REVOLUCIONI I KOKËPALARËVE

Një revolucion i heshtur ka ndodhur në pak vite me mbërritjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) në stacionin e pushtetit. Revolucioni i heshtur i kokëpalarëve.

Dikur antagonistë të pushtetit të LSI-së, sot aleatët e vetëm të saj. Radhët e tyre janë të shumtë. Kushdo që del nga shtëpia i larë e sorollatet rrugëve të Shqipërisë si këmbësor, i pasigurtë në punën që ka apo i papunë, mbart pluhurin e qytetit në kokë apo baltën e fshatit në këpucë, me gjasa është një revolucionar.

Sipas INSTAT, në tremujorin e parë të 2015 papunësia ndër të rinjtë e grup moshave 15-29 vjeç ishte 34.1%. Revolucionarë të heshtur.

Kritikët e pushtetit të sotëm si F. Lubonja kritikojnë pushtetin e pamatë të oligarkëve: ndërtuesve, industrialistëve apo bankierëve. Kritikojnë mbizotërimin e pushtetit ekonomik dhe të biznesit mbi pushtetin politik, parlamentin. Madje edhe parlamentin e cilësojnë si dorën e gjatë të oligarkëve. Dikur këta kishin nën sqetull Nanon apo telekomandonin Berishën. Sot, sipas kritikëve, oligarkët gjenden në parlament dhe i shkruajnë vetë ligjet. Këta kanë blerë demokracinë shqiptare, sikur edhe votat gjatë zgjedhjeve.

Por revolucioni i heshtur tregon një tjetër dimension të realitetit shqiptar, që Xhaxhai i ka mëshuar gjithë kësaj kohe në kritikat e tij ndaj partitokracisë. Pafuqinë e biznesit për të përballuar forcën politike. Institucionet e shtetit përdoren si çomange nga “kokëpalarët”, jo vetëm për të siguruar të ardhura në monedhë apo favore për partitë politike, pra për të grabitur e shfrytëzuar biznesin, por edhe për të krijuar vende pune në këtë sektor. Kjo pasi cica e sektorit publik është shtrydhur deri në shterpësi me rritjen tej mase të borxhit e shpenzimeve publike.

Sektori privat gjendet tërësisht nën hyqmin e forcave kryesore politike. Për të keqen a të mirën e vet. Lidhjet me partitë politike mund t’i kushtojnë biznesin, nën trysninë e tatimeve apo inspektoratit të punës; apo mund ti rrisin përfitimet, nga tenderat apo evazionet fiskale. Një studim i mirëfilltë mbi këtë dukuri, se si aleancat me partitë politike ndikojnë mbi suksesin e biznesit, mungon.

Më dukshëm kjo dukuri, e dominimit të politikës ndaj interesave ekonomikë, vërehet në këmbimin e votës. Ndërsa paratë e thata nuk janë shtysë e mjaftueshme për të zhvendosur besnikërinë nga njëra parti në tjetrën, premtimi për një vend pune, që i tejkalon fitimet nga këmbimi i votës me disa herë, është më joshës.

Fabrika e Birrës në Tiranë vetëm gjatë muajve maj-qershor, në prag të zgjedhjeve, rriti numrin e të punësuarve formalë me rreth 40-50%. Po kështu shumë biznese private kanë rritur numrin e të punësuarve nën trysninë e pushtetit politik. Më kujtohet gjatë zgjedhjeve të PD-së sesi sipërmarrësve privatë u premtoheshin licenca për veprimtari private nëse punësonin dhe siguronin votat e punëmarrësve. Një sipërmarrës pa kurrfarë përvoje me veprimtarinë që ishte këshilluar të hapte, vinte më pas vërdallë duke u kujtuar deputetëve premtimin.

Por edhe vetë punëmarrësit gjenden në të njëjtën trysni. Ata duhet të qepin gojën nëse nuk duan të krijojnë armiqësi e të shkaktojnë zemëratën e partiakëve në pushtet. Përndryshe hakmarrja i kap edhe në sektorin privat. Nuk janë të pakta rastet, qoftë gjatë qeverisjes së PD-së, apo të PS-LSI tani, kur individë të ndryshëm janë larguar nga puna pse një ministër apo zv/ministër i kërkon punëmarrësit të largojë persona të angazhuar apo kritikë. Rasti më i fundit që më ngacmoi ishte në Ministrinë e Punës, ku një zv/ministër ndërhyri pranë një shoqate, me të cilën kishte një projekt të përbashkët, për të larguar ekspertët vendorë pse dikur kishin qenë të angazhuar pranë qeverisë së kaluar.

Mungon një studim mbi ndryshimin e anëtarëve të bordeve në kompanitë publike. Gjasat janë që edhe në sektorin privat të ketë ndryshime të anëtarëve të bordeve, sipas përkatësisë apo angazhimit partiak të anëtarëve.

Edhe gjatë zgjedhjeve, po në sektorin privat, punëdhënësit bëjnë presione për të votuar kandidatë të caktuar. Në 2011, në Korçë, një punëdhënës m’u shpreh se garantonte për PD-në të gjitha votat e punëmarrësve të tij, përndryshe do ti hidhte në rrugë.

Vështirë se mund të flitet për demokraci dhe zgjedhje të lirë në këtë sistem. Më pesimist u bëra kur vërejta zgjedhjet e fundit vendore në Tiranë.

Edhe pse i paqtë, jo si më parë kur kishte edhe vrasje, sistemi i kontrollit të zgjedhësve ka marrë përmasa të frikshme e të rrezikshme për demokracinë në këtë vend. P.sh. mekanizmi i ndërtuar nga partitë politike për të mbikëqyrur votuesit dhe garantuar votën e tyre.

LSI gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2011, 2013 e 2014 merrte kartat e identitetit, ose numrat e tyre, për të garantuar votat që premtoheshin për vende pune, pasi ndër radhët e premtuesve kishte mashtrues që betoheshin edhe për votat e kinezëve.

Në të gjitha qendrat e votimit që shkova, të cilat zakonisht ishin shkolla, nëpër korridore dhe në thuajse çdo kat kishte grupe me nga dy-tre përfaqësues të partive politike, zakonisht PS, LSI dhe PD, të sistemuar nëpër tavolina me pretendimin se po udhëzonin njerëzit. Në fakt ishin aty për të garantuar premtimet e tyre për votat. Kur iu afroheshim me vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kthenin përgjigje.

Persona me detyra të ngjashme ishin vendosur në çdo qendër votimi me konsensus të plotë ndërmjet tre partive. Gjatë vëzhgimeve nuk më rastisi asnjë parti tjetër. Gjatë numërimit për votat e kryetarit të bashkisë kishte nga dy-tre për LSI, PD e PS, dhe nga një ose dy të kandidatëve të pavarur. Edhe pse përfaqësuesit e Gj. Bojaxhiut ishin të përgatitur për të mbrojtur me agresivitet votat e kandidatit të pavarur, çdo gjë kishte ndodhur tashmë përpara votimit.

Çdo individ i përfshirë në PD, PS apo LSI premton një numër të caktuar votash, nëse do të mbajë vendin e punës në administratë, apo pozicionin në parti. Më tej, sikurse mësova në zgjedhjet e 2013, LSI u kërkon çdo anëtari të paguajë një rrogë mujore ose më shumë në fondin joformal të partisë. Ndërsa këtë vit një vend pune mund të sigurohej nëse garantoheshin 200 vota. Të dyja metodat u eksperimentuan pa sukses nga PD-ja gjatë 2013, pasi të angazhuarit e dinin se do të humbnin zgjedhjet.

Kështu që fondet e partive, që mbushen me kontribute të ngjashme, përdoren më pas për blerjen e votave, p.sh. të romëve. Në një lagje romësh, nga zona e Babroit, pashë sesi një person shpërndante karta identiteti. Një tjetër takonte me makinë dhe shoqëronte çdo rom që dilte nga qendra e votimit në zonën e oxhakut. Në një qendër votimi në Babru ishte e pranishme në qendrën e votimit një kandidat për këshillin bashkiak, i PS-së, e cila vëzhgonte pjesëmarrjen e atyre që kishin premtuar. Disa të moshuar ose gra ishin pajisur me një letër udhëzuese se për kë duhet të votonin. Ishte një pusullë mavi, kuptohet e PS-së.

Monitorimi i pjesëmarrjes është mekanizimi i fundit për të manipuluar sistemin zgjedhor. Në një qendër votimi, objekt privat, vërejta sesi individë të ndryshëm pasonin autorizimin e Komisionit e Zonës së Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dorë më dorë, për t’u ulur si “vëzhgues”. Anëtarët e qendrës së votimit nuk flisnin apo të verifikonin identitetin e vëzhguesit. Këta persona, në këtë rast të PD dhe LSI, numëronin pjesëmarrjen e votuesve që kishin premtuar votat. Ishin aty se i njihnin votuesit nga afër.

Ndërsa në qendrat e votimit ku banorët ishin nga të gjitha anët, ndiqej një tjetër mënyrë. Një anëtar i komisioni përcillte numrin rendor të votuesit tek përfaqësuesit e partisë. Këta e shënonin dhe më pas lista çdo dy orë raportohej në qendër. Atje listat verifikohen në bazë të premtimeve.

Pra tanimë, është stërholluar disi, dhe për fat, civilizuar, manipulimi i zgjedhjeve, nëpërmjet kontrollit të zgjedhësve (pjesëmarrjes së tyre). Një stad zhvillimi pozitiv, nga periudha ku mbusheshin në masë kutitë e votimit dhe dhuna ishte në rend të ditës. Së paku kemi vullnet të zgjedhësve, edhe pse nën kontrollin e tre partive kryesore.

I qofshim pra falë LSI-së që arriti të mobilizojë aq njerëz sa të ndryshojë mekanizmin e manipulimit të sistemit zgjedhor pas ndryshimeve kushtetuese, dhe të vendosë nën kontroll oligarkët.

Shënim: ky shkrim është pronë e autorit të tij, Kapedanit. Ndalohet riprodhimi pa lejet përkatëse.

Nuk ka komente

  1. E vetmja terheqje vemendje (jo kritike) qe do ti beja autorit eshte ne lidhje me thellesine dhe gjeresine e fenomentit.
    Per aq sa e njoh procesin, ndikimi tek votuesit nuk eshte kaq masiv sa te le te kuptoje shkrimi, por atje ku ndodh (vecanerisht nese eshte shoqeruar
    me premtim monetar) ka gjase te jete edhe i thelle. Thuhet(!) se i kerkohet njesise se votuesve (familjareve X apo vajzave te robaqepsise Y) qe te votojne ne nje menyre te caktuar, p.sh. ta bejne shenjen x ne kutine e votimit qe te kape te kater cepat e kutise; te bejne nje x te vogel ne cepin e majte lart te kutise, etj. Numeruesit (e kandidatit/partise) me pas verteton se ishin psh 80 flete votimi me shenjen x apo + ne cepin e majte lart dhe kjo korespondon me numrin e punonjeseve te biznesit ne fjale.
    Sa per masivitetin e fenomentit, ne njohjen time, eshte shume here (e theksoj kete) me i ulet nga sa mendohet. Ne fund te fundit, ne Shqiperi votojne diku midis 1.4-1.8 milion shtetas, shumica e te cileve banues ne qytete, nderkohe qe te punesuar ne shtet jane vetem 80.000.
    Keta te punesuar kane rreth 2-3 familjare me te drejte vote, por sa e sigurt eshte qe ata votojne si (krye)familjari i tyre?.
    Akoma me tej, a e perllogarisni se sa shume para do te duheshin sikur blerja e votave te ishte aq masive sa (gabimisht) perceptohet?

    1. e drejte, por nuk behet fjale vetem per administraten publike, por edhe per sektorin privat. Sikur edhe premtimet per vende pune.. i kerkohet biznesit te zgjerohet ca e tu beje vend, qofte edhe perkohesisht, per tre -kater muaj.. e kjo ne kembim te votes. Blerje e terthorte eshte kjo.

  2. 200 vota nuk sigurohen dot me nje vend pune. 200 vota i sguron ndonje trafikant apo ndonje biznesmen. Edhe ndonje drejtor, ta zeme, kot po flas p.sh ne nje agjenci si Anta, me shume sherben si burim te ardhurash, (tarifa fikse caktuar paraprakisht) sesa votash. Por nese kete marzh votash, LSi e konfirmon ne zgjjedhje parlamentare, atehere edhe alibia e blerjes bie. Le te themi se kjo parti eshte vetmja qe funksionon me parime burse: nje rroge mujore e anetareve depozitohet, drejtoret kane tarifa fikse qe ja cojne zoterise 260, te punesuarit kane nje numer votuesish qe duhet te sjellin, prokuroria po e di se kur te levize, jo del ndonje shkrese kur ky qe punon si kryeminister rrobaqepes ben ndonje prrocke antikorrupsion. Plus jane 8 te zgjedhur te ps me probleme penale ne te shkuaren, gjykatesit po e dine vete detyren, ne gatishmeri jane. Njehere te bejne te pafajshem, njehere te japin te perjetshem. Po nja 4 deputete te ps janne garanci per cdo iluminim demokratik, tip zegali moral qe kap ps ne kohe vape. Te gjithe kontributore. Baba Taku po e ka torben plot me kaseta. Se cthone tani, ka filluar xhirimet andej nga Albpetorli. Skenarin e ka gjetur ne Facebook thone. Ilir Meta thone qe doli i humbur gjithsesi: Ne PS deputetet, ata qe marrin vesh kuptohet hiqnin bast: arrin apo jo LSI 300 mije vota kesaj radhe. Nuk doli.
    Ere e keqe po ndihet ne tatime. Doganat po shurdhojne Tiranen me thashethemin qe qenka bere nami. Sa te behesh gati te godasesh maskarain, del nje top gjekund gjeter. Drejtimi i Duhur me pak fjale.

  3. Cdokush qe perfiton ne forme te drejtperdrejte nga politika ka status moral te njejte, qofte ai qe perfiton nje thes miell qofte ai qe perfiton nje vend pune, deri tek kryeministri.
    Dallimi,persa eshte i mundur, eshte ligjor e vetem ligjor, te mos bejme hipokrizi morale. Kryeministrit i duhen leke per fushate, do kembeje favore per para ne menyre qe parate te kthehen ne vota. Me ane te kembimit te parave ne vota kryeministri ka vendin e tij te punes ne kryeministri. Keshtu funksionon deri poshte, parate e nderet kthehen ne vota, keshtu ka vend pune; deri tek ai qe merr thesin e miellit.
    Cdo hallke eshte e paligjshme, por e moralshme, ne shoqerine shqiptare te pakten.

    Sa me pare qe ata te cilet nuk perfitojne ne menyre direkte nga politike te kuptojne se vota shkon tek leverdia e xhepit, aq me pare partite do ridimensionohen ne baze te ndershmerise se premtimeve e s’do asistojme ne perralla me mbret qe rrefehen gjithe diten neper media. Nuk degjon dot nje lajm se me siguri dikush po leshon nje bullshit.

    Keshtu ka qene gjithmone, dikur duhet te ishe enkeleas, taulant apo ardian qe te kishe pune administrate, pastaj qytetarine romake, pastaj te ishe i krishtere, me tej myslyman se s’futeshe askund, pastaj komunist e se fundmi, demokrat, socialist apo lsist.
    Ky sistem nuk ka shanse fare te shembet, eshte iluzion i pashembullt.
    Problemi eshte se sektori privat nuk ka kapacitete te brendshme te mjaftueshme qe te ofroje nje alternative serioze. Ne vendet e zhvilluara ekzistojne keto kapacitete prandaj robi jeton me rehat e voton ne baze te perfitimeve indirekte.
    Vetem ekzistenca e ketyre kapaciteteve mund te sjelle ndonje ndryshim pozitiv ne sistem.
    Heperhe Shqiperine e presin shume vite me rritje anemike keshtu qe do te ndodhe vetem ndergjegjesimi qe vota pa perfitim direkt eshte vote e hedhur kot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin