KAFE TË PËRZEMËRTA

Shkencëtarët indonezianë kanë arritur në përfundimin se kafeja i bën veç mirë zemrës.

Shkencëtarët austriakë kanë arritur në përfundimin se kafeja i bën veç mirë zemrës, por dëmton koronaret ose e kundërta.

Shkencëtarët qipriotë kanë arritur në përfundimin se kafeja mund t’i bëjë mirë, por mund edhe ta dëmtojë zemrën.

Shkencëtarët ekuadorianë kanë arritur në përfundimin se të pirët e kafesë, jo kafeja vetë, i bën mirë zemrës.

Shkencëtarët britanikë kanë arritur në përfundimin se ngjyra kafe i bën mirë zemrës.

Shkencëtarët marokenë kanë arritur në përfundimin se kafeja e ftohtë i bën keq zemrës.

Espresso_PerlaneraShkencëtarët hungarezë kanë arritur në përfundimin se jo kafeja e ftohtë, por kafeja e ftohur i bën keq zemrës.

Shkencëtarët turq kanë arritur në përfundimin se kafeja turke i bën mirë zemrës.

Shkencëtarët turkmenë kanë arritur në përfundimin se kafeja turke e pirë pas orës 11 paradite i bën mirë zemrës.

Shkencëtarët napolitanë kanë arritur në përfundimin se kafeja espresso i bën mirë zemrës, me kusht që të pihet e nxehtë.

Shkencëtarët sicilianë kanë arritur në përfundimin se kafeja e hidhur e hidhëron zemrën.

Shkencëtarët jug-afrikanë kanë arritur në përfundimin se kafeja e mbron zemrën nga efektet e padëshiruara të kafeinës.

Shkencëtarët brazilianë kanë arritur në përfundimin se ëmbëlsuesit artificialë neutralizojnë efektet mirëbërëse të kafesë ndaj zemrës.

Shkencëtarët izraelitë kanë arritur në përfundimin se ajka e kafesë espresso përmban 12 653 substanca toksike për zemrën.

Shkencëtarët sauditë kanë arritur në përfundimin se kafeja e pirë pas mesit të natës ndihmon për t’u zgjuar i freskët.

Shkencëtarët kinezë kanë arritur në përfundimin se kafeja e dekafeinuar dhe pastaj e ri-kafeinuar e dëmton zemrën më pak se kafeja e padekafeinuar, por më shumë se kafeja e pakafeinuar.

Shkencëtarët bullgarë kanë arritur në përfundimin se kafeja shkakton ereksion të zemrës.

Shkencëtarët zviceranë kanë arritur në përfundimin se kafeja macchiato mund të ndihmojë në rast infarkti akut të miokardit, sidomos kur konsumohet nga personeli i ambulancës.

Kafeja, kafeina dhe pijet e kafeinuara: vështrim sinoptik (Farrar & Weinstein, 2015)

Shkencëtarët argjentinas kanë arritur në përfundimin se kafeja espresso e ftohtë rrit rrezikun e palpitacioneve gjatë urinimit te meshkujt që urinojnë në këmbë.

Shkencëtarët maltezë kanë arritur në përfundimin se gjashtë kafe në ditë kanë më pak efekt në zemër se shtatë kafe në ditë.

Shkencëtarët uruguajanë kanë arritur në përfundimin se cigarja para kafesë është më e dëmshme për zemrën se kafeja para cigares.

Shkencëtarët kenianë kanë arritur në përfundimin se kafeja surrogato mund të shkaktojë atak të zemrës me origjinë histerike.

Shkencëtarët irakenë kanë arritur në përfundimin se në pacientët e mbidozuar me kafe, kafeinë ose pije të kafeinuara zemra mund të vazhdojë të rrahë edhe shumë kohë pas vdekjes.

Shkencëtarët gjermanë kanë arritur në përfundimin se vetëvrasja me kafe zë vendin e 2642-të në listën e tipologjive të vetëvrasjes në vendet e qytetëruara. Për krahasim, vetëvrasja kafe zë vendin e 204-t në këtë listë.

Shkencëtarët shqiptaro-amerikanë kanë arritur në përfundimin se kafeja është super-intendenti i zemrës.

Shkencëtarët armenë kanë arritur në përfundimin se kafeja e nxehtë, e derdhur mbi krahëror, mund të shkaktojë djegie të mesme deri të rënda, në zonën që i korrespondon zemrës.

Shkencëtarët filipinas kanë arritur në përfundimin se kafeja e pirë aksidentalisht është shkak parësor i aksidenteve koronare ndër qentë.

Shkencëtarët kosovarë kanë arritur në përfundimin se kafeja që të kënaq zemrën pihet në kafe.

Nuk ka komente

  1. Shume interesante ideja e dobishmerise dhe padobishmerise se kafes :). Shkencetaret franceze kane arritur ne perfundimin se kafja duhet filtruar nga mikroorganizmat qe gjallojne ne te, pasi perben rrezik mos hedhi rrenje ndonje kokerr kafeje ne organizmin e njeriut. Ndaj dhe ne bote kafja franceze quhet ndryshe kafe filtri dhe francezet fituan patenten e titullit te kafes se filtruar me vendim te Gjykates se Bashkimit Evropian 🙂

  2. Shkencëtarët shqiptarë kanë arritur në përfundimin se politikat e bëra kafeneve duke pirë kafe u bëjnë mirë këmbëve por keq kokës, ndërkohë që po rreken të spjegojnë korrelacionin statistikor që sugjeron se kafetë e pira me politikanë i bëjnë mirë kuletës por keq zemrës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin