AUGUSTO MONTERROSO: NJË PREZANTIM

Shkrimtari latino-amerikan Augusto Monterroso (1921-2003) fitoi famë dhe admirim me tregimet e tij shumë të shkurtra, disa në formë fabulash. Më poshtë po sjell disa mezé nga më djegëset të kuzhinës së tij*, marrë nga vëllimi La oveja negra y demás fábulas (me përjashtim të copëzës “Dinosauri”, që i përket një përmbledhjeje tjetër).

BRESHKA DHE AKILI

Më në fund, siç njoftojnë agjencitë e lajmeve, javën që shkoi Breshka arriti në finish.

Në konferencën e shtypit, ajo deklaroi me modesti se gjatë gjithë garës kish pasur frikë mos humbte, ngaqë kundërshtari nuk i ish ndarë, hap pas hapi.

Në fakt, një të mijë-triliontën e sekondës më pas, i shpejtë si rrufeja dhe duke nëmur Zenonin e Eleas, ja ku mbërriti Akili.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

GJASHTË TË TJERËT

Thonë se një vend të largët, jetonte para ca kohësh një Buf që, duke vrarë mendjen dhe studiuar, reflektuar, përkthyer, mbajtur leksione, shkruar poema, rrëfime, biografi, recensione filmash, ligjërata, ese letrare dhe ca gjëra të tjera, arriti të përvetësojë dhe të trajtojë praktikisht gjithçka, në çdo lloj fushe të njohjes njerëzore; dhe në mënyrë kaq të mahnitshme, sa bashkëkohësit e tij entuziastë menjëherë e shpallën një nga Shtatë të Urtët e Kombit, edhe pse deri më sot askush nuk ka mundur të marrë vesh se cilët janë gjashtë të tjerët.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

BUBURRECI ËNDËRRUES

Na ishte një herë një Buburrec i quajtur Gregorio Samsa që ëndërronte sikur ishte një Buburrec i quajtur Franz Kafka që ëndërronte sikur ishte një shkrimtar që shkruante për një nëpunës të quajtur Gregorio Samsa që ëndërronte se ishte Buburrec.

₪            ₪            ₪

KALI QË PËRFYTYRONTE PERËNDINË

Pavarësisht nga ç’thonë, ideja e një bote të përtejme të banuar nga Kuajt dhe të sunduar nga një Perëndi me pamjen e një kali bie ndesh me intuitën dhe logjikën më elementare, arsyetonte një ditë Kali.

Gjithë bota e di – vazhdonte ai arsyetimin – se sikur ne Kuajt të ishim në gjendje ta përfytyronim Perëndinë, do t’i jepnim formën e Kalorësit.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

DINOSAURI

Kur i doli gjumi, dinosauri ishte akoma aty.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

ME ZEMËR TË QETË

Në mes të Pyllit, jetonte një herë një familje ekstravagante bimësh mishëngrënëse, që, me kalimin e kohës, u bënë të vetëdijshme për zakonin e tyre të çuditshëm, për shkak edhe të ankimeve që u sillte Zefiri nga të gjitha anët e qytetit.

Të ndjeshme ndaj kritikës, pak nga pak filluan të ndiejnë neveri ndaj mishit, derisa ia behu dita kur jo vetëm e refuzuan në kuptim të figurshëm, ose seksual, por edhe vendosën të mos e hanë më; dhe mjaftonte ta shihnin, që t’u përzihej.

Ashtu vendosën të bëheshin vegjetariane.

Që nga ajo ditë, hanë vetëm njëra-tjetrën dhe jetojnë të qeta, pasi e kanë lënë pas të shkuarën e turpshme.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

PËLHURA E PENELOPËS

Shumë kohë më parë, jetonte në Greqi një burrë i quajtur Uliks (i cili ish jo vetëm i ditur, por edhe shumë finok), i martuar me Penelopën, grua e bukur dhe e zonja, që kish vetëm një të metë: pasionin e tepruar për të endur pëlhurë, çka e lejonte të kalonte, në vetmi, periudha të gjata kohe.

Thotë legjenda se, sa herë që, me mendjemprehtësinë e vet, Uliksi vinte re se, megjithë porositë që i kish dhënë, ajo bëhej gati të fillonte, edhe një herë tjetër, të endte pëlhurën, niste edhe ai të përgatiste, në fshehtësi, këpucët dhe një barkë të mirë, dhe pastaj – pa i thënë asgjë së shoqes – shëtiste nëpër botë, për të gjetur veten.

Kësisoj ajo arrinte ta mbante larg, gjatë kohës që flirtonte me pretendentët, duke u lënë ktyre të kuptojnë sikur endte pëlhurë gjatë kohës që Uliksi udhëtonte dhe jo që Uliksi udhëtonte gjatë kohës që ajo endte pëlhurë, siç mund ta ketë përfytyruar Homeri, që, siç e dimë, nganjëherë dremiste dhe nuk merrte vesh asgjë.

₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪₪

DELJA E ZEZË

Në një vend të largët jetonte, shumë kohë më parë, një Dele e zezë.

E pushkatuan.

Një shekull më pas, grigja – e penduar – i ngriti një statujë madhështore, që zuri vend mirë në park.

Ashtu, gjatë viteve që pasuan, sa herë qëllonte të shfaqej ndonjë dele e zezë, e pushkatonin menjëherë, në mënyrë që brezat e ardhshëm të deleve të zakonshme të mund të ushtroheshin edhe në artin e skulpturës.

(*) Përktheu nga origjinali Castigat.

Nuk ka komente

  1. Castigat, eres un varón (o una mujer) conforme a mi corazón.
    PS: Usted y la cocina keni histori të hershme e magjike.

  2. Castigat, je i pandershem edhe kur kerkon te besh gazetarin e paanshem, te intersuar gjoja vetem per rezultat sportive. Ka nja tre mije vjet qe fshataret nga kalon pista e garës pyesin veten çfare e ka gjetur Akilin qe hidhet pupthi dhe vrapon me stilin “ne vend numro”. Kur vidhte kumbulla ne baçen e tyre ishte ndryshe puna. Tani qe prokurori i popullit ka denoncuar transferten e nje shume kolosale nga llogaria bankare e Breshkës te ajo e Akilit, ti luan kumançe. Diku do te jesh kapur edhe ti!
    Edhe ate punen e Uliksit nuk e ke tamam. Ky qe thua ti nuk eshte versioni origjinal. E vërteta eshte se erdhi nje kohe qe delet u qethen te gjitha, por çmimi i leshit ne vend qe te ngrihej, ra shume. Ra edhe ai i pëlhurës, bashke me te. Ata djemuria e fshatit qe vinin te provonin fatin, ia kërkonin Penelopes me çmim fare te ulet. Per te rritur fitimin, por edhe per te mos lodhur te shoqen e tij besnike, te bukur etj. (këto i ke tamam) Uliksi nisej ne Kine dhe sillte fshehurazi pëlhurat qe i blinte atje. Kjo eshte e vërteta e atij largimi nga ishulli.
    Ajo i shtronte ne tezgjahun e saj dhe vihej t’i lidhte një iliqe te fundi (se ashtu ishin porositur), kur bam hapej dera dhe vinte nja nga ata miqte : Akoma, pyeste ai. Akoma, i gjegjej, ajo me lot ne sy. Sa te ben kjo, pyeste ai, duke marre pëlhurën ne dore, per te kuptuar, gjoja, cilesine e leshit. Kaq i thoshte ajo. Na, i thoshte ai, qe nuk mori vesh gje. Merre, i thoshte ajo.
    Ai shkonte ne dhomën ngjitur. Xhishej lakuriq, pështillej me pëlhurën kineze dhe hynte ne dhomën e tezgjahut, siç hyhet ne dhomen e gjahut, duke lene te zbuluara vetëm ca pjese qe nuk thuhen. Po ç’ti shihnin site e ballit? Nje tjeter pëlhurë qe shtrire ne tezgjah dhe ajo po i lidhte iliqen e fundit. Sa te bën, pyeste përsëri ai, pa e prishur terezine, por jo me hohin e pare. Kaq, i thoshte ajo…
    Kështu ndodhi qe erdhi nje çast dhe ai kokoroçi nuk mundej me, sado qe banonte te nje shtepi me ballkon nga ana e Bllokut. Atëherë u thoshte shokëve: Amani shoke, shkoni ju, se une nuk mundem me. Kaq e kisha takatin.
    Ata e merrnin per tjetër gje dhe shkonin. Sapo hynte tjetri, pyeste Penelopin qe dihaste mbi tezgjah: Sa te ben o vetull kaleshe? Kaq, i thoshte ajo, duke fshire lotet me cepin e pelhures kineze…
    Bram ai, një here, dy here, por edhe gjerat me te bukura e kane nje fund…
    Pra, kështu qëndron puna qe ai finoku tend edhe sot e gjithë diten iken fshehurazi dhe sjell pëlhura nga Kina, madje ka ftuar partneret e tij te nderçim te blejnë nje port aty ne ishull, per te mos paguar dogane.
    Tani, besoj, ti e kupton edhe pse shoku Tsipras, Lenini katodik, e kufizoi ne 60 dollarë (se kaq është çmimi i nje pëlhure) shumën qe mund te tërheqë çdo grek i paanshëm ne sportelet e trapezeve.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: