TITANIKU NË MARMARA

Para pak ditësh, ngaqë m’u anulua fluturimi nga Stambolli për Tiranë, Turkish Airlines më degdisi, së bashku me një grup udhëtarësh të tjerë të çartallisur e të çakorduar, drejt një hoteli diku në pjesën aziatike të qytetit (Divan Istambul Asia); gati një orë e gjysmë rrugë me makinë, përmes një toke të panjohur.

Më zuri syri, duke bërë sehir nga dritarja e autobusit, mes ndërtimeve të shumta të reja me arkitekturë ekstravagante si të dalë nga edicioni më i fundit i lojës kompjuterike Sim City, një hotel me emrin e papritur “Titanik” – që më bëri pastaj të vras mendjen se ç’mund t’i kish shtyrë pronarët që ta quajnë kështu.

Titanikun zakonisht e shoqërojmë në mendje me katastrofën: një anije pasagjerësh, madhështore, luksoze dhe krenare, që ndeshet ballazi në mes të oqeanit me ajsbergun.

Rezultati final: Iceberg 1, Titanic 0.

Dhe ky është një nga mitet themeltare të shekullit XX: teknologjia dhe hubris-i i njeriut, luksi përballë vdekjes barazuese e madhe, anija metaforë e shoqërisë kapitaliste të ndarë në klasa, pranëvënia e fisnikërisë dhe vetëmohimit me egoizmin e shtazës, dhe më në fund orkestra që vazhdon të luajë teksa anija mbytet.

Mitin kanë ardhur duke e pasuruar edhe rrëfimet e tij në ekran: filmat e njëpasnjëshëm, prej të cilëve i fundit ia doli të shndërrohej në një baladë me përmasa planetare, me tone të forta sentimentale.

Po si mund ta quash një hotel, luksoz për më tepër, me emrin e “Titanikut”?

Vallë për t’u kumtuar mysafirëve se, përtej luksit të ndritshëm të dhomave dhe të mjediseve shplodhëse, përtej shkëlqimit të restoranteve dhe pishinave dhe palestrave, përtej zukatjes së sallave të konferencave dhe takimeve të biznesit, fshihet e panjohura e katastrofës dhe vdekjes?

A mund ta quash një hotel kështu, “Titanik”, pa ironi?

Tani shoh, në Google, se emri “Titanik” për hotelet qenka veçanërisht popullor në Turqi; por gjen të tillë edhe në Angli dhe – natyrisht – në Pogradecin tonë. Këtë rastin e fundit edhe mund ta kuptoj: kur ishte hera e fundit që i kërcënoi ndonjë ajsberg ujërat e Liqenit të Ohrit?

Dhe kështu më kot e vë veten në rolin e pagëzuesve: çfarë të kenë menduar këta vallë? Të jenë mjaftuar vetëm me imazhin e luksit dhe të teprisë së “Titanikut” të mitit, duke e lënë mënjanë pjesën tjetër?

La nave è fulmine, torpedine, miccia, scintillante bellezza, fosforo e fantasia,
molecole d’acciaio, pistone, rabbia, guerra lampo e poesia.

[Francesco De Gregori, “I muscoli del capitano”]

Mirësevini në “Titanik”, do t’u thonë mysafirëve, duke i shpërndarë pastaj nëpër dhoma dhe kate, sipas klasave, kastave dhe portofoleve.

GBHTa mendosh mirë, hoteli – çdo hotel – nuk është veçse një anije e madhe pasagjerësh, që tashmë ka hedhur rrënjë në stere dhe nuk lëviz më: i ka edhe dhomat, edhe korridoret, edhe restorantet; sikurse i ka edhe kaldajat, lavanderitë, kuzhinën dhe uniformat.

A nuk duket vallë si anije e mrekullueshme, e ngecur si arka e Noe-s pas përmbytjes, në majë të një mali, The Grand Budapest Hotel i filmit aq të suksesshëm të Wes Anderson tani së fundi?

Ose edhe e kundërta, çdo anije e madhe pasagjerësh nuk është veçse një hotel që tashmë ka marrë detin, në mos oqeanin: i ka edhe dhomat, edhe korridoret, edhe restorantet; sikurse i ka edhe kaldajat, lavanderitë, kuzhinën dhe uniformat.

Madje, me pak vullnet të mirë dhe imagjinatë, mund t’ia përfytyrosh edhe hotelit një kapiten të mirë dhe mjekërbardhë, që:

Il capitano non tiene mai paura,
dritto sul cassero, fuma la pipa,
in questa alba fresca e scura che rassomiglia un pò alla vita.
E poi il capitano, se vuole, si leva l’ancora dai pantaloni e la getta nelle onde
e chiama forte quando vuole qualcosa, qualcuno,
c’è sempre uno che gli risponde.

[De Gregori, ibidem]

Dhe bota nuk ka parë anije më të shkëlqyer dhe krenare se “Titaniku,” qoftë edhe ngaqë ky nuk e përfundoi dot rrugën e vet të parë dhe imazhit të tij – ai reali – nuk pati kohë që t’i ikë lustra, me kalimin e viteve. Opinioni publik nuk u mësua dot me të, sikurse u mësua me mbytjen e tij madhështore.

E megjithatë, si ta quash hotelin tënd “Titanik” dhe sërish të shpresosh se njerëzve nuk do t’u shkojë në mend ajsbergu, kur të shohin mjegullën mbi detin Marmara nga dritaret natën?

Ma capitano non te lo volevo dire,
ma c’è in mezzo al mare una donna bianca,
così enorme, alla luce delle stelle, così belle,
che di guardarla uno non si stanca.

[De Gregori, ibidem]

Ka natyrisht mënyra, si mund ta rehabilitosh aktin e emërtimit: me pak fantazi, mund të përfytyrosh dikë që e zgjedh emrin “Titanik” duke pasur parasysh filmin, ose Leonardo Di Caprio-n; ose dikë tjetër, që thjesht ia kopjon e rimerr emrin një hoteli të mëparshëm, ku ka kaluar dikur momente të mrekullueshme; ose një të tretë, që nuk e ka dëgjuar kurrë mitin e anijes dhe të ajsbergut, por vetëm sa e lidh në mendje emrin “Titanik” me titanët e Greqisë së lashtë, ose me mbiemrin “titanik”…

Vite më parë ka pasur, në Shqipëri, një kompani ajrore lowcost, të quajtur “Albatros Airways”, e cila më pas u mbyll ose falimentoi; kam pasë lexuar atëherë habinë e një gazetari, ndaj vendimit për t’i dhënë një kompanie të tillë emrin Albatros, duke pasur parasysh që shpendi në fjalë konsiderohet si ters (këtë e ka edhe Coleridge, te The rime of the ancient mariner). Ka pasur edhe një kompani turke, “Albatros Airlines”; madje edhe një të tillë nga Venezuela – do të ishte kushedi me interes, që të ndiqej fati i këtyre entiteteve, që janë emërtuar keq ose e kanë nisur “ters” rrugëtimin e tyre.

Sa për hotelet “Titanik”, nuk kam dëgjuar të jetë përplasur ndonjëri prej tyre kurrë me ajsbergun. Tek e fundit, me kalimin e viteve emri “Titanik” do të priret t’i largohet narrativës së një anijeje që gjen prehje në fund të oqeanit, për t’u shkrirë gjithnjë e më tepër me glamour-in e mitit vetë, të cilit i ka kushtuar një film (më shumë se një) deri edhe Hollywood-i. Deri në atë pikë, sa edhe emri vetë ta shkëputë spirancën nga miti, për t’u shndërruar në një mit tjetër: Titanik.

Ironikisht, duke i prerë lidhjet me incidentin në mes të Atlantikut dhe përplasjen fatale me malin prej akulli, miti i emrit Titanik kthehet në origjinë, duke rifituar të njëjtat virtyte të mbara, që frymëzuan emërtimin fillestar të anijes vetë, në 1912: Titanic, the unsinkable.

Historia përsëritet: herën e parë si akullore, herën e dytë si ajsberg.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin