SHKRIMTARI PA UNIFORMË

Pse nuk kemi letërsi të madhe? Pse nuk arrijmë dot të nxjerrim gjenij? Muzika jonë është anemike, filozofia jonë anemike, artet vizuale gjithashtu; na mungojnë edhe idetë edhe njerëzit. Pse vallë?

Këto pyetje nuk janë të miat. Shkrimtari polak Witold Gombrowicz, që jetoi për një kohë të gjatë, pas Luftës II Botërore, në mërgim në Argjentinë, ua vë në gojë argjentinasve gjysmë të imagjinuar prej tij.

diaryArgjentinasve u duhen gjenijtë, shkruan ai në Ditar, njëlloj siç u duhet një kombëtare futbolli: për të fituar ndeshjet me kombëtare shtetesh të tjera. Çfarë ua zhbën mendjen është pikërisht kjo dëshirë për t’i treguar botës, për të mos mbetur mbrapa.

Meraku i parë i këtyre krijuesve, vazhdon shkrimtari polak, duke iu referuar elitës kulturore në Argjentinë, nuk është të shprehin pasionet e tyre dhe ndërtojnë një botë të tyren, por të shkruajnë një roman “të nivelit europian”, në mënyrë që Argjentina dhe krejt Amerika e Jugut të ketë një vepër të prezantueshme.

E trajtojnë artin si kampionat sportiv ndërkombëtar dhe shqetësohen pse ekipi argjentinas nuk po bën gola.

Pse ka, pra, kaq pak gola? Gombrowicz-i mendon se përgjigjja gjendet pikërisht te fjalëza “ne”… Sa kohë që një argjentinas flet në vetën e parë njëjës, ai është njerëzor, i lakueshëm, real… dhe ndoshta deri edhe i epërm ndaj europianit. Sa më i vogël ballasti, aq më e vogël barra e trashëgimisë, aq më pak rëndon historia, tradita, zakoni dhe prandaj aq më shumë ka hapsirë për lëvizje dhe mundësi për zgjedhje.

Për fat të keq, vazhdon shkrimtari polak, kjo “unë” e vetës së parë njëjës funksionon vetëm në shkallaret më të poshtme të ekzistencës lokale dhe ata, argjentinasit, nuk dinë si ta ngrenë në një shkallare më të lartë – si në kulturë, në art, në fe, në moral dhe në filozofi – pse këtu ata gjithnjë kalojnë në regjistrin “ne”.

Dhe këtu argjentinasi nis të predikojë se si “ne” kemi nevojë për histori, sepse përndryshe nuk ua dalim dot vendeve “më të pasura historikisht” dhe me dëshirë fillon të sendërtojë histori vetë, duke u ngritur monumente gjithfarë “heronjsh kombëtarë” në çdo cep rruge; duke kremtuar një përvjetor të ri çdo javë; dhe duke iu referuar me fjalë një të shkuare të lavdishme.

Në Amerikën e Jugut, shpjegon Gombrowicz-i, fabrikimi i historisë është një sipërmarrje që konsumon sasi të përbindshme kohe (të shpërdoruar).

Autori sugjeron edhe si mund të dilet nga ky kolektivitet në thelb qesharak – edhe pse ai beson se zgjidhja do të vijë në vetën e parë njëjës. Mirëpo asnjë argjentinas, ankohet ai, nuk kujtohet të pyesë ndonjëherë: “Pse vallë nuk jam unë krijues?”; pyetja e tyre vjen gjithnjë kështu: “Pse vallë nuk jemi ne krijues?”. Dhe gjithçka përfundon e tretur në këtë “ne”.

Si edhe gjetiu në Ditar, Gombrowicz-i gjen në Argjentinë mishërimin e provincës që rreket të matet me dhe të arrijë kryeqytetin. Këtu, thotë ai, kushdo që ka arritur të shquhet, ia lejon vetes shndërrimin e padhimbshëm në “mjeshtër”. Dhe meqë askush nuk dëshiron të shkruajë për vete, por vetëm për kombin (ose lexuesit), shkrimtari është edhe lexues, edhe mësues, edhe udhëheqës, edhe ndriçues – në vija të përgjithshme, vëren Gombrowicz-i – kjo kulturë është çuditërisht skolastike… aq sa të krijohet përshtypja se kombit argjentinas i kanë dhënë formë “zyshat” (schoolmarms).

Dhe me pak vullnet të mirë, “mjeshtri” i ekspozohet metamorfozës tjetër, duke u bërë parathënës, profet, ndonjëherë edhe martir ose hero i Amerikës.

E çuditshme, përfundon autori, se si në një komb kaq pafajësisht modest, ka kaq shumë pompozitet në shtresat e larta, një vetë-fryrje prej fëmije.

Shumë ka për të analizuar, në këto përsiatje të Gombrowicz-it; por çfarë më shtyu t’ia sjell lexuesit të Peizazheve të fjalës ishte kujtimi i Martin Camajt, i risjellë edhe nëpërmjet një shkrimi të Hans Joachim Lanksch-it, botuar javën që shkoi, në përkujtim të 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit.

u2_martin-camaj2Vërtet, Camaj jetoi dhe krijoi në një hapësirë që nuk ishte as ajo shqiptare kombëtare, as e diasporës – ndoshta në krye nuk e lejuan të fliste në vetë të parë shumës dhe të thoshte “ne”; por më pas u mësua të thoshte “unë” dhe të kultivonte vetveten, si mishërim të universales.

Nuk shkroi për t’i shërbyer kombit, as ndonjë force a ideali politik a filozofik; nuk iu nënshtrua ndonjë ideologjie; nuk iu përkushtua edukimit të masave të gjera; nuk iu drejtua të huajve; nuk gjëmoi Nobelin; nuk u orvat të shpëtojë shqiptarët nga apokalipsi, as t’i çlirojë ata nga “vargonjtë”; nuk synoi suksesin masiv, por as ia mbylli dyert lexuesit me paramendim. Thjesht e la shqipen e vet të lirë, që të bënte të vetën. I detyruar edhe nga rrethanat, u shndërrua në shkrimtarin më modern të shqipes.

Dhe ky do të ishte “uni”, i rekomanduar me aq zjarr prej Gombrowicz-it.

Nuk më bind deri në fund, megjithatë, mbyllja e shkrimit të Lanksch-it: “Ka ardhur koha që të mendohet në Shqipëri se Martin Camaj është yni.” Nuk më bind, sepse nuk e përfytyroj dot Camajn të vënë në shërbim të ideologjive: këtu kombëtarist, atje europianist, këtu promotor i shpirtit autentik të shqiptarit, atje antikomunist, këtu shkrimtar i mërgatës, atje flamurtar i gegnishtes…

Nuk e përfytyroj dot monumentin e Camajt të ngritur në një cep rruge, gjithnjë për t’iu referuar vizionit të pakëndshëm të Gombrowicz-it.

Por si do t’i qaset atëherë kultura e sotme shqiptare Camajt? Kultura e sotme e mbytur në “histori” dhe në “kombëtarizëm” veç keq mund t’i bëjë pritjes së atij shkrimtari, sikurse edhe i ka bërë. Duke filluar nga bindja e “zyshave” – e pavënshme në diskutim – se vlera e çdo autori, çdo artisti, çdo intelektuali përcaktohet nga raporti i tij me një ideologji të caktuar; bindje që na e ka lënë trashëgim të neveritshëm totalitarizmi.

Prandaj s’më mbetet veç të shpresoj që Camaj të zërë vendin që meriton në letërsinë shqipe, kur lexuesi i tij të guxojë ta nxjerrë Camajn nga pronësia kolektive dhe t’i thotë vetes “Martin Camaj është imi.” Lanksch-i do ta ketë thënë këtë, me kohë. Pak nga pak, le të mësohemi edhe ne të tjerët të mendojmë kështu.

Nuk ka komente

  1. Shumë interesante qasja dhe sidomos vrojtimi mbi pritshmëritë totalitare për të bërin art të angazhuar.
    Kjo më sjell ndërmend se si, pasuar glorifikimin ad nauseam të romanit “Nëna” të Gorkit, unë adoleshente e pata përjashtuar Gorkin fare fare nga lista e must reads. Kur pastaj thuajse aksidentalisht zbulova “Përrallat e Italisë” dhe “Universitetet e mia” besova që pata zbuluar shkrimtarin më të madh që kisha lexuar deri atëherë.

    Jam sot e zënë ngushtë tek pohoj se për një arsye të ngjashme por me kah invers e përjashtova Camajn nga must read list në fillimvitet ’90. Zbulimi dhe promovimi i Camajt nga publicistika shqiptare e atyre viteve shpeshherë u politizua dhe instrumentalizua si kundërfigurë ndaj letërsisë socrealiste. Mbase ishte një reaksion i ekzagjeruar i imi ky kur në përpjekjen për të vënë distancat midis meje dhe politikës, unë refuzova gjithçka që vinte sadopak aromë politike, e në këtë kontekst e paskam keqinterpretuar Camajn si artist potencialisht “tonin”.

    Interesante se si, duke luftuar skemat e të tjerëve dhe në emër të lirisë, njeriu ndërton skemat e veta.

    Kësisoj të falenderoj Xhaxha për përkujtesën që Camajn ta lexoj si shkrimtarin “tim”. Do ta bëj menjëherë.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: