SEKRETE DHE SEKRETARË

Shumë të mitur të brezit tim, do të kenë pyetur me ngulm pse quhej sekretar i parë Enver Hoxha – i pari i vendit, udhëheqësi i popullit shqiptar, drejtuesi i PPSh-së.

Nëse mbiemri i parë përligjej, ngaqë Enveri ishte vërtet i parë në çdo kuptim, titulli sekretar pështjellonte.

Kishte në shkolla një zyrë që e quanin sekretari dhe ku punonte një sekretare – këto ishin zakonisht vajza dhe gra. Po ta kishe babanë me pushtet, do të kishte edhe ai sekretare; ose kushedi nëna jote ose ndonjë hallë a teze të punonte si sekretare gjëkundi në ndonjë institucion.

Ishte pastaj edhe roli, më misterioz, i sekretarit të Partisë, që shfaqej rregullisht në filma, në libra dhe në teatër, që para se të shfaqej në jetë; dhe krahas sekretarit të Rinisë, që merrte frymë me gojë dhe të rokaniste në shkollë, duke të kontrolluar flokët, pantallonat dhe fundet.

Më në fund, ishte edhe lidhja etimologjike, e pashkoqitur, me fjalën aq joshëse, aq magjepsëse për fëmijën: sekret.

Ç’sekrete ruante vallë sekretari? A quhej edhe Enver Hoxha kështu, sepse ishte mbajtësi i sekreteve më të mëdha të shtetit?

Pyetje të mbetura pa përgjigje. Nga njëra anë, ishte e pamundur ta përfytyroje Enver Hoxhën duke daktilografuar procesverbalet e mbledhjeve të Komitetit Qendror ose të Politbyrosë; nga ana tjetër, ishte njëlloj e pamundur ta përfytyroje sekretaren e shkollës si në krye të punëve.

Sa për sekretarin e Partisë, ky merrej vesh që ishte i rëndësishëm; por nuk merrej vesh mirë pse, dhe ç’raport kishte me drejtorin.

Shumë nga këto enigma leksikore janë tërhequr në histori, me ndërrimin e kohëve. Sot në krye të punëve të shtetit është kryetari: i Këshillit të Ministrave ose i partisë kështu ose ashtu. Roli i sekretarit është ngushtuar brenda hapësirës së një asistenti administrativ – por kjo ua bën edhe më të vështirë të rinjve, në mos sërish të miturve, që të kuptojnë se pse quhej sekretar i parë Enver Hoxha; ose të marrin vesh se ç’ishte ky sekretar i Partisë, në filmat e Kinostudios Shqipëria e Re.

Ndonjëherë mediat flasin për sekretarin e shtetit (të ShBA), ose për sekretarin e përgjithshëm të OKB-së; por përndryshe, fjala është parkuar sërish në kuptimin e vet etimologjik, të një nëpunësi ose asistenti, të cilit mund t’i besosh – mes të tjerash, edhe sekretet.[1]

Në fakt, në latinishten mesjetare, secretarius ishte një nëpunës, noter ose ndihmës privat, konfidencial, të cilit i besoheshin edhe çështje dhe dokumente sekrete. Rëndësia e rolit varej nga marrëdhënia e përhershme, dhe po aq e habitshme, midis pushtetit dhe sekretit: më thuaj ç’sekrete di, të të them se ç’pushtet ke.

E njëjta figurë profesionale, kur i bashkëlidhej jo një personi individual por një organizate ose institucioni, mbulonte detyra administrative, përfshi këtu edhe bashkërendimin e punëve dhe funksioneve të anëtarëve të grupit.

Që këtej, termi u trashëgua edhe në organizatat politike, ku sekretari do të ishte personi që kish në ngarkim çështjet organizative.

Kështu, në historinë e PKBS (Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik), deri në vitin 1919 sekretari, i njohur me titullin sekretar teknik dhe kryesekretar (shef i sekretariatit), merrej vetëm me shkresa; për t’u zëvendësuar më pas nga një sekretar përgjegjës, që merrej me punë administrative. Përndryshe, kjo parti deri në vdekje të Leninit nuk kishte kryetar ose sekretar të përgjithshëm, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, pavarësisht centralizmit demokratik në bazë të strukturës organizative; madje edhe pas revolucionit të tetorit, Lenini vetë, më parë leader i fraksionit bolshevikPartisë Social-Demokrate të Punës, mbante detyrën e kryeministrit të shtetit të dalë nga Revolucioni (Kryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit).

Në 1922 u krijua posti i sekretarit të përgjithshëm, që mbulonte detyra thjesht administrative dhe disiplinare, kryesisht në lidhje me anëtarësinë në Parti; dhe që iu dha Stalinit, i cili ia doli ta shndërrojë hap pas hapi, nga një rol administrativ, në atë të udhëheqësit të Partisë dhe më pas të krejt Bashkimit Sovjetik.

Në fakt, partitë komuniste me statut duhej të drejtoheshin nga organizma kolegjialë – p.sh. Kongresi, ose Plenumi, ose Konferenca; pa çka se të gjithë këta organizma kishin nevojë për dikë që të merrej me “shkresat”, ose të bashkërendonte veprimtaritë e ndryshme. Ky person ishte sekretari, i cili megjithatë kish në dorë sekretet e Partisë; dhe ashtu e kish udhën të hapur për t’u shndërruar nga shërbëtor i grupit në despot.

Mjaft të krahasohet roli dhe emri i Stalinit, me atë të sekretarëve që i paraprinë në detyrë: Elena Stasova, si sekretare teknike dhe më pas shefe e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PKBS-së; dhe Nikolaj Krestinski, si Sekretar Përgjegjës.

Stalini qëndroi si Sekretar i Përgjithshëm të paktën deri në Kongresin XVII të PKBS-së në 1934, ku nuk u zgjodh më formalisht në atë pozicion, edhe pse duke mbetur në krye të punëve, në Parti dhe në shtet.

Pas vdekjes së Stalinit, u krijua posti i sekretarit të parë, të cilin e mori Hrushovi, në shtator të vitit 1953; kur doli në krye të listës së anëtarëve të Sekretariatit të Komitetit Qendror. Sërish, mbiemri i parë linte të kuptohej natyrën kolegjiale të udhëheqjes së PKBS-së në atë kohë, sikurse edhe që lufta për pushtet ende nuk kish dhënë rezultate. Më pas posti do të riquhej Sekretar i Përgjithshëm, kur t’i kalonte Leonid Brezhnjevit dhe ashtu mbeti deri në vitet 1990; me Mikhail Gorbaçovin si titullar të fundit.

Një trajektore të ngjashme ndoqi edhe posti i sekretarit në historinë e PPSh-së (PKSh deri në 1948); ku Enver Hoxha, i ngarkuar në mbledhjen e themelimit me detyrën e drejtimit të punëve organizative (në thelb, të sekretarit, në kuptimin klasik të fjalës), u zgjodh pastaj Sekretar i Përgjithshëm i PKSh-së; dhe pas Kongresit I, Sekretar i Parë i KQ të PPSh-së.[2]

Në përgjithësi, mendohet se titujt dhe funksionet e sekretarit të parë, sekretarit të përgjithshëm dhe sekretarit organizativ janë të barasvlershme dhe të ndërkëmbyeshme; të tre herët, ideja është që personi titullar të vihet formalisht në detyra shërbyese ndaj udhëheqësisë kolektive (parimi i kolegjialitetit). Që këtej edhe parapëlqimi i termit sekretar ndaj atij më normal, të kryetarit.

Mirëpo historia e regjimeve monopartiake ka treguar se, vetvetishëm, personi që ka në ngarkim burokracinë e organizatës – shkresat dhe sekretet – herët a vonë do të marrë në dorë fuqinë absolute; sepse këtë fuqi absolute ia kërkon, madje ia imponon vetë natyra e regjimit, dhe se askush tjetër nuk mund t’ia pengojë, përveçse me anë të një grushti shteti.

Burokracia, si të thuash, e merr partinë nga brenda.

Kjo dinamikë e pushtetit soft replikohej nga lart poshtë, në strukturat partiake; dhe veçanërisht në organizatat bazë në nivelin lokal. Kështu, në Bashkimin Sovjetik pas konsolidimit të PKBS nga Stalini, çdo anëtar partie duhej të militonte në një organizatë bazë (первичная партийная организация) e drejtuar edhe ajo nga një sekretar, i cili formalisht kish për detyrë të mblidhte kuotizacionet, të raportonte në organet më të larta dhe të kujdesej për arkivin.

Kjo strukturë organizative u kopjua, në vija të trasha, edhe nga PPSh; edhe pse kjo e fundit, në ngjashmëri me LKJ-në, mbeti organizatë formalisht sekrete deri në vitin 1948 (dhe mbledhjet e organizatës bazë do të mbaheshin gjithnjë me dyer të mbyllura, deri në vitin 1990).

Megjithatë, më pas organizata-bazë do të vinte duke e forcuar rolin e vet brenda qendrave të punës, institucioneve dhe kudo gjetiu ku kish komunistë; dhe sekretari i organizatës (i njohur si sekretari i Partisë) do të angazhohej gjithnjë e më drejtpërdrejt në punët drejtuese, duke mirëmbajtur një pushtet paralel me atë ekzekutiv të drejtorit (dekanit, etj.). Këtë strukturë të dyzuar e gjeje edhe në Forcat e Armatosura sidomos pas heqjes së gradave në vitet 1960, me komandantin nga njëra anë dhe komisarin nga ana tjetër.

Terminologjia e drejtuesve të shtetit, institucioneve, organizatave është e ndarë më dysh: nga njëra anë, emra si kryetar, president, drejtor, guvernator, prefekt, komandant, shef etj. shënjojnë drejtpërdrejt personin në krye të punëve (për të mos folur për mbret, perandor, kalif etj.); nga ana tjetër, emra si sekretar shënjojnë një person të mveshur me pushtet të fshehtë, ose që e ushtrojnë pushtetin duke u shpallur formalisht (dhe etimologjikisht, nëpërmjet historisë së emrit të detyrës) si shërbëtorë ose ndihmës të dikujt tjetër, që në kohët moderne është zakonisht institucion kolektiv ose kolegjial, vendimet e të cilit sekretari i ekzekuton ose kujdeset që ato të ekzekutohen.

Sekretari nuk është i vetëm në këtë bashkësi; sepse aty bën pjesë edhe ministri, që tek e fundit vjen nga latinishtja minister, me kuptimin “vartës, shërbëtor, ndihmës i një prifti”, nga minus, minor; dhe që këtej, ka zhvilluar kuptimin e sotëm, nëpërmjet kalesës “ai që i shërben kurorës”; sikurse bën pjesë edhe kancelari, nga latinishtja e vonë cancellarius, me kuptimin “sekretar gjyqi, roje gjyqi”, ngaqë këta zakonisht qëndronin prapa kangjellave në sallë (lat. cancellus); në shqip ndoshta mund ta quanim edhe kangjellar, po të ishim me humor të mirë.

Në vija të trasha, kryetari është drejtpërdrejt i zgjedhur ose i emëruar që të drejtojë; ndërsa sekretari e merr pushtetin duke shfrytëzuar privilegjet që i jep posti, përfshi këtu edhe kontrollin ndaj të tjerëve, ose ndaj sekreteve. Kjo përkon, në analizë të fundit, edhe me fshehtësinë ose sekretin, si karakteristikë kryesore të ushtrimit të pushtetit totalitar; ku subjektivizmi absolut dhe arbitrariteti i udhëheqësit monist maskohet prapa kolegjialitetit të organeve drejtuese (të Partisë ose të institucioneve të tjera të larta). Ashtu sekretari gjithnjë mund ta ruajë rolin prej shërbyesi të një vullneti suprem dhe sovran, sipas rastit të Partisë në Pushtet ose të Popullit ose të zgjedhësve.

[1] Këtu duhen përfshirë edhe disa funksione të ndërmjetme, si ai i sekretarit të një shoqate, ose i sekretarit të ambasadës; ose të gjitha ato raste që kombinojnë punët e shkresave me detyrat mirëfilli drejtuese ose ekzekutive ose të organizimit administrativ.

[2] Sikurse edhe Bashkimin Sovjetik, këto poste të larta i referohen sekretariatit, një organizëm që bashkërendonte punët e Komitetit Qendror midis Plenumeve, dhe që nuk ishte veçse një sekretarí e glorifikuar (“organi që udhëheq, bashkërendon dhe kontrollon veprimtarinë e një organizate politike e shoqërore,” thotë FShS. Si për t’i ngatërruar edhe më punët, të gjithë sekretarët e KQ kishin edhe sekretarë privatë secili.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin