HEDH HOXHA NJË GUR…

Një hoxhë në Prizren shqiptohet për çështje komplekse të historisë së shqiptarëve në Ballkan – dhe, në vend që kjo të pritet me hilaritet ose me batuta, nëse duhet pritur vërtet njëfarësoj publikisht, befas valojnë tupanat e polemikave mbarëkombëtare.

Deri aty sa hoxha në fjalë “të suspendohet nga puna.”

Po ç’dreq bote qenka kjo, ku mendimi i një hoxhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me Islamin ka aq forcë, sa të ngjallë reagime të tilla kaq energjike?

Ç’dreq bote qenka kjo, ku një hoxhe i merren seriozisht opinione, për të cilat ai nuk ka kurrfarë ekspertize ose autoriteti?

Dhe, last not least, ç’dreq bote qenka kjo, ku një hoxhë e heqin nga puna pse ka bërë të vetin dhe ka ndarë me besimtarët një opinion kontroversial për historinë e Ballkanit në Mesjetë?

Mirë se vini në shqiptarinë moderne, ku hapësirën e debatit publik e kanë zaptuar temat mesjetare.

Imam Salihu, i mirënjohur për provokimet e tij, komunikon me njerëz që përnjëmend kujtojnë se ky mund t’i sqarojë për të shkuarën e tyre, prejardhjen e të parëve të tyre, dhe çështje të pranisë së hershme të shqiptarëve në Kosovë.

Se për ç’arsye ndokush mund të mendojë se një hoxhë i paska përgjigjet për këto pyetje dhe ua rivelon këto besimtarëve, këtë më duhet veç ta marr me mend.

Ndërkohë, reagimi i ashpër i opinionit publik, që nga i pamungueshmi Gjekmarkaj e deri te Bashkësia Islame e Kosovës që deklaron se “Imami Irfan Hasan Salihu me ligjëratat e tij të papranueshme ka fyer sedrën dhe historinë kombëtare të shqiptarëve dhe të nënave shqiptare,” lë vend për të dyshuar se këtu po gjykohet dikush jo pse ka thënë një të pavërtetë historike, por për herezi.

Dhe kush thotë herezi, ka thënë edhe ortodoksi.*

Se kush mund të fyhet, nga një pasaktësi ose provokim me natyrë albanologjike ose historike, të lëshuar nga një hoxhë, përveçse ata që gjenden nën influencën e kundërhoxhëve, ithtarët e partisë “AUTOCHTHONOUS,” këngëtarët e himneve futbollistike kuqezi dhe pilotët e forcave ajrore të telekomanduara të Ilirisë së Poshtme?

Imam Irfani ka cenuar, në fakt, ortodoksinë e diskursit dominant në hapësirën mbarëshqiptare, jo të vërtetën historike – e cila nuk mund të përpunohet e as të vihet në pikëpyetje brenda mureve të faltoreve.

Dhe e ka cenuar, duke bërë të vetin diskursin ortodoks të një kombëtarizmi tjetër – atij serb; ose diskursin imperial të pan-otomanizmit; ose kushedi ç’diskurs tjetër alternativ, dhe pavarësisht nga ç’qëllim është shtyrë për të ndërruar llogoret.

Se sa të vjetër janë shqiptarët në Kosovë, ose kudo gjetiu, këtë përpiqen ta gjejnë me përafrim historianët, arkeologët dhe të tjerë specialistë të diakronisë.

Normalisht, do të pritej që cilido prej nesh, të cilin mirëfilli e mundojnë këto çështje, të konsultohej me vepra studimore të historianëve që gjenden lirisht në libraritë dhe në bibliotekat.

Madje edhe në rrethanat e sotme, kur historiografia në Ballkan mbetet ring boksi midis ortodoksive të ndryshme kombëtariste, gjithnjë mund të gjenden vepra të cilat çështjes së prejardhjes së shqiptarëve në Kosovë i qasen në mënyrë objektive, ose të paktën në mënyrën më objektive të mundshme: me dokumente arkivore dhe arsyetime të qeta.

Një qytetar me një shkollim minimal në këto punë, nuk ka pse të impresionohet nga çfarë thotë hoxha në xhami për historinë e Ballkanit; dhe nëse kjo ndodhka vërtet, atëherë problemi nuk duhet kërkuar te xhamia, por te shkolla.

Sepse ashtu do të rezultojë që edhe shkolla ia paska mësuar këtij historinë si të ishte një lloj feje ose miti kombëtarist, me të vërteta të amshuara, heronj dhe tradhtarë; në mënyrë që ky pastaj të jetë në gjendje ta kuptojë se çfarë i rrëfen hoxha Salih nuk dallon dhe aq, për nga struktura logjike, prej asaj çfarë i ka dhënë shkolla.

Përkundrazi, çfarë shkolla nuk po u jep qytetarëve, janë instrumentet e të menduarit kritik ose aftësia për të gjykuar në mënyrë të pavarur e për t’iu qasur së vërtetës nëpërmjet dyshimit.

Dhe vetëm kështu mund ta shpjegoj këtë që ka ndodhur: duke e parë si një konflikt mendësish në thelb mesjetare dhe irracionale, në një terren të përzhitur nga mitet e vjetra dhe të reja; ose si një luftë fetare të maskuar pas kinse versioneve ortodokse të së vërtetës.

Pikërisht ata, të cilëve iu është ofruar historia kombëtare nëpërmjet një diskursi me karakteristika religjioze tipike, janë më të ekspozuarit dhe të rrezikuarit tani ndaj versionit alternativ që u rrëfen sot hoxha, nesër prifti dhe pasnesër politikani që u kërkon votën – sepse do të jenë mësuar, ndërkohë, që të vërtetën t’ua japë të gatshme pushteti: politik, fetar, ideologjik.

Dhe gjëja më qesharake në këtë mes është që këtë imamin e paskan “suspenduar” – në fakt, më logjike do të kish qenë të suspendohej ndonjë drejtor i Arsimit…

*e përdor termin ortodoksi me kuptimin “version i autorizuar ose zyrtar i një teorie ose doktrine”.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi i këtij shkrimi pa lejen e autorit ose të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. 2xha: Po ç’dreq bote qenka kjo, ku mendimi i një hoxhe për çështje që nuk kanë të bëjnë me Islamin ka aq forcë, sa të ngjallë reagime të tilla kaq energjike?

    Ne nenin 35 te Kushtetutes te Bashkesise Islame te Kosoves thuhet: “Kuadrot e Bashkësisë Islame janë personat që ushtrojnë punë dhe detyra fetare, fetaro – arsimore, administrative, profesionale, edukative, mësimore – shkencore, e të tjera.”

    Imami ne fjale eshte pezulluar nga funksionet e tij mbi bazen e rregullores te institucionit prej hierarkise perkatese qe ka autoritetin per te vepruar bazuar ne nenet e Kushtetutes ne fjale. Duke qene se feja eshte e ndare nga shteti, keto procedura jane nen autoritetin juridik te Kryesise te Bashkesise Islame te Kosoves dhe me duket se nuk jane te lidhura aspak me nje ortodoksi apo me rivalen e saj per te treguar historine e nje kombi ne kuptimin, domenin laik te fjales.

    Pikerisht perzjerja e fese dhe predikimeve te saj me historine dhe etnogjenezen e trojeve ne fjale, e kapercen autoritetin e nje imami, mendoj une. Kjo eshte arsyeja qe imame te tille jane te rrezikshem sepse mbjellin ne kokat te ngjashme me nivelin e tij intelektual, radikalizmin dhe urrejtjen, qe nuk ndihmon, por perkundrazi saboton progresin e mbare komunitetit shqiptar.

    1. Read Me, supozo sikur hoxha në fjalë të kish thënë që shqiptarët në Kosovë janë vendosur aty pasi janë larguar nga Etruria, në shekullin VI p.e.s. Do ta kishin “suspenduar” vallë, ngaqë kish predikuar për historinë dhe etnogjenezën? Aspak. Madje do t’ia kishin marrë një intervistë dhe do t’ia kishin nxjerrë portretin gjëkundi. Hoxhën e pezulluan jo sepse shkeli rregulloren e Bashkësisë Islame, por sepse shkeli ortodoksinë kombëtariste në publik.

      1. Megjithese nuk me duket e arsyeshme te flitet per nje situate hipotetike, per nje imam ne nivelin e imamit ne fjale, qe sjell ne pulpitin e predikuesit islam, belbezime catra-patra retrospektive, nuk duhet te konsiderohet si retorike “anti-establishment” te historise te shqiptareve.

        Ne fakt ne Shqiperi apo Kosove, sot per sot nuk ka ndonje qendrim zyrtar mbi historine dhe atje lulezojne te gjitha shkollat dhe per me teper ne vitet e fundit, kane qene te shumta tubimet e publikimet qe predikojne ne thelb ate cfare percartet ky imam injorant.

        Bile nuk eshte me as edhe debat i mrefillte, sepse po mbizoteron gjithnje e me shume idea se shqiptaret duhet ta rimesojne historine e tyre nen nje perspektive te re. Ne kete situate ka nje tulatje te madhe, qe ka ardhur nga nje coroditje totale e mosbesim ne mitet historike kaq te domosdoshme per nje komb.

        Po ta veresh me kujdes kete imam, islamin(islamizimin) e lidh me politiken e osmaneve ne trojet ballkanike, dhe duke qene se shqiptaret hiptetikisht paskan perfituar ne menyre disproporcionale ne kurriz te ortodoksve sllave, historia per imamin ne fjale fillon ne vitin e ndeshjes se madhe, sipas tij dhe mitit qe ai perpetron, 1389.

        Ne fakt ne thelb ky nuk eshte gje tjeter nje lloj “kombetaristi” tjeter, qe nuk e sheh shpetimin dhe shpjegimin e historise ne autoktonitetin e shqiptareve atje ku jane, por ne teorite islamo-kombetariste, qe osmanet na paskan bere me troje, identitet dhe atdhe dhe ne duhet t’i jemi mirenjohes, Duke harruar thelbesoren se shqiptaret para gjysmehenes, kane nje histori te tyre kristiane, te kryqit dhe kristianizimit.

        1. Shkruan:

          Ne fakt ne Shqiperi apo Kosove, sot per sot nuk ka ndonje qendrim zyrtar mbi historine dhe atje lulezojne te gjitha shkollat

          Në fakt ka një qëndrim të rrafshuar mirë në tekstet shkollore të historisë; si dhe një diskurs publik dominant, që është ai kombëtarist.

          Unë i kam parë nga afër disa tekste të tilla për shkollat e mesme dhe kam shkruar për këtë gjerësisht në blog:

          https://peizazhe.com/2012/02/17/gjimnazistet-ne-epir/

          https://peizazhe.com/2012/02/18/gjimnazistet-mes-ilireve/

          https://peizazhe.com/2012/02/21/gjimnazistet-ne-mit/

          https://peizazhe.com/2012/02/25/metoda-e-strucit/

          Ka një lidhje midis gjepurave në këto tekste dhe egërsimit të sotëm të tifozerive kuqezi.

          1. 2xha: “Uegen-i e thotë haptazi që në krye:

            Popullsia e Shtetit të Epirit ishte ilire, prandaj sipas traditës së kohës antike shkrimtarët grekë i quanin epirotët ‘barbarë’, epitet që grekët ua vinin të gjithë popujve që nuk ishin grekë. [Uegen, f. 26]”

            Teksti qe i referohesh, pervec konstatimit tend Xhaxha, ne dukje ka edhe nje “fallacy” logjike, kur shkruhet se “popullsia ishte ilire” prandaj shkrimtaret greke i quanin ‘epirotet “barbare”…’.

            Eshte si nje paralelizem automatik modern, si te thuash ne shekullin e njezet ‘qe popullsia e Shqiperise te Jugut ishte shqiptare dhe shkrimtaret greke i quanin (ta zeme) leberit “barbare”…’ 🙂

            Tani ne lidhje me termin ilir dhe epirot. Sidomos ne rastin e termit ilir, grekerit e perdornin kete term shume “loose”, lirshem, pa dogane. Ndoshta ketu do t’i kete pikenisjet qe iliret ishin te kudondodhur per udhetaret greke qe ishin shume te pasakte ne gjykimet e popullsive jogreke, sidomos kur kriteri ndares ishte gjuha.

            Greket ishin te paafte te dallonin nuancat, diferencat gjuhesore midis popullsive te Ballkanit. Nuk ishin ne gjendje te klasifikonin gjuhet, pervecse ndarjen e madhe ne Greke dhe Barbare. Ky ishte nje nga mekatet e medha te grekerve, te trasheguar nga romaket, duke percjelle nje konfuzion te madh deri ne ditet tona.

            Herodoti, Polibi, Aristoteli, Dionisi i Halikarnasusit, Strabo, etj nuk ishin gjuhetare, studiues gjuhe dhe poliglote dhe shqisat e tyre gjuhesore ishin te paafta te benin dallime per te na dhene gjykime te sakta te etnosit ballkanik.

            Per shembull Strabo, e kishte shume te veshtire te dallonte midis epiroteve dhe ilireve ndonje ndryshim thelbesor dhe nuk i konsideronte sy dy nacione, etni te ndryshme. Me vone Skilaksi dhe Apian, nje pjese te fiseve epirote i konsideronte ilire, Strabo duke mos qene ne gjendje te shihte dallime thelbesore etnike, si iliret si epirotet i quante fise barbare. Nga gjithe kjo, po te shikohet ne antropologjine fisnore(Strabo), vihej re se kishte nje perzjerje ilire epirote, nje marrje-dhenie here-here armiqesore po aq edhe vellazerore. Kjo situate eshte projektuar deri ne mijevjecarin e sotem. 🙂

            Max Muller ka nje thenie lapidare per situaten: “Eshte pune(energy) e humbur te nxjerresh ndonje gje pozitive nga pohimet(gjykimet) e grekerve dhe romakeve ne lidhje me racen(etnine) apo gjuhen e komshijve te tyre barbare.”

            Ne kete konfuzion te trasheguar, mendoj se pavarsisht pasaktesive te sjella nga shembujt e marre nga tekstet mesimore, ekziston nje opinion i ngritur deri diku ne nivel teorik (shkencor), te pakten dyshekullor.

            Perderise argumentat e kunderta, te origjines joilire te shqiptareve, jane te pa mbrojteshme dhe te paprovuara, qenien e shqiptareve te sotem ne truallet ku ato gjenden, mund ta marrim si prove te nje trashegimije iliro-epirote, arberore, shqiptare. Nuk ka asnje prove bindese qe ne zbritem ne keto troje si aliene.

            Duke iu referuar gjuhes ne vecanti, eshte provuar se shqipja eshte nje dialekt indo-europian. Nuk eshte as kelte, as greke, as latine, as sllave, nuk eshte provuar kurrsesi se eshte dako-thrakase, pervecse nje inventari te kufizuar, kryesisht me elemente leksikore te perbashket.

            Besohet se shqipja eshte nje mbetje e nje prej dialekteve te ilirishtes, ky eshte nje opinion mbizoterues sot ne linguistike dhe albanologji dhe ne shqiptaret jug e veri, lindje e perendim, gjuhesisht, kulturalisht si etni besohet se jemi mbetje, ndoshta jo shume te lavdishme, te atyre fiseve qe njihen si iliro-dardano-epirote. Duket nje absurditet per disa, por eshte nje teori e paprovuar, qe nuk mund te hidhet poshte.

            Ndoshta kurre nuk do te jemi ne gjendje ta provojme origjinen tone ilire, por eshte shpjegimi me i natyrshem sot per sot.

            Pyetja qe mbetet per tu bere: Si duhet t’ia mesojme historine dhe origjinen tone nxenesve dhe brezave te ardheshem?

            Te rrime te listojme te gjitha hipotezat e paprovuara te rrjedhes historike te shqiptareve, apo te themi se ne pamundesi te nje shpjegimi me prova te prekeshme, ta leme origjinen te bardhe, bosh, popull jetim qe nuk i njeh te paret e vet. Historia nuk mund te kthehet ne debat, te debatohet ne librat e historise.

            Askush sot per sot, asnje historian, gjuhetar, antropolog, etj, nuk mund te na nxjerre nga erresira e mijravjecareve. Nderkohe, ne nuk po “perpetuate”(percjellim ne pafundesi) nje genjeshter, apo sajese, po predikojme nje shpjegim te natyrshem(natyral) te origjines sone. 🙂

  2. Ky Hoxha nuk është se ka thënë ndonjë gjë më të rëndë, nga ato që ja fusin qesim gjithë ditën njerëz më një prezencë mediatike të përhershme. Po ta dëgjosh ligjëratën e tij ai përfaqëson një mendim të vetin për pozitën e shqiptareve në Perandorinë Osmane, e cila nuk i rri gjë më larg apo më afër realitetit se qëndrime të tjera që përfaqësojnë lloj – lloj njerëzish. Ja merrni për shembull një shkrim të Kadaresë, që ju bëfshin kurban ata që nuk duan t’ia japin çmimin nobël, dhe lexojeni ç’shkruan për shqiptarët në mesjetë. E kam fjalën kur ai flet me përgjegjësinë e dikujt, që po sqaron historinë, dhe jo për literaturën e shkruar prej tij. Po ta krahasosh me atë që thotë Hoxha, unë nuk jam në gjendje të dalloj se kush është më larg realitetit. Po jo vetëm ky, e gjithë historia zyrtare e shqiptarëve nuk është rezultat i vëzhgimeve objektive historike por i pasioneve apo hobby-ve të gjithfarë amatorësh e gjysmë analfabetësh, por që të lutem shumë, përbëjnë mendimin mbizotërues, bllokojnë raftet e librarive, bibliotekave e pushtojnë pjesën mbizotëruese të komenteve në linjë për tema historike.

    Por një gjë thosh Hoxha tamam, që gjynah që nuk ja dhanë hakun. Kjo kaloi pa u vënë re fatkeqësisht, siç kalojnë të gjitha gjërat thelbësore, ngaqë na u hap barku që ai tha, se në luftën ne Fushën e Mëllenjave nuk paskan luftuar gjë shqiptarët kundër osmanlinjve.

    Hoxha tha, se momentalisht është gjë e lehtë fare t’i biesh fesë islame kokës, ta poshtërosh atë, madje është një qëndrim i dëshiruar politik, i cili subvencionohet nëpërmjet parave që hyjnë nga jashtë për të ngopur elitat politike në pushtet dhe në opozitë, që këto pastaj sinkron të përfaqësojnë një mendim të vetëm, që feja myslimane qenka diçka e padëshiruar ndër shqiptarë. Madje nëse të do qejfi, mund të pshurrësh tek dera e xhamisë edhe pa qenë qen edhe pa të ardhur ngordhja se mund t’i hapësh telashe vetes me këtë punë.

    Në këtë pikë, pra kur konstaton faktin, Hoxha ka te drejtë. Është krejtësisht e natyrshme që fenë e myslimaneve shqiptarë ta nëpërkëmbësh, ndërkohë që me fetë e tjera nuk ndodh kjo. Ky qëndrim është vijë zyrtare, mbase i vetmi, i cili nuk ndryshon, pavarësisht kush është në pushtet.

    Unë, që nuk jam besimtar, por që si më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare do të duhej të isha mysliman, nëse e përcaktojmë fenë e individit sipas origjinës së tij; pra se ç’fe i kanë pasur gjyshërit, stërgjyshërit e kështu me radhë; e gjej këtë lloj qëndrimi krejtësisht pa karakter. Sepse një gjë është të mos i përkasësh një feje dhe një tjetër gjë është ta luftosh atë.

    Po në emër të kujt do të duhej të luftojnë shqiptarët e sotëm myslimanë përkatësinë e tyre fetare? Mos vallë në emër të iluminizmit ateist? Aspak! Është thjeshtë një luftë që bën oksidenti kundër orientit dhe si servilë që jemi, si pa karakter dhe si të pafytyrë, shkojmë e i puthim dorën atij që na duket se do të na japë më shumë. Këtë thotë edhe Hoxha.

    Fakt është që momentalisht myslimanizmi luftohet politikisht ndër shqiptarë. Nuk është i dëshirueshëm dhe njerëzit detyrohen ta përbuzin. Mendimi zyrtar i imponuar nga elitat politike dhe kulturore nëpërmjet medieve është që masa e shqiptarëve myslimanë të mos deklarohet si e tillë dhe këtë mosdeklarim ta shprehë në mënyrë aktive duke e refuzuar islamin si fe.

    Që të mos keqkuptohemi gjë, islami radikal ka probleme të jashtëzakonshme me epokën ku jetojmë, por ajo që luftohet në Shqipari nuk është gjë ideologjia islame apo islamo-fashizmi, sepse po të ishte kështu nuk do të duhej të kishim pse të humbitnim kohë me kokëçarje të tilla etike, por merrnim një herë ata horra që po qeverisin ato republika bananesh të banuara nga shqiptarë e i vinim përpara një muri të bardhë.

    Nuk është gjë ndonjë punë e hajrit edhe t’i vësh fetë e shqiptarëve të konkurrojnë me njëra – tjetrën, se si njëra është edhe tjetra.

    Aneja ime, grua e mirë flori, ish-shtetase osmane, thoshte me vete gjithnjë një vjershë, që nuk më kujtohet saktësisht, mbase më ndihmon ndonjë tosk gjë:

    Bajraku me kriq me lule,
    tunde Kostandini tunde!
    Dyfekun [me dorë e zure?] …
    Turkun përpara e vure!

    Bënte një pauzë dhe thoshte e çuditur me veten dhe me dynjanë:

    Po ç’i bëri turku xhanëm?

    p.S. Mundësisht jo përgjigje me referenca iliro-pellazgjike. Kush ka nge le të rrijë në këtë shekull, apo e shumta të kalojë një apo dy me pas. Sepse sinqerisht, se kush dhe çfarë kanë qenë në shekullin XV ata që kanë jetuar në territoret e banuara sot nga shqiptarë nuk më intereson. Ose të paktën në vijim të një diskutimi, se ç’vend zë feja e myslimane ndër ta sot.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin