DHE ZOTI KRIJOI GREVËN

Dje bëmë grevë. Nuk pati ndonjë shenjë të jashtme që ta paralajmëronte. Gjëkundi nuk pamë ndonjë afishe. Ishte një shef sektori që më pyeti nëse do të shkoja në greve. Nuk më erdhi hiç mirë që u ndodha i papërgatitur, edhe pse jemi miq prej njëzet vjetësh.

Për të shpëtuar disi nderin e sindikatës, e pyeta se përse i interesonte një gjë e tillë. Ti je nomenklaturë e patronatit, i thashë dhe unë nuk ndihem i detyruar të të jap llogari nëse bëj grevë apo jo. Ai nxorri një pompë të vogël aerosoli, se ka probleme të mëdha me astmën dhe mori të ikë, duke dihatur. Pastaj ndaloi dhe më foli nga pas: Nuk mund t’i lëmë zyrat bosh, tha. Dikush duhet të jetë këtu. Po qe se ti shkon në grevë, më duhet mua të të zëvendësoj, nuk kemi fonde të paguajmë persona të jashtëm. Epo i thashë, përgatitu të kalosh një ditë të këndshme.

Kur gjeta pak kohë, i telefonova të deleguarës sonë sindikale, Sharlizës. Kërkova të më konfirmojë nëse vërtet kishim grevë pas dy ditësh. Ishte një “po” a një “jo” për të cilën kisha nevojë dhe nuk e prisja që ajo të zbrazte të gjithë entuziazmin e saj prej sindikalisteje të angazhuar duke përsëritur se “këtë radhë patronati nuk do ta hedhë kollaj”.

Kur po i afrohesha vendtakimit pata përshtypjen se isha nga të parët që i isha përgjigjur thirrjes për grevë, edhe pse nuk i kisha ende të qarta motivet. Natyrisht, si gjithmonë në periferi të sheshit kishin qëndruar makinat e mbushura me policë, të atyre që quhen Kompani Republikane të Sigurisë. Nuk është se gëzojnë emër të madh për punë delikatese dhe mirësjelljeje.

Drejt sheshit nisën të afrohen kolona grevistësh që nuk e mora e vesh nga vinin. Dukej se në valle nuk ishte vetëm sindikata jonë. Shoqëroheshin nga buri shurdhuese që funksiononin me kanoçe me ajër të ngjeshur dhe bulërinin si zogj ferri. Vetëm kur reshtnin a kur ndërronin bombolat, dëgjoheshin fjalime oratorësh që u prinin në krye kolonave të grevistëve, duke shqiptuar parulla të ashpra politike.

Si ushtritë e qëmotëshme, kolonat e grevistëve shoqëroheshin nga kuzhina fushore, që përgatisnin sasi të frikshme patatesh të skuqura e salsiçe të të gjitha llojeve, aroma e të cilëve si fillim të ngjallte të pështjellët, vaj, margarinë, yndyrë, por ndërsa kalonin orët dhe afrohej vakti i drekës, bëhej e lezetshme.

Së fundi munda të gjej disa nga kolegët e mi. Formuam një grup dhe nisëm të plotësojmë informacionet e njëri tjetrit. Askush nuk e kishte menduar se greva do të merrte përmasa të tilla. Qemë të një mendjeje se arsyet duhej të ishin të forta, edhe pse nuk i njihnim akoma. Por, pse nuk i dinim ne kjo nuk do të thoshte se ato nuk ekzistonin! Hëpërhë duhej të ishim të kënaqur që bënte kohë e mirë dhe në ajër nuk kishte shenja të veçanta zemërimi që paralajmëronin shpërthime dhune të pakontrolluar.

Dikur u përhap fjala se të gjitha rrugët e qendrës së qytetit ishin të bllokuara. Shpërtheu një konfuzion i madh. Shumë vetë ndiheshin të pakënaqur që nuk ishin njoftuar për një gjë të tillë dhe pyesnin nëse ishte e drejtë të paralizohej jeta e qytetit. Kjo deri sa u muar vesh se rrugët ishin bllokuar nga taksistët. Njëri nga “tanët” mori altoparlantin në dorë dhe nisi të shpjegojë se greva jonë e asaj dite nuk kishte asgjë të përbashkët me grevën e taksistëve. Ata kishin bllokuar rrugët për të detyruar qeverinë t’i hiqte licencën një shoqërie me emrin Uber, e cila ofronte të njëjtin shërbim por me çmim mjaft më të ulët. Nuk më pëlqejnë shumë taksistët, jo sepse asnjëherë nuk e kam paguar të njëjtën distancë me të njëjtin çmim, por sepse ata nuk duan të kuptojnë se ardhja e internetit në xhepin e secilit e ka transformuar përfundimisht edhe mënyrën e udhëtimit. Si fillim, Uber ishte emri i një aplikacioni.

E megjithatë, të paktën atë ditë taksistët e dinin përse kishin dalë në rrugë. Ne prisnim ende ta mësonim, edhe pse tashmë ishim në rrugë.

Tamam atë çast, disa, të cilëve u vinin përdorësh marifetet piroteknike nisën të shpërthejnë shashka, që e mbushën sheshin me një re tymi të bardhë, i cili përfundimisht vendosi të rrijë varur pezull mbi kokat tona.

Ardhja e Sharlizës u prit me britma nga të gjithë. Në të vërtetë ajo mbante lidhjet midis nesh dhe komitetit intersindikalist. Ne ishim të parët që ajo na vuri në dijeni se si e kishte menduar komiteti i grevës lëvizjen e kortezhit të pjesëmarrësve nëpër rrugët e qytetit dhe cila ishte simbolika e atij itinerari. Duke folur na la të kuptojmë se do të kishte edhe surpriza, të cilat nuk kishte qejf të na i tregonte atë çast. Kur vendosi të marrë pak frymë, përfitova dhe me një shpejtësi që nuk është e natyrës sime, e pyeta për motivet e grevës, çfarë parullash do të hidheshin? Më kishte pyetur edhe shoferi i autobusit atë mëngjes, por nuk kisha ditur çfarë t’i thoja. Motivet, pyeti ajo me një ton si të qe hera e parë që dëgjonte se u dashka një motiv për t’u hedhur në grevë! Vendi ka probleme, tha së fundi. Faleminderit, ia bëra, nuk e dija.

Befas Sheshi i Republikës gjallërua edhe më shumë. Nga larg po vinte një turmë e madhe. Ishin studentët e mjekësisë që na bashkoheshin në shenjë solidariteti. Këngët dhe entuziazmi i tyre qe emocionues. Studentët u futën midis nesh dhe krijuan në kuadrat të madh si një legjion romak. Pas shenjës që dha dikush, dhjetëra instrumente buçitën menjëherë dhe ata filluan një kërcim koreografik mjaft të sinkronizuar. Një street dance e një bukurie të veçantë, që na bëri të gjithëve të lëviznim nga pak me ritmet e saj. Vura re se edhe policët nisën të tundnin atë dajakun e tyre në dorë, por sipas ritmit të muzikës së studentëve. Ambient festiv, që nuk e kisha ndjerë as më 21 qershor, me rastin e festës së muzikës, kur nuk e merrja vesh se nga cilat bodrume dilnin ca grupe muzikorë që të bënin për të qarë, kur i dëgjoje në hyrje të ndonjë birrarie. Përgjithësish, pasi u ofronin falas ndonjë birrë e ndonjë sandviç, pronarët i ftonin njerëzisht që të shkonin e të këndonin pak më tutje, mundësisht në anë tjetër të trotuarit.

Dikur erdhi urdhri të lëviznim. Institucionet që kishin mbrritut nga drejtime të ndryshme e që ishin ngjeshur e shndërruar në një masë kompakte aty në shesh, u vunë në rresht dhe morën drejtimin e bulevardit kryesor, por tashmë në një kolonë të vetme. Në krye dolën pesë a gjashtë “camarades” me altoparlantë në dorë. Ishin ata që “ngrohnin” turmën. Secili bërtiste me sa kishte në kokë aq sa membranat e mikrofonëve nuk i bënin dot ballë zëmërimit të tyre të shenjtë dhe altoparlantët vetëm se nxirnin ca hungërima rezonuese frekuencash shurdhuese.

Policët na shoqëronin nga larg. Police partout, justice null part (policë gjithandej, drejtësi asgjëkundi), nisi të bërtasë turma. Për një çast mendova se do të kërkohej ndryshimi i ndonjë neni të Kushtetutës.

Dikur kolona devijoi dhe u drejtua nga një ndërtese e lartë me xhame të zinj, porta e madhe e së cilës mbrohej nga një kordon policësh. Sipas urdhrit që erdhi, të gjithë ndaluam dhe nën shembullin e kryetarëve nisëm të ulërinim një “Uuuuuu…” të gjatë pa fund, si të yshtnim një djall të fshehur pas xhameve të ndërtesës. Pas një sharti të tillë nuk qeshë vetëm unë që pyeta se cila ishte simbolika e asaj që bëmë. Mirë që e bëmë, po pse e bëmë? Përgjigjen na e dha Sharliza, e cila ishte në qiellin e shtatë. Është selia e Partisë Socialiste, na tha. Na kanë tradhtuar, janë rreshtuar në anën e patronëve.

Kjo duket kishte qenë surpriza për të cilën na kishte paralajmëruar më parë.

Nuk e di nëse u ka bërë vaki edhe të tjerëve, por dikur mua më ndodhte shpesh të shihja fytyra, të cilat më dukej se i kisha njohur fort mirë në Shqipëri. Në raste “rimishërimesh” të tilla më rivinte në mendje po e njëjta ndjesi, opinion a paragjykim që kisha patur dikur për të. Kam ndeshur “gardistë të kuq”, nga ata që na nxirrnin në aksione apo na bënin gjimnastikën e mëngjesit, kam parë Rifatin, një komshi, ish kapter në pension, që dilte te porta çdo mengjes dhe më pyeste nëse ishte e imja ajo antena e tv që ngrihej mbi pallat (e dinte mirë se nuk ishte e imja) etj. Por sa e madhe ishte përmasa e habisë kur ndodhesha para tyre aq ishte edhe ajo e zhgënjimit apo paragjykimit tim. Sharlisa ishte Serja (Qefserja e Bashkimeve profesionale), por dua të them që në fillim se tani e di mirë se raporti i afërt i tipareve të fytyrës, nuk jep asnjë të dhënë të sigurt mbi natyrën e personalitetin e individit.

Andej nga fundi i marshimit, duke na premtuar se do të gjenim rast të flisnim më gjatë, Sharliza, megjithatë nuk mungoi të na “ngrohë zemrat” duke në thënë se paraprakisht gjithçka tregonte se greva kishte qenë një sukses i vërtetë. Mua m’u duk se kishte qenë edhe një triumf i vëretetë piroteknik, se veshët na gjëmonin ende.

Në përfundim e kisha ndarë mendjen të mos bëja më pyetje, por ishte dikush tjetër që i tha: Vërtet, Sharlizë, mirë që u bë, por pse u bë kjo grevë? Shpjegimi erdhi nga një koleg që tha se kishte dëgjuar se arsyeja ishte një projekt që parashikonte shkrirjen midis institutit që përgatit edukatorë të specializuar socialë dhe atij që përgatit asistentë socialë. Ka arsye më madhore, tha Sharliza, e cila nuk u duk fort e kënaqur nga ai shpjegim, por nuk shtoi gjë. Shpresoj, i thashë, se ç’kuptim do të kishte prania jonë këtu kur vetë studentët e socialit as që i pamë gjëkundi. Mbase i përfaqësonin ata të mjekësisë, hodhi dyshimin një tjetër. Kjo dukej disi e pabesueshme. Kishte fjalë se edhe vetë studentët e mjekësisë kishin shpallur grevë sepse donin të shtynin për më vonë një provim të vështirë që kishin atë ditë. Megjithatë kjo mbetej në nivel thashethemesh.

Ishte Maksi që propozoi të shkonim te ndonjë restorant për të diskutuar më qetësisht për grevën dhe me atë rast të ngrinim ndonjë gotë për suksesin e saj aq të dukshëm.

Pasi u kthyen gotat e para të birrës (bënte mjaft vapë), ishte radha e hapjes së shisheve të verës, që secili mund t’i zgjidhte te një kanistër e madhe xunkthi që ishte në anë të banakut. Qe një mënyrë për të lehtësuar sadopak punën e kamerierëve, se i shihnim disi si proletarë të shfrytëzuar… Kur pas rreth një ore e gjysmë erdhën pjatat e para me kuskus, kisha përshtypjen se ajo grevë as që kishte ndodhur kurrë, isha unë që do të kisha parë ëndërr, në një farë mënyre. Aty nga fundi i drekës, nëse ndokush do t’i përsëriste Sharlizës pyetjen për motivet e saj, me siguri kjo do të merrej si fyerje për të gjithë. Edhe për mua vetë.

Duke u kthyer në shtëpi, me gjithë turbullirën e rastit, m’u kujtua një debat i vjetër sindikalist gjermano-frëng. Në opinionin e gjermanëve banorët e kësaj ane të Rihnit ishin njerëz që më parë hidheshin në grevë dhe vetëm pastaj kërkonin të uleshin në tryezë me përfaqësuesit e patronatit, për të parashtruar kërkesat e tyre.

Por duket se gjërat ndërkohë do të kishin evoluar mjaft. Për të shmangur ndonjë seancë heshtjeje të rëndë të të dy delegacioneve, të nesërmen e asaj dite as që ishte parashikuar ndonjë tryezë bisedimesh për parashtrim kërkesash.

Ndryshe Sharliza do të na e kishte thënë!

 

 

Nuk ka komente

  1. Lyss më kujtove një shprehje të një profesorit tim; francez edhe ky. Njëherë po binte shumë shi dhe në amphi kishin ardhur shumë pak stuedentë. Para se të fillonte të shpjegonte mësimin na tha: “francezi kur bie shi fillon grevën me parullën, “përse qeveria nuk na ka dhënë çadra””.

  2. Më kujtove një film që kam parë para disa kohësh, që do ta rekomandoja me shumë dëshirë. Titullohet: “La classe operaia va in Paradiso”. Një ide për filmin mund të krijohet këtu:

    ose këtu:

    http://www.cinematografo.it/cinedatabase/film/la-classe-operaia-va-in-paradiso/23850/

    Filmi është një kritikë esëll e “luftës së klasave” dhe veçanërisht e asaj pjese të saj, e cila telekomandohet nga elita politike e majtë.

    1. Eshte film i jashtëzakonshëm, mbaj mend ta kem pare dhe ruaj ne kujtese ironinë monumentale te Elio Petrit dhe interpretimin e G.M. Volonte ( kur isha ftuar dikur ne nje feste te PC ne Bolonje, me ndërhyrjen e redaksisë se Il Manifesto, ku shkruaja ndonjëherë, siç e donte zakoni ne fund te festes te gjitha delegacionet do t’i paraqiteshin Achile Occhetto-s dhe rolin e shambellanit e kishte Fassino, i cili per mua i tha “kemi dhe kete shokun nga Libia’ dhe m’i nguli syte gati duke u lutur qe ta shqiptoja vete emrin, se as qe i kujtohej fare. Dhe ne ate tende te madhe te vendosur ne nje stadium, pak me tutje Ochettto-s ishte … G. M. Volonté, te cilin e adhuroja qa nga filmi Plumbi i arte, bëra nje hap me tutje dhe i dhashë doren. Ai qeshi, se ne fakt edhe ai po priste te takonte Occetto-, por jo ne rresht si ne…)
      Ne çastin e fundit, nga reportazhi hoqa nje paragraf, se dilte gjate, ku flisja pak per te kaluarën e asaj shoqes sonë te sindikates, qe bashke me militante te tjerë te ekstremit te majte, u shpërndanë neper sindikata qe ne fillim te viteve ’90, kur ne France nuk i votonte me njeri. Aty vazhdojne avazin e tyre te vjetër. Nuk mund te thuash se nuk kane fare te drejte, por përdorin te njëjtat terma te dala boje, qe nuk ka qejf t’i dëgjoje njeri.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin