TATUAZHI NË GUR (V)

Një nga pasazhet më klishe, dhe më të përsëritura në dokumentarët festivë të viteve 1960-1980, që u rimorën pastaj edhe në kolazhet me gjetje në arkivat e filmit, tregonte një skuadrilje avionësh luftarakë MIG duke fluturuar në formacion mbi peizazhin e valëzuar; teksa kamera, pas gjase në njërin prej avionëve, ndalej për një çast mbi fjalën ENVER, të shkruar me shkronja të bardha dhe gjigante, në shpatin e malit Shpirag, afër Beratit.

Dihet historia e këtij gjesti faraonik – shkronjat, 150 metra të gjata (të larta), janë vizatuar (gdhendur, gërryer, gërmuar, çarë, lyer) në vitin 1968, me pjesëmarrjen e qindra të rinjve të kohës dhe ushtarëve nga repartet vendore.

Në vështrim të parë, mesazhi shpreh respekt, dashuri, deri në adhurim, për liderin totalitar, Enver Hoxhën; dhe mjaftojnë përmasat e tij “gjeografike” për të identifikuar, si dërgues të tij, askënd tjetër veç popullit vetë, ose masave punonjëse.

Këtë përfundim duket se e mbështet vetë të shkruarit e mesazhit, si përpjekje masive, korale, e përgjithshme; në kuptimin që sa më i madh të jetë një mesazh i tillë, aq më i sigurt është identifikimi i dërguesit si subjekt kolektiv, që i kundërvihet, në skemën e përgjithshme të sendeve, individit.

Asnjë dyshim nuk mund të mbetet: veç masa e njerëzve mund të shkruajë në një shpat mali.

Vitet 1960 ishin vite kur, nën orkestrimin e kujdesshëm të regjimit, masat popullore në Shqipëri po organizoheshin, madje duke gjetur vetveten, në gjeste të tilla korale: aksionet e mirënjohura të rinisë për ndërtimin e hekurudhave, hapjen e tokave të reja, tarracimin e kodrave, shpyllëzimin, aksionet me goditje të përqendruar, madje edhe mbledhjen me lugë, drejtpërdrejt nga ara, të grurit të rrëzuar nga stuhia.

Në hapësirat qytetare, anembanë vendit, ndeshje rëndom në parullën thirrje “T’U QEPEMI KODRAVE DHE MALEVE, QË T’I BËJMË ATO PJELLORE SI EDHE FUSHAT.” Vetë ndërtimi i socializmit, në vetvete dhe si shënjues i ndërtimit të “njeriut të ri”, po mishërohej tani në këtë gjakim të përgjithshëm për shndërrimin e natyrës, zbutjen e saj, vënien nën zgjedhë, shfrytëzimin, pronësimin.

Edhe përftimi i mega-mbishkrimit ENVER, në faqen e Shpiragut, e ka kërkuar një vizion, dhe më pas një mobilizim të tillë, pa çka se këtë herë nënshtrimi i natyrës do t’i përkiste rendit simbolik, jo atij thjesht bujqësor.

Kështu edhe ndërthurej, në një artefakt të vetëm, triumfi i njeriut socialist ndaj natyrës dhe komunikimi i masave me regjimin totalitar, nëpërmjet kësaj staccato-je shkronjash që ia krijonin emrin leader-it vetë.

E megjithatë, statusi semiotik i këtij emri të përveçëm, të tatuuar në peizazh, fton për reflektim të mëtejshëm.

ENVER-i në shpatin e Shpiragut doemos kumtonte respektin, mirënjohjen, adhurimin, dashurinë e popullit të zonës për udhëheqësin; por nga lartësitë e së sotmes mund ta shohim, madje duhet ta shohim, si nënshkrimin e udhëheqësit vetë, në fund të një akti, sado simbolik e të imagjinuar, për marrjen në dorëzim të trojeve, me miratimin njëzëri të masës.

Jemi të tutë, duket sikur thotë mbishkrimi.

Dhe nga rrënojat e panumërta që ka lënë regjimi i shkuar anembanë Shqipërisë, mbishkrime të tilla në natyrë, ciklopike për nga përmasat dhe ambicia, janë nga më të vështirat për t’u shlyer; më këmbëngulëset, më jetëgjatat, të gatshme për t’u kthyer me stinët dhe për t’u rikthyer në peizazh pas çdo përmbytjeje, zjarri, pyllëzimi e bonifikimi; të krahasueshme për nga kokëfortësia kushedi vetëm me bunkerët, njëlloj si ato format primitive të jetës, ose gjallesat e mbijetuara nga parahistoria, që deri edhe shpërthimit atomik nuk i tuten.

Përndryshe sot anembanë vendit, në zona gjysmë-urbane të rrëgjuara, peizazhe industriale të thërrmuara, mure e fasada fabrikash dje krenari e regjimit e sot me rropullitë toksike përjashta, ende mund të shohësh, të dala boje e të mbuluara keqas me një dorë gëlqere, hijet siluetat dhe fantazmat e mbishkrimeve të dikurshme; thirrjet RROFTË PARTIA, RROFTË ENVER HOXHA, RROFTË UNITETI; formulat e llojit PARTI ENVER; konstatimet e tipit VËMË NË JETË VENDIMET E KONGRESIT VIII TË PPSH, NDËRTOJMË SOCIALIZMIN ME FORCAT E VETA, LART FRYMËN REVOLUCIONARE, VOTAT PËR FRONTIN JANË PLUMB PËR ARMIKUN.

Njëlloj si ato qytetet e lashtësisë, sot të fshehura në xhunglën e padepërtueshme, por ende të dallueshme nëpërmjet aero-fotografive, për shkak të ndikimit të rrënojave mbi bimësinë sipër, edhe këto mbishkrime, si fjalë të vdekurish për të vdekurit, latinishte e shkërmoqur e një epoke deliresh madhështie por edhe të marrëzisë kolektive, janë të pashlyeshme, likene dhe kërpudha kryeneçe të stinës totalitare, që veç dinë të rikthehen.

Dhe jo se kanë munguar orvatjet, ndonjëherë patetike, për t’i heshtur njëherë e përgjithmonë; të krahasueshme, këto orvatje, me rrëzimet e bujshme të statujave, shkuljen e bunkerëve me traktorë dhe rrjepjen e përgjithshme të zhguallit industrial të Shqipërisë.

Mbishkrimin ENVER, në shpatin e Shpiragut, e hodhën në erë me dinamit në fillim të viteve 1990; akt i ngjashëm, për nga ambicia dhe absurditeti, me shkatërrimin artilerik, prej talibanëve afganë, të Budave monumentale të Bamiyan-it, në mars të vitit 2001.

Dhe ngaqë dinamiti dështoi ta kthente peizazhin në origjinë, ose të paktën t’i prishte shkronjat dhe t’i zhbënte vijat e drejta, të panatyrshme, në faqen e malit, atëherë u përdor napalmi – me ç’rast, për fat të keq, thuhet se u dogjën dhe humbën jetën dy ushtarë.

Në këtë kontekst, të pagëzuar deri me vdekje, duhet lexuar gjesti – artistikisht unik – i Armando Lulajt me projektin e vet të mirënjohur NEVER (2012), i cili kërkoi, dhe ia arriti, të shkojë një hap më tej shkatërrimit bruto, për ta manipuluar mbishkrimin në mënyrë të tillë, që ta kthejë kundër vetes.

Jo pa mundim të një niveli dhe intensiteti të krahasueshëm me përftimin e mbishkrimit fillestar, Lulaj ia doli të riformatojë a riderdhë dy shkronjat e para të mbishkrimit; dhe kështu ENVER-i i Shpiragut u gdhi një ditë si NEVER.

Një përkëmbim i thjeshtë, një EN që shndërrohet në NE, një gjest si prej fëmije që luan me kubat e alfabetit mbi qilim; por edhe afirmimi, brenda të njëjtit mjedisi komunikativ dhe me të njëjtat mjete, i një vullneti të ri – për ta përdorur rrënojën totalitare si përkujtesë, dhe për ta shndërruar mesazhin e djeshëm të besnikërisë në një mesazh të sotëm refuzimi.

Lulaj e shndërroi kështu ENVER-in mitologjik të Shpiragut në krrakërimën e korbit të Edgar Poe-s.

Arti i Lulajt, semiotik i kulluar, operon në nivelin ku shkronjat fitojnë autonomi ndaj gjuhës ose në kufi të kabalistikës; dhe në këtë nivel një emër i përveçëm i shqipes mund të gdhihet një ditë i shndërruar në fjalë të anglishtes.

Vetë emri ENVER i tejkalon këtu caqet e shqipes dhe të komunikimit, për t’iu referuar drejtpërdrejt nënvetëdijes së shoqërisë shqiptare, ende të traumatizuar nga përvoja gjysmë-shekullore e eksperimentit totalitar.

për këtë shoqëri ENVER do të ishte, për ta thënë me Lacan-in, emri i babait, ose le-nom-du-père; ai faktor që ndërmjetëson kalimin nga rendi imagjinar në rendin simbolik, për ta përfshirë fëmijën përfundimisht në rrjetin social të gjuhës.

Ky i Lacan-it nuk ishte veçse vijimi logjik, ose përkthimi në frëngjishte, siç e kanë quajtur, i formulës së Freud-it, meqë ky i fundit babain –atë të kompleksit të Edipit – e kish përkufizuar si “ai që thotë jo”; duke e parë si artikuluesin primar të mohimit, të ndalimit, të frenimit, të pengesës, të prangës; cakun e skajmë të lirisë dhe dëshirës; murin e burgut social.

Këtë rol elementar mohues të babait Lacan-i e ka nyjëtuar, me një nga ato lojërat e veta të fjalëve, duke e rishkruar le-nom-du-père si le-non-du-père – që në frëngjishte do të thotë “jo-ja e babait”; dy thënie që shkruhen ndryshe, por dëgjohen si të njëjta.

Sikurse ajsbergu, që është i zhytur në pjesën më të madhe të vetën në ujë, emri ENVER i shkruar në shpatin e Shpiragut e bartte mohimin, zinxhirët dhe skllavërinë nën vete, por të fshehura në nënvetëdijen e kujt e lexonte dhe entuziazmohej me të.

Duke e shndërruar këtë mbishkrim në NEVER, Lulaj pothuaj ia arriti ta psikanalizojë peizazhin e njerëzuar, për ta nxjerrë mohimin, jo-në e babait në sipërfaqe – sepse ajo N-ja, te fjala anglishte NEVER, nuk është veçse n-ja e mohimit (no, non, not, nyet, nuk); në këtë rast e mohimit të ndajfoljes simotër EVER, që do të thotë “përgjithmonë”; në kuptimin e përhershmërisë që duan ta kenë, historikisht, të gjitha format e autoritarizmit; dhe që e gjejnë shpesh të mishëruar në permanencën e shkronjës, aq më tepër të skalitur në mal.

Peizazhi i rishkruar vjen e shënjon, kësisoj, refuzimin e shoqërisë post-totalitare për të harruar.

[vijon]

Klikoni këtu për një PDF të esesë në versionin e plotë.

(c) Peizazhe të Fjalës, 2015. Ndalohet çdo lloj riprodhimi, pa lejen eksplicite të autorit.

Nuk ka komente

  1. Interesante kjo prurja lakaniane.

    Gjithaq interesante do të ishte edhe e gjithë simbolika totemike e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë, i cili, pasi u erektua që të adhurohej fallikisht, u copëtua, zvarris, pështy e përmjer ngjashmërisht me profecinë e përmbushur të Edipit mbret.

    Prezenca fallike post mortem e atit në jetën publike të Tiranës (dhe sheshi Skënderbej ishte asokohe literalisht dhe figurativisht agora e Shqipërisë) ishte pjesë e makinës oprimuese. Përmasat gjiganteske të monumentit, përveç se synonin t’i kujtonin “robit të përvuajtur të Allahut” sa i vockël qe, edhe e ndillnin këtë të fundit të adhuronte e t’i trembej fallusit prokreator të atit të atdheut modern.

    Jemi që jemi tek dritarja frojdiane, interesante gjithashtu të shënohet rrëzimi / shkulja e monumentit nga rrënjët simbolizon një kastrim të dhunshwm e pasionant. Veçse në këtë rast kastrimi u krye në mënyrë inverse: jo nga ati tek biri, por nga biri tek ati totemik. Duke u bërë publikisht, ky kastrim e poshtëroi edhe më shumë atin frikëndjellës e turbullues, neutralizoi pushtetin hipnotizues të tij dhe çliroi kështu bijtë nga prangat e adhurimit totemik.

  2. Me qe tek Lakani, mua ajo NEVER ne anglisht e Lulajt me eshte dukur gjithmone si nje lloj mutilacioni i Neverisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin