HISTORIA PA KAPAK

Në kapitullin e parë të romanit Libri i të qeshurit dhe harresës, Milan Kundera rrëfen një histori që duket se ngërthen, në pak fjalë, edhe dramën edhe komedinë e regjimeve totalitare të Lindjes.

Në shkurt të 1948-ës, udhëheqësi komunist Clement Gotwald doli në ballkonin e një pallati barok, në Pragë, për t’u folur qindra mijëra qytetarëve të mbledhur në Sheshin e Qytetit të Vjetër. Ky ishte edhe momenti i kthesës së madhe, në historinë e Bohemisë. Moment kritik, nga ata që ndodhin një a dy herë në mijëvjeçar.

Gottwald-i kish në krah shokët e vet, prej të cilëve më afër i rrinte Clementis. Binte dëborë dhe bënte ftohtë, dhe Gottwald-i nuk kish gjë në kokë. Plot kujdesje, Clementis e hoqi shapkën e vet prej gëzofi dhe ia vuri Gottwald-it në kokë.

Seksioni i propagandës e shumëfishoi, në qindra mijëra kopje, foton e ballkonit, ku Gottwald-i i foli popullit, me një shapkë gëzofi në kokë. Tek ai ballkon zuri fill historia e Bohemisë komuniste. Çdo fëmijë e njihte atë foto, ngaqë e kish parë në posterë dhe në libra shkolle e muze.

Katër vjet më pas, Clementis-in e akuzuan për tradhti dhe e varën. Seksioni i propagandës menjëherë e zhduku nga historia dhe, natyrisht, nga të gjitha fotot. Që nga ajo kohë Gottwald-i ka ndenjur vetëm në ballkon. Atje ku rrinte Clementis, duket vetëm muri i zhveshur i pallatit. Asgjë s’ka mbetur prej Clementis-it, veç shapkës prej gëzofi në kokën e Gottwald-it.

Deri këtu Kundera. Këtë rrëfenjë e gjen të cituar në gjithfarë librash të historisë – ngaqë është e shtjelluar me art. Gjesti sa dashamirës aq edhe servil i Clementis-it, si mishërim i kameraderisë komuniste, u asgjësua nga dhuna e pushkatimit të tij më pas; por edhe nga dhuna simbolike për ta shlyer prej historisë. Shapka prej gëzofi e të vrarit, tashmë në kokën e Gottwald-it, sikur na thotë të gjithëve se regjimet komuniste totalitare të sekuestronin deri edhe fisnikërinë.

Përndryshe, të gjithë ne që vijmë nga ajo kohë e njohim retushimin, si teknikë standard për rivështrimin e historisë – kujt nuk i kujtohen, nga vëllimet e rënda dhe zyrtare të Akademisë, fotot ku Enver Hoxha shfaqet në presidiume dhe tribuna gjithnjë e më i vetmuar?

Madje edhe në fotot familjare, ku retushimin nuk e bëje dot për arsye teknike, të padëshirueshmit i mënjanonin duke ua djegur fytyrat me thëngjill ose cigare, ose duke ua nxirë me bojë; kur nuk i zhduknin duke i prerë me gërshërë a me brisk, si thonj të rritur tepër.

Janë gjëra që i dimë, janë muhabete që i kemi bërë.

Çfarë më shtyu t’u kthehem, ishte një ese e botuar në LARB (Los Angeles Review of Books), kushtuar marrëdhënieve të Kunderës me historinë (To Forget History, nga Johannes Lichtman), ku mes shumë të tjerash lexoj se studiuesja e letërsisë çeke Hana Píchová, në një libër të saj për artin e kujtesës në mërgim, citon me një vërejtje të kolegut të vet Jindrich Toman, se Kundera e paska shpikur gjithë këtë episod me Clementis-in dhe kapelen.

Në fakt, në vitin 1989 revista çeke Kmen paska riprodhuar foton origjinale, të aktit të lindjes së Çekosllovakisë komuniste. Në këtë foto, Gottwald-i mban vërtet një shapkë gëzofi në kokë, ndërsa përbri tij shihet Clementis-i, i cili mban në kokë një borsalinë elegante. Kur i ra shorti i keq këtij të dytit për t’u fshirë nga fotoja, i njëjti short i ra edhe borsalinës; në një kohë që nuk ka asnjë provë se shapkën Gottwald-it në kokë ia vuri shoku i vet i armëve.

Majtas fotoja origjinale; djathtas e retushuara.

Ergo, Kundera e ka sajuar krejt episodin.

Píchová priret ta shpjegojë këtë si një paralajmërim të Kunderës ndaj nesh lexuesve, që të mos biem lehtë pre e harresës dhe të pranojmë me lehtësi fjalën e shkruar dhe të shtypur në faqe, si të ishte foto; ose si diçka që nuk ka nevojë të merret më tej në pyetje. Citon me këtë rast edhe Sontag-un, e cila ka shkruar se “fotografia nënkupton që ne e njohim botën – por kjo është bash e kundërta e të kuptuarit, i cili fillon qëkur nuk e pranojmë botën ashtu siç duket.”

Lichtman, në LARB, sjell një interpretim më bindës, duke na tërhequr vëmendjen për diçka aq elementare, sa mund të na shpëtojë pa e vënë re: dhe pikërisht që Kundera shkruan fiction, çka i jep të drejtë të manipulojë me rrafshin narrativ pa mëkatuar detyrimisht ndaj vërtetësisë historike.

Indinjata, me të cilën mund të përcillet lajmi se episodi i shapkës prej gëzofi, me të cilin të gjithë ne lexuesit e Kunderës jemi prekur, jemi ngjethur dhe kemi kujtuar retushime të ngjashme; kjo indinjatë pra, shpjegon Lichtman, nuk është pa lidhje me atë çfarë ka pritur lexuesi në Perëndim prej një shkrimtari lindor ose gjysmë-ekzotik si Kundera: kronikën e së vërtetës, nën regjimin komunist.

Për publikun në Francë, që është edhe atdheu adoptiv i Kunderës shkrimtar, ky ishte më interesant, thotë Lichtman, si i mërguar politik çek, se ç’është tani si intelektual parizian. Ai citon një artikull të Jonathan Coe në The Guardian (How important is Milan Kundera today?), ku ky i fundit shkruan se romanet e Kunderës, në vitet 1970-1980, dukej sikur hapnin një dritare të pashembullt drejt botës së komunizmit sovjetik, në krejt kompleksitetin e vet; dhe se ka rrezik që këto të mbeten përfundimisht të lidhura pas “një konteksti politik që një ditë – më shpejt se ç’kujtojmë – mund të harrohet.”

Lichtman përmend edhe një formulim të studiuesit Robert J.C. Young, sipas të cilit, botuesit perëndimorë të shkrimtarëve nga kultura letrare të margjinalizuara favorizojnë ato lloje tekstesh ku “kriteri është social dhe informacional, jo estetik.”

Si në një rast ashtu edhe në një tjetrin, Kundera shkrimtar dhe Kundera kronikan i Çekosllovakisë komuniste nuk plotësojnë njëri-tjetrin por, përkundrazi, janë në konflikt mes tyre: cili prej të dyve do të trashëgojë?

Një pyetje që do të mund ta formulonim edhe kështu: në ç’masë u lejohet autorëve joperëndimorë të jenë shkrimtarë mirëfilli, dhe jo zëdhënës të historive të vendeve të tyre, të kombeve dhe të regjimeve nga vijnë?

Romanet e Kunderës mund të lexohen, sikurse përpiqet mes të tjerësh edhe Lichtman-i, si një përpjekje e tij për t’u shkëputur njëfarësoj nga e shkuara e tij çeke ose europiano-lindore; siç mishërohet edhe në këmbënguljen e tij për t’i shkruar librat e tanishëm frëngjisht. Edhe te vetë ky autor, na lejohet të vërejmë, gjallon kjo kundërvënie – dramatike për një të mërguar si Kundera – midis dëshirës për të kujtuar dhe dëshirës për të harruar; të cilën unë e gjej të shprehur më së miri te “Padija” (Ignorance).

Po ç’ndikim do të kenë te ky konflikt, te kjo kundërvënie, pritjet e lexuesve në Perëndim, të cilët kushedi tani nuk duan t’ia dinë më për shkrimtarë nga ish-blloku Lindor, sa kohë që ish-blloku Lindor nuk ekziston më?

Nuk ka komente

  1. Ka mundesi qe Lindja të ketë qenë Lindje, pa u bërë ende e tillë. BNF (Bibloteka Kombëtare e Francës) ka nje liste të mirë katalogësh me libra falas ku mund të ndiqet pak a shumë interesi evropian për letërsinë e Lindjes, përgjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht, ka disa kolona që kanë dominuar peizazhin e shtrirë lindor të kontinentit dhe që e kanë hedhur hijen e tyre deri në Atlantik. Dostojevski, Tolstoi apo Kafka askush nuk i sheh si shkrimtarë lindorë, por botërorë. Për të tjerët pastaj, duke lënë mënjanë studiuesit e letërsisë, nuk është se për letërsinë lindore ka një njohje masive në radhët e lexuesve. Dhe me këtë kam parasysh periudhën para L2B.
    Kam frikë se duke qenë të vetëmjaftueshëm ekonomikisht, ato vende prodhonin mjaftueshëm edhe një art dhe letërsi të cilësisë së lartë, që « plotësonte nevojat e brendshme », por ishte edhe mjaft i kërkuar edhe jashtë, te lindoret vete, të cilët shiheshin pak edhe si të kolonizuar kulturalisht. Bile edhe ishin pak të tillë. Pa folur për vendet e tjera, mund të them se midis brezit tim do ta kesh të vështirë të gjesh ndokënd që të thotë emrin e ndonjë shkrimtari shqiptar që ka ndryshuar jetën e tij, ndërkohë që mund të bëjnë një listë të gjatë të shkrimtarëve të huaj, të cilëve u detyrojnë formimin e tyre.
    Shumë vite më parë, kur po flisja për Jarosllav Hashekun në një mjedis pak a shumë afër librit, vërejta se të pranishmit nuk po më ndiqnin dot. Kruarje koke, si shkruhet emri tij, ma thuaj pak gërmë për gërmë, po çfarë ka bërë ky… Dhe kjo deri sa dikush u kujtua dhe u shpjegoi të tjerëve se ishte fjala për një shkrimtar satirik çek. Një farë Servantesi i Lindjes, tha ai fjalë për fjalë.
    Në këto kushte, mendoj se duke u interesuar për komunizmin, më saktë, këmbëngulja për ta demistifikuar dhe kuptuar më mirë anët e dobëta të atij blloku të frikshëm që paraqitej si me përmbajtje graniti, perëndimi nisi të interesohet masivisht për zërat ndryshe që analizonin ato regjime, i vetmi shans për të pikasur pikat e tij të dobëta.
    Pra, kam frikë se bashkë më “bllokun lindor” shkrimtarët e atyre viseve sollën në katalogun e lexuesit perëndimor një letërsi që përveçse u hapi sytë për disa, të themi epifenomene (dhe këtu nuk kam fare parasysh as Kunderën e as Havelin), por Solezhnicion me Gulagn e tij, që shkaktoi midis të majtëve maoiste (97% e pedagogëve të universiteteve franceze ishin të tillë, thotë një statistikë), një tronditje e përçarje edhe më të madhe se shtypja e revolucionit hungarez.
    Eshtë ky roman (që mban aq pak erë roman) që bëri të kthejnë orientim të gjitha ata që njiheshin si “Grupi i filozofëve të rinj”.
    Në përfundim të kësaj epoke, Lindjes nuk i mbetet veçse të kthehet te tradita e saj dhe të nxjerrë Kafkat-t e shekullit të ri.
    Gjenetikisht nuk mungon asnjë element. Kjo është arsyeja që leximi i Lichtman-it, i cili e sheh krijimtarinë e fundit të Kunderës si përpjekje për t’u shkëputur nga e kaluara e tij çeke, më duket disi i diskutueshëm.
    Në një kohë të caktuar, shkrimtarë si Kundera iu përgjigjën të themi një imperativi të caktuar, gjë që nuk e bënë me mijëra të tjerë. Nuk ka shumë arsye madhore që ai të ketë siklet nga e kaluara e tij. Ai e kaloi me sukses provën e zjarrit dhe këtë nuk mund të thonë shumë të tjerë, gjetiu apo në Shqipëri.
    Nëse mund t’i lejoj vetes të spekuloj në këtë pikë (dhe nuk jam vetëm unë që e bëj), Kundera vetëm se vëren një lloj cul-de-sac , te letërsia franceze e ditëve tona dhe duke shkruar frëngjisht nuk sheh asnjë arsye që Franca të mos paraqitet edhe me të në veprimtari të ndryshme letrare.
    Dhe me sa kam dëgjuar, kjo ka ndodhur.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: