SIPAS MERITAVE

Megjithëse Shqipëria ka hyrë në rrjedhën botërore të informacionit, të paktën potencialisht, nuk është e thënë që debatet kulturore që hapen në Perëndim mund të zhvendosen mekanikisht në hapësirën shqiptare, pa zhvilluar një reflektim të mëtejshëm. Le të marrim çështjen e meritokracisë.

Meritokracia, term fatlum që shënjon shoqërinë ku përgjegjësitë drejtuese dhe rolet publike u besohen atyre që kanë më shumë merita, inteligjencë e aftësi. Kjo fjalë është përdorur fillimisht me konotacion negativ, por më pas i është dhënë mundësia të tregojë alternativën pozitive të dhënies së posteve në bazë të egalitarizmit, ose ca më keq të nepotizmit.

Debati që lind herë pas here në vendet perëndimore ka të bëjë me aberracionin që sjell meritokracia. Në fakt, termin e krijoi sociologu britanik Michael Young (1915-2002), në librin e tij The Rise of the Meritocracy, të cilin e botoi më 1958. Libri nuk është shkencor, në kuptimin që flet për një shoqëri të imagjinuar ku mbizotëron meritokracia dhe inteligjenca. Për nga tipologjia libri i ngjan pak 1984 të George Orwell. Shoqëria që përshkruhet në libër është regjim despotik, që vë në qendër të vet meritën, duke i ndarë individët sipas kuocientit intelektiv që në fëmijëri. Young praktikisht tallej me zbatimin e një parimi të tillë në shoqëri, e cila nëpërmjet meritokracisë kishte eliminuar klasat e mëparshme, duke i ndarë njerëzit sipas meritave që kishin.

Në një shkrim të vetin për meritokracinë, prof. Damiano Palano, i kujton lexuesit se sociologu Michael Young nuk duroi dot e në një farë pike ndërhyri në debatin për meritokracinë, sepse neologjizmi, sipas tij, ishte shtrembëruar krejtësisht. Ai e kishte shkruar veprën kundër teknikave të matjes së inteligjencës, kurse tani meritokracia kuptohej si parim kryesor i një ideologjie antiegalitare. Përveç kësaj, shkrimi i sociologut britanik polemizonte edhe me Tony Blair, duke kundërshtuar rezultatet e sistemit arsimor.

Duhet të pranojmë se termi “meritokraci” është përdorur edhe me kuptim pozitiv, si antidot i barazisë ekstreme midis njerëzve, ose kur flitet për punësimin e njerëzve sipas aftësive e jo sipas njohjeve. Po të tregohemi metikulozë, përdorimi i termit duhet të quhet i gabuar, sepse do të ishte më saktë të flitej për sistem të meritës, qoftë me ndonjë neologjizëm që mund të tingëllojë keq si p.sh. meritueshmëri ose meritësi. Vetë prapashtesa –kraci e komprometon fjalën deri në fund, sepse kemi të bëjmë me forcën, pushtetin, imponimin e meritës.

Kritikët e matjes së meritave, shprehet Palano, e vënë në dyshim “objektivitetin” e mjeteve që i masin ato. Nga ana tjetër, kur flasim për meritë flasim vetëm për një individ, duke harruar veprimtarinë e bashkësisë, pra të shumë njerëzve. Problemi i vërtetë, nënvizon ai, është moral, sepse meritat duhet të vlerësohen në bazë të objektivave që ka shoqëria, kompania ose organizata çfarëdo. Nyja kryesore gjendet tek qëllimi i sistemit, që shpeshherë nuk njihet asfare nga personat që ekzaminohen nga pikëpamja e meritës. Pra objektivat vendosen nga lart, ose nga jashtë. Pastaj, cili është ai arbitër e mbi ç’baza i vlerëson meritat e njeriut? Këtë pyetje të fundit e bën filozofi Roberto Esposito, i cili e konsideron thelbësisht të padrejtë shoqërinë meritokratike. E nuk është rastësi që këto mendime, na përshoqërohen me romane distopike si Divergent e Veronica Roth, ku klasat (fraksionet) caktoheshin në moshë të re me mjete e vlerësime teknike.

Këtu na vjen në ndihmë përvoja e totalitarizmit shqiptar. Ta zëmë se regjimi mori në punë një spiun/hetues, i cili doli më pas se ishte “As” i hatashëm në aktivitetin e vet, një qen roje kufiri, si i thoshin atëherë, me nuhatje të jashtëzakonshme; një që nuk linte njeri pa rrasur brenda për një fjalë goje e që i përdorte të gjitha mjetet për t’i çjerrë maskën “armiqve të popullit”. Rendimentin e punës ky do ta kishte fantastik, me shifra tejet të larta. I zellshëm deri në vdekje. Pra, sipas sistemit meritokratik, do të thoshim se për njeriun e duhur, u gjet vendi i duhur; ose e kundërta. Çdo gjë në rregull? Jo, aspak, sepse “fuksi” ishte caktuar vërtet sipas meritave të tij në atë vend, dhe Pushtetit të atëhershëm i duhej jashtëzakonisht shumë, por qëllimet e asaj veprimtarie ishin rrënjësisht të mbrapshta, sepse padrejtësisht merrnin në qafë jetë njerëzish.

Mirëpo ky arsyetim, që na shpie direkt tek çështja e etikës, na nxjerr përpara një dileme tjetër. Ishin synime të mbrapshta për etikën e sotme, apo për atë të djeshmen? Sepse “lufta e klasave” pa kompromis ishte detyrë e asaj kohe dhe etika e dikurshme ia lejonte atij të denonconte armikun e Partisë. Porse, siç e dinë dëshmitarët e asaj periudhe, kishte si hetues e gjykatës, ashtu edhe policë e gardianë, që nuk e bënin me aq zell punën e tyre, e gjithsesi një gotë ujë ua jepnin të burgosurve, sikurse e bënin ndonjëherë veshin shurdh përballë ndonjë fjale pas rakisë, ose syrin qorr përballë ndonjë antene mbi çati. Cilës etike i përgjigjeshin ata? Sidoqoftë, nga pikëpamja e meritokracisë, rezulton se kategoria e fundit nuk ishte aq e mirë për regjimin totalitar.

Në qoftë se do ta zhvendosnim këtë arsyetim në kohën e nazizmit, do të na kujtoheshin oficerët çnjerëzorë në kampet e përqendrimit, ku meritokracia matej paradoksalisht me shfarosjen e njerëzve të pafajshëm. Kurse po ta kthejmë muhabetin në ditët e sotme, mund të përmendim prodhimtarinë e laboratorëve të drogës, apo aftësinë e trafikantëve të saj. Sa jetë njerëzish kushton kompetenca e një trafikanti? E po ta shtyjmë çështjen në ekonomi, ku të korruptuarit kanë aftësi të pashoqe, mund të pyesnim: Sa varfëri krijon një politikë e korruptuar?

Mirëpo, ky debat ka kuptim në vende me demokraci të konsoliduar. Në Shqipëri, meritokracia rrezikon të marrë detyrimisht konotacione pozitive, për faj të mjedisit kulturor mbizotërues. Le ta pranojmë se shoqëria shqiptare vuan prej kohësh nga e ashtuquajtura miqësi e sëmurë, ose klientizmi (klientelizmi), sikurse është infektuar rëndë nga nepotizmi. Në rastin e klientizmit kemi një sistem marrëdhëniesh ndërpersonale, që ndërtohet mbi shkëmbimin e favoreve, që ka të bëjë me shpërndarjen e të mirave, jo në bazë të së drejtës ose meritës, por në bazë të njohjeve dhe interesit.

Nepotizmi duket më i thjeshtë si mekanizëm, edhe pse bazohet gjithnjë tek mohimi i meritës. Fjala rrjedh nga latinishtja nepos dhe i referohet periudhës mesjetare kur disa papë e ipeshkëv u jepnin poste e favore fëmijëve të tyre, por që i quanin nipa sepse nuk mund t’i konsideronin si fëmijë natyralë. Në kohët moderne, fjala e ka zgjeruar kuptimin e vet, duke përfshirë favorizimin e paligjshëm e të padrejtë të kushërinjve ose miqve me detyra e ofiqe publike. Pra dukuria është më e gjerë, pavarësisht se etimologjia flet vetëm për nipa. Në Shqipëri, nepotizmi mund të shtrihet deri tek bashkëfshatari, të cilit i jepet një vend pune në shtet thjesht ngaqë vjen nga një krahinë e caktuar.

Të mos harrojmë se shqipja ka edhe shprehjen “i fus mik”, që dikur përdorej më shumë se sa në ditët e sotme. Për një notë të mirë, dikur i fusje profesorit mik, me fjalë të tjera i gjeje një të njohur të përbashkët që i rekomandonte trajtim të mirë në provim. Kjo nënkuptonte që në të ardhmen edhe profesori, mund t’i kërkonte atij mikut ndonjë nder tjetër, ta zëmë një autorizim për lavatriçe, ose për kabinë në plazh. Si të thuash, njëra dorë lan tjetrën, të dyja lajnë fytyrën.

Me kalimin e viteve “miku” erdhi duke u zbehur si mekanizëm; ose më mirë “njohjet” u monedhëzuan, sepse filloi të përdorej paraja si mjet universal rekomandimi. Ky mekanizëm, që duhet të studiohet më tej në shoqërinë parakapitaliste shqiptare, e tregon krimbësinë e vet kur marrim si shembull studentin e mjekësisë. Si dajë, ti vërtet mund t’i gjesh mik profesorit, që t’i japë notë të mirë nipit tënd, ose t’i bësh një dhuratë të çmuar, ose ca më keq, t’i japësh një dorë parà, por ai mjek nesër mund të të operojë në urgjencë, madje pa anestezi, se do t’i humbësh ndjenjat sapo ta shohësh në fytyrë. Më duket se ka pasur edhe një skeç për këtë punë. Por ky model mund t’i aplikohet patentës së shoferit, që drejton automjetin, ose vetë ministrit, që drejton vendin.

Kjo është edhe arsyeja përse e përdorim me kuptim pozitiv fjalën meritokraci, sepse duam që tek një shoqëri të korruptuar si e jona të vlerësohet puna, aftësia, angazhimi, dhe jo aspektet e tjera. Megjithatë, pavarësisht nga pasaktësitë semantike, që mund të korrigjohen duke përdorur një term të ri, nuk mund ta fshehim edhe kontradiktën tjetër. Nuk është e vërtetë se politikani shqiptar fut dikë në punë pa pasur parasysh “meritokracinë”, si p.sh. në rastin kur i gjen punë ministrore drejtuesit të fushatës së tij elektorale, ose militantit të zonës zgjedhore. Politikani pikërisht se ia vlerëson “meritat” i jep një vend pune. A mund të flasim për meritokraci në këtë rast? Siç mund ta kuptojmë pa vështirësi, meritat e punëmarrësit nuk kanë të bëjnë me postin që i jepet, por me të tjera aktivitete, që nuk ka lidhje me punën e shtetit. E këtu shfaqet përsëri çështja e etikës, që ka të bëjë me të gjithë qytetarët, jo vetëm me politikanët.

 

Bibliografi minimale

Michael Young, The Rise of the Meritocracy, (botime të ndryshme).

Michael Young, Down with meritocracy, “The Guardian”, 29.06. 2001.

Roberto Esposito, La grande ingiustizia di una società meritocratica, “La Repubblica”, 12.12.2014.

Damiano Palano, Meritocrazia, l’utopia «rovesciata» della società dispotica, “Avvenire, 13.03.2015.

Nuk ka komente

  1. Tema është tepër interesante , por sic e thekson dhe autori sistemi e meritokracisë është për shoqëri me demokraci të konsoliduar. Ajo që dua të theksoj më tepër është përdorimi pa nevojë i termave në gjuhën angleze dhe si shembull nënvizova disa fjalë: Egalitarizmi, aberracioni, metikulozë. Për ç’arsye të përdoren terma të tillë ? Nuk ka fjalë të përshtatshme gjuha shqipe? Shoh se nuk bëhet asnjë përpjekje për ta përshtatur termin në gjuhën shqipe. E kuptoj se kur nuk është e mundur mund të përdoren neologjilzma , por kur ta fjalë në shqip atëherë është i kotë përdorimi. Po marr thjesht mbiemrin metikulozë. Nuk mund të përdorim mbiemrin në shqip skolastik? Ku qëndron problemi? Ka një tendencë të shumë autorëve që shkruajnë në këtë hapësirë elektronike të përdorin terma në gjuhë të huaja . Ndoshta mendojnë se me këtë duan të duken me inteligjentë? Po të mos dija anglisht dhe greqisht zor se do ti kuptoja ato fjalët. Jemi katandisur po e them hapur që të lexojmë shqip duhet të dimë dy gjuhë të huaja të paktën. Një shembull tjetër bie fjala për termin antidod ( nga greqishtja) po të kërkosh në asnjë fjalor shqip ekziston. Diku kur lexon një artikull ose një ese , kur has një fjalë ose term që nuk ia di kuptimin gjëja e parë që do të bëj është të shfletoj fjalorin dhe kur nuk ekziston ateherë hap fjalorin anglisht, greqisht apo italisht.

    1. Nuk e di nëse arrin ta kuptosh, por qasja jote është me gjithë mend fyese. E kjo vlen në rast se ke të drejtë. Në të kundërt, pra nëse po ia fut kot, komenti yt mbetet jashtë çdo kategorie, krejtësisht i pakualifikueshëm.
      Nuk të përgjigjem për respekt ndaj vetes dhe kësaj hapësire. Por më vjen keq që temën e ngritur në shkrim – të cilën personalisht e konsideroj të rëndësishme – e likuidon, së bashku me mundin përkatës, me një fjali mospërfillëse; ndërkohë që i kushton shumë të tjera përdorimit të fjalëve “të huaja”. Ja këtë dukuri unë do ta quaja aberracion: në shqip gjeje vetë.

  2. Sa për temën e theksova në fillim të komentit tim dhe ju shkruajta së vlera është e padiskutueshme, por nuk mund të lë pa përmendur përdorimin e pa nevojshëm të termave të gjuhëve të huaja në artikullin tuaj. Kur dikush lexon një artikull , një libër ose një ese nuk përqëndrohet vetëm tek tema (kuptohet që është me thelbësojra) por edhe tek leksiku i përdorur nga autori vetë. Po vë re se jeni absolut në mendimin tuaj dhe kritiku më i mirë është shpesh herë lexuesi dhe komentuesi i shkrimeve.

    1. Jo, nuk e theksove aspak vlerën e shkrimit tim, e quajte temën “tepër interesante”, jo trajtimin e saj. Nuk i shtove asgjë temës, qoftë me kritika të ashpra (çka nuk më shqetëson fare), por e likuidove me pak fjalë, gati me përtesë. Do t’i kisha mirëpritur kritikat, shtesat, korrigjimet, ndaj trajtimit të temës. Mund të zhvillonim edhe ndonjë debat pasurues për të gjithë. Kjo është sjellja ime prej vitesh.

      Ndërkohë zelli nuk të mungoi për të sinjalizuar “gabime” në përdorimin e fjalëve “të huaja”. Këtu u tregove metikuloz e skrupuloz. Madje arrite të bësh edhe insinuata fyese, se demek fjalët e huaja u përdorkan për t’u treguar inteligjentë. Ja çfarë shkrove më lart:

      “Ka një tendencë të shumë autorëve që shkruajnë në këtë hapësirë elektronike të përdorin terma në gjuhë të huaja . Ndoshta mendojnë se me këtë duan të duken me inteligjentë?”

      Kjo për mua është qasje negative, mospërfillëse, nihiliste dhe ofenduese. E jo vetëm ndaj meje. Ndaj edhe nuk ia vlen që t’i përgjigjem kinse shqetësimit tënd. Sepse do të ishte shumë e thjeshtë për t’u përgjigjur nga pikëpamja gjuhësore. Por sipas gjase më e vështirë për t’u kuptuar.

      Ndoshta nuk e di, por tipa si puna jote shfaqen rregullisht në këtë hapësirë, sa për t’i paralajmëruar autorët për gabime të rënda ideologjike. Por mjaftohen më kaq. Aberracion kulturor, tha.

  3. Po ajo që thashë më lart që “Ka një tendencë të shumë autorëve që shkruajnë në këtë hapësirë elektronike të përdorin terma në gjuhë të huaja ju mendoni se nuk e keni vënë re? Nuk ndodh? Lexoj shpesh shkrimet dhe analizat që botohen në këtë hapësirë elektronike sepse e konsideroj një nga hapësirat që trajton tema më rëndësi të çdo fushe, si në gjuhësi , sociologji, histori dhe të tjera. Po të mos kushtoja rëndësi temës nuk do ta lexoja fare dhe jo më ta komentoj. Koha ime e lirë është e paktë dhe sa herë që vendos të lexoj në internet tema me rëndësi të veçantë shkoj te kjo faqe interneti. Nëse të kam ofenduar të kërkoj falje dhe çdo koment nuk e bëj se nuk e përfill autorin por për shkrimin e tij mund të jap dhe unë mendimin tim

  4. Një pyetje më lind nga retrospektiva që bën Young gati një gjysëm-shekulli pas neologjizmit meritokraci: ku qëndron problemi tek seleksionimi edukativ nëpërmjet shkollimit obsesiv, që në botën e homosapiens-it, mishëron seleksionimin darvinian? Apo tek, iluzioni në thelb të një sistemi që pretendon se avancon meritën dhe talentin kur në fakt merita është një ndër të tjerë faktorë ndihmues?

    Domethënë, vihet në diskutim a) vlera kyçe e një shoqëri që ngre në piedestal shkollimin — gjerdanët e diplomave, titujve, çmimeve, gradave — si “summum bonum” së cilës i jepet skeptri i pushteti apo b) një klasë e tërë që vetëkënaqet duke menduar se ka arritur majat me meritë kur në fakt faktorë të tjerë kanë qenë era në flatrat e meritës (njohjet, paraja që mundëson shkollimin, rastësia/fati)? Më duket i rëndësishëm diferencimi, paçka se janë të lidhura, sepse miti i meritës autonome ndez shkallimin e shkollimit.

    Kjo e dyta është vërbëria e të ashtuquajtuarit “self-made man”, shprehje e inaguruar në senatin amerikan, përpara viteve 1870 që diskuton Young, nga Henry Clays në 1832. Kësaj vërbëria ia ka bërë radiografinë Balzac tek “Illusions Perdues” apo Stendhal tek “E Kuqja dhe e Zeza”, të dyja prodhime të viteve 1830. Një iluzion tjetër, i bukur sa utopik, është ajo e barazitetit të mundësive “equality of opportunity”…

    PS: Krypa, ka një karikaturë fantastike, që i shkon meritës vetëmjaftuese:
    http://krypasgame.blogspot.ch/2006/04/autonomy.html

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin