AVENTINO

Njerëz të pajisur me durim e me aparate fotografike, që presin në radhë përballë një porte të madhe. Këtë skenë të pazakontë mund ta shohësh në Romë, në kodrën e famshme Aventino.

radha-perpara-portes-AventinoPër ata që e njohin mirë Romën, kodra Aventino është një nga të shtatë kodrat ku, sipas mitit, qyteti i lashtë hodhi themelet e para. Madje, pikërisht nga kjo kodër Remo numëroi zogjtë që fluturonin përreth, porse më pak se binjaku Romolo, i cili nga kodra përballë Palatino vuri re një numër më të madh zogjsh, duke fituar kështu në interpretimin e shenjave të perëndive. Më pas zënka mes binjakëve të rritur nga ujkonja, vëllavrasja e papritur dhe themelimi i Romës.

Pra Aventino nuk është kodër dosido e Romës, bën pjesë që në fillesat e saj. Për t’ia bërë historinë duhen vëllime të tëra, duke filluar më herët se shekulli i katërt para erës sonë, kur kodra iu dha si pronësi plebenjve, të cilët filluan të ndërtonin atje banesa e vende kulti. Nga ana tjetër, patricët parapëlqenin të jetonin në kodrën përbri. Shekuj më vonë, Aventino u kthye në zonë aristokratike, ku kanë pasur banesat e veta njerëz të rëndësishëm të asaj epoke, si p.sh. perandorët Trajan e Adrian.

pamja-nga-aventinoPo aq e pasur me histori është periudha e krishterë, mesjetare e moderne. Udhëtarët e sotëm do të shijonin jo vetëm pamjet mahnitëse nga Kopshti i Portokajve (Giardino degli Aranci), që e shikon nga lart qytetin e Romës, por edhe disa vende të tjera po aq mbresëlënëse si bazilika “Santa Sabina”, i Shenjtorëve Bonifaci e Aleksi dhe kisha e “Santa Prisca”. Por vendet e monumentet për t’u parë janë të panumërta.

Kjo kodër ka hyrë edhe në gjuhë. Kush e njeh italishten dhe e ndjek me vëmendje politikën, do ta ketë dëgjuar shpesh shprehjen Fare l’Aventino (të bësh Aventino-n), ose Ritirarsi sull’Aventino (të tërhiqesh në Aventino). Kjo shprehje tregon një veprim që ndeshet shpesh edhe në politikën shqiptare. Me pak fjalë, do të thotë të bojkotosh një aktivitet ose nismë nëpërmjet mungesës tënde. Në Romën e lashtë republikane, plebenjtë me synimin që t’u tregonin patricëve se nuk ishin vetëm gojë për t’u ushqyer, por të domosdoshëm për jetën e qytetit, u larguan në shenjë proteste dhe u tërhoqën, nën udhëheqjen e Agripas, pikërisht në kodrën Aventino. Mungesa e krahëve të punës, që në atë kohë sigurohej nga plebenjtë, bëri që patricët të binin disi në ujdi.

Në gjuhën politike ky term hyri në shekullin e njëzetë, me shkëputjen e parlamentarëve opozitarë të qeverisë fashiste (27 qershor 1924). Pas vrasjes së Matteotti-t, parlamentarët e opozitës vendosën të mos merrnin më pjesë në punimet parlamentare, derisa një qeveri tjetër t’i rivendoste liritë demokratike. Kjo protestë rezultoi pa sukses, sepse mbreti ia dha besimin Musolinit dhe dy vjet më vonë, parlamentarët që u tërhoqën në protestë e humbën mandatin e tyre politik.

Prania e turistëve përballë portës në kodrën e famshme nuk ka drejtpërdrejt lidhje me këto gjëra, por me Vilën magjistrale të Urdhrit të Kavalierëve të Maltës. Sheshi me të njëjtin emër (Piazza dei Cavalieri di Malta) u projektua rreth vitit 1765 nga Giovan Battista Piranesi. Legjenda thotë se ky arkitekt ishte në të vërtetë admirues i Urdhrit të Kavalierëve Tempullarë, si rrjedhim e ka mbushur kodrën plot me simbole e referime ende për t’u deshifruar. Ka nga ata që e konceptojnë Aventinon si një anije të shenjtë, që herët a vonë do të niset drejt Tokës së Shenjtë.

vrima-e-celesitEdhe vetë vrima e çelësit, nga ku shohin turistët që presin në radhë, ka diçka misterioze. Që andej, pra nga vrima e portës së vilës së Kavalierëve të Maltës, mund të shikohet në perspektivë, duke përshkuar pemët në formë tuneli, kupola e famshme e bazilikës së Shën Pjetrit, atje ku gjendet Vatikani.

Vrima e çelësit është përshoqëruar gjithnjë me aktet e voyeurizmit, por askush nuk guxon ta bëjë në këtë rast. Përballë kësaj porte nuk ka vërshuar kurrë turizmi masiv, që parapëlqen vende të tjera të kryeqytetit italian. Këtu vijnë kryesisht ata që duan ta shijojnë peizazhin në një atmosferë shpirtërore gati enigmatike, të amplifikuar nga ndërtesat, rrugët, arkitekturat, pemët, heshtja, pishat, macet, oborret, cicërimat e zogjve.

Deri pak kohë më parë, para se të shpikeshin aparatet digjitale dhe së fundi celularët inteligjentë, radha jo vetëm ishte e vogël, por ecte shpejt, madje kishe shansin ta admiroje sërishmi kupolën e Mikelanxhelos. Me pak fat, mund të gjendeshe i vetëm e të admiroje ekskluzivisht e në heshtje religjoze. Ti, porta, vrima e çelësit, Cupolone

celulari-vrima-aventinoTashmë është pothuajse e pamundur. Turistët e huaj dhe vendas, pasi hedhin një sy nga vrima, përpiqen ta fotografojnë, po kjo nuk është e lehtë sepse duhet aparat i mirë, për t’i shmangur problemet e dritës e të fokusimit. Që këtej edhe orvatjet, herë dështake, herë të suksesshme, kur nuk duken qesharake, për ta përjetësuar pamjen e jashtëzakonshme përtej portës. Ndonjëherë gjendesh në kufijtë e paedukatës, sepse të tjerët presin në radhë ndërkohë që dikush ushtron amatorizmin në fotografi. A thua ta prish shijen estetike kjo tentativë teknologjike për t’i përjetësuar emocionet? Ato shkrepje të njëpasnjëshme, mos e vrasin vallë ndjenjën e së bukurës? A mund të riprodhohet ajo ndjenjë e çastit?

Sidoqoftë, pamja që shikon pas vrimës së çelësit, por edhe vetë ideja, ka diçka sugjestive, fine, artistike, befasuese, fisnike e njëkohësisht magjepsëse, çka t’i largon menjëherë mendimet negative, duke u lënë vend natyrshëm habisë fëmijërore dhe interpretimeve intriguese, që detyrimisht gumëzhijnë në mendje, edhe për shkak të vetë kornizës së lashtë, kodrës Aventino, ku e mistershmja dhe mistikja ndërthuren, shkrihen e zgjaten në perëndimin e praruar të Romës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin