SHPRESA E TRISHTUAR PËR ANTIDOT

Mashtrimi me qëllim përfitimi i kushton shtrenjtë shoqërisë, në afat të shkurtër, të mesëm dhe të gjatë – që nga kopjimi në provime te plagjiatura dhe më tej, falsifikimi i kredencialeve për procedura përzgjedhëse.

Shahu dhe sporti në përgjithësi veç ofrojnë metafora dhe modele të kthjellëta për ta kuptuar dukurinë.

Deri andej nga fillimi i viteve 1990 – në mos gabohem – ndeshjet e shahut në turnetë zyrtarë, përfshi edhe kampionatet kombëtare, shtyheshin ose “azhurnoheshin”, pasi përfundonin 40 lëvizjet e para. Kjo ndodhte deri në nivelet më të larta, përfshi këtu edhe match-et për titullin botëror.

Pasi shtyhej ndeshja, lojtarët zakonisht e gdhinin gjithë natën, me ndihmësit e tyre, duke kërkuar lëvizjet më të mira në tabelë.

Mirëpo kur dolën në skenë programe kompjuterike të afta për të luajtur shah në nivel mjeshtri të madh, atëherë praktika e shtyrjes u vu në pikëpyetje; pasi çdo lojtari do t’i mjaftonte të kërkonte, në kompjuter, lëvizjet më të mira në pozicionin ku ishte “ngrirë” loja.

Prandaj edhe ndeshjet nuk u azhurnuan më; dhe rregullorja e FIDE-s u desh të ndryshohej, në mënyrë që çdo lojë shahu zyrtare të niste dhe të përfundonte pa ndërprerje.

Kam një kujtim nga përvoja ime – e shkurtër – si lojtar shahu me ekipin e Studentit, në një kampionat kombëtar me ekipe që zhvillohej në Durrës, dikur në vitin 1971 ose 1972. Loja që po luaja me një shahist të 17 nëntorit u shty për të nesërmen; dhe atëherë, së bashku me trajnerin tim, shkuam të takojmë kampionin Fatos Muço, për t’i kërkuar ndonjë mendim për pozicionin.

Për nivelin tim dhe rrethanat e asaj kohe, kjo do të ishte njëlloj sikur të ndiznim kompjuterin sot dhe t’ia kërkonim softuerit lëvizjet optimale.

Dhe këtu luan rol edhe teknologjia – e cila bën të mundur që një kompjuter të luajë si të ishte kampion i botës në shah; ose,–në kontekste të tjera, që një student t’i marrë përgjigjet të gatshme, gjatë një provimi me shkrim, nga miku i vet përjashta, falë komunikimit me telefon celular; ose që një doktorand të kopjojë pjesë të studimit të vet nga një artikull që është botuar në Indi ose në Australi.

Le të përfytyrojmë kështu një sistem me tre komponente: (1) sfida; (2) masat që sigurojnë “fair play” dhe (3) teknologjitë e mashtrimit. Pika e dobët në këtë sistem janë pikërisht masat mbrojtëse ndaj mashtrimeve, të cilat rregullisht mbeten mbrapa. Kështu, në një garë çiklizmi, pjesëmarrësit që duan të mashtrojnë e kanë më të lehtë të marrin doping, sesa t’i vënë një motor të vogël elektrik biçikletës; meqë është më e lehtë – dhe më pak e kushtueshme – të inspektohet një biçikletë, sesa të analizohet gjaku i çdo çiklisti.

Edhe rregulloret luajnë rol, sa kohë që jo gjithnjë përditësohen në kohë. Rregullorja e një turneu shahistik nuk lejon që dikush nga salla t’ia tregojë lëvizjet lojtarit; por ende nuk ka rregulla të përcaktuara mirë si mund të parandalohet mashtrimi i realizuar nëpërmjet komunikimit celular.

Të marrim, bie fjala, plagjiaturën në procesin e kualifikimit shkencor. Ekziston një përshtypje që shumë prej doktoratave që mbrohen në Shqipëri ose janë krejt pa vlerë, ose janë të kopjuara (ose edhe kështu edhe ashtu). Teknologjia u vë në dispozicion doktorandëve një numër të pafund tekstesh, të cilat mund të përshtaten për nevojat individuale – dhe kjo është veçanërisht e lehtë për t’u realizuar në shkencat ekzakte dhe të aplikuara.

Për gjuhë të rëndësishme, si anglishtja, ekziston edhe antidoti: teknologji që ndihmojnë për të “nuhatur” plagjiaturën duke krahasuar tekstet; por plagjiaturat tona përfshijnë edhe një hallkë përkthimi, çka e zhvlerëson antidotin.

Si mund të mbrohet sistemi i kualifikimit në raste të tilla? Një mënyrë do të ishte që të ndryshohej kriteri kryesor, ose kërkesa për të paraqitur punime me shkrim. Një mënyrë tjetër, jo dhe aq ironike sa ç’mund të duket, do të ishte që plagjiatura të tolerohej, sa kohë që prej shumë doktorandëve nuk do të kërkohet kurrë të jenë krijues në fushat përkatëse; por vetëm të përsëritin besnikërisht dhe pa vënë asgjë në dyshim, arritjet e së tjerëve.

Mund të duket paradoksale, por rruga më e sigurt për të parandaluar mashtrimin nëpërmjet sofistikimit teknologjik është kthimi te subjektiviteti, ose te gjykimi individual. Këtu më vjen në mend fakti që disa nga dijetarët më të shquar që ka nxjerrë ndonjëherë Shqipëria – pavarësisht nga orientimi i tyre ideologjik – i patën marrë titujt e “profesorit” pa kaluar në proces të rregullt kualifikimi (Aleks Buda, Eqrem Çabej, Androkli Kostallari, Dhimitër S. Shuteriqi, Alfred Uçi, Shaban Demiraj, Hamit Beqja, Kolë Paparisto e così via).

Mirëpo subjektiviteti, në sisteme kualifikimi, kërkon autoritet të padiskutueshëm dhe, sidomos, pakorruptueshmërinë e subjektit gjykues; ose pikërisht ato dy kritere që nuk mund të shpresojmë t’i përmbushim ndonjëherë, së paku në rrethanat e sotme.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin