KËPUCËT KINEZE TË PARKVILLE-IT

Ata që e ngritën qytetin Parkville vonë në Mesjetë, nuk kishin si ta përfytyronin që, pas disa shekujsh, banorët do të kalonin orë të tëra, çdo ditë, duke kërkuar një vend për të parkuar makinën.

Parkville kish oborre të mrekullueshme, porta mbretërore, hajate të hapësirshme, stalla të bollshme, salla të mëdha shfaqjesh, sallone princërore, sheshe të denja për Papët dhe perandorët – por vende parkimi atje s’gjeje dot.

Me kohë, arti i të parkuarit u shndërrua në palestrën pan-urbane ku komuniteti qytetës riprodhohej nëpërmjet negocimit të hapësirës përkatëse.

Televizionet transmetonin live parkime pothuajse në kufi të së pamundurës dhe shpërndanin çmime për Parkuesin e Vitit; reality shows simulonin situata dhe sfida ekstreme; teksa në shkollat publike studiohej me detyrim Teoria dhe Praktika e Parkimit, përfshi gjeometrinë e hapësirave të ngushta dhe manovrat e avancuara katër-rrotëshe.

Kush i kish mundësitë, paguante parkues të përkohshëm makinash shkatërraqe, atje ku dëshironte të linte makinën e vet gjatë ditës edhe kur nuk paguante roje të armatosura. Të tjerë, pasi gjenin vende ideale për t’i lënë makinat, vendosnin të mos i lëviznin më.

Qëllonte që dikush blinte një makinë të re akull, dhe rrugës për në shtëpi gjente pastaj një vend parkimi që s’e kish parë as në ëndërr: dhe ashtu kënaqësia e një arritjeje të vështirë fitonte ndaj eksitimit për të përdorur makinën e re.

Arti i parkimit të makinës tërhiqte gjithnjë e më shpesh gjithfarë aventurierësh dhe eksperimentuesish, të cilët kishin sajuar mënyra për t’i futur e sistemuar makinat e tyre në vende nga më të pamundshmet, përfshi parkimin vertikal, pseudo-parkimin, parkimin diferencial, anash-parkimin, kripto-parkimin, hiper-parkimin dhe kundër-parkimin.

Me kohë, vështirësia – praktikisht pamundësia – për të parkuar, pati një efekt paradoksal: reduktimin e trafikut. Qytetarët nuk i përdornin më makinat, që nga momenti kur i parkonin. Ato pak mjete që i shihje të vërtiteshin rrugëve, ishin thjesht në kërkim të një vendi të përshtatshëm për t’u prehur përfundimisht, me drejtuesit të përhumbur në mendime, të përmallur për njerëz dhe të gërryer urie.

Ndodhte edhe kështu: kur dikush nuk arrinte të gjente një vend parkimi afër shtëpisë, atëherë detyrohej të ndërronte shtëpi, për t’iu afruar vendit ku kish parkuar.

Edhe atëherë kur banorëve u duhej të niseshin për rrugë të gjatë jashtë qytetit, këta nuk guxonin ta nxirrnin makinën e tyre nga parkimi – sepse asgjë nuk do ta përligjte pastaj kohën e shkuar dëm, në përpjekje dëshpërimtare për të parkuar sërish.

Vizitorëve në Parkville u bënte përshtypje pamja e rrugëve të blinduara me makina në të dy anët, por ku gjithkush qarkullonte me këmbë, me biçikletë, me patina, me skateboard ose me segway.

IMG_2392Makinat e parkuara, dhe shpesh përfundimisht të amortizuara nga mospërdorimi, ishin kthyer tashmë në pjesë statike të peizazhit aq sa të shënoheshin deri edhe në hartat Google dhe në planimetritë urbane që u jepeshin falas turistëve në hotelet. Të parkuarat më herët, si ato të viteve 1960 ose 1970, mund t’i dalloje falë pllakëzave të posaçme të porositura nga Bashkia, ku njoftohej viti i parkimit dhe emri i pronarit. Banorët po fillonin të orientoheshin me anë të tyre – duke lënë takime, bie fjala, te Citroën-i i zotit Strunz, ose te Fiat-i i dytë i familjes Fahrrad.

Në shkollat, teoria dhe praktika e parkimit dhe gjeometria e hapësirave të ngushta zinin gjithnjë vend qendror në kurrikulumet, por tashmë si dije matematike abstrakte ose forma të artit, pa ndonjë aplikim praktik në jetën e përditshme. Shumica e vendësve tanimë nuk mësonin kurrë ta ngisnin makinën, përveç familiarizimit me predhat uturitëse të Formula Uno-s, mjeshtëri që u duhej për të shkëlqyer në video-lojërat.

Ata që e ndërtuan qytetin Parkville vonë në Mesjetë, nuk kishin si ta përfytyronin që, edhe pas disa shekujsh, jeta në qytet do t’i ngjante gjithnjë asaj të dikurshmes, për shkak të mungesës së hapësirës; njëlloj si këmbët e zonjëzave kineze dikur, të cilave u jepnin me zor trajtën e thundrave të kalit, nëpërmjet këpucëve llahtarisht të ngushta.

Nuk ka komente

  1. E lexova edhe nje here tregimin. Eshte i mrekullueshem, nje drejteshim i pashoq midis ideve dhe fjaleve, formes e permbajtjes. E megjithate, nuk jam i sigurte se ai paragrafi i fundit i shton gjesendi, edhe pse ngjan qe autori ta kete perzemer (perderi sa e ka nxjerre edhe ne titull). Perkundrazi. Gjithmonse sipas mendimit tim, tregimi ka vlera universale, ne kuptimin, qe eshe nje koncept a modul qe gjen hapesire shpjegimi edhe jashte sferes te themi urbanistike, ku eshte vendosur niveli i tij i pare i narracionit. E pikerisht ketu del problemi me paragrafin e fundit. Gjithmone, sipas mendimit tim, ai e limiton interpretimin e tij ne nje dimension te caktuar, ne ate te hapsires fizike, nderkohe qe tregimin (me mire parabolen) e shoh te gjeje vend edhe f.v.j. ne shterngesen intelektuale (nje mendim i trasheguar te cilit i rrime besnik gjithe jeten e qe pastaj na kthehet kunder nesh etj.), madje edhe ne ate politike (shndërrimi e shperfytyrimi i njerezve qe detyrohen t’u rrine strikt nje trashegimije folklorike a mitologjike, nje ideologjije te trasheguar a te dale kohe (me pasojet qe i njohim mire, ndersa perpiqemi t’i pershtatemi ne nje shekull tjeter) etj, etj..
    Gjithmone sipas mendimit tim:-))

  2. Sikurse edhey Lyss, edhe unë e gjej problematik paragrafin e fundit, por jo për shkak të këpucëve kineze – konkluzioni më duket se është i gabuar!

    Mendoj se jeta në Parkville duket se ka mbetur pikërisht ashtu siç e kanë pas përfytyruar, ose njohur, ata që e kanë ndërtuar. Ndoshta ata vërtet kanë dashur të ndërtojnë qytetin e të ardhmes, porse në fakt ndërtuan qytetin utopik, atë të “pandryshueshmin”.

    Megjithatë shkrimi është i mrekullueshëm dhe argëtues.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: