ARTI KONCEPTUAL NË SHQIPËRI

nga Adelina Nikolla

Për të huajt, Shqipëria nuk njihet shumë. Ata pak që e kanë dëgjuar, e njohin kryesisht nga lajmet për politikën e dhunshme dhe të korruptuar, për mafien e trajtuar shpesh në filmat e Hollivudit dhe, në raste më të rralla, për vajzat dhe bregdetin më të bukur në botë. Por fokusi pothuajse ekskluziv tek këto lajme e ka bërë pothuajse të pamundur të shihen disa zhvillime të rëndësishme që e veçojnë Shqipërinë nga shumë vende të tjera: flasim për praktikimin e artit konceptual dhe performativ në pothuajse çdo fushë të jetës në vend.

Duke qenë se ka pak shqiptarë të papërfshirë në këtë art, më poshtë do të analizojmë vetëm disa shembuj përfaqësues të cilët, shpresojmë, do t’i japin një ditë gjithë vendit të drejtën të vetë-përfaqësohet në Bienalen e Venecias dhe evenimente të tjera arti.

Fillojmë me atë që konsiderohet si arti më i përhapur dhe i ndjekur në Shqipëri, muzikën – që, siç do ta shohim më poshtë, nuk është realisht më i ndjekuri.

Kohët e fundit femra unanimisht e pranuar si më e bukura në Shqipëri, Luana Vjollca, ka sjellë një këngë mjaft të pëlqyer, të titulluar “E jemja”, por shumë pak e kanë kuptuar simbolizmin e kësaj artisteje konceptuale par excellence. Zgjedhja e fjalëve “e jemja” dhe jo “i imi” nënkupton një kritikë të thellë ndaj hetero-normativitetit: artistja jo vetëm që shpreh dashurinë dhe posesivitetin ndaj një qenieje me gjini qëllimisht të fshehur, por transformimi i look-ut të saj gjithmonë e më tepër si “drag-queen” është njëkohësisht një kritikë ndaj objektifikimit të femrave dhe idesë se meshkujt trans nuk janë tërheqës për meshkuj që e konsiderojnë veten macho-heteroseksualë. Fakti që kjo artiste adhurohet nga shumë nga këta meshkuj “macho” si dhe vajza të reja që duan ta imitojnë, është rezultat i suksesit të mesazhit të qartë – por artistikisht të nënkuptuar – që është qëllimi i vetëm i artistes me këtë vepër. Me pak fjalë, me këtë këngë, artistja na kërkon të gjithëve t’feel-ojmë problemin gjinor në vend. Screen Shot 2015-05-19 at 2.48.10 PM

Një tjetër artist konceptual që ka tronditur skenën e artit në Shqipëri është “Stresi”. Emri i përzgjedhur i artistit është kritikë ndaj jetës së sotme, në të cilën të qenit “busy”, i/e zënë, është kthyer në kult. Ndërkohë, artisti na lë të kuptojmë, kjo është thjesht një mënyrë për sistemin neoliberal të nënshtrojë punëtorin dhe popullin në përgjithësi, dhe rezulton në një “stres” që ndihet nga kushdo. Lufta e tij ndaj sistemit vihet re jo vetëm në këngët e suksesshme, por edhe në inskenimin e arrestit dhe më pas arratisjes nga një komisariat policie. Për më tepër, në këngën me titull “Lamtumirë”, një pjesë e tekstit është “më mir thikat i duroj edhe plumbat i pranoj… unë do vdes për ata që m’dun” dhe nëpërmjet këtyre pak fjalëve, artisti shpreh dy qëndrimet e tij kryesore politike. Në radhë të parë, dhe duke u bërë jehonë shkrimeve të Franc Fanon, Stresi këtu shpreh mbështetjen e tij për idenë se dhuna është jo vetëm e pranueshme, por shpesh është arma e vetme e të nënshtruarit. Gjithashtu, duke zgjedhur një gjuhë me ca fjalë të përzgjedhura që tingëllojnë pak si dialekt geg – po ashtu si Luana Vjollca në këngën më sipër – Stresi lufton racizmin krahinor në Shqipëri dhe shpreh mundin e tij për rehabilitimin e një artisti shumë më pak të njohur se vetë Stresi, Martin Camaj, edhe pse ky i fundit nuk mund të krahasohet me Stresin për nivelin e lartë të gjuhës apo poezisë së tij. Së fundmi, brenda një teksti kaq të shkurtër, Stresi shpreh gjithashtu mbështetjen e tij për të drejtat e femrës, një shtresë gjithmonë e nënshtruar, nëpërmjet një fraze ku nuk pranon që vajza t’i quajë puthjet e tyre “ilegale”. E parë brenda kontekstit shqiptar, kjo është kritikë për patriarkalizmin që detyron femrat të fshihen nga baballarët apo vëllezërit kur bëjnë gjënë më normale të të puthurit të të dashurit të tyre.

Por të kalojmë tani tek arti konceptual realisht më i përndjekur në Shqipëri: politika. Shpesh politikanët shqiptarë janë kritikuar për jetesën e tyre tepër ekstravagante dhe konsumerizmin e tyre pa limit. Por ky është thjesht një keqkuptim i artit të tyre. Mjafton të shohësh makinat përpara godinave qeveritare si dhe veshjet super të shtrenjta të tyre për të kuptuar se nëpërmjet përvetësimit të konsumerizmit, ata po shprehin kritikën më absolute ndaj tij. Ky lloj përvetësimi vë në pah absurditetin e neoliberalizmit në Shqipëri nëpërmjet kontrastit të jetës së politikanëve dhe ne të tjerëve. Ky lloj arti është krahasuar nga kritikë të njohur me kanoçen e supës të pikturuar nga Andi Uarholl: është përsëritja pa fund e të përditshmes e cila na bën ta shohim atë me sy tjetër dhe të ekzaminojmë vetë ekzistencën tonë.

Ashtu siç shkruan edhe znj. Spiropali mbi këtë temë, “pasuria në vetvete është diçka që edhe malet e fushat e njohin. Edhe hunda ia ndjen shijen. Ndryshe, përse shohin lart dhe i buzëqeshin diellit?” Arti i kësaj politikaneje (por, siç po shpjegojmë, thjesht një artiste e maskuar si e tillë) kuptohet edhe nga pakuptueshmëria e atyre që shkruan: shihni Klod Deden, një artist konceptual i vetëshpallur, për të kuptuar se sa e nevojshme është pakuptueshmëria e atyre që thuhen në vetë përkufizimin e artit. Por, në fund të fundit, të dy këta artistë me pakuptueshmërinë e tyre duan të nënvijëzojnë problematikën e komunikimit si rezultat i neoliberalizmit: jemi të gjithë kaq pre e konsumerizmit dhe krijimit të një imazhi të jashtëm që kërkon ndrydhjen e asaj/atij që realisht jemi, sa nuk jemi të aftë të komunikojmë qartë. Spiropali dhe Dedja thjesht na e vënë në pah këtë problem nëpërmjet moskomunikimit të tyre në artet reciproke.

Së fundmi, zgjedhjet lokale janë performanca e fundit e këtyre politikanëve artistë. Kandidati Kosova në Tiranë është mjek gjinekolog: por shumë pak vetë e kanë kuptuar se fakti që ai është marrë gjithë jetën e tij me lindjet reale, është një lojë mbi konceptin e “ri-lindjes” abstrakte pasi na vë në pah se nuk ka realisht rilindje në vend. Fatkeqësisht, ironia e artit të Kosovës është neglizhuar për shkak të kuratorëve të tij të paaftë (gjithkush në PD).

Ndryshe nga Kosova, kandidati Veliaj ka kuratorë mjaft të aftë. Nëpërmjet artit të tij fotografik ai vë në kontrast një Tiranë të bukur, ku njerëzit vetëm buzëqeshin dhe duken mjaft të lumtur dhe plot pozitivitet, me atë Tiranë që ne njohim. Është pikërisht distanca midis botës imagjinare të Veliajt dhe asaj që ekziston që ka për qëllim të shtyjë publikun në pyetje të thella vetë-ekzaminimi, të tipit: A e zgjidh buzëqeshja çdo problem ekonomik?

Ndryshe nga mediat e huaja që nuk e kanë kuptuar akoma se gjërat në Shqipëri nuk janë aq keq sa ç’raportohen dhe se politika, arti dhe popullsia në Shqipëri janë thjesht artistë konceptualë, mediat në vend e kanë më se të qartë këtë fakt. Një sy i shpejtë çdo botimi të ditës vë në pah se si, nëpërmjet artit, mediat kritikojnë objektifikimin e femrës nëpërmjet artikujve me tituj si: “gjoksi i saj shpërthyes të çmend”, “ufff!! kujdes çuna se ajo është e nxehtë”, apo “s’ka faj filani që e la se kjo ka celulit.” Ndërsa emisione televizive që lënë një natë të veçantë të quajtur “Ladies’ Night” ku femrat diskutojnë për problemet thelbësore të femrave në vend – të tipit thonjtë, flokët, a duhet të jesh femër e mbajtur, si ta besh të dashurin për vete, etj. – e çojnë qëllimisht patriarkalizmin në absurditetin e tij logjik, në mënyrë që publiku të fillojë më në fund ta marrë atë në pyetje. Edhe përsëritja e lajmeve politike në media pa një analizë të mirëfilltë të këtyre akteve, është thjesht një mund për të përcjellë artin origjinal të politikanëve pa e përlyer atë dhe pa prishur mesazhin kryesor të tij.

Si përfundim dhe duke qenë se shqiptarët janë të obsesionuar me idenë e të fituarit të çmimeve jashtë dhe të ekzagjerimit të çdo lloj “lajmi” ku një shqiptar prezantohet në çfarëdolloj evenimenti pa ndonjë rëndësi – një rezultat i vetë-diskriminimit shartuar me krenari pa bazë – shpresojmë se ky artikull mund të bëjë të qartë rolin qendror të artit në Shqipëri dhe t’i japë fund një herë e mirë imazhit negativ të Shqipërisë. Pasi gjërat nuk janë asnjëherë ashtu siç duken, por as ndryshe nga ç’duken nuk janë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin