DY KRIMBA, SHUMË KRIMBA

“Disidenti” i PS-së, Ben Blushi, i shqetësuar ngaqë partia e vet ka vendosur të mbështetë, si kryetar bashkie në Kukës, një person që më parë ka qenë i PD-së (Hasan Halilajn), denoncon me të madhe atë dukuri që ai e quan “hasanizim” të Shqipërisë, me një shkrim të botuar te Lapsi.com.

Shkrimi edhe e vë, edhe nuk e vë gishtin në plagë – sepse, sikurse del më shumë tërthorazi se drejtpërdrejt edhe nga fjalët e Blushit, plaga kryesore e rendit politik (dhe kushtetues) sot në Shqipëri është partitokracia, ose përqendrimi i krejt pushtetit në duar grupesh rivale, të cilat komunikojnë mes tyre nëpërmjet çfarë unë do ta quaja një teatër të pluralizmit.

Vetëm dje, në Tiranë, më qëlloi të kaloja pranë një aktiviteti masiv, me gjithfarë ngjyrash, mega-ekranesh dhe kostumesh, të organizuar nga LSI-ja në periferi; pas gjase, si pjesë të fushatës së zgjedhjeve lokale; dhe kjo ndodhi në kontekstin e një trysnie mediatike të paparë, të pilotuar prej partive, për ta përfshirë publikun në këtë fushatë.

Zgjedhjet lokale kanë rëndësinë e tyre; por fryrja e tyre jashtë çdo përpjesëtimi, me tituj e kryetituj e lajme që kapin gati 90% të emisioneve televizive, më thotë se e gjithë kjo nuk ka të bëjë aq me administrimin dhe mbarështimin e komuniteteve, sa me nevojën e partive të mëdha për të riprodhuar brutalisht rolin e tyre në krye të punëve në Shqipëri.

Tek e fundit, edhe vetë ky zotëria, Hasan Halilaj – sikurse e vëren edhe Blushi – fare mirë mund të ish kandiduar sërish në qytetin e vet; shqetësimi i deputetit dhe eksponentit të PS-së nuk ka të bëjë me personin, por me partinë që e mbështet.

Idealisht, zgjedhjet lokale u japin mundësi komuniteteve, të vogla e të mëdha, urbane e rurale, metropolitane dhe malore të thella, të nxjerrin në krye të punëve njerëzit e tyre, që do të merren me hallet e tyre specifike teksa komunitetet vetë të ushtrojnë dhe të përsosin virtytet e tyre vetë-qeverisëse; dhe, prapë idealisht, partitë politike tradicionale duhej të ishin tërhequr pak nga sheshet, stadiumet dhe ekranet gjatë fushatës, për t’i lënë vend pjesës tjetër të shoqërisë civile, përndryshe më pak të angazhuar drejtpërdrejt në politikë.

Mirëpo jetën shqiptare sot e kanë kapur partitë, të cilat – njëlloj si ai krimbi që, i ndarë më dysh, menjëherë riorganizohet në dy krimba – kanë trashëguar arrogancën dhe mendësinë e PPSh-së së dikurshme, dhe po parazitojnë mbi rendin kushtetues, duke ua marrë frymën institucioneve të tjera.

E megjithatë, kur u krye tranzicioni politik nga monizmi në pluralizëm në fillim të viteve 1990, askush nuk shprehu gjëkundi shqetësimin se kultura politike që trashëgonte sistemi i ri ishte e tillë, që ia ekspozonte këtë rrezikut serioz të partitokracisë: dje moniste, sot pluraliste.

Qytetarët e Shqipërisë, që deri dje ishin sunduar me dorë të hekurt nga një organizatë e vetme, e panë veten tashmë të sunduar, sërish me dorë të hekurt, nga copërat e rigjeneruara të kësaj organizate të vetme, tashmë në rivalitet dhe luftë mes tyre.

Kam shkruar gjetiu për të këqiat dhe kostot – politike, ekonomike dhe sociale – të partitokracisë; ose të kësaj forme parazitare dhe paternaliste të demokracisë, e cila në Shqipëri ka ardhur duke u fuqizuar me kalimin e viteve, madje edhe ligjërisht, ose duke bërë ndryshimet përkatëse në kushtetutë.

Pa çka se ky fuqizim dhe këto ndryshime të rendit kushtetues janë përligjur me nevojën për të shmangur kaosin, vonesat dhe zvarritjet; si dhe për ta ruajtur qeverisshmërinë e vendit në luftë me prirjet centrifugale dhe rebelimet gjithfarësh për motive të dobëta.

Mirëpo mjafton të shohësh si u prezantuan kandidatët për këto zgjedhje lokale, të paktën këta të rëndësishmit; me partitë që i mbajtën emrat të fshehtë dhe i njoftuan pastaj me fanfarë mediatike, a thua se ishte fjala për numrat fitues të llotarisë; duke i prezantuar gjithsesi si produkte marrëveshjesh të brendshme dhe allish-verishesh brenda-partiake; ose si shenjë, provë dhe konfirmim, se në Shqipëri pushtetin e kanë partitë.

Që Blushi ngrihet tani të denoncojë, jo pa pasion letrar, një shembull flagrant të partitokracisë në veprim, si ky i Halilajt në Kukës, tingëllon disi ironike, në rrethanat kur i njëjti personalitet i PS-së, pak ditë më parë, u ankua sërish me të madhe për mangësitë e jetës partiake brenda PS-së. Në teori, një parti e fortë dhe sundimtare duhet të kujdeset edhe për shëndetin e vet organizativ; por historia ka treguar të kundërtën: kur partitë i bashkëngjiten pushtetit, ato e kanë të vështirë të ruajnë natyrën e tyre prej partish, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Duke lexuar ato që thotë Blushi, por edhe duke ndjekur me vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri, njeriu fillon të vetëdijësohet se partitokracia vërtet është parazitim i partive politike në kokë të shtetit, por edhe se viktimat e para të këtij parazitimi janë partitë vetë; të cilat vijnë e shndërrohen në krahun politikisht të armatosur të atyre pak krerëve, të cilët ushtrojnë pushtetin në vend ose përpiqen t’ia marrin atë njëri-tjetrit.

Për ta thënë ndryshe: mënyra si po prezantohet politika në këto zgjedhje lokale tregon se partitë politike rrezikojnë seriozisht ta humbin thelbin dhe misionin e tyre, për t’u katandisur në rripa transmisioni – dhe e përdor qëllimisht këtë klishe të zhargonit politik totalitar – të grupeve të vogla që ushtrojnë realisht pushtetin, në Tiranë dhe në qendër. Le të mbajmë këtu parasysh që ky gjakim i ethshëm lidhet, para së gjithash, me akumulimin dhe rishpërndarjen e parave, në rrethanat kur ekonomia shqiptare po prodhon shumë pak dhe shumë keq; dhe ku shqetësimet e rendit publik, përfshi këtu edhe korrupsionin, mbeten të pleksura ngushtë me vetë ushtrimin dhe riprodhimin e pushtetit.

Shkrime të miat të mëparshme për partitokracinë: këtu, këtu dhe këtu; Pishaku këtu.

Nuk ka komente

  1. Pershendetje, une jam dakort se kjo partishmeri e partitokraci qe diskutohet me larte eshte problematike, por ky diskutim, gjithsesi, ne nje forme te veten me te perqendruar nuk eshte vecse nje fletrrufe per prokurorine qe duhej te mos lejonte krijimin mekanizmave te tille qe trafikojne pushtet nga sipermarrja makute te partite dhe kunderta. Oor kjo vetem sa na kujton se jemi ne nje qark te mbyllur. Mendoj se keto rripa tranzicioni nuk do ta humbin thelbin e vet, por duke u shfaqur ka gjasa te fillojne e te krijojne nje identitet per ate qe jane dhe te rekrutojne mbeshtetes per projektet e veta. Vendi mund te mos mbese me kaq i shendetshem deri ne fund te procecit, por ne duhet ta paguajme rritjen tone. kjo gjithmone e me qarte po duket se nuk eshte ceshtje e pese apo dymije njerezve ne krye te dickaje. Nje mendim me te shtjelluar per kete ceshtje une e kam postuar ketu: http://oltionkadaifciu.weebly.com/blog

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin