THANË PËR LOPËN

“Po ecja në një rrugë me eukalipte në të dy anët, kur m’u shfaq befas një lopë, që nga pas një peme.

Ndalova dhe e pamë njëri-tjetrin në sy.

Aq thellë e tronditi lopësia e saj njerëzinë time – momenti kur vështrimet tona u ndeshën ishte kaq i nderë – sa unë e ndala menjëherë hapin dhe e humba kontrollin ndaj vetes si njeri, ose si pjesëtar i species njerëzore. Ndjenja e çuditshme, që me gjasë po e provoja për herë të parë, kish të bënte me turpin që përjeton njeriu, kur gjendet ballë për ballë me një kafshë. E lashë të më vështronte mirë e mirë – kjo na bëri të barabartë dhe më shndërroi edhe mua në kafshë, edhe pse në një kafshë të çuditshme, madje të ndaluar, do të thoja. E vazhdova ecjen, por nuk isha rehat me veten… në natyrë, që më rrethonte nga të gjitha anët, a thua se… po më ndiqte me sy.”

[Wytold Gombrowitz, Diary; përkthimi im nga anglishtja]

 

[…]

Në gjuhën angleze fjala Cow (Lopë) është e lidhur me paburrërinë, me frikën, me pabesinë, me squlljen e karakterit, me langarosjen. Edhe një nxënës i fillores e di se frikacakut në anglisht i thuhet –Coward (me rrënjën e fjalës-Cow)* dhe paburrëria dhe mungesa e shtyllës kurrizore thërritet Cowardice. Cowardly është gjendja kur njeriu vepron në atë mënyrë kur të lënë gjunjët a kur zemra e njeriut zëvendësohet me një zemër lepuri. Këtë ka patur parasysh Fan Noli ynë kur andej nga viti 1926 i shkruan një miku të vet se në Shqipëri karakteret lopësohen– me pak fjalë, na sqaron Noli, atë që dje e ke parë si trim të çartun, veç një ditë më vonë mund ta shohësh duke ia lëpirë duart armikut të vet, ndërsa atij që i çirrej zëri duke sharë dhe kërcënuar, sot ia sheh kallot në duar nga duartrokitjet për armikun që dje betohej se do ta vriste…

Në të kundërt me përfytyrimin Perëndimor të Lopës për të cilën folëm deri më tani, politikanët tanë kanë një përfytyrim tepër favorizues, Lindor, simpatizues, adhurues, për Lopën. E shohin me adhurim, me simpati, me shenjtërim: Lopa që vilet, që jep qumësht, që mbahet për mish dhe mishi pastaj që shtrohet në bankete dhe drekëra dhe darka! Për politikanët, Lopa është Populli, janë votuesit, është turma pa tru (përsëri Noli) – ah, qumështi i votave, i parave nën dorë, i ryshfeteve, i duartrokitjeve, i artikujve lavdërues, i udhëtimeve nëpër botë, i vilave dhe shtëpive luksoze, i milionave në llogari bankare, qumështi i shpërblimit të kokëtrashësisë dhe injorancës.

 [Rudolf Marku, Një lopë në ballkon, MAPO] […]

LOPA

Lopa përtypet në grazhdin e mbushur me bar

Unë mbështes faqen në shpatullën e saj të madhe

Dhe ndjej nga thellësi e qenies së saj një zjarr:

Ky zjarr erdhi me barin që u mblodh në livadhe.

Mbi brirët e murrmë ndrit llamba elektrike

E drita bie në kusinë me qumësht.

Mua nga lopa s’më iket

Me faqe në shpatull ndiej qumështin me shkumë.

Mjelësja kusinë ngadalë merr.

Dhe me duar me qumësht pret.

Më thotë: Ju jini veteriner!

Unë faqen nga lopa e heq: Jo poet!

Ajo buzëqesh dhe më vështron me sytë e saj të kaltër

të bukur e të urtë si paqe

diçka mendon diçka sjell në hatër

Dhe e kupton se unë pa lopë nuk shkruaj dot vargje…

[vjershë nga Dritero Agolli] […]

* Hipotezë origjinale e autorit, që sjell kontribut të mirëfilltë në lëmin e etimologjisë bashkëkohore dhe më tej. Deri më sot, anglishten coward e kanë nxjerrë nga frëngjishtja e vjetër couard, e cila bazohet në latinishten cauda, “bisht”, në kuptimin e një kafshe me bishtin në shalë. Të krahasohet kjo edhe me italishten codardo dhe spanjishten cobarde.

Nuk ka komente

  1. Thane gjermanofolesit: “Mund te te dhuroj njehere te vetme nje lope, por jo çdo dite nje viç”.
    Mund t’ia kene thene edhe te huajt ndonje OJQ-te je shqiptare…

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin