MIRAZHET CIKLIKE NË “BOLERO”

Ndonjëherë të bien libra në dorë që s’duan në mënyrë absolute t’i nënshtrohen përmbledhjes. Jo vetëm përmbledhjes që ti si lexues je gati të kompresosh për një lexues të virgjër, por edhe shijes që kthen e rrotullon me vete pasi librin e ke mbaruar.

Të tillë qëndresë bën Bolero. Të duash ta përmbledhësh në kuptimin e ngjarjes është njësoj sikur një karuzeli kaleidoskopik – me figura të lëvizshme në tre dimensione, të ormisur me pasqyra shumëfishuese, reflekse, hije, muzikë – t’ia zhveshësh të gjitha këto e t’i lësh veç boshtin e shkretë si emërues përmbledhës.

Në kuptimin e zakontë të ngjarjes që nënkupton një sekuencë A e cila shkreh një tjetër B që përfundon një të tretë C, Bolero nuk ofron ngjarje. Mirëpo të thuash se në të nuk ndodh asgjë është të matarohesh me një tjerë lloj emëruesi përmbledhës. Në fakt në Bolero ndodh shumë dhe vështirësia, në mos mëkati, qëndron tek reduktimi. Imagjinoni sikur të zgjoheni një ditë të bukur e të mund të vini veshin mbi dyer e mendje që, për fatin tuaj të mirë, ju lejojnë një komunikim me valvul: domethënë ju keni mundësinë të dëgjoni biseda e mendime, pa qenë të detyruar të ofroni asgjë nga vetja juaj veç veshit a syrit. Kjo do të ishte dita e Boleros, ku do të kishit mundësi të përjetonit turpin brejtës të një provinciali që kapet gafil me një gazetë porno, të blerë në stacionin e metrosë; përhumbjen e një mashkulli që çdo mëngjes mendon se ka gjetur femrën e kërkuar Margarita, pa çka se kjo mëngjes për mëngjes i thotë që nuk mban këtë emër; tmerrin e avashtë e klimaktik të një tipi që përballon ndonjë udhëtim të rrallë në metro me dy grushta ilaçesh me vete, melheme për jo më pak se pesë fobira; andrallat e një magjistari softueresh që ve në provë vullnetin e lirë të COSIMËS, krijesë me intelligjencë artificiale; korrespondencën rrëqethëse, prej dy anëve të kundërta të globit, mes dy anonimësh që sillen sikur të ishin të fundit e vdekëtarëve; një çift që rreket të kuptojë, se si ka mundësi që njerëz krejtësisht të ndarë e pa kurrfarë kontakti të kenë kompozuar të njëjtën këngë origjinale; një grup meshkujsh, të ngujuar, në zgrip të dëshpërimit, në stacionin e metrosë; po në stacionin e metros, afresket e vandalizuara të një artisteje me emër, sepse këto paskan ndikim irritues për ata që s’ua kuptojnë teknikën; një shkrimtar që ndërton librin e karrierës së tij si një mori historirash të sendërgjuara mbi një event të vetëm – një aksident në Brooklyn; një tjetër çift në kërkim të një pikture të Magritte-it që vetëm një palë sy e kanë parë në muzeum. Ose duket se e kanë parë. Arena e përbashkët ku mbivendosen të gjithë këto tipa, kërkime, fobira, mendime, vullnete, pikëpyetje është platforma e një linje metroje ku trenat përkohësisht nuk qarkullojnë. Sikur kjo të kishte qenë dita juaj, a do thonit se atë ditë nuk ju kishte ndodhur asgjë? Sidomos kur ky univers ndodhish projektohet nga një tru erudit e lojëcak që pak çka e lë në mëshirën e rastësisë?

Dhe këtu fle bukuria e Boleros: lexuesit i ndodh shumë më shumë se personazheve, sepse tek ky akumulohen një sërë motivesh kyçe, të cilat personazhet i përjetojnë në izolim gati klaustrofobik, ndërsa lexuesi i takon e ritakon nga situata në situatë, të ngjashme por edhe të amplikuara, si një peizazh, i vrojtuar prej një shkalle spirale që ngrihet në lartësi, e shfaq gjithmonë e më qartë trupin e tij. Muzika përdor termin ostinato (i ngulmët, kokëfortë) për përsëritjen ciklike të motivit: Bolero-ja e Ravelit është kompozimi që i jep titullin librit. Ndoshta kur koha kalon dhe shumë detaje të ngjarjeve të përjetuara në roman zbehen, personazheve u humbet traja, emrat u harrohen, fjalët u ngatërrohen, shkurt, kur në kujtesë ngjarjeve iu hynë mola, ka disa motive, ostinati, që lexuesi do t’i kujtoj, madje kushedi edhe si pjesë të përhershme të bagazhit të tij.

Romani shtron para lexuesit një banket intertekstual, semiotikë e stilistik, ndërsa vetë struktura të grish të kërkosh motivet që krijojnë efektin “bolero”. Katër motive, ndër të tjera, ia vlejnë të veçohen: pasqyrat, pritja, identiteti, korrespondencat.

image 1Motivi i pasqyrave përcjell idenë e përsëritjes ku një imazh replikohet herë i njëjtë herë i transformuar por gjithmonë i dallueshëm si replikim. Në Bolero gjallojnë pasqyrat në formën e kamerës që vëzhgon individin dhe ia përcjell të qenit e vet të kornizuar; në mirazhet e kujtesës ose të pandehmës se diçka është parë apo dëgjuar më parë (déjà-vu/déjà entendu, ju përshendet The Matrix); në ëndrrat që rrëshqasin në lëkurën e realitetit dhe realiteti që hedh lëvozhgën poshtë e metamorfozohet në ëndërr; në artistët e magjepsur nga korrespondencat e pafundësisë mes dy pasqyrave që përfaqin njëra-tjetrën; në artin e rrëfimit hipodiegjetik, rrëfimi që përsërit rrëfimin, si shembulli i shkrimtarit që do të përsërisë Queneau-në, jo duke e kopjuar, por duke transformuar lojën e pasqyrave të stilit të francezit në lojën e pasqyrave të motiveve. Në rastin paradigmatik të Bolerosë, përsëritja pjell përsëritje kur, i drithëruar nga parandjenja se “ca lexues të mençur, ca thjesht dinakë” do t’ia kuptojnë vallen e pasqyrave si plagjiaturë të Queneau-s, e mbase të tjerë do të përfshihen në valle, qoftë për ta kthyer librin e tij në një film “remake frënge e një filmi obskur shqiptar 10-minutash, të xhiruar me një kamerë në dorë në metronë e Varshavës”, shkrimtari meqë nuk i shpëton dot “tmerrit të kësaj bote, që na ka kapur të gjithëve në ciklet dhe rimarrjet e saj”, vendos ta zbus atë si një kafshë të egër, duke e rrëfyer (186-7).

E nga cili tmerr mund ta shpëtojë rrëfimi individin e ngërthyer në sahatin e sprovës urbane, në përsëritjen e programuar nga shenjat, shigjetat, dritat, ngjyrat, rrugëkalimet, rrugëndalimet, oraret, lajmërimet që e bëjnë të mundur të vegjetosh njëzetekatërorësh pas njëzetekatërorëshi në lakun e jetës aktive, ngjarjeve të parashikuara, binarëve të njohur të rutinës? Nga tmerri kur diçka mund të ndodhë: një aksident, një dhëmbëz e këputur në ingranazhet e metropolit dhe individi shtang para tmerrit sepse i duhet të presë, e më tmerrshëm akoma, të përballet me veten dhe me (pa)aftësinë e vet për të vendosur se ç’do të bëjë. Rrëfimi ndihmon, sepse ngjarjet e rrëfyera “nuk rrinë të presin, por transformohen edhe ato në kombinime të ndryshme, marramendëse” (186-7). Pritja duket frika më e madhe e Boleros, pritja “arti moral i nënvlerësuar” (141), momenti i së të vërtetës: a ka ekzistencë të vërtetë njeriu që pret? Në fakt çfarë i mbetet njeriut që s’vepron por pret, ose mendon se pret, sepse në fakt edhe mundësinë e pritjes ia jep thjesht gjuha, fjala pres?

Sa identitet ka brenda njeriut që mund të presë vetëm nëse gjuha ia implanton idenë e pritjes? Pritja është çasti i ballafaqimit, çasti Cartesian “a thua ekzistoj?”; “çasti kur mijëra mendje detyrohen të dalin prej mpirjes, transit, hipnozës, valëve beta dhe të vendosin çfarë të bëjnë” (90). Pritja është, për ta dhënë me metaforën e fantashkencës Matrix-ane, dalja nga labirinti i agjentëve Smith, çasti kur individi sheh se Matrica të mban të lidhur me tuba sa vrastarë edhe komodë. Por pas kësaj dalje sa ekzistencë ka?

image 2 djEkzistenca në Bolero është kërkimi për identitet, konceptin më të sulmuar, të fragmentuar, të flirtuar e pa ndërprerje të riformuluar prej shoqërisë moderne perëndimore (ku moderne përfshin të paktën pesë shekujt e fundit të perëndimit transatlantik). Ndaj identiteti nuk merr kurrë formë definitive: ai kërkon pasqyra, reflektime, përsëritje edhe në kuptimin e përpjekjeve të përsëritura për t’u fiksuar e marrë trajtë, e më fort nga të gjitha këto, kërkon ëndrrën, si provë jo të arsyes, por të ekzistencës apo shpresës së një ekzistence njerëzore. Brenda një universi si ky, motivi i ëndrrës intensifikohet nga fundi i romanit, i cili me çdo kapitull që avancon i ngjan një ëndrre në ëndërr. Dhe këtu ndjehet efekti “bolero”, në kreshendon e vegimeve, që lehtësojnë përkohësisht vetminë e individit në kërkim të identitetit, duke lënë pyetjen varur: A quhet identitet identiteti që përftojmë në ëndërr?

Një përgjigje e mundur të kthen tek të rrëfyerit: po, identiteti i ëndërruar quhet i tillë në çastin kur i rrëfehet dikujt dhe ky dikush (në Bolero dikushi që i përçon njeriut që pret vetveten është shpesh një femër, motiv ky kokëfortë edhe tek Baudelaire) konfirmon marrjen e rrëfimit, si një eko që provon prezencën e tjetrit dhe nëpërmjet tij edhe tënden, siç shkruan anonimi që pret në platformën e metrosë së ndërprerë: “shpirti im nisi të marrë trajtë që nga momenti, kur mora mesazhin e parë prej teje” (179) – një lloj ekoje këto fjalë të kërkesës ngulmuese të mbretit Hamlet: “Kujtomë.”

Janë fjalë të përmbajtura në një korrespondencë midis një femre e një mashkulli që nuk njihen, por motivi i korrespondencës, përtej kësaj përqasjeje literale (dy njerëz që shkëmbejnë mendime), ndërthur stilin me filozofinë e romanit. Në nivelin stilistik, Bolero, xhonglon korrespondenca që dëshmojnë forcën metaforizuese të imagjinatës: gjoksi i një femre që fle “ulet e ngrihet lehtë si ujët e lumit të kapur në bërryl”, blerësi që “pikon monedhat” në dorën e shitësit, dikush që fut dorën në koshin e gazetave të lagështa si “veterineri brenda lopës”, vetëdija e shumëzuar si “një tufë patash të palodhura që flatrojnë lart”, një femër “e shndritshme si sy”, frymëmarrja e burrit si ajo e “miut të paralizuar” (për një roman me temë urbane, në Bolero lëvrijnë shumë kafshë). Kjo forcë metaforizuese imaginative e kapërcen funksionin stilistik dhe kthehet në mantra filozofike të një botëkuptimi që sheh korrespondenca mes formave më të ndryshme të të ekzistuarit, edhe aty ku duket se ka shkëputje, si vetë kapitujt e Boleros. Jo rastësisht, epilogu i romanit mbyllet me idenë e metaforizimit, sëmundjes që ia mohon origjinalitetin, esencën gjithçkaje – përfshi edhe rrëfimit vetë.

Bolero e përqas rrëfimin si arkitip të artit dhe artin si kompromis mes pritjes dhe aktivitetit, si antidot ndaj rutinës mekanike dhe vegjetimit të instinkteve (kapitulli “Afresket” i kontemplon këto alternativa). Prandaj optimizmi i romanit duket më i lidhur pas kolonave (të metrosë) se, të themi, besimi romantik i Baudelaire-it se ekstaza e lumturisë i hapet njeriut që del prej qerthullit të reales. Në Bolero ka më shumë ngushëllim se ekstazë, sepse abandonimi i qerthullit çon në pritje. Dhe pritja është etikë e neglizhuar, e vështirë për një botë të përllogaritur, art që duhet mësuar e që mbase suportohet më mirë me art. Kështu akti krijues, jo aktivitet i mirëfilltë, utilitar por as jo-veprueshmëri, merr përmasat e spiritualitetit të sekularizuar, e një shpëtimtari pa Hyjni. E në një univers si ky, kisha gëlltitet prej muzeut: “Të shkojmë tek Guggenheim-i yt” është ftesa mbyllëse e personazhit të fundit të romanit (219).

Spiritualiteti i esëllt i Boleros nuk duket se synon për majat ngashënjyese të artit që blaton pavdekësi; për këtë, etika post-humane (lexoni kapitullin “Inteligjenca Artificiale”) është e gjithëpranishme, ëndrra monopol jo i sigurtë i njeriut, dyshimi edhe më cinik se ai i Hamletit pikërisht sepse jo aq purist, në kuptimin se ka më shumë ironi në cinizmin e Boleros, ku krijesat janë gati të lëshohen qoftë për një çast në djepin e iluzionit, çka flet për presencën e J. L. Borges jo vetëm në motivet e pasqyrave, ëndrrave e labirinteve, librave dhe artistëve imagjinarë (kapitujt “Interaktivetet”, “Efekti kuantik”, “Një ëndër jo aq e pafajshme” dhe “Rrethprerje” mund të lexohen edhe si kreshendo iluzive). Joshja sa edhe kritika ndaj artit krijues si akt shëlbyes origjinal e identitar gjurmon etikën e Boleros dhe artistin që habitet me veten e tij e thotë: “Por çfarë iluzioni i vjetër dhe kokëfortë është ky, që na bën ta mendojmë pavetëdijen si ‘tonën’, ta trajtojmë si të ishte prona jonë … dhe pastaj ta plagjiarizojmë, siç bëjmë ne artistët, të gjithë” (137).

Cituar nga: Ardian Vehbiu, Bolero, Tiranë: Dudaj, 2015.

Rreth Autorit

E. K. Steiner mban një Master në gjuhë-letërsi frënge dhe një PhD në anglistikë nga Universiteti i Zyrihut; është asistent profesore në Universitetin e Lozanës dhe autore e disa librave e artikujve akademikë si edhe e romanit Tokëmjalta.

Author Archive Page

Nuk ka komente

  1. Shkrimi është shumë ndjellës, ose, më mirë, do të qe i tillë, nëse autorja do e kishte më të kthjellët shqipen – jo me patjetër ortografinë, por mënyrën e të shprehurit. Ka shumë të ngjarë që të ketë shumë kohë jashtë dhe të ketë komunikuar në gjuhë të tjera, duke e lënë kështu ca mënjanë gjuhën e nënës, gjë që mund të riparohej shumë lehtë, nëse Ardiani do e kish kaluar më parë në sitën e tij prej gjuhëtari. Këndvështrime goxha interesante të shprehura turbull dhe me shumë fjalë të huaja. Ndonëse kam mirëkuptimin më të madh për këtë, mendoj gjithashtu se duhet mbajtur steka lart, sidomos kur objekti i shkrimit të saj, libri i Ardianit (që nuk e kam lexuar akoma, por mendoj a priori se është i tillë) i bie të frymojë më së shumti prej stilit dhe formës (me sa më sugjeron edhe autorja).

    1. Turbullira është tek ju, i nderuar, dhe steka juaj s’ka lartësinë e duhur, qëkur pretenduat, tek komenti i mëparshëm e tani i fshirë, ta korrigjonit autorin, sepse duhet të kishte shkruar – sipas jush – princi dhe jo mbreti Hamlet. Aty doli qartë që nuk e dinit se në dynjanë e letërsisë ka edhe një mbret Hamlet, i cili i thotë të birit “kujtomë”. Vetëm kush s’ka lexuar këtë vepër të veprave mund të turbullohej kaq keq. E kjo tregon njohuri të cekëta, prandaj nuk jeni i kualifikuar të flisni për stekat e këtij shkrimi, as ta lexoni pa u turbulluar.

      Shpresojmë të mos ju turbullojë fjala e huaj “dynja”.

      1. Ndonëse u fshi komenti me “mbretin Hamlet”, meqë bëhej fjalë, siç më korrigjuan, për babain e Hamletit, përsëri fraza mbetet e gabuar. Pasi bëhet fjalë për ish-mbretin së pari, meqë ai është i vdekur, dhe së dyti, por jo së fundmi, për një fantazmë që mëton të jetë e babait të tij, identitetin e së cilës ne e marrim si të dhënë, por i cili mund të vihet në pikëpyetje. Por do i binte shumë gjatë të analizohej kësisoj çdo rresht i shkrimit dhe nuk do të ishte e ndershme ndaj autores. Sidoqoftë, përkundër një komenti të ekzaltuar më sipër, mendoj se gjuha është e drunjtë dhe vende-vende duhet marrë me mend, çka nuk flet për cilësitë formale të shkrimit, që për nga idetë është shumë interesant.

      2. Bonodushku,

        komenti juaj është dashakeq e kjo ka të ngjarë të mos ketë të bëjë me këtë temë, por me inatin e trashëguar nga një temë e shkuar. Ndaj po ju lë me veten tuaj, natyrisht duke mos jua bërë nderin e të siguruarit në e kam lexuar a jo “Hamleti”-n (përmendësh nuk e di, për këtë jam i sigurt) e nuk po komentoj më këtu. Ndoshta ndieheni më mirë ashtu. Jua urojmë, sidoqoftë…

        1. Fakt mbetet, që ju po i largoheni i fituar arb elo; përfituat nga ky shkrim kur mësuat se fjalët gjigande “remember me” NUK i thotë princi Hamlet, mund ta kishit falenderuar autoren a blogun që hodhi dritë në këtë errësirë tuajën.
          Tani të kthehemi tek gjëra më me thelb: përmbledhja dhe informacioni rreth përmbajtjes është problematike dhe e zgjidhur bukur nga autorja dhe nga AV tek “Bolero”. Shkrimi të fut në universin e librit në paragrafin e tretë në mënyrë interaktive (idea e veshit mbi derë krijon pozicionin e lexuesit), ndërsa libri e ka zgjidhur duke vënë në kopertinë një paragraf të tekstit, jo udhëzime drejt përmbajtjes. E ndiej këtë mani për të ditur rreth përmbajtjes, ngjarjes, para se të blej një roman edhe tek vetja, dhe dëgjoja dikur një bisedë mes disa specialistësh tek një stacion gjerman (3Sat ndoshta), të cilët iu prezantonin romane të reja shikuesve e të gjithë e nisnin me një tip përmbledhje të ngjeshur të përmbajtjes, dhe medemek ashtu si në muhabet, njëri prej tyre përsëriti fjalët e një botuesi me zë që e paskish bërë rregullën e artë dhe testin ultimativ që një libër, të cilin nuk mund ta përmblidhte me tre fjali, nuk e botonte, sipas logjikës se “kur s’ia arrij unë, s’ia arrin as lexuesi, e libri nuk shitet.” Që nga kjo premisë vendosen shinat e leximit dhe formohet lexuesi që lexon për ngjarje, çka përbën një kufizim të madh në art, por sidomos në artin e shkruar, dhe jo aq në atë pamor. Domethënë, romani duhet ta justifikojë ekzistencën me përmbajtjen në kuptimin e ngushtë të ngjarjes.
          Unë vetë e kam në dorë “Bolero”-në, kam arritur tek “Vjen në jetë një statujë”, pres ndonjë rimendim a ndonjë lojë (po ia marr hua fjalën autores së “Mirazheve”, titull i goditur në një tekst që përdor leksikun e pasqyrave, reflektimeve) me mitin e Pigmalionit. Mund të jem gabim, se AV është vërtetë lojëcak e të surprizon në çdo kthinë të librit, të shohim. I gjej udhëzuese motivet kokëforta që radhit shkrimi më lart. Arrij që në këta pak kapituj që kam lexuar të shoh korrespondenca e përsëritje.

  2. Po flas edhe unë hapur: më la shije shumë të keqe kjo valë diskutimesh – këtu dhe në FB – për “gabimet” e një shkrimi kritik si ky i mësipërmi, i një cilësie të tillë që rrallë e ndesh në faqet e kritikës letrare shqip. Dhe këtë e them jo sepse shkrimi ka për objekt romanin tim; jam aq në gjendje sa ta gjykoj më vete dhe për vete.

    Gjykoj – shpresoj – se jam në një mjedis pak a shumë miqësor këtu, në kuptimin që gjithnjë shpresoj prej lexuesve të rregullt të blogut të më mbështetin, moralisht, në mundimet e mia letrare dhe publike. Nuk kam ndonjë mbështetje institucionale dhe çdo fije interesi që tregohet për romanin tim në mediat është për mua rreze drite.

    Përkundrazi, këtu dhe gjetiu u hap një muhabet krejt kot dhe revoltues për “gabime” në tekst; i sigurt se kush e hapi këtë muhabet nuk është gjë i mefshtë as i pavetëdijshëm për pasojat e fjalëve që thotë ose shkruan, nuk më mbetet veçse të them se kjo zhvendosje e vëmendjes nga tema e esesë më lart te vetë eseja dhe difektet e saj tregoi, në rastin më të mirë, një mungesë takti të papërligjur – ndaj autores dhe ndaj meje tërthorazi.

    Gjithnjë kam menduar dhe, sipas rastit, edhe e kam thënë se kush jep diagnostikime badihava, duhet më parë të tregojë kredencialet që ka; nuk pres nga një njeri në rrugë që të më thotë se paskam sinusit, gastrit ose erozion të kordave zanore: këtë gjë e pres prej një mjeku dhe vetëm atëherë kur ia kërkoj unë.

    Po ashtu e kam përsëritur, derisa sa jam bërë edhe unë i mërzitshëm, se hapësira e komenteve të paktën këtu në blog nuk u ofrohet lexuesve për të dhënë vlerësime në lidhje me shkrimet që dalin; sepse – me përjashtime të rralla – lexuesit unë nuk i njoh dhe nuk pres prej të panjohurve që ta shohin kalin nga dhëmbët, siç e thotë një fjalë e urtë.

    Si përfundim, ndihem gjithnjë i mikluar, që zonja Steiner më lart shpenzoi kohë, mundim dhe nerva, për të shkruar një kritikë për romanin tim; të cilën edhe më nderoi duke e dërguar në PTF për ta botuar. Dua t’i kërkoj të falur, publikisht, për këtë shfaqje të pahijshme meskiniteti që ia shoqëroi shkrimin; në vend të një debati në lartësinë e blogut dhe që do t’i kishte toleruar, siç edhe i ka toleruar më parë, “defektet” gjuhësore.

    1. Përkundrazi, këtu dhe gjetiu u hap një muhabet krejt kot dhe revoltues për “gabime” në tekst; i sigurt se kush e hapi këtë muhabet nuk është gjë i mefshtë as i pavetëdijshëm për pasojat e fjalëve që thotë ose shkruan, nuk më mbetet veçse të them se kjo zhvendosje e vëmendjes nga tema e esesë më lart te vetë eseja dhe difektet e saj tregoi, në rastin më të mirë, një mungesë takti të papërligjur – ndaj autores dhe ndaj meje tërthorazi – shkruan XhaXha.

      Ja dy shembuj për gabime në tekst:

      Jo vetëm përmbledhjes që ti si lexues je gati të kompresosh për një lexues të virgjër – shkruhet aty.

      A mund të më thuash se ç’kuptim ka fjala “të kompresosh” këtu?

      Ca më poshtë: Mirëpo të thuash se në të nuk ndodh asgjë është të matarohesh me një tjerë lloj emëruesi përmbledhës.

      E kështu me radhë.

      Gjërat duhen thënë troç XhaXha, siç janë, dhe kur gjuha është “me defekte” është e tillë e nuk bën dobi asnjë panegjirik për cilësinë e shkrimit nga ana jote, aq më pak nga ana jote, kur teksti gëlon nga pasaktësitë, të cilat, siç shkrova edhe më sipër i mirëkuptoj dhe i vuaj edhe vetë.

      Dhe jo, nuk ia kush me të keq as autores së shkrimit dhe as ty, përkundrazi; nëse sheh “meskinitet” në të tilla vërejtje, ose unë e kam kuptuar keq frymën e blogut tënd, ose ti mat me kute të ndryshme në situata të ndryshme.

      Së fundmi, jam i mendimit se librit tënd dhe librit shqip në përgjithësi do i bënin më mirë kundërvëniet, se sa, si ç’ndodh më së shumti, përlëvdimet elitare soft, që nuk po na çojnë asgjëkundi.

  3. Mua ky shkrim i Enit Karafili Steiner më pëlqeu shumë, madje po më ndihmon të shoh disa aspekte të tjera të romanit BOLERO, të cilin po e lexoj këto ditë.

    1. Pishak, jam kurioz ne lidhje me arsyet e pelqimit kaq shume te shkrimit te zonjes Steiner.

      Te pelqyerit nuk duhet te mbeten ne nivelin impresionist, te llojit te penelatave, ku shohim ngjyra te ndezura por pamje te ofuskuara, te turbullta, shpesh qe nuk percojne asnje lloj kuptimi apo ne vetvete, nuk jane ne gjendje te percjellin kuptimin e vet fjaleve brenda konteksit ku jane vendosur.

      Po flasim per kritike letrare, qe duhet te kete nje gjuhe te sakte larg deskriptives “edhe, edhe..” “mundet edhe keshtu edhe ashtu”, “varet si e merr”, “apo si ta kuptosh”, etj. Gjuha ne kete rast shkon pertej te qenurit difektoze, por e pakuptimte.

      Libri i Xhaxhait ka nevoje per qartesim, saktesim, hulumtim te mirefillte te domethenies te endjeve ne harten e nentokes dhe mbitokes te Manhattanit, aq me teper kur kerkohet, synohet te universalizosh mesazhin e vepres.

      Jo te gjithe njohin metrone e NYC, por te gjithe jane ne gjendje te enden ne labirinthet e mendimit te shkrimtarit, permbajtjes filozofike te librit.

      Une nuk e kam lexuar vepren, por besoj se do te mundem ta lexoj se shpejti.

  4. E kam lexuar librin. Eshte nje roman i mire, shume i mire. Ka nje problem megjithate, qe e ka emrin “Ideja” (lexo librin). Shto ketu intervisten dhene Parrulles dhe problemi merr forme te plote. Per fat te keq, as shkrimi i Bakallit dhe as ky i zonjes, nuk me thone asgje me shume sesa me ka thene vete Ardiani, dhe nuk ma thone as me mire. Nuk eshte “faji” i tyre, por i autorit, i cili edhe mund ti kishte kursyer ato shpjegime per ta lene librin te ndiqte rrugen e vete. Kam pershtypjen edhe ketu ne blog u soll ne vemendje kjo gje (nga Lyss mos gaboj). Perndryshe keto diskutimet rreth gabimeve gjuhesore te zonjes me duken krejt te kota.

    1. Ka shume per te thene per pretendimin se pasi autori ta kete nxjerre nje veper nga dora duhet te hesht dhe te lere kritiken dhe lexuesin te flas per te. Nuk jam teresisht e bindur per kete dhe intervisten time per Bolero-ne e ndertova si dikush qe jo vetem e ka “lexuar” ate liber por e perjeton ate cdo dite. Gjithashtu, prirem te lexoj me shume intervista te mira me autorin sesa kritiken – meqe ka nje ndryshim mes menyres si flet per nje pune kritiku dhe vete artisti. Ato dite sapo kisha mbaruar se lexuari librin e Teju Cole, Everyday is for the thief, dhe duke dashur te lexoj me shume mbi librin rastisa ne nje interviste te autorit ne BOMB MAGAZINE e cila i dedikohet teresisht bisedave mes artistesh – kete kisha si shembull ne mendje. Dikujt mund ti duket e tepert gatishmeria e autorit per te folur akoma per librin e tij por per nje veper konceptuale sic eshte Bolero me duket e pranueshme, per aq kohe sa libri e permban vete kritiken letrare ne disa forma e keshtu nuk mund te pretendoje te hesht tani.

          1. Duhet një përgjigje- ose më mirë analizë- shumë e gjatë për këtë pyetje.
          2. Nuk e di nëse më takon mua ta bëj këtë.

          Unë, në atë timen, jam e bindur që ky roman mund të cilësohet si i tillë, por ndoshta mund të cilësohet njëkohësisht edhe me shumë labels të tjerë. Nuk kam ndonjë detyrim ta mbroj publikisht këtë cilësim personal, por ti ndoshta merr një orientim për këtë vlerësim timin nga ky artikull (në anglisht) ku flitet për këtë prirje konceptuale në letërsinë e sotme. Natyrisht ka shumë burime të tjera që më vinë në ndihmë, përfshi këtu një njohje të mirë të konceptualizmit në artet pamore. Tek pergjigja e Enitit ke një shpjegim të mundshëm: ndërtekstualiteti.

          Welcome to Literature’s Duchamp Moment: Avant-garde fiction is starting to resemble conceptual art
          http://www.newrepublic.com/article/121603/avant-garde-literature-starting-resemble-conceptual-art

          1. Falemnderit. Mjaft interesant ishte artikulli, edhe pse ende mendoj se Bolero-n nuk mund ta kategorizojme si nje veper konceptuale. Por ke te drejte; keto gjera nuk jane te prera dhe kane gjithsesi nevoje per analize te thelluar. Mund te ishte, tani qe e mendoj, nje pikenisje e mire per nje kritike ndryshe rreth librit 🙂

            1. Të ftoj të shikosh (edhe nje herë?) ate që – në mungesë të një koncepti më të përshtatcëm- u quajt trailer i Bolero, punuar mjeshtërisht nga një prej a artistëve më të mirë vizual që ka nxjerr Shqipëria. Po ashtu, të ftoj të lexosh dhe imazhet ready-made që jane po aq tekst i romanit. Cuditërisht deri tani ky aspekt nuk është cekur pothuajse fare. Mund të kisha bërë një pyetje rreth kësaj në intervistë por mu desh të përzgjedh ato që do ti vinin në ndihmë lexuesit që se ka lexuar akoma librin.

              Natyrisht Bolero nuk është konceptual alla Kenneth Goldsmith- do të ishte i palexueshëm e as nuk është i ngjashëm me librin e Gugullimave që kam si koncept për botim. Nuk dua të ngul këmbë për konceptualen tek Bolero sepse më duket se në rastin e lexuesit shqiptar kjo nuk thot asgjë. Do të kisha dashur që Baci në kritikën e tij të përpiqej ti jap lexuesit një celës se si ti afrohet librit, përvec se ta paralajmëronte se nuk është një “prozë e mirëfilltë”. Eniti për mua e bën këtë dhe prandaj mbetet një analizë e shkëlqyer në krahasim me kritikun profesional që nuk më thot asgjë dhe me fjali të pambaruara. Që të mos vdes injorante do ma shpjegojë kush se cdo të thotë kjo fjali: “As se ka mungesa nga bota e njëmendësisë.”

          2. “Që të mos vdes injorante do ma shpjegojë kush se cdo të thotë kjo fjali: “As se ka mungesa nga bota e njëmendësisë.”

            Kam pershtypjen se Baci e ka pasur fjalen per konceptin manzonian te njemendesise ne art qe dallon “te verteten” nga “e njemendta” (ne italisht: vero e verosimile). Koncepti eshte rimarre dhe perpunuar me tej nga Propp dhe disa autore te tjere pas tij.

            1. Faleminderit. Atehere, i bie qe Baci se ka kuptuar ose nuk i ve shume rendesi “parodizimit” ose “kopjimit” te stileve dhe zhanreve te ndryshem, dhe nese do duhet te flasim per njemendesi atehere kjo duhet pare brenda per brenda zhanrit qe i referohet dhe jo ne teresi. Njemendesia duhet pare me pare si koherence narrative dhe pastaj ne raport me realitetin. Nejse, kuptova qe Baci pak ka kuptuar qe nga titulli per “njeriun e pamberritur”.

          3. Mendoj se Baci po keqkuptohet. Njemendesia e tij nenkupton fantazine, qe po ta zevendesosh ne fjali do te te shihet si nje lavderim per Vehbiun: As se ka mungesa nga bota e fantazise.

            Pra me nje fjale vepres nuk i mungon fantazia. Venia ne pune e fantazise ne nje veper arti konceptual eshte imperative dhe e ben vepren cilesore nese arrihet te percillet dhe te zbulohet sic duhet metafora e librit. Arti konceptual eshte ne fakt nje lloj fanta-shkence, sepse vetem nepermjet saj mund te dalesh nga realiteti, ose me sakte te luash me realitetin.

          4. Parrulla,

            Ngaqe nuk e kam lexuar librin e Vehbiut nuk mund te shtyhem ne diskutime te metejme nese e ka kuptuar apo jo Baci librin. Personalisht e vleresoj Bacin si kritik.

            Teorikisht, vetem teorikisht, mund te them se per mua eshte me mire nje artikull kritik qe edhe kritikon sesa nje artikull “kritik” qe vetem ekzalton, pra qe ben qoken e rastit. Te isha une autori, do t’u kushtoja me shume vemendje dhe do te vleresoja me shume artikujt vertet kritike sesa qokat. Kritikat nxitin debate, hapin diskutime, ngjallin kersherine e lexuesit, e vene vepren vertet ne qender te vemendjes. Fakti qe vepra behet objekt i kritikes do te thote se eshte veper e mire qe ia vlen te lexohet dhe te diskutohet per te. Qokat e mbarojne misionin e tyre ne momentin qe shtypen.

            1. Dakort per rolin kritikes dhe besoj se vetem tek koncepti i njemendesise do mund te ndaleshim e te diskutonim mjaftueshem ashtu si dhe per ate cka quhet “proze e mirefillt”. Tek Baci ka disa mendime te tjera qe po ashtu do ishte mire te debatoheshin. Kjo qe thua per nenvleftesim te kritikes do qe qendronte nese kritika e Bacit nuk do te ishte sjellur ketu. Komentet kane qene kryesisht te lexueseve e jo te autorit.

            2. Shkruan:

              Teorikisht, vetem teorikisht, mund te them se per mua eshte me mire nje artikull kritik qe edhe kritikon sesa nje artikull “kritik” qe vetem ekzalton, pra qe ben qoken e rastit. Te isha une autori, do t’u kushtoja me shume vemendje dhe do te vleresoja me shume artikujt vertet kritike sesa qokat.

              Relapso, ti e fillon këtë “teorikisht” por pastaj thua “të isha unë autori”, çka bën që të kalohet nga teoria në praktikë (meqë, mi chiami in causa).

              Shpresoj ta kesh spekulative këtë “një artikull kritik që vetëm ekzalton”, sepse unë nuk kam parë gjëkundi të tillë, sa i përket romanit tim; mbase edhe ka pasur, por më kanë shpëtuar – do të të lutesha të m’i sillje në vëmendje.

              Deri tani kam parë tre shkrime për romanin – ai i Gilmanit, ky i Enitit dhe ky tjetri i Baçit. Të tre janë nga profesionistë të fushës dhe refuzoj të besoj se po quan “qokë” ndonjë prej tyre – përndryshe do të përgjigjesha ndryshe (me të tjera argumente). U kam kushtuar atyre njëlloj kujdes, duke ua sjellë lexuesve të blogut.

              Por nuk kam parë gjëkundi “qoka” për “Boleron”.

              Ka edhe një gabim tjetër, madje teorik, në sa thua: një qokë vërtet mund të jetë plot frymë pozitive për veprën që merr të analizojë, por edhe një artikull kritik mund të jetë plot frymë pozitive për veprën që merr të analizojë, pa qenë për këtë doemos qokë. Nëse një kritiku i pëlqen shumë një vepër, është e drejta e tij/e saj që ta shprehë këtë, pa iu konsideruar pozicionimi automatikisht si “qokë”, sepse askush, madje as kritiku letrar, nuk ka pse të paragjykohet kështu; dhe le të mos luajmë pastaj me dy kuptimet e fjalës kritikë.

              Prandaj nuk më duket e saktë që të krahasohen “artikujt vërtet kritikë” me “qokat e rastit” – sepse mund të ketë edhe artikuj kritikë që e sulmojnë veprën me po aq joprofesionalizëm sa ç’e lavdërojnë qokat. Dua të them që e kundërta e qokës nuk është një kritikë e bërë me profesionalizëm dhe integritet; por pikërisht kundërqoka: një artikull ku dikush ha inat me autorin duke ia nëpërkëmbur veprën për arsye jo-letrare.

          5. Xha xha,

            se pari, nuk te kam permendur as te kam pasur parasysh fare ne komentin tim, posaqe e thashe qysh ne fillim se nuk e kam lexuar librin. “Te isha une autori” do lexuar thjesht si stileme, a si konektor teksti. E kisha fjalen per autorin ne pergjithesi, jo per autorin e ketij libri ne veçanti, ngaqe, e perseris, nuk e kam lexuar dhe nuk e kam zakon te jap gjykime per libra qe nuk kam lexuar. Ti nuk je Parrulla dhe Parrulla nuk eshte autori i librit.

            Komenti im ishte nje reagim ndaj Parrulles, e cila perballe nje verejtjeje kritike te Baçit, tha se ai nuk e ka kuptuar librin. Kjo “nuk e ka kuptuar” apo ajo tjetra “pak ka kuptuar”, mua nuk me pelqeu fare, me tingelloi si “qenka budalla qe nuk kupton”. Nuk me duket argument. Madje me duket paska fyese per nje njeri qe pasi lexon nje liber, e vlereson aq shume ate sa merr persiper te ulet e te shkruaje nje artikull ne thelb pozitiv. E njoh dhe e vleresoj Baçin si kritik. E njoh edhe personalisht dhe nuk mendoj se eshte nga ata qe “nuk kuptojne librat”.

            Sa per kritiken, rolin, regjistrin, modalitetet dhe funksionet e saj, eshte diskutim i gjere dhe nuk me duket se mund ta shterrojme ne kete hapesire. Te them vetem se artikujt qe nuk bejne asnje verejtje kritike mua me tingellojne si qoka. Kjo nuk do te thote se jam kunder qokave. Edhe ato duhen, por nuk e zevendesojne dot kritiken e mirefillte.

            1. OK, Relapso, të kuptoj – edhe pse kur shkruajte “të isha unë autori” m’u duk sikur e kishe fjalën për autorin në kontekstin e këtij diskutimi, ose mua.

              Natyrisht, një pjesë e komenteve në këtë fill vijnë nga persona që nuk e kanë lexuar librin. Kjo ndodh sepse këtu po diskutohet në nivelin “meta” – ose po bëhet kritikë e kritikës ndaj librit, qasje legjitime edhe pse pak groteske.

              Dhe nëse është kështu, atëherë ti mund të më referohesh fare mirë edhe mua, sepse unë jam jo vetëm autor i librit që ti nuk e ke lexuar, por edhe i disa komenteve këtu dhe gjetiu të cilat ti mund t’i kesh lexuar. Kjo kushedi më ngatërroi – por, sikurse edhe më sipër, ndërhyra me rezervë.

              Parrulla i ka dhënë leximin e vet librit, sikurse i ka dhënë leximin e vet atyre që janë shkruar për librin, përfshi edhe artikullin e Baçit. Mua veç më bëhet qejfi që Baçi ka shkruar me kompetencë dhe profesionalizëm për librin tim, siç m’u bë qejfi kur shkroi edhe Bakalli më parë dhe pastaj Eniti.

            2. Relapso,
              Po me ve kot fjale ne goje sepse qellimi im nuk ishte te fyej Bacin, aq me pak si tentative per te lartesuar vepren. Kushedi cdo duhet te mendoj Eniti pas gjithe gjerave qe jane thene ne drejtim te shkrimit te saj po ndoqi llogjiken tende.

              Bacin nuk e lexoj per here te pare. U shpreha se ka dy mundesi: ose nuk e ka kuptuar ose nuk e ka vleresuar lojen e autorit si dicka me vlere, ne te cilin rast kete loje dhe deshtim te autorit doemos do duhej t’ia percillte lexuesit. Une nga kritika pres qe te nxjerre ne pah ato pak gjera qe lexuesi i thjeshte nuk eshte ne gjendje te dalloje lehtesisht. Nje nga keto eshte parodizimi (jo ne menyre tallese) i zhanreve dhe kultures pop duke e pervetesuar ate ne stil. Ose tjeter, sic thot Arb Elo ta fuse vepren ne dialog me letersine shqipe e me gjere. Baci eshte kritik i letersise por ne 630 fjale kritike 4 permend “sociologjine” e librit duke e shtjelluar me refleksione personale qe mund te thuheshin dhe per shume vepra te tjera.

              Po marr kete pasazh:
              “Madje as emri nuk ka rëndësi. Njeriu i tij duhet të presë në platformën e trenave uptown në midtown në New York një tren që nuk mbërrin, sepse në Brooklyn ka ndodhur një aksident.”

              Baci, le te kuptohet se “njeriu” eshte i njejti personazh pergjate gjithe librit por ky here shfaqet si zeri i narratorit, here si nje mashkull e here si nje grua e here si kamera e fiksuar ne stacion. Ky eshte nje koncept kyc ne roman dhe nuk duhej te anashkalohej kaq lehte. Personazhi e zeri narrativ jane abc-ja e kritikes letrare. Pa dhene kete informacion pak e veshtire t’i percjellesh lexuesit pse “nuk ka ngjarje” e as destinacion. Vete akti i pritjes eshte pika perfundimtare dhe metafora qe e shtyn perpara romanin dhe kjo eshte “fuqia e metaforës, për ta dërguar diku” personazhin qe Baci thote se mungon. Kemi nje mohim te ecurise narrative si zhvillim i narratives. Lexuesi behet kurioz se si e sa here te tjera do prese personazhi per trenin qe nuk do te mberrije kurre. Qellimi nuk mberrin tek personazhi por tek lexuesi dhe tek narrativa. Tani qe nje kritik letrar te mos arrije ta dalloje kete eshte mese e pranueshme, pasi kjo loje zhvillohet ne nje nivel meta dhe prandaj thashe ndoshta nuk e ka kuptuar ose nuk i jep rendesi. Te pakten Baci te kishte dhene nje shpjegim sipas mendimit profesional mbi strukturen qe vete titulli i librit i referohet. Asgje edhe per kete? Prap faleminderit qe ka marr mundimin te shkruaj dhe ndoshta nuk kam te drejte te pretendoj qe kritiku te bej ate kritike letrare qe une kam parasysh.

              Nejse, kerkoj ndjese sepse nuk duhet te kisha nderhyre fare ne kete diskutim, aq me teper me komentues qe nuk e kane lexuar librin, pra nuk jane ne gjendje ta vleresojne kritiken per cka arrin apo nuk arrin te beje per librin dhe per lexuesin – ate qe e ka lexuar dhe ate qe nuk e ka lexuar.

    2. NJËMENDTË mb.

      Që është në të vërtetë, i vërtetë, i përnjëmendtë; real. Bota (jeta) e njëmendtë. Vlerë e njëmendtë. Shkaku i njëmendtë. Nevojë e njëmendtë.

  5. Edhe një mendim tjetër, që po më vjen tani: ka dy kategori njerëzish që e lexojnë një analizë të një vepre të re letrare: ata që e kanë lexuar veprën ndërkohë dhe ata që nuk e kanë lexuar. Të parët kushedi krahasojnë përshtypjet e tyre me ato të kritikut, kërkojnë konfirmime ose spunto të reja, njëjtësi dhe diferenca. Është një lojë intelektuale e këndshme kjo, të gjithë e bëjmë. Të dytët e lexojnë sepse janë kuriozë për librin, ose sepse e ndjekin këtë kritik dhe nuk i lënë pa lexuar asgjë që shkruan. Besoj se për të dytët leximi i analizës zakonisht lidhet me pyetjen që i bëjnë vetes nëse ia vlen apo jo që ta blejnë dhe ta lexojnë librin e analizuar. Këta kërkojnë një orientim, para se të vendosin. Edhe kjo është nevojë parësore, në tregun e sotëm të librit – që kritika në Shqipëri zakonisht nuk e përmbush. Unë kam qenë me fat, sepse për librin kanë shkruar veç Enitit më lart, edhe Gilman Bakalli dhe tani Agim Baçi, përpos një bisede të gjatë që kam bërë me Blendi Salajn në TV dhe një interviste që i dhashë Entela Resulit te “Dita” dhe ku fola edhe për librin. Kam qenë me fat dhe e kam këtë parasysh gjithnjë. Tani, për t’u kthyer te shkrimi i Enitit dhe debatet që e pasuan, unë shpresoj që shumë prej atyre që e kanë lexuar, të jenë bërë kuriozë për librin; edhe pse e di që disa do të jenë bërë kuriozë edhe për autoren e kritikës. Nuk e mendoja që debati do të niste dhe do të përqendrohej, në fillim, te “gabimet” që kish bërë autorja – sepse ashtu nuk shkon fare, sikurse e thashë në një koment tjetër. Këtu dua vetëm të sqaroj se kritika i drejtohet lexuesit, por duke iu referuar edhe një vepre (ose një autori, një teme karakteristike etj.) dhe ka për synim t’ia ngrejë cilësinë dhe intensitetin komunikimit letrar. Dhe po të jetë kështu, pyetjes nëse ia ka ngritur kjo kritikë e Enitit cilësinë dhe intensitetin komunikimit letrar mund t’i përgjigjemi duke parë se si kanë reaguar ndaj saj lexuesit e “Boleros” të tanishëm dhe ata lexues të tjerë që kanë ndonjë farë interesi për atë roman. Natyrisht, njerëz që e njohin mirë Enitin, kolegë dhe miq dhe dashamirës së saj, mund ta lexojnë shkrimin e saj edhe pa iu referuar romanit; por nuk besoj se kjo do të ndodhë shpesh në kontekstin e këtij blogu (edhe pse uroj që të ndodhë më shpesh më vonë). Dhe meqë jemi në një mjedis të intoksikuar, si ky i komunikimit kulturor shqip, le ta pranojmë se shkrimeve të tilla u qasen edhe ata që e kanë një kunjë me autoren, ngaqë e njohin, ose – më shpesh akoma – ngaqë nuk e njohin. Por ç’kuptim do të kishte kjo vallë për ne të tjerët?

    1. Xhaxha,

      siç e thua dhe vetë, një shkrim kritik për një libër mëton të pasurojë përftimin e atyre që e kanë lexuar atë, siç edhe të ndjellë të tjerë, që nuk e kanë bërë këtë, për ta lexuar.

      Gjithashtu, mendoj, se një kritikë duhet të jetë e mëvetëshme, pra duhet të jetë tekst letrar i mëvetshëm dhe relativisht i pamvarur nga objekti që shqyrton, dhe si i tillë, përpos kërkesave formale që duhej të qenë të vetëkuptueshme (është e trishtueshme që na duhet të merremi akoma me to, kur gjëkund tjetër në botë problemi është joekzistent, pasi thjesht nuk gjenden “gabime” të tilla), duhej të përçonte kthjelltësi e ta joshte lexuesin drejt këndvështrimeve të tjera e më të plota, profesionale, që ai vetë nuk është dhe nuk ka pse të jetë në gjendje të rrokë.

      Në shkrim më mungoi pikërisht kjo kthjelltësi, pasi autorja nuk qëllon fjalët e duhura në shqip dhe sajon konstrukte gjuhësore që ngjajnë si të transplantuara nga një gjuhë e dytë. Dhe, e theksoj edhe një herë, nuk bëhet fjalë për “gabime” tek-tuk të falshme drejtshkrimore a ndonjë rrëshqitje aty-këtu, por për turbullirë kuptimore.

      Ndërsa në mediat (kupto – lëtyrat) shqiptare është e përditshme dhe nuk ka kuptim të merresh me to, pasi dëmi është total, mendoj se jo vetëm lejohet, por duhet nxitur qëndrimi kritik dhe vërejtjet si më lart, aq më shumë kur autori-ja premtojnë klas dhe për më shumë.

      Aq më pak nuk mund të flitet për intoksikim të klimës kur dikush thotë mendimin e tij, përndryshe rrezikojmë të përfundojmë, siç edhe ka ndodhur e po ndodh, në zona të buta (smooth) konformiste pa konflikt e ku nuk ndodh asgjë veçse rrihen krahët ndërsjelltas e ky do të qe edhe fundi i kritikës si e tillë.

      Është e kotë të të siguroj këtu se nuk kam asnjë “kunj” me autoren as se e njoh dhe as sepse nuk e njoh, pasi thjesht nuk më intereson as se kush është dhe as se kush nuk është. Kjo vlen edhe për ty, natyrisht, si autor.

      Ajo çka më trishton është lehtësia me të cilën priresh ndaj hipotezash të dyshimta si meskiniteti, inati, kunji – mungojnë veç “grupet armiqësore” në kulturë – kur tjetri thjesht po dyshon se princi Hamlet, fantazma e babait të Hamletit dhe mbreti Hamlet nuk janë e njëjta gjë.

      Gjithashtu i trishtë është mëtimi yt për të dirigjuar diskursin që bëhet për librin tënd; ti punën tënde e ke mbaruar kur shkrove rreshtin e fundit, ndaj do të qe më mirë t’i lije së pari të tjerët të flasin, pasi është iluzore të besosh se mund të kontrollosh rrugëtimin e tij tek lexuesi, e pastë a jo lexuar ai atë libër.

      E kjo e tëra jo për t’u kundërvënë e as për stigmatizuar ndokënd, aq më pak autoren e shkrimit e akoma edhe më pak ty; siç e shkrova qysh në krye, shkrimi është ndjellës e si i tillë e ka kryer tash tek unë funksionin e të më bërit kureshtar për të lexuar librin tënd.

      Ndiehet kohët e fundit një regëtimë disi pozitive kritike, mirëpo, ndonëse ti qenkësh i një mendimi tjetër, as shkrimi i Bakallit, as ai i Baçit dhe as ky këtu, ndonëse ku e ku më të mirë se bllabllaizmi i përditshëm, nuk janë të asaj cilësie që përshkruhet më lart. pasi kritika e kritikës vuan të njëjtat simptoma siç edhe kritika vetë: rrahkrahja e ndërsjelltë. Është vend i vogël, të gjithë e njohin njeri-tjetrin e nuk po duan të prishin qejf.

      Uroj mirëkuptim!

  6. Enit Karafili Steiner më dërgoi përgjigjen e mëposhtme, për ta publikuar te komentet:

    Në kushte ideale, kritika letrare arrin t’i orientojë lexuesit e t’i frymëzojë ata jo për ta blerë apo për të mos e blerë një libër, por për të zhvilluar aftësitë e tyre interpretative. Thënia “në vend që të të jap një peshk, do të të tregoj si peshkohet” kap thelbin e kritikës letrare, sepse kështu kultivohet lexuesi i informuar me mendim autonom. Në rastin e Boleros, struktura kërkon vëmendje parësore, duke filluar nga titulli, të cilit kritika e deritanishme nuk i qe referuar. Efekti bolero është një nga çelësat kryesorë për ta shijuar romanin, jo vetëm si vepër letrare por edhe si dialog të një forme letrare me një tjetër muzikore, çka e bën Boleron një roman në dialog edhe me artin konceptual. Po ashtu, aspekt i paprekur ishte vendosja e Bolero-s në arenën ndërtekstuale, domethënë lidhjet që romani (e theksoj romani dhe jo autori, këta të dy nuk janë të shkëmbyeshëm) krijon me tekste të tjera: të Shakespeare-it, Borges-it, Baudelaire-it, Queneau-s, fantashkencës, Hegel-it (i cili e konsideron shekullarizimin e spiritualitetit fenomen tipik të modernizmit). Ndërtekstualiteti është themelor për një vepër si Bolero të mbushur me gjithfarë shenjash. Aspekti formal dhe ai ndërtekstual përbëjnë kontributin e shkrimit të mësipërm, sidomos sepse kritikat e deritanishme nuk ia kishin ofruar lexuesit një përqasje të tillë, e cila, uroj do të zgjerohet nga lexues e kritikë të tjerë.

    Duke parë këtë mungesë, vendosa ta sjellë këndvështrimin tim pikërisht te Peizazhe të fjalës dhe jo gjëkundi tjetër për disa arsye: e para, lexuesit e Peizazheve mund të jenë duke e lexuar ose kanë në plan ta lexojnë Bolero-n, sepse ndajnë me autorin e blogut dhe librit interesa ose formim të ngjashëm; e dyta, një përqasje strukturore më ngjau e përshtatshme për një lexues si ai i Peizazheve, i cili mirëpret ushqim të fortë dhe lexon me laps në dorë, jo thjesht për kalim kohe por për kalitje të mendimit; e treta, sepse kjo hapësirë ofron mundësinë për ta shndërruar leximin nga eksperiencë vetmitare në komunitare. E kuptoj ekzistencën e Peizazheve si një rimishërim të sallonit iluminist në një shoqëri të digjitalizuar, si një ftesë të z. Vehbiu dhe autorëve që e mbështesin për të qëndruar në pulsin e analizës dhe pasurimit të mendimit. Na mbetet neve, të ftuarve, të kuptojmë shanset dhe kufijtë që na përcjellin të zotët e sallonit me këtë ftesë. Së fundmi, sepse Peizazhet, prej tetë vitesh, i tipizon karakteri pionier, eksperimental, që u jep zë edhe atyre si unë, në diasporë, afër shqipes me zemër, por mendërisht më afër diskurseve perëndimorë. Një zone të mendimit si Peizazhet i shkon termi i Mary Louise Pratt, “contact zone”, zonë e transkulturëzimit, zonë që huazon nga të dy anët e komunikimit, mes Shqipërisë dhe diasporës me shumë shëmbëlltyra, të cilat, do apo s’do epiqendra, janë shëmbëlltyrat e saj hibride. Dhe ia vlen të kujtojmë se hibriditeti mban brenda vetes vështirësi e voli të pahamendura për ata që e evitojnë si diçka të huaj ose e përqafojnë, sepse janë të bindur se botëkuptimi purist është sinonim i vobektësisë.

    Falënderoj autorët dhe lexuesit e këtij blogu për interesin!

    1. Përgjigja e z. Steiner është ku e ku më e mirë se shkrimi i saj.

      Tani, jo për kundërvënie, por për të vazhduar edhe ca përsiatjen:

      ndonëse “… do të tregoj si peshkohet” është si parim, në kushte normale në një vend normal, më se i pranueshëm, në kushtet e letrave shqip, në këtë rast të kritikës bashkëkohore shqiptare, lë vend për të diskutuar.

      Sepse më të shumtit peshkojnë me dinamit. Duke nisur që nga botuesit-et, z. Dudaj, z. Toçi, z. Berhami, z. Ymeri e me radhë, që nuk lanë ekran pa bllokuar e që përdorin të njëjtin vokabular për të “promovuar” Coelhio-n, Borhesin dhe “Si të dobësohemi”, duke vazhduar me z. Rexhaj, z. Fevziu, z. Zogaj, z. Blushi etj. që ngjajnë sikur banojnë studiove televizive, për të mbaruar me të ashtuquajtërën kritikë, që për vite me radhë me tone të zvargur e monotonë bën të njëjtën gjë, ndonëse me tone më elitiste, në gazeta, revista, ekran e ku të munden.

      Ka ndërtekstualitet të një libri e një të tillë të kritikës. Në kushtet e shprazjes të të gjithë fishekëve patetikë, shpesh me batare, për vite me radhë e papushim – mjafton të lexohet numri i fundit i MaPo-s, rubrika kulturore, ku gjenden ngjitur e ngjitur dy kritika, një për Borhesin e tjetra për Lazër Stanin (asgjë me z. Stani – thjesht po e zë si shembull), ku nuk gjendet asnjë lloj përshkallëzimi tonesh nga Stani te Borhesi – përkundrazi, të ngjallet ideja se Stani është aty-aty me Borhesin, në mos më i madh se ai – për të kuptuar se problematika e kritikës ngjan fort me atë të ndërtimeve pa leje.

      Të gjithë sugjerojnë se çka duhet lexuar, por askush nuk të thotë se çfarë NUK duhet lexuar e nëse këtë kritika nuk është në gjendje ta bëjë, atëherë nuk mund të flitet për të si të tillë.

      Askush nuk më sugjeron se pse duhet të lexoj Vehbiun e të MOS ia bëj vetes Rexhajn (asgjë me z. Rexhaj); kjo lihet në dorë të “lexuesit”, që pastaj, i gjendur mes rrokopujës mediatike, nuk lexon as njërin e as tjetrin.

      Kjo më mungon edhe në kritikën e z. Steiner, edhe në atë të Baçit e të Bakallit; vendosja në kontekst të letërsisë shqipe të librit të Vehbiut (që nuk e kam lexuar).

      Ndoshta libri i tij e meriton çdo fjalë që ata kanë shkruar, ndoshta është edhe më i mirë se aq, por këtë e pohojnë, as më shumë e as më pak, të gjithë për gjithçka që botohet.

      Kritikët shqiptarë – edhe këta më sipër – pikturojnë me të bardhë, vetëm me të bardhë, në sfond të bardhë. Kësisoj ata ngjajnë më së shumti me floktore ku klientëve dhe lexuesve u bëhet permanent.

      Ndërsa do të na duheshin samurai të ngrysur që nuk ta përtojnë shumë, por të qërojnë pa iu dridhur qerpiku (e kam fjalën për tekstet, që të mos keqkuptohemi e të na kërkojnë prapë kredencialet…:)).

      Dy- tri vitet e fundit më ka zënë syri veç dy-tri kritika të këtij lloji: një kritikë e Baçit për Rexhajn dhe një e Elsa Demos për Kongolin. Vetëm dy të tilla; kjo është shumë pak për një letërsi bashkëkohore që vuan të gjitha simptomat e mundshme, mu si edhe vetë shoqëria shqiptare.

      Ndërsa për blerje a shitje libri, siç përmend zonja në hyrje të përgjigjes së saj, aq nuk u bë fjalë fare. Po flitej veç për lexim a moslexim të tij.

      1. Shkruan:

        Përgjigja e z. Steiner është ku e ku më e mirë se shkrimi i saj.

        Më duhet të vërej edhe një herë, se autorët që sjellin shkrime këtu, nuk e bëjnë që të gjykohen (e theksoj: gjykohen – sepse nuk e kam fjalën për kritika ose polemika) nga lexues pak a shumë anonimë. Nuk ka gjë më irrituese se të të gjykojë, haptazi dhe publikisht, një person që ti nuk e njeh dhe nuk je në gjendje ta vlerësosh dhe, për më tepër, nuk shkruan as me emrin e vet.

        Kjo nuk është as etike as e hijshme.

        Të lutem, Arb Elo, mos ma bëj këtë gjë në blog dhe me autorë të kalibrit të lartë akademik, që sapo kanë filluar të kontribuojnë (të njohësh rangun është rang, thotë diku Schopenhauer-i). Mos i padronizo këta autorë, sepse dashur pa dashur i tremb edhe kur nuk i fyen. Ti shkruan vetë herë pas here kritika letrare (gjithnjë me pseudonim), prandaj nuk besoj se e ke të vështirë që ta vësh veten në vendin e autores, e cila të paktën pati aq kurajo sa t’u dilte zot fjalëve që tha, dhe që do t’i mbeten të sajat përgjithnjë. Jo të gjithë janë të gatshëm të gjykohen në publik nga njerëz të panjohur.

        Sa për kritikën letrare në përgjithësi, jam dakord me ato që thua, por nuk e kanë vendin besoj këtu, ku po flitet për romanin tim. Për mua si autor preokupimi kryesor është që libri im t’i shkojë lexuesit; dhe jo që libri im të shërbejë për të vënë në dukje mangësitë në kritikën letrare shqip, ose për ta rimëkëmbur këtë kritikë. Edhe një herë, është më shumë çështje delikatese dhe vëmendjeje ndaj prioriteteve të tjetrit.

        Dhe aq më tepër që shkrimet kritike që kanë dalë deri më tash për romanin – që të treja – kanë qenë absolutisht mbi mesataren; për çfarë unë e konsideroj romanin dhe veten me fat, siç e kam shkruar edhe më parë.

        Kritika shqip ka mangësi të mëdha dhe unë jam i pari që do të flisja për to gjerë e gjatë sikurse edhe kam folur; por nuk më duket se reagimet kritike ndaj romanit “Bolero” janë shembulli më i përshtatshëm për ta nisur ose për ta vazhduar këtë muhabet.

        1. Nuk është synimi im të gjykoj askënd e asgjë XhaXha.

          Ose po keqkuptohemi, ose po më rrëshqasin fjalë, për rëndesën e të cilave nuk jam i vetëdijshëm ndërsa i shkruaj. Nëse është kështu – vërtet që nuk është e qëllimshme dhe për këtë nuk më mbetet veçse të të siguroj – i kërkoj ndjesë autores dhe natyrisht ty.

          Sidoqoftë, në pastë ndonjë maraz të pavetëdijshëm nga ana ime, ky nuk do të kishte të bënte as me shkrimin e as me autoren, porse me mënyrën se si m’u turre në komentet e tua të para të mësipërme, që nuk po dua t’i komentoj se janë ende aty. Ndërsa unë po flisja veç për tekstin, ti po bëje ushtrime stili në palestrën e integritetit tim; edhe mua vetë më ngjau kjo e pahijshme e më la një shije të keqe, siç të paskan lënë edhe ty komentet e mia.

          Megjithatë, ja ku po e bëj unë i pari përçapjen për paqe të sërishtë dhe po ju kërkoj ndjesë; ky nuk është problemi.

          Në fakt nuk ka asnjë të tillë, asnjë problem.

          Nganjëherë duhen krijuar të tillë ngacmime, ca si me zor ndoshta, që të mund të flitet. E kjo është në të mirë jo vetëm të librit tënd, por edhe të kritikës për të.

          E, nëse flasim, edhe i mëshojmë diku më shumë e diku më pak dorës. Por nuk ka asnjë arsye për të mëtuar për dashakeqësi në çdo frazë.

          Ndërsa për punën e anonimitetit nuk po di ç’të them; më pyet në privat e ta tregoj a të të dërgoj ndonjë pasaportë të skanuar. Nuk e kuptoj vërtet se ç’rol luan kjo në atë që thuhet, përsa kohë nuk po shahemi.

          Autores sidoqoftë i uroj sukses dhe jam kureshtar tash të lexoj gjëra të tjera prej saj. Kjo vlen edhe për ty natyrisht.

          Me të mira.

  7. “Në rastin e Boleros, struktura kërkon vëmendje parësore, duke filluar nga titulli, të cilit kritika e deritanishme nuk i qe referuar.”

    Me titullin e librit eshte marre vete Ardiani gjate e gjere, dhe sikurse e thashe edhe me siper, per fat te keq kritiken me te mire ja ka bere ai romanit te vete. Por gjithsesi, per ta zgjeruar diskutimin, une psh e gjej titullin jo shume te pershtashem. Me shume gjasa ka qe, me bolero, njeriu qe shef librin ne vitrine te nenkuptoje kercimin sesa pjesen e Ravel, dhe kjo dykuptimesi ja zbeh vleren. Natyrisht, per dike qe e njeh pjesen e Ravel, titulli eshte i shkelqyer (madje une nuk do e perfytyroja me nje titull tjeter 🙂 ), por sic e thashe, gjasat jane qe mendja si fillim te te shkoje te kercimi.

    “Efekti bolero është një nga çelësat kryesorë për ta shijuar romanin, jo vetëm si vepër letrare por edhe si dialog të një forme letrare me një tjetër muzikore, çka e bën Boleron një roman në dialog edhe me artin konceptual.”

    Nuk po dua te hyj ne polemika te kota, por sinqerisht dua te kuptoj (u be i dyti rast tashme) se perse valle romanit Bolero i referoheni si nje veper (edhe) e artit konceptual. Arsyetimi i mesiperm nuk me bind. Ti referohesh struktures se nje pjese muzikore (leqe ajo strukture nuk eshte karakteristike specifike vetem e muzikes) eshte shume pak per ta quajtur vepren konceptuale, them une. Duhet te kete dicka me teper sesa kaq. Po cfare ?

  8. Mirëmbrëma! Meqë po flasin njerëz që s’kanë lexuar librin, m’i bëni kabull dy fjalë, ngaqë e mbarova dje. Libri është i vështirë, i dendur me lloj-lloj impulsesh, por për habi të tërheq e të merr në vorbullën e një morie skenarësh. Nivel i lartë, e padiskutueshme. Përmendja e motiveve të përsëritura që propozon E. K. Steiner, pasqyrat, pritja, koncepti i identitetit dhe korrespondencat të shoqërojnë në mos në çdo kapitull, çdo dy-tre kapituj. Shumë i hollë vëzhgimi i personazhit që bën të futet në Guggenheim që pati përshtypjen sikur po futej jo në muze por në kishë në orën e meshës, arti i kthyer në religjion, muzeu zëvendëson kishën. E më tutje, i mendoja imazhet a shenjat vizuale që mbyllin çdo kapitull, e përfytyroja sa më të efektshme do ishin me një teknologji më të mirë shtypjeje, ose me ngjyra, por merret me mend kostoja e një luksi të tillë.
    Përgjigje për Relapson: s’jam dakort se kritika letrare duhet të jetë detyrimisht kritizere. Nuk bëhet fjalë për master a doktoraturë, ku në hyrje rreshtohen objektivat e në konkluzion jepet llogari e pritet kritikë nëse objektivat janë arritur apo jo. Kritiku i zotë ka të drejtë të shpalos se ç’e bën veprën të pëlqyeshme, sa kohë që di ta shpalos këtë, bravo i qoftë.
    Koment për E. K. Steiner: e gjej të urtë përgjigjen tuaj, të tilla ndërhyrje i duhen një kritike letrare në shpërgënj si ajo shqip. Mos u shqetësoni për negativitetin e disa njerëzve të cilëve nuk u dimë kredencialet. Është komunikim i pabarabartë, ju dilni me emër e profilin tuaj profesional, të tjerët bëjnë specialistët në anonimat. Sidoqoftë, uroj t’ju lexoj më shpesh.

  9. Pershendetje!
    Me se mund t’ju ndihmoj me pyet zonja librashitse
    E keni romanin “Bolero”?

    Ah po, e kam .Madje kam filluar ta lexoj.Interesant.Por nuk eshte roman me thote teksa e fut librin ne qese.

    Titulli librit, po te shprehemi sipas U.Eco, behet nje nga celsat e interpretimit te tij.Por as sugjerimi qe vjen prej titullit dhe as intervistat e autorit (esenca i paraprin ekzistences) nuk shterrojne perspektivat imagjinative te lexuesit kur i qaset nje teksti me hapsira shumedimensionale dhe me nje fluks idesh sikurse eshte Bolero.
    Romani mbart shenja te mjaftueshme te nje vepre postmoderne, ku narrativa strukturohet permes kendveshtrimeve te larmishme dhe polifonise se zerave, ku fabula banale e “njeriut qe pret ne platforme” rimerret per 58 here dhe ngrihet ne nivelin e metafores per paradoksin e ritualit perserites te perditshmerise (komoditet dhe monotoni e merzitshme).
    Dhe, kushedi, sikurse thote Parrulla, Bolero eshte nje parodizim i veprave postmoderne.Apo ndoshta nje parodizim i metafores borgesiane te labirinthit tashme te kthyer ne mantra filozofike dhe klishe ne fictionin postmodern.
    Teksti, pertej transparences dhe elegances se gjuhes, eshte nje labirinth i shestimeve intelektuale ku cdo syth/copez eshte nje hyrje e cila na con perhere ne uptown ku eshte ngujuar “njeriu qe pret “ dhe njeherazi, nje qasje e re dhe nje sprove per te deshifruar kumtet e situates se pritjes.
    Qysh ne sythin e pare (Ideja) autori paralajmeron se romani qe do te shkruaj do te jete nje “aventure narrative”. Nisur nga kjo, gjate e pas leximit, autorin (jo personin empirik) e perfytyrova si Penelopa qe thur e shthur pelhuren e tekstit kurse veten si Odiseu qe perjeton aventuren e leximit.
    Po,leximi (anti)romanit Bolero eshte nje aventure dhe sfide per lexuesin e provokuar nga pamjet qe ndryshojne dhe paradigmat qe alternohen ne kerkim te domethenieve te “njeriut qe pret”.
    Sipas paradigmes filozofike , njeriu qe pret eshte qenia e pa identitet , pa kujtese dhe pa vullnet, e paafte per te marre nje vendim.Nga qe nuk merr dot nje vendim, ai pret , i ngulitur ne “tani dhe ketu” e njeherazi ndjehet i vetmuar i kapur ne lakun e kohes, ne pamundesi per te komunikuar me te tjeret.
    Por pritja kthehet nje nje etike ngushelluese dhe gjuha ushqen shpresen per te ardhemen. Nga nje pikpamje tjeter pritja, qetsia, pushimi si nderpreje e levizjes dhe vijueshmerise, koagulon fluiditetin e identiteteve ne qendrueshmeri.
    Njeriu qe pret ne metro eshte shembellimi permbysur i njeriut qe rend, nxiton, vrapon drejt destinacioneve.Gjithsesi , njeriu qe pret ne shoqerine e dinamikave te levizjes dhe paranojes , eshte nje i dyshuar. Njeriu qe pret eshte gjendje, situate e cila riperseritet pafundesisht, nje situate sa racionale aq dhe iracionale, nje situate qe prodhon mitin dhe legjendat urbane. Shenjat e shumta intertekstuale e cojne lexuesin ne situata te tjera…Njeriu qe pret Mesine….Ne pritje te Godose… njeriu pret para portes se ligjit me dite e me vite…
    Romani eshte nje sociologji e erret per qytetin , per jeten ne metropolin postindustrial, per rrregullin dhe kaosin ne shoqerine e riskut , per survejimin, kontrollin e njeriut ne shoqerine disiplinare(Te gjithe e pane) Bota qe erdhi pas aksidentit (te 11 shtatorit) perjeton psikozat e frikes, dyshimin,ankthin ekzistencial, paranojen.Komoditeti sherbimeve dhe infrastruktura e sofistikuar aq sa e ka lehtesuar jeten po aq e ka ka kthyer njeriun ne automat pa vetedije. Bombardimi mediatik dhe informacioni e ka debilizuar njeriun duke e kthyer ne nje kope.Interneti dhe teknologjia e realiteti virtual e ka transformuar nderveprimin social dhe perhere e me shume po e ben te tepert kontaktin fizik.Njeriu postmodern eshte kycur ne fllusken virtuale prej nga shikon hijet e realitetit real ashtu sikurse njeriu ne guven e Platonit. Tempulli hedonizmit eshte kthyer ne Kishen e Vetmise se madhe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin