PARRENO I KAPUR NË MONOLOG

Hapja e Center for Openness and Dialogue me rastin e vizitës së Angela Merkel-it në Tiranë u eklipsua gati krejt nga një ndërhyrje në fasadën e selisë së Kryeministrisë, që më vonë u mor vesh se ishte instalimi i një vepre prej artistit bashkëkohor Philipe Parreno.

Në krye reagimet erdhën në lidhje me natyrën dëmtuese të ndërhyrjeve ndaj këtij objekti të “trashëgimisë kulturore”. Më vonë, kur vepra e artistit u bë publike, ashtu si dhe vetë COD, reagimet në rrjetet sociale u pasuruan me tone ironike, në mos tallëse. Në vend që të paraqisnin informacion të plotë rreth qendrës, ndërhyrjeve në ndërtesë dhe veprave artistike që janë ekspozuar aty, mediat e përcollën këtë valë zemërate si të ishte i vetmi lajm i denjë për vëmendje, duke dështuar në rolin e tyre për të informuar.

foto: Blerta Kambo Copyright Philippe Parreno

foto: Blerta Kambo Copyright Philippe Parreno

Këtë e vë re tek një artikull pa autor botuar në Gazeta Shqip. Duke u përpjekur të paraqitë keqinterpretimet e veprës së Parrenos dhe vizionit të Kryeministrit, shkrimi i ofron publikut, si shembull të cektësisë së reagimeve, mendimet kritike të tre personave të fushës së artit të shkulura nga një bisedë në Facebook; dhe e bën këtë jo vetëm pa u lypur leje autorëve përkatës, por edhe duke ua dekontekstualizuar mendimet. Sikur autori/ja i artikullit në fjalë të kish marrë mundimin të bënte punën prej gazetari dhe t’u kish kërkuar drejtpërdrejt të interesuarve një mendim për çështjen, rezultatet do të kishin qenë të tjera. Vijojnë reagimet e tre autorëve të implikuar në këtë farsë mediatike të radhës.

Arti pamor bashkëkohor, që më pëlqeu pa e parë

nga Gentian Shkurti

Një shkrim i gazetës “Shqip” online, ku ishte cituar dhe keqpërdorur një status imi por edhe i ca miqve të mi ne Facebook, më ngacmoi një mendim disi të çuditshëm. Veprat e artistëve, që ndoshta formësuan dhe ndikuan fort në punën time të artit, ende s’i kisha parë kur më ndryshuan të ardhmen time! Mjaftuan ca tekste shoqëruar me ca imazhe librash që arti bashkëkohor të më ngjiste. U ndez llamba që akoma s’më është fikur. Kur për herë të parë u përballa me këto vepra, nuk pata asnjë emocion të ngjashëm për shembull me herën e parë kur pashë pikturat origjinale të Van Gogh. Fundja ç’emocion mund të përcjellë një shurrtore, apo një grafikë e një kanoçeje supe? Atëherë pse kjo tërheqje nga ky art? Aftësia e këtyre veprave për të shtyrë në reflektim, ishte ajo që më mrekullonte. Aftësia e artit për të ngritur pikëpyetje mbi gjithçka na rrethon, por edhe mbi ekzistencën e vetë tij, e bën atë të ketë thelbësore nevojën për liri. Shprehja e lirë e individit, po dhe e individualitetit, është thelbësore për artin dhe artistin. Për kulturën në përgjithësi. Nuk do kishim art të mirë pa këtë shprehje të lirisë së individualitetit. Ky nuk është tipar vetëm i artit, por arti e ka aq të nevojshëm sa pa të nuk është më art.

Nuk ka qenë përpjekja për të bërë atë çka kërkon pushteti ajo që mban në lëvizje artin e kulturën dhe rrjedhimisht emancipimin e shoqërisë. E kundërta është e vërtetë. Vënia në diskutim e asaj çka na ofron pushteti si vlerë të mirëqenë (dhe jo vetëm ai politik), është emancipuese. Për shembull, mungesa e theksuar e kësaj shprehjeje lirie e zhbën në propagandë artin zyrtar të para ‘90-s. Përndryshe nuk ka pse të sforcoheshim që mezi të nxjerrim ndonjë vlerë nga veprat e kohës së socializmit. Kompromisi që po mundohet t’i bëhet artit me politikën, mua nuk më duket veçse një tentativë për ta kthyer atë në një mjet manipulativ dhe propagandistik. Arti bashkëkohor në vendin tonë po e humbet arsyen thelbësore përse ekziston. Po humbet aftësinë për të ngritur pyetje. Akti final i kësaj humbjeje është ajo që po ka si qëllim të kthehet si qendra më e rëndësishme e artit bashkëkohor në Shqipëri, COD. Në fakt më e vërtetë do ishte që D-ja të ishte M (Center for Openness and Monologue). Mua më duket që nëpërmjet këtij manipulimi si qasje për dialog nuk synohet më shumë sesa sheshimi i refleksioneve, apo e mosvënia në diskutim e asaj që ofrohet brenda kësaj hapësire, si vlerë e pamohueshme. Është si shuplakë publikut kur ia shfaq ashtu Parrenon, apo Höller në fasadën dhe oborrin e kryeministrisë.

Po i rikthehem dhe njëherë pyetjes së mësipërme, në këtë rast po e vë veten në rolin e atyre njerëzve që përshkojnë bulevardin dhe s’i njohin artistët; fundja ç’emocion të përcjellin këto vepra? Pse janë bërë nga artistë të njohur do ishte përgjigja?! Po ç’faj kam unë që s’i njoh dhe që kërpudhat nuk ndryshojnë shumë nga ato te këndet e lojërave për fëmijë? Po ajo streha e kinemave si nëpër filmat e vjetër ç’do mu në fasadën e kryeministrisë dhe pse qenka kaq e jashtëzakonshme? Seriozisht, çfarë përpiqet të transmetojë ky lloj prezantimi? Keqkuptimi është aq i madh sa shumica e shqiptarëve mendojnë se i ka bërë kryeministri, (madje dhe ish kryeparlamentarja mendonte kështu). Ky është arti bashkëkohor? Pa asnjë shenjë reflektimi.

Për t’iu përgjigjur prezantimit si të metë që na bën mua dhe miqve të mi gazetari/ja paemër e mirëformuar nga Wikipedia, po i them që keqinterpretimin nuk e bëj unë me një status në Facebook, por përpiqu të kuptosh se mos vetë Parreno po e keqinterpreton veprën e vet. Ndryshe nga dialogu që përpiqet të sjellë Parreno me veprat e tij, nëpër ekspozitat “jashtështetit” (e vura në thonjëza jashtështetit, se mesa duket akoma kemi të njëjtin perceptim dhe të njëjtin inferioritet si atëherë në kohën e Enverit për prurjet e andej detit), ky ekspozim që i është bërë e eliminon vlerën e veprës. Po edhe ideja e vetë COD nuk është më shumë se një shuplakë totalitariste në fytyrën e mendimit dhe shprehjes së lirë. E di që tingëllon e ekzagjeruar, por nëse artistët shqiptarë ekspozojnë në atë hapësirë, do kisha të njëjtin respekt për punën e tyre, si respekti që kam për punën e artistëve që firmosën një peticion pro Berishës dhe kundër ish-opozitës para do vitesh.

Për t’iu kthyer edhe njëherë ngacmimit fillestar të këtij shkrimi, mungesa e përballjes me artin bashkëkohor, distanca, mungesa e lirisë së lëvizjes, etj…nuk më penguan ta pëlqej artin bashkëkohor dhe ai të lërë shenjë në jetën time. Sot që i kam artistët e mi të preferuar jo më larg se dyqind metra në vijë ajrore nga zona ku kam aktivitetin e përditshëm, i vura një “anullato” vetes për të marrë vizën që t’ua shoh ekspozitën. Kjo sepse mendoj si shumë artistë frymëzues të mi, që arti pamor nuk është vetëm pamor. Dhe me këtë rast po iu jap arsyen që për etikë s’ua dhashë dikur miqve të mi artistë apo kuratorë që më ftuan në ca ekspozita të zhvilluara këto dy vjet në Shqipëri: nuk erdha në përgjigje të ftesës në një ekspozite të mëparshme që u bë në hollin e kryeministrisë, nuk iu përgjigja as ftesës së Pamur, as asaj te ekspozita në shtëpinë e Enverit, as te takimi për dialog me ministren për çështjen e ekspozitës “Onufri”, sepse për sa kohë do e ndjej që këto aktivitete janë në shërbim të politikës, mos u lodhni të më ftoni.

P.S. M’u kujtua një miku im artist që më tha ca kohë më parë, “ça ju duhet që merreni me politikë nëpër ato komentet në FB, boll u morët me thashetheme”. Nuk më erdhi atypëraty përgjigja, por po e jap tani. Kush po merret me politikë, unë apo ti që ekspozon në kryeministri?!

Facebook-Kryeministri vajtje-ardhje

nga Alban Hajdinaj

“Ki parasysh që ҫdo gjë që thua mund të përdoret kundër teje në gjyq” të thonë sherifët kur të hedhin hekurat, nëpër filma apo edhe në realitet. Kjo mu kujtua kur pashë artikullin e “paautorizuar”, tek Gazeta Shqip online që më citonte një koment në Facebook që kisha bërë tek statusi i një mikut tim në lidhje me ekspozitën e fundit që është hapur tek Kryeministria dhe specifikisht për veprën e artistit francez Philippe Parreno, i cili ka ndërtuar një hyrje kinemaje te ndërtesa e Kryeministrisë, duke luajtur artistikisht me institucionin më të rëndësishëm të shtetit tonë. U habita sepse as më kishte thënë gjë njeri dhe as më kishte marrë dikush leje për këtë ndërhyrje flagrante në privacinë time dhe të miqve të mi me të cilët shkëmbejmë sa herë opinione, që gjithsesi mbeten brenda rretheve të mbyllura të Facebook-ut e nuk marrin kurrë përmasa kaq publike sa diçka e thënë në një gazetë.

Artikullshkruesi/ja nuk e ka marrë mundimin të na kontaktojë apo kërkojë një lejë për botim të fjalëve tona dhe kjo është diҫka e shëmtuar dhe arrogante. Ai/ajo na quan të keqkuptuar me veprën dhe sikur i kemi vënë asaj diҫka të pamerituar e sikur kemi blasfemuar me vlerat e saj. Mund të jetë edhe kështu por a ia vlen për një gazetë serioze, të merret me thashetheme Facebook-u? A ia vlen që një vepër kaq e njohur nga një autor kaq i madh të mbrohet nga ca thashethemexhinj provincialë në këtë mënyrë? Nuk i mjafton asaj fama e marrë nga ekspozimet nëpër muzetë e rëndësishëm të botës, që na i rreshton edhe artikullshkruesi/ja? (për ti treguar dynjasë me kë kanë të bëjnë!) Përtej këtyre pyetjeve që kisha dëshirë ti drejtoja gazetës, ajo që vë re në artikullin e Shqip-it, por jo vetëm tek ai, është varfëria e kritikës dhe mediave tona të cilat kanë kohë që hedhin sytë nga Facebook-u për të gjetur aty argumente kritikë, por njëkohësisht kur kanë nevojë përpiqen edhe t’i neutralizojnë ata zëra.

Kemi të bëjmë me dy fenomene. Së pari në këtë vend nuk ekziston mendimi kritik institucional, (dhe kjo është ajo që e rrezikon realisht veprën e Parreno-së në Tiranë, dhe jo komentet kritike ndaj saj në Facebook) dhe të interesuarit mbi temat në fjalë kanë kthyer kokën nga Facebook-u. Kudo ku Parreno ka ekspozuar punën e tij, (muzetë e famshëm që na rreshton artikullshkruesi/ja) ajo është mbrojtur/interpretuar për publikun nga mediat e specializuara të kritikës dhe nuk është rrezikuar të keqinterpretohet si këtu, dhe këtë do të ishte mirë ta vinte në dukje artikullshkruesi/ja nëse i intereson kultura dhe problemet e saj. Në mungesë të tyre mesazhi i veprës mbetet i mbrojtur vetëm nga arroganca e pushtetit dhe ky handikap që shoqëron veprën e Parreno-së në Tiranë lexohet tek nevoja e artikullit tek gazeta Shqip dhe kritika absurde që ai u bën kritikëve të veprës. Së dyti kemi të bëjmë pikërisht me ngritjen e mekanizmave mbrojtës ndaj kritikës në rrjetet sociale dhe frikës se mos ajo gjen përhapje në shoqëri, duke i shantazhuar komentuesit me botimin e citimeve të marra pa lejen e tyre e duke i hedhur ato në dhëmbët e ingranazheve të frikshëm të mediave tona. (Si unë ashtu dhe miqtë e mi jemi njerëz që me ndërgjegje i kemi ndenjur larg atmosferës së mediave të Tiranës.)

Problemi i ngritur nga miku im në faqen e tij në Facebook është serioz, pavarësisht se për shumë njerëz shihet si një lloj mistrecllëku që na karakterizon ne si ca njerëz që s’kënaqemi kurrë! Unë po gjej rastin të them diҫka më tepër se në komentin e cituar nga gazeta Shqip, natyrisht duke parë edhe interesin e madh të shfaqur nga kjo gazetë për mendimin tim! Siҫ e evidenton edhe artikullshkruesi/ja (me tjetër qëllim) vepra e Parreno-së është ekspozuar në shumë muze të rëndësishëm të botës, të cilët na numërohen me bujë. Artikullshkruesi/ja nuk numëron kancelaritë apo kryeministritë e botës ku kjo vepër është instaluar, (a ka të tilla?) dhe këtë e shpreh edhe vetë ndonëse në mënyrë ambige, duke pranuar tërthorazi se ky është mëkati i vetëm i kësaj vepre. Po, ky është mëkati i vetëm i kësaj vepre por është një mëkat i mjaftueshëm për ta zhbërë atë si vepër. Ajo është një vepër e tëhuajzuar nga vetvetja për interesa jo të artit, por të politikës. Gjej rastin të ngre hipotezën se i gjithë arti bashkëkohor ndërkombëtar i prezantuar në Shqipëri mund të ketë patur këto qëllime që nga fillimet e tij, por kjo është një temë që i përket një here tjetër. Parreno e di shumë mirë se në këtë rast ai po i bën një favor politik një pushteti të caktuar që përpiqet t’i imponohet një vendi të varfër e të prapambetur kulturalisht, publiku i të cilit nuk i njeh kodet e receptimit të veprës së tij, por edhe të mashtrojë botën mbarë si një mbështetës i flaktë i kulturës! Ai pranon ta bëjë veprën e vet, pjesë të injorimit të publikut, të imponimit ndaj tij dhe jo të dialogut, të arrogancës dhe jo të diskutimit. Ai ia bën atë dhuratë një politike/pushteti dhe jo një vendi siҫ na paraqitet. Një politike me të cilën, ndoshta jo të gjithë qytetarët e atij vendi mund të bien dakord. (A nuk është kjo demokracia?) Ky është fundi i artit dhe fillimi i manipulimit. Fundi i dyshimit dhe fillimi i absolutizmit.

Arti modern që dikur mori jetë pikërisht prej revolucioneve në atdheun e Parreno-së i ka shërbyer një politike emancipuese dhe iluministe në aspektin demokratik dhe humanist, (e këtë traditë mëton të ҫojë përpara edhe estetika relacionale) dhe ai në formën e vet publike ka patur dhe ka një pozicion ku me mesazhin e vet, (sado hermeneutik) vendoset përballë pushtetit dhe jo brenda tij. Arti jep mesazhe inteligjente të cilat publiku i përdor për tu mbrojtur nga pushteti dhe politikat e tij sepse e tillë është marrëdhënia mes publikut dhe politikës në demokraci. Arti nuk mund ti japë këto mesazhe duke u bërë njësh me politikën e pushtetit. Kjo ka ndodhur për herë të fundit në Evropë në kohën e regjimeve totalitariste dhe me sa duket po përsëritet sot në mënyrën më banale tek ne! COD me sa duket s’është gjë tjetër veҫse frika nga kritika dhe fjala e lirë prandaj e gjen vendin e vet në mënyrë paradoksale brenda organit kryesor pushtetar, për të qenë e sponsorizuar dhe kontrolluar më së miri nga pushteti e për të qenë një trup me të. Më thoni një shembull të tillë që na vjen nga ndonjë vend demokratik ju lutem!

Perdja asnjëherë e hapur

nga Eriola Pira

Paçka se kam vite aktive ne rrjetet sociale, hapësirë që e kam përdorur për të ndjekur, mbështetur e kritikuar artin në Shqipëri, duke filluar që me forumet, blogjet dhe së fundmi Facebook, më në fund e gjej veten të cituar në një gazetë për qëndrimin tim ndaj reagimeve dhe zhurmës që solli instalimi i disa veprave të artit bashkëkohor në fasadën dhe brendësinë e Kryeministrisë, me rastin e inaugurimit të Center for Openness and Dialogue dhe vizitës së Merkel. Menjëherë iu ktheva statusit tim — që nuk ishte publik por i lejuar vetëm për disa prej miqve të mi, përfshi edhe ndonjë gazetar(e) të Shqip-it — dhe konstatova që, ndryshe nga statuse e komente të dy viteve të fundit, ky nuk ishte aspak i ashpër, i dëmshëm, apo ofendues. Pra nuk përbënte asnjë rrezik konstatimi im që arti po dilte me humbje nga martesa me politikën. S’ka si të jetë ndryshe!

Pa turp mund të them që më erdhi keq që zgjodhën pikërisht këtë status kaq të parëndësishëm kur jam prononcuar fort e besoj shumë më bindshëm për të tjera çështje e kauza të artit e kulturës që meritojnë vëmendjen e gazetarëve që të mund të arrijnë një publik më të gjerë se ai i miqve të mi ne FB dhe të ushtrohet presion dhe kërkohet përgjegjësi nga ata që janë ngarkuar të kujdesen për artin dhe kulturën në Shqipëri. Por jo, kur kam ngritur ndonjë debat apo kritike të pakursyer për çka po ndodh me artin në Shqipëri nuk di të jetë shqetësuar ndonjë gazetar/e dhe të më ketë cituar, me apo pa të drejtë. Duhej të “keqinterpretoja” Philipe Parrenon, që e kam parë si në Muzeun e Philadelphias, si në Guggenheim, sa dhe i kam studiuar punën si historiane dhe kritike arti, që gazetari/ja të ndihet i/e indinjuar dhe ti dal në mbrojtje Parrenos. Apo Kryeministrit dhe COD? (Po COD për çfarë qëndron? Se në asnjë material nuk po e gjej të përkthyer Center for Openness and Dialogue. Gjë që tradhton konceptin dhe funksionin e supozuar te hapësirës.) Si unë, dhe dy artistët e cituar, janë, si ti thuash, ekspertë të fushës, dhe prononcimi ynë nuk mund të njësohet me atë të çdo personi tjetër te frustruar apo konfuz për veprën në fjalë.

Por pikërisht sepse pati një reagim kaq publik dhe të zhurmshëm, që gazetari/ja e Shqip-it na përdor ne, pra dy artistë dhe një historiane arti (edhe pse nuk më identifikon si të tillë, a thua se kam aq emër në vend!), për të thurur lavdet e radhës dhe “mbyllur” gojët e këqija. Për këtë gazetari/ja përdor atë që në logjikë, e politikë, njihet si rrejshmëria e dordolecit (straw man fallacy). Pasi përzgjedh argumentet tona, i zëvendëson e i njëson me një version të shtrembëruar, të ekzagjeruar ose keqinterpreton qëndrimin tonë vetëm për ta hedhur poshtë, në mos poshtëruar, për të trembur laraskat që vërtiten përreth. Njeri prej nesh thotë që Parrenon e ka artistin e preferuar. E unë e quaj atë mjeshtër të ekspozitës, të orkestrimit të veprave e lëvizjes së vizitorit në hapësirë. Por pikërisht ne, që e njohim përtej Wikipedias me të cilën është konsultuar gazetari/ja për shkrimin, e paskemi keqkuptuar atë dhe nuk dimë ta vlerësojmë këtë vepër e ngjarje. Ndryshe nga ata që kanë nënvlerësuar veprën e Parrenos e shndërruar atë në një meme të ditës, ne të tre e dimë fare mirë që ajo është një vepër e artit bashkëkohor, si dhe njohim kontekstin dhe diskursin që ka paraprirë dhe shoqëron veprën e tij. Por ndryshe dhe nga vetë gazetari/ja, ne dimë, poashtu, që niveli i ekspozimit në vend me një Philipe Parreno nuk rritet! Po njësoj, as pranvera e hapjes e dialogut në vend me një COD nuk do të vijë!

Ajo që kam shprehur në FB është jo vetëm tejet e reduktuar dhe thjeshtëzim i disa koncepteve dhe qëndrimeve komplekse mbi artin bashkëkohor dhe fatit të artit në Shqipëri, por edhe i drejtohej një publiku që presupozohet i ka kodet e duhura për të deshifruar mesazhin tim. Publikut te gjerë (p.sh. lexuesit të një së përditshmeje) do t’i flisja ndryshe nga atij të përzgjedhur, që kam kontakte të përhershme në FB dhe gati gati e di qëndrimin timin edhe sikur të mos prononcohesha fare për një çështje. Si unë, dhe dy artistët e tjerë do ta kishim mirëpritur interesimin e çdo gazetari për tu prononcuar më gjerë për çështjen në fjalë, paçka se do kishim zgjedhur të ushtronim të drejtën tonë për të mos u (keq)cituar e përdorur nga një gazetari sa dembele aq edhe servile ndaj pushtetit. Jo më kot kemi zgjedhur të përdorim rrjetet sociale e ato private si hapësirë për t’u aktivizuar, reaguar kundra e mbrojtur artin dhe të përbashkëtën nga cenimi dhe komandimi nga lart.

Paçka se bota mbarë feston një artist kryeministër, arti në Shqipëri sa vjen e del me humbje. Institucionet janë lënë në mëshirë të fatit, ndërkohë që të tjera hapësira si COD hapen (e mbyllen po brenda natës si Bunkart, Vila e Enverit, Piramida, Shtëpia e Gjetheve) e festohen si hapje e arritje për artin, por që realisht janë vetëm godina boshe që nuk mund të gjenerojnë asgjë më shumë sesa interes tek ta si objekte (historiko-turistike) Artistë: yje ndërkombëtarë, oportunistët vendas e ata që s’kanë nga t’ia mbajnë, janë rekrutuar e rreshtuar për të centralizuar e vënë artin direkt nën tutelën e Kryeministrit. E ky i fundit ka instrumentalizuar artin për të estetizuar (lexo: anestetizuar) politikën. Çka i mungon kulturës dhe artistëve sot nuk mund të përmbushet me një qendër për dialogun e me prurjet e artistëve si Parreno, jo se këta nuk mund të kontribuojnë; por se këto prurje nuk vihen në dispozicion te dialogut, por vetëm shërbejnë si surrogato. Dhe ky incident i pakëndshëm me gazetarin/en e Shqip-it këtë dëshmon më shumë se keqkuptimin apo “historinë tonë në raport me artin.”

Keqkuptimet e abuzimet e panevojshme erdhën jo sepse unë, artistët apo dhe publiku i gjerë jemi injorantë dhe dashakeqës ndaj çdo gjëje të bukur që bëhet në vend, siç më ka thënë njëherë dikush nga shpura e Kryeministrit. Jo, e gjitha kjo, shto dhe reagimin tonë, erdhi si rezultat i mefshtësisë së COD, pavarësisht nga ngutja dhe buja e ditën e hapjes, nga vetë personat e institucionet e përfshira dhe përgjegjëse. Fshehtësi që sa vjen e karakterizon çdo hapje, që le pak vend për dialog, kuptim e pranim të këtyre taktikave guerrilla, aq më tepër kur pas tyre qëndron institucioni e kreu më i lartë i shtetit. Kjo taktikë guerrilla që do u kishte më hije artistëve — që duhet t’i bëjnë ballë sa instrumentalizimit të artit nga Kryeministri për ta bërë politikën të bukur sesa politikave neo-liberale që sa vjen e çdo qytetar i vuan më shumë — i ka përvetësuar vetë Rama e administrata e tij. Është pushteti që operon si artist aktivist, ndërkohë që këta të fundit vetëm sa ftohen të pinë koktejl në sallat e mermerit. Këtë e paralajmëronte edhe Walter Benjamin për estetizimin e politikës, pra përdorimin e artit për qëllime politike, si dizajn politik. Alternativa që na ofronte Benjamin, që duhet politizuar arti, nuk është dhe aq e kënaqshme; të paktën për sa kohë artistët vendas janë të tej-fokusuar në rrëmimin e të kaluarës si gjest politik e ku presupozohet ndodhet ajo, gjë që politikat kulturore të dy viteve të fundit e kanë mbështetur dhe kthyer në temë me detyrim për artistët, ndërkohë që bashkëkohësia nuk duket të shqetësojë njëri dhe status quo-ja mbizotëron. Benjamin e kishte për fashizmin dhe rrezikun qe i kanosej Europës në ato vite. Nuk do shumë mund të konstatosh e t’i trembesh flirtimit me fashizmin sot. Ndaj dhe çdo kush që është i interesuar për artin dhe fatin e tij në vend sa vjen e tmerrohet nga instrumentalizimi që po i bëhet atij jo nga artisti, por nga politikani. Dhe kjo jo sepse na dhimbset arti si ndonjë gjë e brishtë, por sepse neutralizimi i politikës nëpërmjet së bukurës çon vetëm drejt një shoqërie të mbyllur, ku dialogu, kritika e mendimi i lirë nuk kanë vend, aq më tepër në një hapësirë kaq të higjienizuar sa COD, ku përballja me pushtetin bëhet nën kushtet e tij dhe çdo kritikë është parashikuar të asgjësohet duke u përfshirë dhe rekrutuar në skenarin e lojës. Perdja, nëse vini re, nuk është asnjëherë e hapur!

Nuk ka komente

  1. Sa here qe flitet per gjendjen e mjeruar te gazetarise te kujtojne se sa pak paguhen (kur nuk paguhen fare) gazetaret. Nuk e kam kuptuar asnjehere kete arsyetim, ndoshta ngaqe ketu ne blog behet nje pune po aq e impenjuar per kulturen dhe pa ndonje pagese, as nga ajo in kind qe do te perfitoj gazetari/ja ne fjale per mbrojtjen e Parrenos dhe COD. E/i dashur gazetar/e, nuk mu deshen me shume se pse minuta per t’u kerkuar personave ne fjale te shkruajne dicka me gjate ne lidhje me komentin fillestar ne FB. Pranuan me kenaqesi e jo nga ndonje detyrim per te korrigjuar demin qe u ke bere ne person sesa nga nevoja per tu shprehur me gjere per temen ne fjale. Ne nje menyre te jane borxhli qe i fute ne kete valle.

  2. Personalisht nuk më duket se ka ndonjë mospërputhje me profilin e artistëve që përmenden, dhe prezencës së tyre në ekspozitën Kryeministrore. Duke qënë se kemi si Krye-kurator një Kryeministër e vetmja ekuivalente e MOMA’s në Shqipëri i bie të jetë Kryeministria. Dhe ne jemi me fat që i kemi, si të thuash, të dyja në një.

    Po ashtu llogjika ta do që nuk mund të eksopzosh njëkohësisht te Galeria e Arteve dhe tek MOMA. Këta Artistë nëse do vepronin sipas tekave tona, pra ekspozonin vënd e pa vënd, do rrezikonin statusin e tyre në oborret e kryeqëndrave të Artit botëror.

    Përndryshe, edhe në perëndim sikurse në Shqipëri veprave të këtij soji, jashtë oborreve të artit, publiku i kushton aq vëmendje sa edhe një nevojtoreje. Asnjë keqkuptim deri këtu.

  3. Nuk kuptohet mirë gjithë kjo buqitje zërash, anonim por dhe të respektuar megjithë kurajon e papërfillshme që kanë. Një vepër arti, një aksion politiko-artistik, një inkubacion pasojash që nuk dimë si t’i fshehim. Një mungesë pamje, një shtrëngim arrogant nga disa krijues. Një hapje në këtë votër kulture PF. Gjithçka ndodhi me ardhjen e asaj, apo me cënimin e mbylljes që karakterizon shumë shqiptarë. Cungimi që iu bë në GSH ishte i pamëshirshëm për ata, por sadopak lajmërues për ardhjen e asaj, e atyre, për disa të tjerë. Bunkeri, Vila e familjes H, Piramida e arkitektes së familjes H, ndërtesa e KM e një arkitekti racist e fashist të shekullit të kaluar, tregojnë se fryma artistike nuk qëndron dot brënda kufijve të mëshirës apo bukurisë së disave. Mungon, në këtë listë të vrazhdë Shtëpia ku u themelua Partia që burgosi ndjenjat krijuese e emancipuese të shumë njerëzve që nuk jetojnë më. Por që fatkeqsisht (dhe jo çuditërisht), disave u dha mundësinë e një hovi dhe shkëputjeje nga baza, nga themeli i varfër shpirtëror shqiptar, sisomos ai i viteve 70-80. Shtëpia ku u themelua PKSH-ja këtu e shumë dhjetëra vjeçarë më parë mund të jetë bazamenti për një krijimtari të re në amullinë gri të Tiranës së ngrohtë. Dikur e kuqe, pastaj blu dhe sot mesa duket gri në të zezë. Por ja që Ph. P dhe krijimtaria e tij bëri që dritat të ndizeshin dhe hyrja të jetë më e qartë, më e dallueshme për disa të verbër që nuk arrijnë dot të shohin më larg se egoja e tyre. Unë pashë nga fotografia e BK dritë në atë instalim, ndoshta duhet të ndërhyj më thellë, nëse është e mundur. Sepse mundet që të jetë në shërbim të elitave.
    Faleminderit

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin