NJË KONFERENCË PËR MËRZINË

Qëkur jam larguar formalisht nga Akademia prej vitesh, nuk më qëllon të marr pjesë shpesh në konferenca, simpoziume, seminare e kështu me radhë – e megjithatë, ndonjëherë dikush kujtohet të më ftojë dhe unë, sërish kur kam mundësi, ia pranoj ftesën me falënderime; ose sipas rastit ia refuzoj ftesën prapë me falënderime.

Ka qenë tradicionalisht nder dhe mirënjohje për studiuesin a pedagogun, kur i japin mundësinë të referojë para kolegëve të vet.

Ka qenë, por a është më?

Më duhet të rrëfej se në konferenca, simpoziume dhe seminare unë mërzitem për vdekje. Ndoshta ngaqë nuk e kam dhuntinë e të ndjekurit për një kohë të gjatë dhe me vëmendje të pandërprerë të dikujt që flet në publik; ndoshta ngaqë materialet e paraqitura në tubimet ku kam marrë unë pjesë kanë qenë për mua vërtet të mërzitshme për vdekje.

Për respekt të kolegëve që kanë lexuar referate e kumtesa ku unë kam qenë i pranishëm, po marr për të mirëqenë hipotezën e parë.

Meqë edhe nuk dyshoj se njëlloj janë përcëlluar në zjarr të ngadalshëm shumë prej atyre që (kanë bërë sikur) më kanë dëgjuar mua të flas.

Empty Chairs in Conference RoomKur të qëllon të ngjitesh në podium dhe të fillosh të lexosh, me jakën e këmishës që po përpiqet të të mbytë, tekste që për ty kushedi kanë rëndësi jetike dhe duan që të mbetesh gjallë, nuk mund të mos vësh re se, po të ngresh sytë dhe të kontrollosh me sy publikun në sallë, veç një pakicë njerëzish të mirë po të vështrojnë ngultasi (dhe që zakonisht e bëjnë këtë ngaqë nuk kanë më as fuqi as durim të merren me diçka tjetër më argëtuese).

Të tjerët merren me gjithfarë punësh: shkruajnë, zgjidhin fjalëkryqin e gazetës së djeshme, shfletojnë për herë të parë dhe të fundit librat kapakfortë që sapo u kanë dhuruar me tituj si Historia e kryengritjes së Kriçkovicës, luajnë Tetris në telefonin celular derisa këtij i soset bateria, pastrojnë nga spam-i postën elektronike të një llogarie që përndryshe e përdorin rrallë, hukatin syzet, kërcënojnë me sy akrepin e sekondave të orës së dorës, vizatojnë rrathë të trashë, burra me flokë të yndyrshëm ose yje pesëcepash mbi letrën me emrin e tyre.

Pavarësisht nga si po i shpenzojnë energjitë, të gjithë presin që të mbarosh.

Por ti nuk mbaron dot: të ka mbetur edhe gjysma e kumtesës pa lexuar. Prandaj e rrit ritmin e të folurit, dhe ashtu edhe ata pak që po të ndiqnin deri atëherë, heqin dorë dhe fillojnë të merren seriozisht me thonjtë (të tyret, më rrallë të kolegut përbri) ose të njomin buzët me ujë mineral të ndenjur ose të bëjnë një origami jashtëzakonisht primitiv me kartonin e lustruar dhe shumëngjyrësh të programit (Akademia e… Në bashkëpunim me… dhe Me mbështetjen e… Organizon…).

Dhe befas, teksa edhe ti vetë nuk po e ndjek më atë që lexon mekanikisht nga faqja, të bie edhe kambanëza e dytë: duhet ta ndërpresësh fjalën sepse të kaloi afati, duke lënë jashtë konkluzionin, ose arsyen pse ke dalë në podium. I vetmi ngushëllim, fakti që askujt nuk do t’i mbetet peng që nuk të dëgjoi deri në fund: meqë kumtesa jote (do të ) gjendet lirisht online, edhe kur nuk është në thelb e njëjtë me atë që ke lexuar edhe në tre konferenca të tjera gjatë atij muaji, siç ndodh në rast eventesh veçanërisht jubilare, si njëqind vjetori i infarktit fatal të poetit Dushko Vidhi.

Të mendosh, pra, se ka njerëz – kolegë të mi, miq, autorë të respektuar, studiues të shkëlqyer në fushat e tyre, të cilët kanë kaptuar male, dete dhe oqeane për të ardhur aty dhe për të narkotizuar shoku-shokun – dhe që e bëjnë këtë çdo muaj, madje më të ethshmit edhe çdo javë. Tubim më tubim e tub më tub drejt fitorjesh akademike të reja!

Këta me siguri u shijojnë ngjarjeve të tilla mjediset piktoreske në lugina dhish të egra, gatesat karakteristike mbi bazë thiu, hithrash dhe pazie, shoqërinë e kolegëve të drojtur, virtytet klimaterike, peizazhin e çuditshëm nga dritarja e hotelit, të qeshurat prej kali plot ankth në lukth, regresin skandaloz drejt pubertetit, stilolapsin falas, degustimin e veruthullës lokale, vizitën në pikë të zhegut te gërmadhat kutërbuese të sarajeve të Qebap Pashës aty pranë ose edhe fare thjesht iluzionin e humbjes, sado të përkohshme, të anonimitetit.

Por jo arsyen pse mbahet konferenca vetë. Jo arsyen.

Sot kushdo mund t’i publikojë kërkimet dhe përsiatjet e veta sa dhe si të dojë dhe të komunikojë lirisht e në kohë reale me kolegët, prandaj takimet akademike, konferencat interkontinentale, tubimet dhe simpoziumet ndoshta duhet të fillojnë të trajtohen si hobby.

Ose ngjashëm me turnamentet e bridge contract, ose asambletë e filatelistëve a të gjahtarëve të bajzës.

Gjëra të bukura, ndonjëherë prekëse, por jo ekzaktësisht me interes publik.

E megjithatë, ka diçka madhore që e pengon këtë ndërrim të mendësisë dhe që lidhet drejtpërdrejt me funksionin kryesor, edhe pse të pashpallur të veprimtarive të tilla: riprodhimi dhe legjitimimi i hierarkive të pushtetit akademik.

Institucionet, qofshin këto universitare ose edhe vetëm kërkimore-shkencore, me kohë konsolidohen rreth strukturave të tyre të pushtetit – dhe këto struktura kanë nevojë të legjitimohen, qoftë edhe në sy të atyre që e pësojnë pushtetin e tyre.

E ftoj lexuesin të sjellë ndërmend një konferencë akademike a veprimtari të ngjashme ku ka marrë pjesë tani së fundi, dhe të përpiqet të rikujtojë si i ka përjetuar vijat vertikale të forcave dhe fushat elektro-magnetike të pushtetit akademik.

Nëse dikujt i duket pa kuptim ose irrituese kjo orvatje imagjinare, gjasat janë që ky dikush të jetë përnjëmend pjesë e pushtetit të përfolur.

Tabloja vjen e bëhet edhe më revoltuese, kur në tubime shfaqen të dërguarit e politikës: ministra, hierarkë partish, drejtorë drejtorish, ambasadorë fuqish të mëdha.

Edhe pse politikanët janë e vetmja rrugë e sprovuar për të sjellë atje mediat dhe për t’i bërë lajmet e mbrëmjes t’i kushtojnë qoftë edhe një minutë veprimtarisë, asnjëherë nuk duhet harruar se politikani, me përkufizim, përpiqet ta vërë në punë madje ta mbrehë në zgjedhë gjithçka që i ndodhet rrotull.

Nuk është politikani që vjen atje për ty, por je ti që gjendesh atje për politikanin.

Në rastin më të mirë, ti je fanfara që bie kur hyn në sallë feudali i radhës; në rastin më të keq, ti je kokrriza e suvasë që shkëputet nga tavani, kur bie fanfara.

Në Shqipëri të qëllon pastaj të ndeshesh edhe me dukurinë veçanërisht të neveritshme, kur një bully çfarëdo, një kapadai administrativ, një rinoceront super-ambulant, krijon kaos në sallë duke shtyrë sa majtas djathtas me vithet brutale teksa i thërret akademikët me emër; dhe të lë pastaj të kuptosh se është ai, dhe askush tjetër, që ka siguruar fondet për këtë event, ose që e ka marrë nën kujdesin e tij të veçantë a patronazhin (ç’fjalë ngjethëse); a thua se ka thyer në bankë për këtë qëllim pendelironët e së gjyshes, ia ka hequr shujtën nga goja bebes së vet distrofike.

Por kjo është dukuri lokale, periferike, e vetë-kufizueshme, që në vetvete nuk mund të shërbejë si argument për të mos mbajtur më konferenca akademike; sepse konferencat akademike nuk duhen mbajtur më, edhe sikur atje të ndalohej me ligj pjesëmarrja e politikanëve gjithfarësh dhe të pranishmëve t’u kërkohej që të mbulonin gjithçka me kursimet e gjysheve të tyre, jo të politikanëve hovarda dhe bujarë.

Është thjesht një formë organizative e vjetruar, që i ka ikur koha dhe është denatyruar; madje që ka mbijetuar vetëm e vetëm ngaqë ka ende struktura, ndonjëherë shumëdegëshe dhe hijerëndë, që ekzistojnë dhe riprodhohen vetëm e vetëm nëpërmjet saj; pa folur pastaj për paratë që ndonjëherë duhen shpenzuar, në mënyrë që të përligjet aplikimi ose granti ose buxheti përkatës.

Dhe nëse nuk jua mbush mendjen ky argument imi, lexoni artikullin më poshtë, që m’i solli në mend këto përsiatje:

The Conference Manifesto

Nuk ka komente

  1. si format nuk eshte i keq, Akademiket perballen e njihen me studimet e njeri-tjetrit qe jane ende ne faza fillestare. Sidomos per organizatat profesionale, qe ketu ne Amerike kryesisht funksiononje si konferenca per anetaret, konferencat kungojne shkencetaret e profesionistet e rinj.
    Sidoqofte, ndoshta tani qe edhe shkenca eshte masivizuar, e publikohen lloj-lloj studimesh mediokre (shyqyr qe nuk kam patur guxim te beje dic te tille vete!), sidomos ne Shqiperi, duhen pare formate te tjera per vleresimin e veprimtarive shkencore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin