NGA DASHURIA PËR ARTIN

Lexoj se një grup pikturash, akuarelesh dhe vizatimesh të Adolf Hitler-it qenkan shitur në ankand, në Nuremberg, për 450 000 USD.

Vështirë të thuash se ky vlerësim i bëhet artit të këtyre veprave, apo kujtimit të autorit të tyre.

Në fakt, sa herë që bie fjala për krijimet e Hitler-it piktor, gjithkush ngutet të thotë se ai ishte piktor i keq.

Veprat e tij i kanë quajtur, sipas rastit, mediokre, të tmerrshme, banale, monumente të shijes së keqe ose të kitsch-it.

Megjithatë, kam frikë se edhe këto vlerësime negative, njëlloj si çmimet aq të larta në ankandet e herëpashershme, kushtëzohen nga reputacioni politik i liderit nazist.

Është shumë lehtë ta quash “të keqe” një vepër arti, sidomos kur ndihesh njëfarësoj i autorizuar nga rrethanat. Një snob do të shprehet kështu për pikturat që sheh në restorant ose në një dhomë hoteli; ose për skulpturat gjeometrike të së ashtuquajturit corporate art.

Snob-i e bën këtë sepse (1) e di që gjasat janë të larta, për një vepër arti të ekspozuar në një hotel ose restorant, që të jetë “e keqe”; sikurse e di edhe që (2) të shprehesh kështu për një vepër arti është cool.

Autorësia e Hitler-it vepron, në këtë rast, njëlloj si konteksti i restorantit. Lideri nazist frymëzues i një ideologjie që e çoi botën në kasaphanë dhe miliona hebrenj në kampet e shfarosjes, nuk mund të ketë qenë piktor i mirë, as të ketë nxjerrë nga dora vepra sublime.

Mundohem të përfytyroj çfarë do të thoja sikur të më zinin sytë një pikturë të Hitler-it në një restorant: me siguri as që do ta vija re, meqë pikturat në këto kontekste thjesht zënë vende bosh në muret.

Adolf Hitler: Katedralja në Vjenë.

Adolf Hitler: Katedralja në Vjenë.

Edhe po ta kisha parë, ta zëmë, në Metropolitan Museum, do të kisha ecur më tutje, pa i kushtuar vëmendje; meqë kur shkoj në një muzeum arti pres që veprat e atjeshme të jenë përzgjedhur për nga cilësia artistike; dhe ngaqë, kur shkoj në një muzeum arti, nuk jam i interesuar që të përçmoj veprat e ekspozuara.

Njëlloj nuk do të çuditesha edhe sikur një nga këto krijime të Hitler-it piktor ta gjeja në muret e katit përdhes të pallatit ku banoj; kush jeton në NYC, e di që qiraxhinjtë shpesh lënë pas, në apartamente, vepra arti që nuk u duhen më; dhe që pastaj super-intendenti i përdor për të hijeshuar mjediset “publike” në ndërtesë.

Përndryshe, kritikët e artit nuk tregohen kaq të prerë në refuzimin e tyre, kur u tregohen vepra të liderit nazist, por pa ua thënë autorin; çka do të thotë se Hitler-i piktor do të ketë qenë, së paku, kompetent.

Ironikisht, talentin e këtij piktori të ri e zbuloi pronari i një galerie në Vjenë, hebreu Samuel Morgenstein, që në 1911; i cili më pas do të internohej në geton e Lodz-it dhe atje edhe do të vdiste, në 1943.

Vetë Hitler-i kish konsideratë të madhe për talentin e tij në fushën e artit vizual. Sipas një artikulli të botuar në revistën Life, 30 tetor 1939, lideri nazist i pat thënë ambasadorit britanik në Gjermani, Neville Henderson, se

“Unë jam artist, jo politikan. Pasi të gjejë zgjidhje çështja polake, unë dua ta mbyll jetën si artist.”

Këtu virtuozët e klisheve do të thonë se, sikur bota t’i kish treguar më shumë vëmendje Hitler-it piktor, kushedi Lufta II Botërore do të ishte mënjanuar me koston minimale të një salle të shtuar në një cep të Louvre-it.

Dhe që këtej vjen edhe pyetja tjetër, pashmangshëm: ç’lidhje ka midis Hitler-it piktor të dështuar dhe monstruozitetit të tij politik?

Pyetje të tilla e sjellin rrejshmërinë me vete; sepse nënkuptojnë që një artist i mirë do të jetë edhe njeri i virtytshëm, përkatësisht politikan i virtytshëm; ose edhe të kundërtën – që një artist i madh nuk mund të jetë njeri i keq, batakçi, palaço, lëtyrë.

Sikurse i bëjnë jehonë edhe rrejshmërisë tjetër, se një artisti të madh i falen shumë gjëra që atyre të tjerëve, të patalentuarve, nuk do t’u ishin falur.

Natyrisht, bota është plot me artistë të dështuar; sikurse është plot me artistë që nuk kanë talent, e që megjithatë këmbëngulin dhe ndonjëherë edhe shkëlqejnë.

Për këtë, sidomos sot, mjafton simpatia e dy-tre kritikëve dhe kuratorëve dhe tekat e dy-tre japonezëve ose brazilianëve që nuk dinë ç’t’i bëjnë paratë.

Nga ky këndvështrim, interesi i koleksionistëve për pikturat e liderit nazist nuk është fare pa lidhje me refuzimin që ia bën arti bashkëkohor koleksionimit si të tillë, dhe veçanërisht atij privat.

Nuk ka komente

  1. “Dhe që këtej vjen edhe pyetja tjetër, pashmangshëm: ç’lidhje ka midis Hitler-it piktor të dështuar dhe monstruozitetit të tij politik?
    Pyetje të tilla e sjellin rrejshmërinë me vete; sepse nënkuptojnë që një artist i mirë do të jetë edhe njeri i virtytshëm, përkatësisht politikan i virtytshëm; ose edhe të kundërtën – që një artist i madh nuk mund të jetë njeri i keq, batakçi, palaço, lëtyrë.”

    Te huajt rregullisht permendin faktin se Edi Rama ka qene (eshte) artist, duke sinjalizuar keshtu nje fare mirekuptimi se te qenurit artist automatikisht e ben ate nje politikan te mire e me vizion. Rama mund te jete politikan i after e me vizion por nuk e kuptoj perse i jepet kaq bujarisht ky vleresim vetem duke patur parasysh statusin e tij si artist.

    1. A s’e ka kapur saktë Kundera rrejshmërinë estetike (atë artistiken dhe të artistëve) me personazhin e Terezës, e cila lidh jetën me mashkullin që kishte një libër me vete, sepse Tereza beson në vëllazërinë e librave aq sa interesi për libra është kriteri vendimtar? Mashkulli pas librave është dytësor. Rrejshmëria bën “mu” në apartamentin me qira, ku lidhja mes librave dhe mashkullit është fiksion. Këtu automatizmi i ndjeshmërisë artistike dhe karakterit të moralshëm këputet krejt. E vetmja mbrojtje që më frymëzon Kundera në emër të artistëve është se “it takes an (con) artist to catch an (con) artist.”

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin