PRAPË FITORJE

Enver Hoxha kishte një ves kurioz shqiptimi: fjalën fitore e shqiptonte fitorje. Në vitet 1980, kur donim ta qesëndisnim mes nesh, mjaftonte ta shqiptonim atë fjalë siç e shqiptonte ai dhe e arrinim efektin, pa rrezikuar shumë.

Këto ditë, kur gjithkush nga koalicioni i majtë flet për fitore – sipas rastit, të madhe, historike, të shkëlqyer, të merituar, të paprecedent, më ka shkuar në mend se kjo fjalë, në ligjëratën politike dhe jashtë kontekstit kur flitet për beteja ose luftra të mirëfillta, i bashkëlidhet më shumë totalitarizmit se demokracisë.

Në italishte, vittoria të kujton Mussolini-n; në gjermanishte Sieg të kujton Hitlerin; në rusishte победа të kujton Stalinin. Liderët totalitarë janë zakonisht të marrosur pas këtyre “fitoreve” që ua njoftojnë të tjerëve nga lart poshtë, meqë vetëm ashtu mund ta përligjin dhe ta ngushëllojnë thundrën e hekurt që ua mbajnë nënshtetasve të ngulur në zverk.

Çfarë ndodhi tani, në zgjedhjet lokale në Shqipëri, nuk krahasohet dot me epikën dhe komedinë e pushtetit totalitar dje; pa çka se, po të vazhdohet me këtë breshëri fitoresh në diskursin publik, ndokujt mund t’i lindin dyshime.

Broner_knock_downNë fakt, koalicioni i majtë e përdor këtë term, fitore, në kuptimin kryesisht sportiv: u ndesh me kundërshtarin dhe e vuri poshtë, si në boks a në mundje. Dhe në zgjedhje “të lira dhe demokratike” fitorja vjen me pikë, ose konsiston në një diferencë numerike, aritmetike.

Meqë jemi në politikë, gjithnjë ka vend që fitoreve në zgjedhje t’u kundërvëmë arritjet: sepse pala që merr votëbesimin e shumicës ka një detyrim ndaj saj, në mos ndaj krejt trupit votues dhe qytetarëve – të përpiqet t’i mbajë premtimet që ka dhënë.

Përndryshe, do të duket sikur pala fituese thjesht u ka premtuar zgjedhësve që do të fitojë; dhe tani po feston, ngaqë e mbajti premtimin. Si bastexhiu që fiton një bast që i doli për së mbari. Rreziku i metaforave është pikërisht ky: që mund të fillosh t’i marrësh për të mirëqena.

Mirëpo ka një dallim të madh mes fitores dhe arritjeve: e para vjen në luftë me kundërshtarin; ndërsa arritjet në konflikt me inercinë, korrupsionin, grykësinë, kriminalitetin dhe prapambetjen, që janë edhe më të përbindshëm si kundërshtarë, sidomos kur të vijnë nga brenda.

Pa çka se unë – dhe shumë të tjerë me mua – do të parapëlqenim ata politikanë që festojnë arritjet, jo fitoret.

Në gojën e Enver Hoxhës, fjala fitore, tashmë e reformuar si fitorje, erdhi duke shënjuar diçka abstrakte dhe kërcënuese, që me siguri i shërbente totalitarizmit në Shqipëri dhe pushtetit të tij personal për t’u mbajtur në këmbë, por që vështirë se kish ndonjë kuptim për qytetarin.

Kjo metaforë klishé, me prejardhje nga zhargoni ushtarak i ruajti referimet implicite ndaj Luftës II Botërore si burim i legjitimitetit të pushtetit të Hoxhës dhe nuk i humbi asnjëherë lidhjet me mendësinë e fushëbetejës, armikut të cilit i duhej shtypur koka dhe krekosjes në tribuna dhe parada, me gjoksin të rënduar nga dekoratat.

Është metafora e të gjithë atyre që duan të kapitalizojnë suksesin dhe reputacionin e djeshëm, për të përligjur kacavarrjen me çdo kusht pas pushtetit sot. Ne jemi ata që fituam.

Pa çka se rezultatet e zgjedhjeve sot në Shqipëri, pavarësisht se kujt i shkon vota e qytetarit, janë relativisht të parëndësishme, në raport me sfidat e mëdha që i dalin përpara klasës politike në pushtetin qendror dhe lokal, së bashku me opozitën: neutralizimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, dekriminalizimin e strukturave të shtetit, modernizimin e gjyqësorit, tërheqjen e investimeve të huaja, mbrojtjen e mjedisit, kufizimin e papunësisë, modernizimin e shërbimeve përfshi sigurimet shoqërore dhe shëndetësinë, modernizimin e infrastrukturës… pa përmendur objektivat strategjikë të politikës së jashtme.

Qytetarët presin “fitore” pikërisht në këto fusha; me bindjen se pas një jave të gjithë flamujt, posterët, banderolat dhe pllakatet elektorale do të përfundojnë në landfill-et anembanë Shqipërisë, së bashku me brohorimat triumfale që do t’i ketë marrë era.

Kjo edhe me shpresë që fitoret e tanishme të mos katandisen në fitorje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin