EKSKLUZIVE ME BABA QEMON

Drejtpërdrejt nga studioja e talk show-t “Më mirë prishet” në Tuna-TV, Shat Përroi me intervistën e javës.

[sigla, duartrokitje]

SHAT PËRROI: Sonte kemi të ftuar në studion tonë një karakter që na përshëndet nga thellësitë e historisë: një kokë më kokë me… Baba Qemon!

BABA QEMOJA: Mirë se ju gjeta të gjithëve!

SHAT PËRROI: Baba Qemo, ju jeni nga të paktët burra që kanë ngritur kasollen në frazeologjinë shqipe: të gjithë e dinë se kush jeni, askush nuk e di se kush jeni. Më saktë, kemi dëgjuar për kohën tuaj, ose siç e quajmë tashmë, kohën e Baba Qemos.

BABA QEMOJA: Po unë s’e përdor kurrë këtë fjalomë.

SHAT PËRROI: Natyrisht që jo. Vetëm se publiku me siguri ka kureshtje të dijë se nga e ka prejardhjen: çfarë ka qenë tamam kjo koha e Baba Qemos?

BABA QEMOJA: Koha kur isha unë në gjallje? Po atëherë s’i kishim vënë ndonjë emër. Dhe kur donim të flisnim për kohë të motmotshme, thoshim “në kohën e Nuhut”; ose “në kohën e qepës”; disa të tjerë thoshin “në kohën e p..rdhës” [qesh].

SHAT PËRROI: Domethënë, por ju koha e Baba Qemos ka qenë koha kur shqiptarët akoma nuk e përdornin shprehjen “koha e Baba Qemos.”

740BABA QEMOJA: Mos më kundrullis tani, more djalë. Koha ime ishte, vërtet, po unë s’kisha gjë në dorë, hapset e kashtës kisha. Njeri kot isha. Ku rafsha mos u vrafsha. Aq sa më harroi Perëndia dhe më la të rroja shumë, më la të plakem më shumë se ç’kisha nevojë, më la të currufjepsem. Kam qenë më plaku i kasaballëkut, ca mote. Më plaku i vilajetllëkut. Njerëzit vinin të më bënin sehir nga ana e anës, sepse nuk besonin, kur dëgjonin për moshën time.

SHAT PËRROI: Ju kuptoj. Dhe ja tani, mbërrin pyetja e parë me SMS, nga një teleshikues, Emiljano nga Kopliku, që kërkon të dijë se mos “koha e baba Qemos” ka qenë kur baba Qemoja ishte shumë i ri? Ende i ri, me një fjalë? Meqë ju, siç e pohoni vetë, jetuat shumë gjatë, apo jo?

BABA QEMOJA: Jo, jo. Kur isha unë i ri, nuk më thoshte kush “baba Qemo.” Qemo, dhe tepër e kisha. Kur ma dinin emrin. Se përndryshe më thoshin: “ti atje, pa eja këtu!” Ose “ç’bën ti këtu? Pse s’ke ikur akoma?”

SHAT PËRROI: Kur filluan t’ju quajnë “baba Qemo”?

BABA QEMOJA: Kur u dufrita. Aso kohe djemtë ngritën edhe një si verandë, ku më nxirrnin kur bënte mot me diell, më vinin mbi rrogoz dhe pastaj u merrnin nga një metelike të gjithë atyre që vinin për të më parë. U thoshin: këto para na duhen për ilaçet e Baba Qemos.

SHAT PËRROI: Për ilaçe shumë të vjetra, e keni fjalën? Barna popullore? Apo e kishin fjalën për bar nga ai i Laz…

BABA QEMOJA: Jo mo jo, për ilaçe gjoja që t’i bërshitja unë. Po unë s’kisha gjë hiç, isha top. Ata donin të koqillepsnin ndonjë pará.

SHAT PËRROI: Ja edhe një pyetje tjetër, sërish me SMS, Ulpiana nga Prishtina: duan të dinë se mos “koha e Baba Qemos” ka qenë, përkundrazi, kur ju ishit tepër i moshuar dhe ju njihte gjithë krahina?

BABA QEMOJA: Bën vaki ashtu ka qenë. Po ne asaj i thoshim “koha e turkut” atëherë. Edhe më pas, pasi vdiqa unë dhe iku edhe turku në esfel të gomarëve. Veç unë s’kam pasur punë as me turkun as me kaurin. Edhe pak dogançe që dija, kur fillova të rrjedh, e harrova menjëherë.

SHAT PËRROI: Po si shtyhej jeta në kohën tuaj, Baba? Me aq sa mbani mend?

BABA QEMOJA: Gjynah të përvajem, se më vret Perëndia. Me aq sa mbaj mend, doemos – po kur rron mirë i harron edhe ato pak të këqia. Po ne i rripnim dhitë ndryshe, dhe nuk dëgjoje njeri të thoshte “nuk kam kohë”. As kam dëgjuar, unë si baba Qemo, të më thoshte kush “iku koha jote, zotrote.” Tani koha më përpara ikën se rri.

SHAT PËRROI: Kishit kohë me bollëk atëherë? Apo ju kishte duk koha?

BABA QEMOJA: Kishim sa për të rrojtur. Dhe nuk e mbanim të lidhur pas vetes, siç i mbajnë zonjushat qenushet sot, se nuk kish ku të gjyfqepsej. Ose edhe kur gafurrej ndonjëherë, vente deri te rrëza e malit dhe vinte prapë.

SHAT PËRROI: Një teleshikues tjetër pyet nëse ndiheni i fyer, kur dëgjoni që njerëzit të flasin me përçmim për ju, duke ju paraqitur si njeri të prapambetur, simbol të një epoke të kapërcyer.

BABA QEMOJA: Jo nuk fyhem. Habitem pak, që më mbajnë mend akoma, se mua sikur më kishin shafarisur qëkur isha gjallë.

SHAT PËRROI: Të vijmë te një çështje më aktuale. Siç mund ta keni dëgjuar, ka një interes të shtuar për të kaluarën, për historinë, për trashëgiminë kulturore. Ku hyn, siç mund ta merrni me mend, edhe “koha e Baba Qemos.” Kjo është një periudhë historike që njerëzit e kujtojnë njëlloj si “kohën e Ali Pashës,” “kohën e Zogut” ose “kohën e komunizmit.” Sikur të ngrihej një ditë një muze kushtuar pikërisht kësaj periudhe, ose kohës së Baba Qemos, çfarë do të vendosnit atje?

BABA QEMOJA: [qesh] Kjo punë më ngamend djemtë, që më rrasnin një qylaf në kokë dhe më kërrenin në kashtërmá, që të mërzeja në diell dhe t’u bëja myfarete turistëve. Por unë kam vdekur tani, dhe nuk kam ç’të vete dhe të kapardisem në muze. Ua kam paguar borxhin muzeve unë

[qesh prapë, mbytet në kollë, ndërpritet emisioni për reklama].

SHAT PËRROI: Ja ku u kthyem sërish tête à tête me Baba Qemon, në “Më mirë prishet,”  Tuna-TV. Duke filluar tani pjesën e dytë dhe të fundit të intervistës sonë, desha të di çfarë do të ishte një gjësend që t’i referohej saktë kohës suaj dhe që mund ta vinim në muze?

BABA QEMOJA: Kushedi do ma kish ënda të shihja plakën time atje, duke tjerrur lesh me furkë. Edhe ca bletë, që i kisha për qejf, dy-tre koshnaja. Kushedi edhe mikun tim të paharruar Zeqon, që i hipte e jëma majë thanës; ose Fajën e shkretë, që ra nga fiku, theu kërboçkën dhe mbeti ulok, aq sa u bë pastaj më i forti i krahinës në yç. Ka qenë edhe një Ymer, Ymer, që i thoshin “ku të dhëmb e ku të ther, o xha Ymer.” Po të vinte edhe ai, dhe bënim një dy-me-dy, tamam për domino. Le të vinin njerëzit pastaj për sehir, por vetëm mos të tregonin gurët. Ja ashtu.

SHAT PËRROI: Po njerëzit sot, kur flasin për “kohën e Baba Qemos”, nuk kanë parasysh katër tuhafë që luajnë domino – prej të cilëve njëri me të jëmën në majë të thanës, tjetri i paralizuar sepse ka rënë nga fiku dhe tjetri akoma që ia kanë bërë kurrizin më të butë se barkun, pa folur për të katërtin, Baba Qemon vetë.

BABA QEMOJA: Po çfarë kanë parasysh?

SHAT PËRROI: Ja, të themi diçka si Shtëpia e etheve. Tingëllon bukur apo jo? E shkuara e kapur në ethe, e gozhduar në shtratin e Prokrustit, e mbërthyer në tryezën e autopsisë. Koha e Baba Qemos, si foleja e një agonie. Një tmerr pa fund, një fund me tmerr, për ta thënë me fjalët e Franz Kafkës.

BABA QEMOJA: Epo njerëzit sot ashtu i mendojnë punët, se ua ka përzhitur ethja trutë mu brenda në kafkë, siç e the mirë edhe zotrote. Kur thonë “koha e Baba Qemos” kanë ndërmend një kohë kur gjërat bëheshin ndryshe nga siç i bëjnë ata sot. Për shembull: bëjnë dashuri sot? Atëherë në kohën e Baba Qemos nuk bënin dot se u vinte turp, por e mpiksnin fëmijën me farë kosi. Ose veshin brekë sot? Në kohën e Baba Qemos rrinin pa brekë fare për kollajllëk, sidomos gratë e ndorme. Ose e ndezin cigaren me çakmak sot? Atëherë në kohën e Baba Qemos e ndiznin me thëngjill. More me eshkë dhe urov fare, xhanëm.

SHAT PËRROI: Epo një gjë duhet ta vëmë te muzeu, se tani fondet janë miratuar dhe planet janë gati… Nuk zgjidhet kjo punë me farë kosi! Do të vijë edhe arkitekti i madh Bernardo de Gran Patibolo nga Montevideo e Uruguajit, që ta selitë.

BABA QEMOJA: Uruguaji mirë se të vijë, mos harro ta shkalidhësh edhe këtu në studio për intervistën, para se t’ia mbathë edhe ai me qeset plot. Por sa për këtë muzeun që zure ti në gojë, me sa marr vesh unë dhe me sa kam parë rreth e rrotull, tek ju çdo muze i “Baba Qemos” është. Po i Baba Qemos suaj, jo imi. Se kur isha akoma gjallë unë, ndjesë paça, ne kishim kishën e Shën Triadhës te fshati karshi, që ishte si biçim muzeu i Nuhut. I merrnim kalamaqët nga dora, i shpinim atje, dhe u thoshim: Ja, pa shiko, ky ishte Nuhu. Kur themi ne “në kohën e Nuhut”, ja për këtë e kemi fjalën. Dhe kalamaqët na pyesnin: po ky Nuhu fare nuk e dinte që rronte në kohën e Nuhut?

SHAT PËRROI: Meqë ra fjala për Nuhun, kemi marrë vesh që i jeni përgjigjur pozitivisht ftesës për të marrë pjesë, me një kumtesë, në konferencën për “Kohën e Nuhut”, që do të organizohet nën kujdesin e veçantë të Presidencës së Këshillit të Shtetit, të ambasadave të Vatikanit, të Izraelit dhe të Arabisë Saudite, të fondacionit Gran Bazaar, të fondacionit Bismilah dhe të fondacionit Shangri-La. Shtypi i specializuar në Shqipëri dhe në Kosovë, por edhe në diasporë, ka shkruar se prania juaj, si Baba Qemo, në këtë konferencë për “Kohën e Nuhut”, shënjon një hap përpara në gërshetimin e së shkuarës me të tashmen, në viset e mendjes së kombit; duke aktualizuar edhe lidhjet e lashta stërgjyshore mes shqiptarëve dhe hebrenjve në histori dhe në mit.

BABA QEMOJA: Ç’është e vërteta, mua sikur m’u rrëzhgat zemra në lugth, kur mësova se vetë Nuhu nuk do të merrte pjesë në konferencë, por do të dërgonte atje të bijtë azganë, me shpenzimet e veta.

SHAT PËRROI: Bredpiti nga Petralba pyet pse në diasporë ka për ju një opinion më të mirë se në Shqipëri dhe gjetiu mes shqiptarëve në Ballkan. Mos ka lidhje kjo me atë që diaspora është treguar më konservatore, duke u identifikuar me ruajtjen e traditës? Ose, për ta thënë më thjesht, me faktin që diaspora priret t’ju trajtojë si hero, dhe jo si mishërim të vjetërsisë?

BABA QEMOJA: Një mik që kam pasur po që nuk e kam më, mësonjës në gjimnazin Zosimea të Janinës, më pat thënë një here se diaspora është historia e arratisur në gjeografi. Gjithnjë e kujtoj, kur ndaj bukë me patriotët e mi në Zyrih në Boston në Melburn: atje nuk më thotë njeri “në kohën tuaj kështu,” ose “në kohën tuaj ashtu.” Por më ulin në buxhak dhe më thonë: “Pa na thuaj, Baba Qemo, si e kopsitnit këtë, si e kopsitnit atë.” Si ishte kanuni i maleve, si ishte besa, si ishte trimëria, si ishte Zenel Gjoleka. Po shqiptarit pse i thënkeshin me y, “shqyptar”. Muhabete burrash, xhanëm.

SHAT PËRROI: Shumë vite më pas, njerëzit anembanë do t’i referohen kësaj interviste që po bëjmë bashkë tani, dhe do të thonë: “ja një intervistë e kohës së Baba Qemos.” A nuk ju duket se kudo që shkoni, kudo që ndaleni, kudo që e varni qyrkun e dhirtë siç thotë poeti, e sillni këtë – do ta quaja mallkim sikur të më mirëkuptonit – pra, këtë mallkim të vjetrimit me vete?

BABA QEMOJA: Do të ma dinit për nder, apo jo?

SHAT PËRROI: Natyrisht, sikurse jua di për nder gjithçka që ndatë sonte me ne, në javorin “Më mirë prishet.” Të dashur teleshikues, kishim të ftuar sonte, në studion e Tuna-TV, për një intervistë ekskluzive, Baba Qemon!

[duartrokitje, sigla]

Nuk ka komente

  1. Gazetar i dobet, pa njohuri dhe qe nuk njeh vije editoriale te tv ne fjale. Nuk mundet qe ekskluzivitetin e kesaj interviste ta shperdorosh pa bere pyetjen: I nderuari Baba Qemo, me aq sa mbani mend Ju, thenia “ka shkuar per lesh” nisi te perdorej ne kohen tuaj, apo perdorej me pare?

    Ka rendesi kjo pyetje pasi kuptojme nese vllehet qe ishin barinj dhe banoret me te vjeter te Shqiperise, pra leshtare profesioniste, mbaheshin per te cmendur.

  2. Zoti Përroi, ju falemnderit për profesionalizmin tuaj. E ndoqa intervistën e Zotit Qemo me mjaft kërshëri dhe do të kisha dashur që ta kishit pyetur edhe për Zotin Çelo, mustaqet e të cilit duket se u bënë shkak i përçarjeve historike ndër shqiptarë.
    Apo mbase keni ndërmend të intervistoni Çelon dora vetë? Nëse është kështu, bashkë me falenderimet e nxehta, lyp edhe vëmendjen tuaj mbi nevojën për një kujtim grafik të atyre mustaqeve legjendare. Po ashtu, shpresoj të keni ndërmend ta pyesni zotërinë në fjalë se sa përgjegjës ndihet që pasardhësit sot e kësaj dite vijojnë të grihen e copëtohen në emër të mustaqeve zulmëmëdha.
    Ju falemnderit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: