E DUAM MË TË PASHMIN

Lajmi që u dha nga disa media të Tiranës, për liderët më të pashëm në botë, gëzoi e zemëroi njëkohësisht shumë shqiptarë.

Së pari, duhet të themi se mediat nuk kanë faj për reagimet e publikut, ato duhet ta japin lajmin cilido qoftë ai, i mirë apo i keq, i bukur apo i shëmtuar. E meqë këtu lajmi ishte që ç’ke më të, dhe mezi po e prisnim prej vitesh, mediat pra bënë detyrën e tyre, duke treguar edhe një herë profesionalizmin e tyre.

Shqiptarët që e shohin gotën gjysmë bosh thanë se edhe kësaj radhe na e patën me hile, se nuk ka mundësi që Edi Rama të rreshtohet i 22-ti dhe Bujar Nishani të renditet në vendin 112-të. Klasifikimi është manipuluar nga qarqet e zakonshme armiqësore. Natyrisht, që të dy janë shumë më lart. Mjafton t’i hidhni një sy numrave para 22-shit dhe keni për ta parë se çfarë gabimesh janë bërë. Për të mos folur për qindëshen e mëpasshme.

Siç mund të pritej, kategoria e gotave bosh u nda më dysh, sepse njëra palë mendonte të bënte protestë përballë selisë së organizatës që bëri klasifikimin, madje duke ngritur një dron me flamurin e stampuar me liderët shqiptarë; kurse pala tjetër tha se herës tjetër do t’i ndërronte rezultatet nëpërmjet një virusi elektronik, në shenjë proteste ndaj kësaj padrejtësie. Të dyja palët dolën me një peticion ku midis të tjerash thuhej me të drejtë se shqiptarët janë “racë e bukur”.

Përkundrazi, shqiptarët që janë optimistë, pra që e shohin gotën (jo vetëm të rakisë) gjysmë të mbushur menduan se klasifikimi ishte shumë i mirë. Për këtë vit, kuptohet. Se vitin tjetër me siguri do të klasifikohemi ndër të parët. Mirëpo edhe këtu kategoria u nda më dysh. Një pjesë e shqiptarëve thanë se liderët shqiptarë duhet të bëjnë më shumë sport e palestër, ose të ndryshojnë look. Në këtë mënyrë do të përparonin në listën e dëshiruar. Pjesa kundërshtare pohoi se e vetmja mënyrë për të ecur përpara në listë ishte ndërrimi i liderëve, çka edhe shkaktoi rrëmujë e polemika, sepse plasi sherri për emrat e politikanëve më të bukur, që mund të vëmë nesër në krye të institucioneve.

Ndërkohë, një kompani sondazhesh njoftoi se ka marrë porosi nga mediat e ndryshme për të bërë disa lista politikanësh sipas kritereve të pamjes. Ja disa prej tyre: Liderët më shtatgjatë, Liderët me mustaqe më të bukura, Liderët më karizmatikë, Liderët me mjekër më të pashme, Liderët me pamje më të këndshme, Liderët me veshje më të hijshme, Liderët me sy më tërheqës, Liderët me buzëqeshjen më të ëmbël, Liderët më fotozhenikë, Liderët më selfie-zhenikë, Liderët me trupin më seksi, e kështu me radhë.

Si gjithnjë nuk munguan hamendjet e polemikat. Disa thanë se këto sondazhe porositen nga mediat që të përdoren nga mediat. Si të thuash jepet punë për të krijuar punë. A e dini sa artikuj mund të bëhen rreth pyetjeve të mësipërme? Të tjerë, kryesisht në rrjetet sociale, u shprehën se këto sondazhe në fakt ishin në thelb politike. Sepse e vetmja mënyrë për të analizuar ecurinë e politikës dhe pëlqimin e publikut është të marrësh vesh se ç’mendojnë për pamjen e politikanëve.

Tejet interesant propozimi i Institutit të Demokracisë Eksperimentale, me qendër në Shishtavec e në Hoçisht, sipas të cilit liderët e partive nuk duhet të votohen më për programet politike dhe realizimin e tyre, por për pamjen dhe sharmin që kanë. Madje edhe negociatat ndërkombëtare duhet të zhvillohen në këtë bazë. Në këtë mënyrë, çlirohet edhe gazetaria nga barra e rëndë për të folur për politikë reale dhe programe ekonomike, të cilat janë tema që kërkojnë mund e përgatitje. Në të njëjtën mënyrë e masë, ndihmohen edhe votuesit, të cilët nuk duhet të gjykojnë punën e politikanëve, por vetëm karakteristikat e tyre pamore. Kjo është e vetmja rrugë për ta çuar demokracinë në një stad më të zhvilluar, sepse sigurohet pluralizmi i vërtetë, meqë njeriu ka gjithnjë shije të ndryshme. E këto nuk diskutohen, siç thotë edhe maksima De gustibus

Nuk ka komente

  1. E neveritshme të shohësh si mediat kanë zënë t’i trajtojnë krerët e politikës, dhe Edi Ramën në veçanti, si të ishin celebrities ose, më keq akoma, royalty.

    Ja dy lajme që jep sot “Shekulli” në rubrikën soft (lajme interesante nga Bota e ShowBiz, for f*ck’s sake).

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/07/celebrities.jpg

    Por këtu nuk ka asgjë soft. Këtu ka një politikë editoriale që e dëshiron lexuesit të argaliset pas çfarë politikanët nuk janë.

    Rreziku më i madh këtu është që subjektet e këtyre sherbetosjeve të fillojnë vërtet t’i besojnë.

  2. Jo vetem ndaj politikaneve, por edhe ndaj biznesmeneve te suksesshem ka filluar kjo lloj lepirje apo sherbetosje.

    • P.sh. Alfred Lela mbi Samir Manen, rrefen qe ishte mrekulluar nga sjellja e tij ne kinemane e nje qendre tregtare, ku ne vend te sillej si pronar bari apo qoftexhi, e ti sherbente vetes, Saimir Mane, nje nder aksioneret e qendres tregtare, jo thjeshte pronari i saj, zgjedh te bleje bileten.

    Kuptohet qe Lela harroi te fliste per Xhevrien, pronaren e byrektores poshte pallatit qe ushqen cdo dite me dy byrek e nje dhalle nje endacak. Por i shkoi ndermend se ky aksioner i sukesshem i disa bizneseve, dhe person me aq influence sa e solli unazen e re (per te cilen ka shkruar edhe i ndjeri A. Klosi) te Tiranes tek dera e TEG-ut, me tentakula te gjate ne te dyja partite kryesore, PD e PS, eshte nje njeri qe e njeh etiken e biznesit dhe perulesine.

    I njejti person ka aksione edhe ne Albchrome, ne minierat e Bulqizes, ne heshtje, aty ku vriten pronar te ligjshem e te paligjshem lejesh shfrytezimi.

    Vec kesaj, Lela qe ngren edhe mite, nuk arrin te kuptoje se te kesh aksione ne nje sipermarrje si Tirana East Gate apo Cineplexx, nuk eshte njesoj si te jesh pronar qebaptoreje ku klientet te therrasin me emer. TEG ka tre (dy tani) aksionere te medhej. Ndersa Cineplexx eshte ne pronesi 100% te Cineplexx International dhe nuk eshte ne pronesi te Samir Manes.

    Alfred Lela, ky krijues mitesh, fillon e gdhend i pari nje te tille:

    Unë kam një histori as mitike dhe as mistike me Samir Manen. Por mund të quhet surprizuese. Skena e episodit është një prej pronave të tij të shumta, një mjedis kulturor, kinema Cinneplex te TEG. Po shfaqej një film i pasdites dhe z. Mane është në sallë, i ulur diku nga fundi bashkë me të shoqen. Gjithçka është pezull në mbllaçitjet e popcorn-it, në atë 5 minutëshin shpresëmirë të reklamave para filmit. Një moment ‘i zoti i shtëpisë’ çohet për të dalë jashtë salle. E shoqja e thërret me të butë duke i zgjatur biletën. “Që ta kesh kur të rifutesh në sallë”, i thotë ajo. Ai aprovon duke marrë biletën. Del dhe kthehet pas pak.

    Sigurisht, e tija është sjellja normale e një pasaniku, le të themi europian, por shumë prej nesh kanë qenë dëshmitarë kacavjerrjesh, bërtitjesh, të të bërit çmos të ‘bosëve’ të tjerë për të treguar statusin dhe peshën e lekut të tyre.

    Kjo histori pa ‘mit’ e Samir Manes udhëton me mua dhe partneren time prej një viti, dhe e kemi rrëfyer shpesh ndër miq.

    Duke e dëshmuar publikisht nuk ndihmoj Samirin, por krijimin apo mundësimin e një modeli.

  3. Ja disa nga titujt e mediave shqiptare për temën e mësipërme:

    Njësoj si Bamir Topi! Edhe Rama mes liderëve më të bukur në botë (Mapo – 25.07.2015)

    197 liderët më të bukur në botë, Rama i 22-ti…Ja kush kryeson (Shqiptarja – 25.07.2015)

    Liderët më të pashëm në botë, të paktën për bukuri nuk jemi në fund të listës (Tesheshi – 25.07.2015)

    Kryeministri Edi Rama, lideri i 22 në botë…për nga bukuria (ikub – 25.07.2015)

    Në listën e liderëve më të pashëm në botë, asnjëri nga Kosova: Ja kush janë nga rajoni! (Botasot – 25.07.2015)

    Liderët më të pashëm: Ku është Rama e ku Gruevski? (Shprehja – 25.07.2015)

    Rama në listën e liderëve më të bukur në botë, lë pas shumë emra të rëndësishëm, ja renditja (SOT – 25.07.2015)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin