LIRIA NË PAZAR

Në çdo vend të botës me demokraci të konsoliduar, një deklaratë si ajo e Presidentit Nishani do të kishte shkaktuar debate të pafund, nga shumë sektorë të jetës sociale. Në Shqipëri pati ndonjë reagim, por jo siç mund të pritej.

Deklarata e Presidentit shqiptar, Bujari Nishani, për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, ishte përnjëmend shpërthyese, sepse fliste për konceptin e votës në demokraci, por njëkohësisht përmendte fare hapur edhe patologjitë shqiptare.

Në fillim Presidenti shqiptar u kujtoi qytetarëve se “votimi përbën një akt sublim” dhe se “vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve” për të ndërtuar të ardhmen. Më pas nënvizoi idenë e barazisë e të bashkësisë mbi të cilën bazohet vota, duke shtuar se e drejta e votës, që shqiptarët arritën me aq mund e sakrifica, është një liri e paçmuar, që duhet të dimë ta përdorim.

Më tutje, duke kaluar qartazi tek problemi i votës shqiptare, Presidenti Nishani bëri një thirrje të hapur:

Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara. […] Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë. […] Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste.

Pikat kryesore që Kreu i lartë i shtetit preku në deklaratën e tij janë vota, liria e votës dhe shitblerja e votës në Shqipëri. Tema madhore, që nuk mund të shterohen as me një shkrim, as me disa vëllime.

Reagimi që pati Mero Baze, nëpërmjet editorialit në gazetën “Tema“, mund të rreshtohet në planin e ngushtë politik, sepse këtë lloj leximi i bëri deklaratës presidenciale. Baze, mesazhin e Nishanit e konsideroi “të politizuar e regresiv”, sepse nuk pranon “alternativa të tjera të reagimit të shoqërisë në zgjedhje, siç është abstenimi, votimi i bardhë apo vota për kandidat të pavarur”. Ai dalloi në deklaratën presidenciale tri qëndrime të politizuara: thirrje për të ndëshkuar pushtetin, goditje ndaj refuzimit të sistemit nëpërmjet votës, ndihmë ndaj opozitës. Në thelb, interpretimi i Mero Bazes duket reduktiv, konjuktural e jashtë këndvështrimit që duam të adoptojmë këtu.

Në të vërtetë, problemi i shitblerjes së votës është shumë më kompleks e mund të lexohet nga disa pikëpamje. Së pari, duhet të themi se shitblerja e votës si çështje shkon përtej zgjedhjeve lokale, ndaj nuk duhet ta lidhim vetëm me kontekstin e afërm. Problemi ka të bëjë me konceptin e votës së lirë në demokracinë shqiptare, që prek themelet e kulturës politike të vendit.

Presidenti nuk foli vetëm për një problem themeltar të demokracisë, votën e lirë, por edhe për një vepër penale të parashikuar nga Kodi i Penal, i cili e ka kodifikuar qartë me nenin e mëposhtëm:

Neni 328

Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve (Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)

Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Juridikisht kemi të bëjmë me një denoncim të rëndë. Presidenti mund t’u shtonte shqiptarëve se shitblerja e votës konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me burg e gjobë. Megjithatë, kjo nuk do t’i ndryshonte shumë gjërat, përderisa nuk kemi dëgjuar për procese kundër atyre që ofrojnë e marrin parà për votën. Por nuk duhet të harrojmë se çdo akt shitblerjeje, me diferencat e përgjegjësitë e duhura, ka dy subjekte që veprojnë mes tyre.

Por ajo që bën më shumë përshtypje është përsëritja në deklaratë e konceptit të “lirisë së votës”. Për hir të saktësisë, liria e votës ndryshon nga e drejta e votës, sepse mund ta kesh të drejtën, por në praktikë e ke të vështirë ta ushtrosh atë, ose nuk i ke kushtet e duhura për ta ushtruar lirisht. Natyrisht, edhe pse vajtja tek kutia e votimit përbën detyrë qytetare, askush nuk mund të detyrohet me zor që të votojë, pra është e drejta e gjithkujt të mos marrë pjesë në votim, ose të votojë skedë të bardhë, ose të shkarravisë mbi votë. Por mjafton të njohë kuptimin e pasojat e aktit të votimit.

E këtu hyn medoemos koncepti i lirisë së votës, që do të thotë në thelb të jesh i lirë të zgjedhësh. Për këtë mund të shkruhet pafund, por me lirinë e votës duhet të kuptojmë së pari se duhet të jesh në gjendje të zgjedhësh. E kaluara jonë na mëson se zgjedhja varet edhe nga oferta. Kur kandidatura është e vetme nuk mund të flasësh për zgjedhje, por edhe kur kandidaturat prezantohen si me letër kopjative, ose si shprehje e një kaste, nuk është se kemi të bëjmë me zgjedhje në kushte ideale, sepse nuk mund të zgjedhësh mes binjakësh.

Shkrimtari italian Roberto Saviano, i dashur për publikun shqiptar, shënonte vite më parë se dëshpërimi në jug të Italisë arrin deri atje sa njerëzit ta shesin badihava votën e vet, për gati 50 euro. Në të njëjtin shkrim Saviano e lidhte këtë mynxyrë me përçmimin e politikës nga ana e qytetarëve dhe me perceptimin e saj si vijim i aferave private në sferën publike. Me fjalë të tjera, vota shitet edhe kur politika e humb vlerën dhe prestigjin e saj, kur shihet si menaxhim pushteti për fitime personale dhe jo si mjet për të krijuar e realizuar projekte në të mirë të bashkësisë. Detyrimisht të vjen ndër mend edhe realiteti shqiptar.

Por liria e votës është koncept edhe më i gjerë, sepse ka të bëjë me aftësinë e individit për të zgjedhur, çka nuk rregullohet vetëm me ligj ose me ftesa publike; e as me varg procedurash për kutitë e votimit dhe për komisionet zgjedhore. Presidenti shqiptar bën mirë që vë gishtin në plagë, bën mirë që i fton qytetarët ta vlerësojnë lirinë e çmuar të votës, e të mos bien në kurthin e shëmtuar të shitblerjes, por të gjitha këto kanë të bëjnë me idenë e qytetarisë demokratike dhe me kulturën politike, që kërkojnë angazhim e kohë të ndërtohen, nga poshtë por edhe nga lart. Një individ i pavetëdijshëm për rëndësinë e votës, nuk e ushtron lirinë, sepse nuk është qytetar i lirë mendërisht; e ca më keq nëse ai nuk e ushtron lirinë e votës se nuk ka besim tek vlera e saj, ose e shet atë sikur të ishte plaçkë. E politika nuk mund ta ndjejë veten jashtë përgjegjësive.

“Liria e votës”, dy fjalë që nuk duhet të lihen në heshtje… Edhe pas votimeve.

Nuk ka komente

  1. Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë.

    Nishani ka qelluar ne nishan me kete fjali !

    Nese media duhet te bente kritika (sikur Shqiperia te kishte media te mirfillte) duhet te thoshte turp te kene Rama, Basha, Meta e te gjithe kryetaret e tjere te partive qe nuk i bejne thirrje te ngjashme popullit per te mos shitur voten. Por dhe reportazhe per vote-shitjen, si dhe faktin qe edhe kur keto ngjarje dalen ne siperfaqe (si p.sh. blerja e votave ne Korce me 20 mije lek te vjetra fill pasi Rama e rilindi situaten) ato neutralizohen nga sistemi te cilin do ta ndryshonte Rama me Meten. Por dhe editoriale e analiza ku te shpjegonte se shitja e votes vertet mund te te zgjidhe nje hall te momentit (ne shumicen e rasteve thjesht nje premtim, i cili nuk materializohet) por ama eshte e garantuar te te mbaje skllav te nje sistemi oligarkesh, sistem i cili punon ka 25 vjet per nje dore njerezish, jo per popullin, bile mbi popullin.

    Ne mund te kritikojme Nishanin per faktin qe kete thirrje nuk e ka bere me pare, por kurrsesi nuk mund te merobazohemi. E vetmja gje qe ja vlen ne kete rast me permendjen e Bazes eshte humuri tek fakti qe nje njeri si Mero Baze, i cili me pasion ka bere mashen e PD dhe PS prej kaq vitesh […] i ben akuza politizimi dikujt tjeter.

    Aq me teper qe Nishani–edhe pse duhet te sillet si jopolitik–vjen faktikisht nga nje parti politike, se ashtu eshte ligja elektorale ne Shqiperi. Ndryshe nga Baze i cili supozohet t’i perkase ne pushteti te katert, nje pushteti i cili mban nen kontroll politiken, ne vend qe ti sherbeje asaj nga jashte perimetrit te politikes/partive.

  2. Ne terminologjine e perditshme rralle behet dallimi me “lirise” dhe “te drejtes”, por ne thelb shpjegimi qe ben Pishaku eshte korrekt.
    Problemi me lirite eshte se ato jane abstrakte, ndersa te drejtat jane literale, te pranuara e konsakruara ne kushtetuta. Te drejtat nuk jane vecse kinse liri, por ne formatin e tyre te fundem, te dakordesuar kryesisht nga elitat.
    Nese lirite jane per nga perkufizimi burimore, genuine, te vetvetishme, natyralisht te lidhura me lindjen njeri dhe element sine qua non i dinjitetit dhe integritetit njerezor, te drejtat jane te vendosura dhe te lidhura me “detyrime” respektive. Prej ketej edhe te kufuzuara e te kufizueshme.
    Megjithese njerez, shqiptaret (sikunder edhe popuj te tjere te botes) nuk kane pasur historikisht kapacitetin (si nje popull i tere) te identifikojne lirite qe iu perkasin thjesht e vetem sepse lindin njerez, individualishte. Pa dyshim qe ky eshte nje deduksion i kritikueshem dhe semplist, por te cilit ne thelb i qendroj, ndaj edhe e shpreh. E kam djalen per lirite qe na shoqerojne qe ne lindje si aureole zotash. Edhe popuj te perparuar (si anglezet, francezet a gjermanet) nuk kane arritur ta shohin kete “drite” ne te gjitha ngjyrat perberese dhe qe ne fillesat e historise se tyre moderne, por ne kemi qene thellesisht miope ne kete drejtim. Duke mos i perjetuar si karakteristika te brendshme e te patjetersueshme te qenies sone keto liri, pasoja eshte mungesa e respektit dhe per “te drejtat” kushtetuese te prejardhura prej tyre. E thene ne menyre me poetike, dinjiteti njerezor (si produkt i perftuar nga gezimi koshient i lirive te njohura) eshte karakteristike qe mbarset se brendshmi per tu shpallur me pas me zgjedhje te vullnetshme dhe nuk mund ti “vishet” dikujt si nje xhakete qe blihet a dhurohet.
    Prej ketej edhe mungesa e vleresimit per te drejtat.
    Keto te fundit, paradoksalisht, duket sikur per popuj te vobeket si ky i yni, jane te destinuara edhe per kohe ne vijim te vuajne fatin e gjenezes se tyre, duke qene produkte te nje pazari fillestar mes pushtetareve dhe qytetareve. Ne realitetin ekonomik-kulturor ku sendertohen e marrin jete keto te drejta, nuk konsiderohet aspak blasfemi ritregtimi i tyre i vazhdueshem, perkundrejt vlerave te arsyeshme por ne cdo rast amorale apo edhe te paligjshme. Kur them “te arsyeshme” nuk dua te perligj shitjen e votes, por e kuptoj ate nen driten e qiririt te mjerimit,,,
    Per ta perfunduar kete koment, s’me mbetet vecse qe me nje fare buzeperdredhje shkaktuar nga hidhesia e pesimizmit, te pranoj se fenomeni do te vazhdoje te na shoqeroje ne rrugetimin tone te saponisur drejt nje demokracie efektive e te konsoliduar edhe per shume vite ne vijim, ndoshta per te mos u zhdukur asnjehere plotesisht. Ne nderkohe, shkrime si ky, apo thirrje si ajo e Presidentit, ne parim jane gjithmone te duartrokitura.

  3. Blerja/shitja e votes eshte futur si praktike ne Shqiperi ndoshta me vonese, me pasoje vdekjeprurese per cfaredo progresi ne Shqiperi.

    Ndersa Presidenti i ben thirrje shqiptareve te mos ta shesin voten duke u bazuar ne aspektet etike dhe morale te aktit te votimit, duhet qe nje tranzaksion i tille te denohet me ligj si vjedhje e votes(si nje nga aspektet e election fraud).

    1. Presidenti (pavaresisht motiveve apeli i tij eshte kenge qe duhet kenduar nga te gjithe) besoj ben apel moral pikerisht ngaqe s’ben dot gje ligjerisht, ngaqe celsat e kashtes i kane lene si pozite, aq me teper me nje super-mazhorance ne Kuvend si kjo Rama-Meta.

      Ne fakt edhe sikur Rama vete te ishte i impenjuar per te luftuar korrupsionin nuk eshte se do ta ndryshonte dot situaten brenda dites a vitit, ashtu sic ai sistem nuk u instalua per nje dite a vit. Ky sikur-i ishte thjesht per arsye argumenti se ne fakt Rama gjene e pare qe beri ne kete drejtim sapo erdhi ne pushtet ishte qe te dergonte Ermal Beqirin per te formatuar serverin e tatimeve naten ne fundjave.

    1. Xha Xha,

      meqenese eshte hera e dyte qe kjo ndodh me shkrimet politike te Pishakut, me duket ky eshte nje komplot i kurdisur me qellimin e vetem per te te futur ne sherr me qeverine. Lind pyetja, a ka gisht Pishaku ne kete mes apo jo? 🙂 🙂

      1. Relapso, ma çore maskën! M’i nxore lakrat në shesh. Edhe mua po më brente dyshimi për qëndrimin tim, se nuk interpretohet ndryshe kjo heshtje e gjatë. Përse unë nuk protestoj ndaj gazetës? Përse nuk e mpreh lapsin? Përse nuk i hedh në gjyq për paaftësi në kopjim? Të më kapësh mua nuk është e vështirë, e pamundur është të gjesh kush fshihet pas meje. E këtu mund të bëjmë emra plot. Edhe tëndin … 🙂 🙂

        1. “E këtu mund të bëjmë emra plot. Edhe tëndin …”

          Dakort jam! Se ne fakt shkrimeve te tua do t’u vija firmen pa medyshje edhe une. Po ç’taksirat ka Xha Xhai thuaj! 🙂 🙂

  4. Kur e pashë se edhe gazeta Tema, përveç Lapsi-t, e kishte marrë dhe botuar shkrimin tim me emrin e Xhaxhait, m’u desh ta marr më seriozisht problemin. U kërkova të dy gazetave ta korrigjojnë autorësinë menjëherë, edhe në të mirë të kolegut Xhaxha, që nuk ka taksirat të hajë të shara badihava.
    Në përmasat e veta modeste e komike, edhe ky rast na tregon diçka nga mënyra se si funksionojnë mediat shqiptare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin