JETA E DYTË E MOZAIKUT

Shkrimi i 2xh Shenja të një kohe tjetër më tërhoqi vëmendjen jo thjesht për sintetizimin e fenomenit në fjalë dhe përshkrimin e qartë të natyrës së disa lëvizjeve “popullore” në dukje spontane e kaotike, por edhe për faktin që ato lëvizje, të nxitura apo spontane, në thelb janë paracaktuar nga shekuj të tërë historie, veçorish psikologjike kombëtare. Por, fataliteti nuk është i pashmangshëm, dua të besoj. Pikërisht një gjë të tillë më kujtoi një ngjarje e veçantë: Rrethanat e kohës, këtu e plot njëzet vjet më parë, kërkuan të gjendem në rrethin e traktativave që do të vendosnin për  fatin e njërit prej monumenteve më emblematikë të Tiranës: Mozaikut të Muzeut Kombëtar.

I sapo emëruar në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Muzeumeve dhe Trashëgimisë Kulturore, vërejtëm (ne:-)) se veç ristrukturimit e rajonalizimit (ekzistonin gati dy mijë muze në fshatra ) në atë periudhë kaosi të frikshëm përparësi merrte organizimi i inventarëve te përgjithëshm të objekteve në shkallë kombëtare (se as nuk dihej se çfarë kishim si pasuri kombëtare) si edhe sigurimi dhe ruajtja e fondeve të rrallë deri në stabilizimin e rendit. E megjithatë, ishte e pashmangshme ndeshja edhe me natyrën ideologjike të shumë objekteve të artit. Ndryshe nga sa ndodhte në rrethe, kur turmat i dhanë vetes atribute vendimmarrëse (gjë që ishte edhe e pashmangshme, në ndonjë rast), në çka varej prej nesh, duke respektuar punën e artistëve, ishte e qartë se nuk mund të ishim indiferentë edhe ndaj ndjenjave të atyre njerëzve që kishin kaluar vite tmerri nëpër burgje e kampe përqëndrimi.

Thotë 2xh në  shkrimin e tij: “Mozaikun atje e gjen sot e kësaj dite: shqiptarët nuk deshën, nuk arritën, nuk guxuan ta prishin, as ta mbulojnë. Por kam dyshim se po të kish qenë atje gjëkundi Enver Hoxha, sot veprën do ta kish mbuluar gëlqerja ose suvaja. »

Tamam ky ishte problemi. Enver Hoxha kishte shumë forma ekzistence. Njëra prej tyre cilave shprehej nëpërmjet një numri të madh librash ku gjendeshin, sado në mënyrë cerebrale e pa asnjë vlerë intelektuale e artistike, ato ide “mesianike”, që kishin shkaktuar fundosjen morale, shpirtërore e materiale të Shqipërisë. E, pra, imazhi i një prej veprave të tij ishte në ballë të Mozaikut të Muzeut Kombëtar. Objekt tjetër kundërshtish të ashpra ishte ylli imadh në qendër.Versioni i pa restauruar ende

Ç’është e vërteta une kurrë nuk e kisha parë me vëmendje atë mozaik gjigant, por kur numri i telefonatave nga të gjitha anët dhe ai i përfaqësuesve të shoqatave të ndryshme që kërkonin shkatërrimin e tij nisi të bëhet shqetësues e të na zërë kohën më të madhe të punës, problemi nuk mund të shtyhej më. Pati ide e kërcënime se ose të merreshim ne me atë punë ose do të ishin të tjerët që do të ngrinin një skelë aty e do ta bënin si dinin ata. Argumentet nuk mungonin dhe unë i kuptoja mirë.

Mozaiku, që kur u krijua, të paktën midis miqve të mi, cilësohej pa vlere, krejt konfuz, kërkonte të sintetizonte shekuj të tërë historie e përfundoi në paradë kostumesh të kohëve të ndryshme. Por edhe është punuar mjaft keq. Pjesë të veçanta fryheshin nga lagështia që vinte nga tarraca e pa izoluar mirë dhe me këtë rast mjaftonte që t’i jepje edhe një dorë dhe gjithçka binte poshtë. E gjithë telajo e madhe prej hekuri ku është mbështetur mozaiku ka hyrë në një proçest të pandalshem korrodimi dhe vitet e jetës së tij janë të numëruara.  Megjithatë, për atë çfarë përfaqësonte ai,  erdhi një ditë dhe  ministrit Dh. Anagnosti,  mendoi se duhej  të shkëputesha ca ditë nga puna e të merresha me atë problem.

Siç mund të kuptohet, vetëm tre ditë do të kishte zgjtur habia, po qe se do t’i bëhej thirrje një brigade djemsh të fortë e të pajisur me kazma,  vare e qysqi. Distancimi që mund t’i lejojmë vetes sot ndaj veprave të asaj kohe, nuk ishte ai i djeshmi. Të përndjekurit e regjimit endeshin rrugëve të pastrehuar ose qëndronin me këmbë a flinin në bodrumin e shtëpive apo vilave që u kishte sekuestruar regjimi i Hoxhës, të tjerët ishin vënë në kërkim të eshtrave të të afërmve të tyre dhe prisnin të mos e shihnin më mozaikun kur të ktheheshin në Tiranë. Këtu nuk po flas për çakejtë e lakejtë e regjimit të djeshëm, që nganjëherë bërtisnin më fort se të parët.

Përfundimisht, që në takimet e para midis specialistësh u vendos që mozaiku t’i nënshtrohej një diskutimi (ku këmbëngulnim që të ishte i pranishëm të paktën njëri nga autorët) dhe fryma e përgjithshme ishte se ai mund të shpëtohej. Për këtë, pa asnjë dyshim si hap i parë që duhej zhdukur ai libri i së keqes, që shtrëngonte një punëtor në dorë, ishte ai që irritonte fort njerzit më fort.

Për atë  se çfarë duhej vënë në vend të atij libri u diskutua gjatë. Duhej thënë se mozaiku, edhe pse pretendonte për një sintezë të historisë së vendit, ai në të vërtetë paraqiste një Shqipëri kaçake, që kishte luftën për profesion, e krejt e paaftë për gjësendi tjetër, asgjëkund nuk vërehej ndonjë simbol që projektonte të ardhmen në ndonjë trajtë tjetër veç luftës. Ishim në luftë e po shkojmë në luftë. Zatën regjimi u rrëzua sepse paqja zgjati shumë.

Në thelb mozaiku ishte skematik, por detyra jonë nuk ishte t’i ndryshonim konceptin. Ne duhej të shpëtonim tërësinë tij duke zhdukur gjurmët irrituese të asaj lënde që përfaqësonin shenjat  më të dukëshme të dhunës së regjimit, librat e Hoxhës.  Shqipëria e atyre viteve jetonte rezultatin e veprave të tij.

Artistët e pranishëm (që gjithnjë i kujtoj me respekt) na siguruan se kjo nuk përbënte asnjë problem. Në vend të librit mund të vendosej një lloj xhakete, që pothuajse vinte natyrshëm mbi krahun e personazhit të fjalë. Jo plotësisht, po kjo është punë detajesh që publiku nuk i kap kollaj. P.sh. (midis nesh) pozicioni i gishtave dhe veçanërisht ai i gishtit të madh nuk ka ndryshuar nga pozicioni fillestar (kur mbante librin), ndërkohë që kur mban një xhaketë dora funksionon më mirë, kur ajo gishtin e madhe e shtrëngon nga pas..

Mozaiku pas retushimitMbetej edhe një problem tjetër. Ai i yllit aq të madh, jashtë çdo propocioni e krejt i palidhur me tëresinë e mozaikut, mbi flamurin e valëvitur (natyrisht, ai nuk është se hiqej për arsye mos zgjidhjeje të mirë estetike, nuk ishte kjo puna jonë). Besoj se ka këtu nga ana që i kujtojnë diskutimet pa fund (por jo pa vlerë) të pranisë së yllit në flamurin kombëtar, të trajtës së tij në kohën e Skënderbeut, si ishte flamuri origjinal i Pavarësisë etj.. Këtu qe fjala për një yll si simbol ideologjik i dukshëm, jo thjesht se nuk kishte asgjë të përbashkët me atë shenjën e Skëndërbeut apo të atyre patriotëve të Rilindjes. Gjithsesi ai paraqiste shumë më pak punë për ta zhdukur nga mozaiku. Ashtu ngjau dhe kjo qetësoi shumë shpirtra, që nganjëherë nuk përtonin t’i gjuanin dhe me gurë, që nga poshtë, dhe gjithnjë dëmtonin gjetiu. (Një arsye më shumë për ta hequr sa më parë, ndryshe shumë nga personazhet do të mbeteshin me një sy ose pa gjë fare).

Dikur, skelat u hoqën dhe mozaiku i ritushuar u shfaq në sy të të gjithëve. Reagimet ishin nga më të ndryshmet. Unë pata nderin të fyhem pa hesazp e të  përshkruhem me notat më të zeza në faqet e gazetës  Zëri i Popullit (punë reaksionari a ku ta di unë, ndërkohë që  edhe sot e gjithë ditën në portën e  shtëpisë sime është   një pllakë  përkujtimore si bazë e rëndësishme e  luftës në Tiranë) , ndërsa të djathtët, tundin kokën, pastaj e kruanin ca e pastaj e ngrinin dorën lart si për të thënë: mund të bëhej edhe më mirë, po hajde, çfarë të bejmë .

Nga e gjithë kjo histori më ka mbetur në mendje një fjalë e ministrit Dhimitër Anagnosti që më tha: Me këtë që u bë, atij mozaiku iu sigurua përjetësia.

Ashtu më duket edhe mua,  por është iluzion i plotë të shpresosh se do të krijohet një normë e re në trajtimin e kundërshtarëve. Provën na e dhanë qeveritarët e sotëm që gati njëzet vjet më pas kësaj ngjarjeje që tregova këtu sipër, u ngritën e zhdukën të gjitha portretet e Presidentit të Republikës (që ka vlerë simbolike  si shenjë e unitetit të kombit) nga zyrat e kryeministrisë (u tha, më duket,  se nuk ndiheshin shumë të lumtur me të, por nuk jepet asnjë shpjegim si duhet të ndihet  me qeverinë e tij populli shqiptar, të cilin të gjitha  anketat i nxjerrin si popullin më të palumtur në botë?)

Fatkeqësisht, tendenca kombëtare është vërtet kthimi në origjinë. Kjo është arsyeja që disa popuj ndihen fort mirë ulur.

Nuk ka komente

  1. Lyss: “Fatkeqësisht, tendenca kombëtare është vërtet kthimi në origjinë.”

    Kjo histori meton vemendje dhe ndoshta meriton te jepet edhe me me detaje dinamika se si ky produkt skarco i realizmit socialist i mbijetoi me pak modifikime permbysjes monumentale.

    Habia ime qendron edhe ne ate qe ky mural perpetuon nje histori mitike, me shume pika te erreta, kapercime pindarike realitetesh historike, pervecse ka ne qender(6-7 figurat qendrore)nje epoke te turpshme, plot zi, persekutim, vrasje, ndrydhje te lirise dhe energjive kombetare, nen imazhin e rrejshem te nje epoke qe ishte vecse totalitarizem, diktature ne veprim.

    Nje analize e thelle historike te percuar nepermjet elementeve artistike sic permenda me siper, qe s’jane vecse skarcitete artistike, do te bente qe brezat e nje Shqiperi tjeter, te sotmes, te mos ta pranojne ate mural te qendroje ne sheshin qendror te Shqiperise.

    Nuk e di se cfare Lyss ka dashur te thote me “kthim ne origjine”. Ne rastin e veprave monumentale te lena nga Mussolini, ato i benin jehone nje kohe te lavdishme, ku Roma ishte qendra e perandorise romake dhe e botes.

    Kurse ideja qe percon murali soc-realist perpetuon shprehjen e fameshme te EH, qe shqiptari e ka care rrugen e historise me shpate(pushke) ne dore.

    Ndoshta nje liber i shkruar me thellesi dhe ndjeshmeri, ku te analizohet mozaiku, historia e tij, idete qe ai percon, do te bente qe njerezit ta mendonin ndryshe kete pune sot duke mos ia lene natyres, duke pritur per korrodimin, grryerjen, copetimin e shkriftimin e muralit nga agjentet atmosferike. 🙂

    1. “Nuk e di se cfare Lyss ka dashur te thote me “kthim ne origjine”…

      Në të vërtetë eshte fjala per shpjegimet ne fillim të shkrimit, i cili nga ana e tij i referohet shkrimit te 2xh qe thote, pak a shume, se reagimi ndaj trashegimise kushtezohet nga e kaluara historike (origjina) e secilit komb, pra ka arsye historike nese shohim sot ne Rome a gjetiu te mbijetojne disa monumente te periudhes fashiste, sikunder te se njejtes natyre jane edhe shembjet e disa “monumenteve” te periudhes komuniste ne Shqiperi, e cila nga ana e saj i kishte vene dinamitin varrit monumental te nenes se Zogut (origjina e afert).Shkurt, kthimi te mdeli me i keq.

      Kam pershtypjen se ketu luan rol nje element i ri i shekullit te shkuar, dalja ne skene e ideologjive. Pra nese monumentet italiane te paraluftes ishin te mbrujtur nga nje ideologji e qarte, reagimi ndaj tyre erdhi nga nje regjim i pasluftes jo ideologjik, nga nje itali pluraliste.

      Nese monumentet e kohes se monarkise (dhe jane shume) u shemben pas L2B kjo ndodhi sepse ne ate kohe ne Shqiperi erdhi ne fuqi nje regjim i mbeshtetur ne nje ideologji te vetme, autoritarist dhe me urrejtje te shpallur ndaj gjithçkaje te se kaluares (edhe shembjet e objekteve te kultut pas ’67 mund te ndodhnin vetem ne nje regjim te tille).

      Ne kete kuptim, shembjet pas ’90-tes mua me dilnin nga norma, nuk shpjegoheshin dot meqe ne pushtet, teorikisht, nuk ishte nje regjim i mbeshtetur ne nje idologji… Ketu buron edhe habia dhe fataliteti i frazes: Fatkeqësisht, tendenca kombëtare është vërtet kthimi në origjinë.

      Thua me tej “Kurse ideja qe percon murali soc-realist perpetuon shprehjen e fameshme te EH, qe shqiptari e ka care rrugen e historise me shpate(pushke) ne dore…

      Ne te vertete kam degjuar se edhe ai miku nuk ka qene fort i kenaqur dhe kur e pa te perfunduar pyeti: po pse nuk u gjet pak vend per te vene nje kazme ndokund? Pra deshte te thoshte se me çfare perfaqesohen te gjithe ato “te mira” qe kemi bere keto 40 vjet?

      Peronalisht mendoj se realizimi i mozaikut eshte nje lloj perzierje e gjigandizmit dhe pllakatizmit rus te viteve ’20 dhe melo-misticizmit kinez, qe gjithnje do te gjente nje diell te madhe diku ne sfond, qe ketu ishte zevendesuar me nje yll te madh e te pa lidhur organikisht me teresine e kompozimit. Nje shembell i qartese si e masakron ideologjia artin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin