Shqiperia ka shume here me teper potencial se Puerto Riko dhe natyrshem qe mund te rregullohej kollaj. Ketu nuk eshte problem strategjia ekonomike por mpleksja e frikshme e mosdijes me mosdeshiren.

  3. Po a ka vërtet Shqipëria “shumë herë më tepër potencial se Puerto Rico?” Përveç një IQ-je mesatare relativisht më të lartë dhe stabilitetit familjar – nëse mund ta quaj kështu – nuk mund të mendoj për ndonjë avantazh tjetër. Madje Puerto Rico ka avantazhin që është pjesë e një bashkimi federal të fuqishëm, si ShBA; ndërsa ne kemi mbetur në mes, nuk na dëshiron askush. Shqipërisë i mungon infrastruktura elementare dhe nuk shoh si mund të zgjidhet kjo, pa investime të mëdha (por investime të tilla në Shqipëri priren të përfundojnë gjetiu). Në media ende diskutohet për palmat dhe ndriçimin në shëtitoren Tiranë-Durrës (një distancë që me pak durim mund të përshkohet me këmbë). Puerto Rico ka një industri turistike të zhvilluar – njoh plot njerëz që do të shkonin atje me pushime dhe që kanë shkuar; në një kohë që në Shqipëri nuk do të vinin këmbë. Çfarë më shqetëson mua, është se Shqipëria, dikur vend i botës së dytë, po i afrohet me shpejtësi Puerto Rico-s, sepse po humbet pikërisht ata njerëz, që ia siguronin vizionin europian dhe dinjitetin. Ata që shkollohen në universitete të huaja, përgjithësisht nuk kanë më interes për t’u kthyer; ose edhe kur kthehen, zhgënjehen shumë shpejt dhe mendojnë veç për të ikur, sepse në atje tani njeriu e ka shumë të vështirë, në mos të pamundur, të jetojë mirë në mënyrë private, ose pa u përfshirë seriozisht në banda para-mafioze dhe klube para-masonike (si partitë politike ose OJQ-të). Shumë shpejt Shqipëria do të mund të përkufizohej si vendi gjeometrik i atyre që duan të ikin që andej.

    1. Shume dakort me c’ka thoni por une e kisha ne aspektin potencial (megjithese kjo pune ha debat sepse potenciali me i madh i nje vendi ngelet gjithnje ai njerezor). Shqiperia ka nje pozicion gjeografik shume here me te favorshem se Porto Riko qe eshte vec nje ishull ne vargun e Karaibeve. Gjithashtu Shqiperia ka nje siperfaqe disa here me te madhe se Porto Riko si dhe nje dendesi me te vogel se ajo (perfshi ketu qe shqiptaret nuk kane preferuar deri vone te jetojne buze detit dhe kjo siperfaqje ngelet akoma e lire per shfrytezim pavaresisht dyndjeve shkaterruese). Shqiperia ka gjithashtu burime te lakmueshme natyrore si minerale, nafte, natyre te pasur etj. ndersa Porto Riko eshte e varfer ne kete aspekt. Mbi te gjitha Shqiperia ka nje bujqesi qe, edhe pse lengon perseri gjallon, dhe ka nje potencial shume te mire. Popullata fshatare ne Shqiperi, pavaresisht levizjeve demografike ngelet perseri e konsiderueshme dhe tradita e bujqesise apo blegtorise eshte e gjalle ne kundershtim me Porto Rikon. Gjithashtu per momentin mendoj se mosha mesatare e populllsise eshte me e re ne Shqiperi (nese nuk gaboj sepse nuk jam shume i sigurte).

      Por sic e permend Ujku i Zi pak me lart, historia e Shqiperise e ketyre dekadave te fundit eshte nje histori djegjesh te shanceve. Pra potenciali nuk eshte perkthyer kurre ne aktualitet. Une mendoj se ekonomia shqiptare ne dekadat e fundit ka gjetur vec litare shpetimi pas se cilave eshte kapur. Politikanet tane jane mburrur e mburren me litaret e shpetimit e jo me politikat e zhvillimit. Sot psh ka nja dy litare te holle shpetimi si call-center e fasone me te cilet krekoset ministri i ekonomise nate e dite.

      Ne fakt duke lexuar artikullin dhe komentin tuaj, une mendoj se nuk ka model me te mire se Porto Riko. Madje Shqiperia ne menyre te pavetedishme synon te behet si Porto Riko. Kete e tregon edhe fotoja qe po postoj ne fund. Ne fakt Porto Riko i ka te ardhurat per fryme disa here me te medha se Shqiperia dhe eshte ankoruar diku. Kete kerkon edhe Shqiperia; te kete te ardhura disa here me te medha dhe te ankorohet tek dikush me i fuqishem qe do ta mbaje me buke.
      Dhe te kete palma buze autostrades… se sa per ndricimin ai mbaron shume shpejt e pjesa tjeter e autostrades eshte nje terr i rrezikshem.

      https://en.wikipedia.org/wiki/Hato_Rey,_Puerto_Rico#/media/File:Milla-de-oro-min-2.jpg

  4. Po lexoj nje raport te FMN-se mbi tranzicionin ekonomik te Ballkanit Perendimor. Teper arkaik e i renduar me teknika ekonomike por nje gje po me del qarte. Shqiperia dhe Bosnja po ulin ‘koeficentin e konvergjences’ (shkurt diferencen ne te ardhura mes Ballkanit dhe Aneterave te Rinj) qe prej 2009.

    Shkurt, kriza e globale 2008-9 vazhdon ne Shqiperi dhe Kroaci. Kjo ne fakt me habit. Perralla qe tregohet zakonisht eshte qe Shqiperia eshte ‘decoupled’ nga ekonomia globale. Nderkohe FMN-ja tregon dicka komplet tjeter.

  5. Prodhimi per eksport vertet kerkon ose specializim ose rroga te uleta, mirepo shumica e prodhimit behet i mundur per konsum te brendshem, ne menyre qe te evitohet importi dhe rezultati ndoshta s’eshte i mire per volumin nderkombetar te tregtise, por deficiti tregtar ulet, keshtu kapitali nuk bastiset.
    Llafi qe bie mund te mos eksportojme dot lengje frutash, per shkak te rrogave jo te uleta apo specializimit, por qe lengjet e frutave cilesore te jene italiane, ato me cilesi te mesme greke dhe te lirat, cilesi e ulet serbe, kjo eshte diçka ne vetvete skandaloze. Frutat tona te stines kalben e shkojne dem ne nje kohe qe prodhimi i lengjeve te frutave do ulte importin, do shtonte punesimin, duke shendoshur ekonomine.

    Merret gjeresisht si shembull Gjermania, mirepo Franca edhe pse nuk ka as eksport e as import te krahasueshem me Gjermanine eshte per bukuri te zotit.
    Cdo vend ka mundesine e vet, Gjermania eshte kthyer ne klishe bajate tashme. E kishte Japonia statusin e eksportuesit dhe importuesit te madh, derisa mori derrmen e s’po e merr me veten prej gati 20 vjetesh.
    Amerika qe s’ka as import e eksport te madh ne krahasim me GDP-ne apo Franca jane kostante dhe me te ardhme me te parashikueshme e rrjedhimisht me te sigurte,

    Greqia mbase s’ka mundesi per mireqenie te njejte me Italine, si e arriti para krizes, mirepo mund te kete nje mireqenie te qendrueshme ne nivelin 60-70% te Italise. Ne ndoshta mund te jemi tek 50-60%, te arrijme ate njehere para se te merremi me si arrihet niveli i Norvegjise apo Luksemburgut,
    Vete brenda shtetit ka krahina me miqenenie sa 30-40% e krahines me te pasur, kjo ne Shqiperi, Amerike,Itali apo Gjermani, keshtu qe e njejta logjike do sundoje edhe mes shteteve,

    Ne do eksportojme krahe pune sepse na kalben frutat e perimet, se nuk prodhojme as luge e pirune, jo sepse nuk kemi specialiste apo rroga te uleta qe krijojne avantazh te krahasuar ne prodhimin per eksport.
    Problem jo i vogel ne kete drejtim eshte permbushja e kritereve te tregtise se lire qe na imponon per 20 vjetesh rruga per ne BE.

    1. Në Turqi në vitin 2009 më bëri përshtypje që një numër i madh artikujsh konsumi ishin prodhuar në vend: këpucë, gërshërë, hekuri për të hekurosur, thika buke, llamba, bateri, gjithfarë sendesh plastike, etj. Kisha vajtur atje nga ShBA, ku sende të tilla janë gjithnjë Made in China. Ma merr mendja se turqit ndiqnin atëherë një farë politike proteksioniste në tregti, duke mbajtur gjallë prodhimin e brendshëm, pavarësisht nga sa eficiente do të ketë qenë kjo. Por të paktën fabrikat e hekurave për hekurosje dhe legenëve plastmasi punësonin njerëz. Këtu në ShBA, konsumatori i mesëm nuk do të llahtarisej sikur ta blinte hekurin $70 në vend të $30, por ama të ishte Made in USA, dhe jo i ardhur nga Kina ose Vietnami. Tek e fundit, nuk është se artikuj të tillë i blen përditë, nuk ka arsye pse të shiten kaq lirë. Siç e shoh unë, ky zëvendësim i manifakturimit me tregtinë i shërben një elite multi-nacionale shumë të vogël në numër; në një kohë që ekonomitë dhe shoqëritë përkatëse shkatërrohen dhe shpërbëhen, për shkak të papunësisë. Prandaj gjithnjë kam menduar se një farë proteksionizmi duhej ruajtur ndaj ekonomisë dhe tregut të brendshëm në Shqipëri, në vend që të përqafoheshin me bujë dhe vetëkënaqësi teoritë ekonomike më të skajshme dhe t’u vareshin ujqve mëlçitë në qafë. Çfarë ndodhi me Shqipërinë në fillim të viteve 1990 (dhe njëfarësoj vazhdon të ndodhë) nuk erdhi ngaqë shoqëria shqiptare desh të distancohej me çdo kusht nga e shkuara e saj totalitare (autoritare) dhe autarkike; por ngaqë pushteti u mbeti në duar njerëzve që u hoqën sikur po distancoheshin me çdo kusht, në sytë e të tretëve, nga e kaluara e tyre e komprometuar në regjimin e djeshëm; dhe prandaj kërkuan të provojnë se ishin më katolikë se Papa.

    2. Greqia mbase s’ka mundesi per mireqenie te njejte me Italine, si e arriti para krizes, mirepo mund te kete nje mireqenie te qendrueshme ne nivelin 60-70% te Italise. Ne ndoshta mund te jemi tek 50-60%, te arrijme ate njehere para se te merremi me si arrihet niveli i Norvegjise apo Luksemburgut

      Italia ka te ardhura per fryme rreth 35,000 USD/vit. Ne sot i kemi te $4600 ose me pak se 25% sa mesatarja e BE-ut. Nderkohe Antaret e Rinj, edhe sot pas dekadash anterasimi, jane ende te 55%-shi. Pra, eshte enderr e madhe te kesh gjysmen e te ardhurave te Italjaneve.

      Shkurt, ne Shqiperi ka 25 vjet eksperience te ‘jobless growth’. Pa pune per njerezit te ardhurat kurre nuk mund te rriten. Pashe perberjen e ekonomise te Puerto Ricos: 45% ishte manifakture. Ne po shesim edhe breket qe te mos i lajme.

      1. Shifrat reale nuk jane ne gjendje kaq te mjerueshme, dmth per fryme me çmime te indeksuara/PPP, Cia worldfactbook e jep mbi 11000 dollare (kuptohet per 2.8-2.9 milion rezidente, jo per 4.4 milione te gjendja civile). Le te themi afersisht 30%, ne nje kohe qe objektivi i mundesive tona eshte tek 50-60%, Brenda nje brezi duhet te mundesohej arritja e ketij objektivi, sepse 25-30 vjet ne ekonomi nuk jane pak, BS e Stalinit u kthye ne prodhuesin e dyte industrial brenda 10 vjeteve, Japonia ne fundshek 19 per 30 vjet kaloi nga koha e shpatave ne kohen e koracatave dhe artilerise me te cilat theu ruset ne lufte.

        Meqe jemi perqendruar tek tregtia,turizmi e sherbimet, eshte skandaloze tek sheh qe punonjesit tipike, shites,kamariere, banakiere,recepsion etj marrin 150-200 mije leke ne muaj, te pasiguruar e me presion te jashtezakonshem. Po ne kete sektor biznesi i vogel e familjar, nqs paguan tatimet, rendom del me minus.
        Pra, qartazi tregtia, turizmi e sherbimet ne pergjithesi, kane arritur me kohe piken e ngopjes, keshtu qe s’ke çfare pret me prej tyre; nqs nuk zhvillohen dege te tjera nuk ka shanse fare. Rritja anemike e viteve te fundit eshte sidomos pasoje e ngopjes se mesiperme, jo me kot plusi i vogel i detyrohet energjitikes/naftes, mineraleve dhe bujqesise, pra sektoreve industriale e bujqesore.
        Normalisht nje rritje e ketyre sektoreve do i jape hov serisht tregtise, turizmit e sherbimeve ne pergjithesi, por keta sektore hasin ne pengesa serioze nga shume drejtime, prandaj vetem pas shume kohe e mes mije peripecive do arrijne t’i japin terciarit kuoten e duhur te karburantit, qe pastaj do te thote me shume punesim per punonjesit tipike qe permenden e pse jo edhe rritje pagash.
        Ne kete kuptim te degjosh broçkulla ne televizor me projektime rritjeje prej 4-5% te vjen natyrshem te shash me liber shtepie.
        Gjithsesi mundesite jane, borxhi edhe pse i larte eshte i perballueshem, prandaj mund te levizim drejt 50-60% te Italise, sigurisht nqs kryeministri nuk e ka mendjen per palma e zarigoga.

        1. Hyllin,

          Në fakt borxhi është i papërballueshëm – shih raportin e Majit 2015 të IMF-it dhe delkaratat e fundit të tyre. Sipas raportiti: “Albania is considered a high-scrutiny case. In particular, Albania meets the following criteria: i) current (and projected) public debt exceeding 50 percent of GDP; and ii) gross financing needs exceeding 10percent of GDP”.

          Të shqetësuar IMF ndërpreu edhe këstin e radhës.

          Të vemit që nuk shqetësohen janë politikanët Shqiptar.

          Në teori i hidhet faji paaftësisë për të mbledhur taksat – të paktën nga IMF. Por askush nuk sqaron dot se si mund të mbledhësh taksa në një ekonomi që qysh në princip është informale (remitanca; shitblerje të pronës në kesh; bujqësi që nuk eksporton; mungesë zhvillimi industrial teknologjik e financiar).

          Siç u tha këtu me të drejtë kriza Shqiptare është më e rëndë se ajo Portorikane dhe Greke bashkë. Dhe me çoroditjen që ka politika, që nuk po di të zgjohet,  nuk do arij të ofroj as 2% që na mban frymën gjallë dhe duket se kolapsi ekonomik është i paevitueshëm.

          1. Kjo fotografi, më mirë se një monografi 500-faqëshe, shpjegon gjithë ç’ka shkuar gabim me ekonominë në Shqipëri gjatë këtyre 25 vjetëve.

            https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/08/mbirregullimi.jpg

            Vëreni këta burra kombëtarë e ndërkombëtarë me një barrë mend, që kanë stisur një rrezik fantazmë, vetëm e vetëm për t’u mbledhur pastaj bashkë dhe për ta “debatuar.” Financimet shkojnë e vijnë, grupet riprodhohen dhe dikush përfiton rëndshëm – por me siguri jo qytetari.

            E gjithë kjo më kujton këtë pasazh nga tregimi i Mikhail Bulgakovit, “Curriculum Vitae i Profesor Persikovit,” ku përshkruhen efektet e një dimri jashtëzakonisht të ftohtë, në Institutin e Kërkimeve Zoologjike të Universitetit të Moskës:

            Pas vdekjes së kujdestar Vlashit, dritaret në institut u ngrinë krejt, aq sa një dantellë e hollë akulli mbuloi sipërfaqet e brendshme të xhamave. Lepujt, dhelprat, ujqit, peshqit dhe të gjithë gjarpërinjtë fushorë ngordhën njëri pas tjetrit. Persikovi ndenji i heshtur për ca ditë, pastaj u sëmur me plevit, por mbijetoi. Pasi e mori veten, filloi të vinte në institut dy herë në javë dhe, në sallonin e rrumbullakët ku temperatura ishte gjithnjë pesë gradë nën zero pavarësisht nga temperatura përjashta, filloi të mbante një varg leksionesh me temë “Reptilët e zonave të nxehta”, i veshur me galloshe, një kapele me mbrojtëse për veshët, një shall dhe duke nxjerrë avull të bardhë nga goja – përpara një auditori prej tetë vetësh.

  6. Ne nje bote gjithnje e me te globalizuar, por dhe te specializuar, secili vend perpiqet te gjeje dhe perfeksionoje specialitetin e vet (niche), gjene qe i jep avantazh ne varesi te kushteve te brendshme dhe pozitave rajonale/globale. Ne Shqiperi prej cerek shekulli thjesht nuk ka plane te mirfillta kombetare dhe kendveshtrime afatgjata, ndac per ekonomine, ndac per politiken e jashtme, apo per dicka tjeter te ngjashme. Aty shtetaret jane te preokupuar kryesisht me pushtetin dhe korrupsionin e perkohshem per interesa vetiake e biznes-klanore. Nga gjithe ushtria administrative qe paguhet me para taksash e korrupsioni e qe i ble petkat e i ben sherbimet ne vendet e shtrenjta te Evropes, druaj se jane pak (ne mos asnje) ata qe e kalojne diten e punes duke e vrare mendjen per keto gjera. Ne te kundert shqiptaret e mencur e shkolluar s’mungojne aspak, le qe rrota s’ka nevoje te shpiket se e kane rrotulluar te tjeret para nesh.

    Per te mos thene qe nese shumica e shtetareve te larte shqiptare do ta lexonin kete artikull dhe komentet tuaja/tona do tallnin bythen (pardon my French) me ne duke thene dicka tip “shi kllufat, ngelen duke i qare hallet kombit ne internet, ikni mer drunj beni plazh”.

    Kanceri–dhe kete s’e them aspak per hiperbolizim–i Shqiperise eshte korrupsioni. Derisa korrupsioni te ulet e shteti te ngrihet ne nje nivel minimal funksional, asgje dhe askush nuk e ndihmon dot Shqiperine, as ndihmat + presioni i huaj, as Krishti me Muhamedin, as Skenderbeu me Qemalin. Pyetja shtrohet, meqe klasa politike s’ka aspak ndermend te vete-korigjohet (ne fakt sa vjen e behet me keq, konsolidohet pushteti dhe paraja ne pak duar polit-mafioze dhe autokrate) cfare duhet te ndodhe qe te zgjohet nga gjumi shoqeria civile, apo qe te lindet? Njerzit u ngriten vetem 2 minta per helmet e Sirise (duke i thene “Jo” si pushtetit shqiptar dhe presionit te huaj/Amerikes) nderkohe qe helmin shqiptar (i garantuar ky helm, jo thjesht risk helmimi si ai i armeve te Sirise) e pijne perdite sapo ngrihen nga gjumi e derisa bjene te flene, jo vetem me ndotjen e ajrit por sidomos me vrasjen e shpreses per jeten e tyre dhe te familjes, me rritjen e stresit dhe pasigurise dhe dhe me tretjen e dinjitetit, dita me dite.

    P.S. Ideja e krahasimit me vendet qe kane pasur trajektore e kushte te ngjashme eshte shume e mire, sidomos me vendet qe tashme kane dale mbi uje. P.sh. me Kroacine gjithashtu ballkanike e ish-komuniste. Ne nje Shqiperi minimalisht funksionale shteti p.sh. do sponsorizonte studime te tilla per te pare se cfare kane bere konkretisht vendet ne kushte te ngjashme (me Shqiperine aktuale) per te kaperzyer me sukses purgatorin e tranzitokracise.

  7. Shumë interesant ky diskutim. Përfitoj nga rasti të hedh në një renditje të rastit mendimet e mia mbi disa nga problematikat e ngritura.
    Para së gjithash mendoj, ashtu si një nga parashkruesit, që Shqipëria, ndryshe nga Puerto Rico, ka një sipërfaqe shumë më të madhe (pra, më shumë pasuri natyrore për kokë), rroga më të ulëta se shumica e fqinjëve (sidomos nëse po flasim për krah pune të paspecializuar), pozicion gjeografik shumë më të favorshëm. Faktikisht jemi vendi më i varfër në Europë, ndoshta hahemi me Bosnjën, dhe jemi mu në zemër të saj. Pra, mendoj se Shqipëria ka potencial dhe mendoj se arsyeja kryesore pse ky potencial nuk është shfrytëzuar ende dhe ndoshta nuk do të shfrytëzohet kurrë është korrupsioni. Investitorët, ndaç të huaj e ndaç shqiptarë, duan të kenë një return on capital më të madh se ç’kanë në një vend ku shteti nuk u siguron dot drita, ujë, rrugë, transport hekurudhor, siguri, shtet ligjor, gjykata të paanshme e kështu me rradhë…

    Po pse ky korrupsion i mallkuar nuk ç’rrënjoset vetëm këtu te ne? Kjo është pyetja që më lind shpesh. Dhe përgjigjja e parë që më vjen është sepse shoqëria jonë është “relativisht” shumë e paedukuar. Elita intelektuale ka emigruar dhe unë mendoj, paçka se nuk para i pëlqej teoritë e konspiracionit, se një pjesë e forcës politike ka punuar qëllimisht që ta mbajë popullsinë në errësirë mendore. Po të shohim buxhetin shtetëroret që investohet në arsim, nuk ka se si të mos mendohet një gjë e tillë. Po të shtojmë këtu edhe faktin që kemi të bëjmë me një popull esencialisht ateiste, kuptojmë që ajo që i mungon kombit shqiptar është një sërë vlerash të përbashkëta morale mbi të cilat të mund të ndërtojë e të kërkojë llogari. Shoqëria civile që jeton në Shqipëri është thellësisht e mpleksur në sistemin e korruptuar shqiptar. E të them të drejtën e ka të vështirë të ç’mplekset nëse do të mbijetojë. Shumica e atyre që kanë bërë një shkollë prej vërteti e që nuk kanë emigruar, kanë punuar ose punojnë për shtetin ose për OJQ-të. Nëse jo vetë ata, dikush në familjen e tyre. Prandaj edhe nuk revoltohen masivisht kundër korrupsionit: chi è senza peccato scagli la prima pietra… Sa për anekdotë, historia ime personale më ka lejuar të shoh nga afër numrin e njerëzve që “ndërhyjnë” te profesorët e universiteteve shtetërore për të kaluar djalin, nipin, mbesën apo komshien në këtë provim apo për të përmirësuar notën në atë provim. Ky fenomen është jashtëzakonisht i përhapur dhe i pranuar nga shoqëria ndërkohë që, në shoqëri të tjera, me të cilat duam të krahasohemi, as nuk njihet e as nuk imagjinohet (nuk kam informacion për vendet e Ballkanit, por kam në mendje vendet e Amerikës Latine apo Azisë). Me këtë dua të them që “korrupsioni” është një fenomen shumë më kapillar dhe i përhapur në Shqipëri se sa ndoshta në vende të tjera të ngjashme ku gjendet masivisht në majat e pushteteve. Sistemi komunist ç’rrënjosi për shumë vite sistemin e kapitalit për ta zëvendësuar atë me sistemin e “nderit”, e vetmja monedhë që mund të shkëmbehej lirisht. E kështu gjendemi në një vend që mbijeton me “nderet” që i bëjmë njëri-tjetrit… Po këto janë vetëm përsiatje të lira sociologjike mbi të cilat nuk kam asnjë ekspertizë të vërtetë.

    1. Sistemi komunist ç’rrënjosi për shumë vite sistemin e kapitalit për ta zëvendësuar atë me sistemin e “nderit”, e vetmja monedhë që mund të shkëmbehej lirisht. E kështu gjendemi në një vend që mbijeton me “nderet” që i bëjmë njëri-tjetrit…

      Shume interesant ky vezhgim e sidomos ne lidhje me korrupsionin. Mu duk me rendesi te madhe nga ana antropologjike e korrupsionit. Sure enough, Xha Xhai paska bere nje shkrim ku e analizon me hollesisht kete marredhienie. https://peizazhe.com/2010/04/15/tregu-i-ndereve/

    2. Korrupsioni hahet kur ke rritje ekonomike 7% ne vit (Kina), apo nafte boll (Rusia). Keta ne Shqiperi qe e ‘hajne’ me rritje ekonomike 2% (qe nuk mbulon as inflacionin) jane ne fakt komplet imbecile pavaresisht arsimimit qe kane.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin