LOKOMOTIVA SHQIPTARE

treni-shqiptarLajmet për angazhimin e qeverisë shqiptare në favor të transportit hekurudhor janë pritur me entuziazëm nga qytetarët. Buritë e makinave kanë rënë gjithë natën në shenjë përgëzimi.

Nga tuneli në dritë. Premtimi i Ministres së Hekurudhave, dr. Kolomba Hekurani, për rindërtimin e rrjetit hekurudhor në Shqipëri, u prit me brohoritje nga qytetarët në moshë të thyer. “Më kujtohen vitet e aksioneve për ndërtimin e hekurudhave të para. Kam punuar për disa linja, bile edhe për hekurudhën Prrenjas – Guri Kuq. Puna ishte e vështirë, por dëshira ishte e madhe. Unë punoja si disenjator i parullave të ndryshme”, tregoi tetëdhjetëvjeçari Moto Sharra. “Herën e fundit që kam hipur në tren e mbaj mend me gëzim të madh, tha një qytetar tjetër, sepse mund të blije thana në stacione. Thanat janë shumë të mira për barkun”. Të njëjtin gëzim shprehu edhe znj. Shkoza Hoti, e cila trenin e lidhte me plazhin, pushimet, kabinat dhe erën e rëndë të naftës.

Nga goma në shina. Gjatë mbledhjes së parafundit, qeveria vendosi që ta ndryshojë raportin midis transportit rrugor dhe hekurudhor. Në këto njëzet vjet përdorimi i trenit ka rënë jashtëzakonisht, si për njerëzit ashtu edhe për mallrat, për të mos folur për kafshët. Sipas Ministres Hekurani, objektivi ynë është që nesër qeveritarët të shkojnë në punë duke përdorur automjete që përdorin shinat: tren, metropolitanë, tramvaj. Kjo të bëhet si praktikë e si metaforë. “Treni ka pasur gjithnjë fuqi figurative, u shpreh Ministrja e Hekurudhave. Dje simbolizonte zhvillimin me forcat e veta, sot integrimin në BE. Treni që futet e del nga tuneli tregon daljen nga errësira në dritë”.

Nga loko në motiva. Hekurudha e nesërme shqiptare do të jetë pararojë e teknologjisë botërore. Trenat do të ecin me energji elektromagnetike, do të kenë lokomotiva aerodinamike, me shpejtësi dy herë më lartë se avionët dhe komforti do të jetë i jashtëzakonshëm. Stacionet do të jenë me ajër të kondicionuar, me televizorë ultra të sheshtë HD, me shërbime bari falas dhe me kameriere të pashme me karrierë të pasur mediatike. Brenda trenave do të kenë ujë të rrjedhshëm e drita 24 orë në ditë, e banjat do të jenë të pajisura me vaskë me hidromasazh e dush me ujë të ngrohtë. Rubinetet do të jenë me dizajn italian, por me ngjyrë kuqezi. Do të serviren pije të stinës e verëra franceze. “I vetmi problem që paraqitet, theksoi drejtori i linjës Milot – Rrëshen duke kërkuar ndjesë, është se nuk ka kohë; treni është aq i shpejtë dhe distancat janë aq të shkurtra saqë nuk ke kohë as të pshurresh”.

Nga edukimi në edukatë. Një problem tjetër që vunë re institucionet shqiptare është se brezat e rinj nuk e kanë idenë se ç’është treni. Përveç disa grupmoshave të caktuara, të cilat kushtëzohen nga nostalgjia, të tjerët nuk ia kuptojnë dobinë këtij mjeti transporti. Kjo është aq  e vërtetë sa 90% e tiranasve nuk e dinë ku është stacioni hekurudhor i kryeqytetit, kurse pjesa tjetër e ngatërron me stacionin e autobusëve. “Për sa kohë të kem benzin tim, nuk kam punë me trenat. Ai nuk ndalon dot rrugës për një kafe”, u shpreh sipërmarrësja Mercedes Bajza. “Por kam dëgjuar se për njerëzit e thjeshtë e për mallrat nuk është i keq”. Të gjitha intervistat e anketimet tregojnë se çështja është kulturore. Fëmijët kujtojnë se treni është lodër, kurse të rinjtë e ngatërrojnë me një videogame të porsadalë në qarkullim.

Nuk ka komente

  1. Të më falni që po e kthej seriozisht muhabetin. Transporti hekurudhor është vërtet temë e rëndësishme. Shikoni po të doni se si ka rënë në pikiatë ky transport njëzet vitet e fundit: të dhënat e Instat-it shqiptar flasin qartë. Hidhini një sy edhe faqes internet të HSH (Hekurudhave shqiptare), tek rubrika “historiku”. Do të vini re se nga viti 1987 e këtej nuk është shtruar as edhe 1 km hekurudhë. Megjithatë premtimet nuk mungojnë. Ja ku i keni këtu. Por ka pasur edhe të tjera gjatë viteve të pluralizmit. Siç ka pasur premtime për modernizimin e linjave, që i referohen tashmë parahistorisë.

    1. Hekurudhat në Shqipëri pasqyrojnë drejtpërdrejt gjendjen e Republikës atje. si edhe kudo tjetër. Bëhet fjalë për të mira publike, të cilat kultivohen dhe mirëmbahen në atë formë, se si Republika është në gjendje të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve të saj.

      Republika e Shqipërisë është shndërruar një hale. Në këtë gjendje do t’i kesh edhe hekurudhat. Në këtë gjendje do t’i kesh spitalet, shkollat publike, parqet publike, televizionin publik, radion publike.

      Nuk besoj se do të duhet të kalojë akoma shumë kohë, deri sa qytetari mesatar shqiptar të besojë haptazi, se ishte më mirë kur ishte më keq. Pasuria publike është në duart e një klike kleptomane dhe hekurudhave nuk ju është rezervuar një fat më i mirë.

      Unë nuk dua ta besoj por kam përshtypjen e tmerrshme që në kohën e diktaturës ka pasur një koncept më të përparuar për mbarëvajtjen e punëve publike se sa në këto 25 vjet të asaj që një Zot e di, se pse e quajmë demokraci.

      Enver Hoxha dhe Partia e tij e Punës të vinte me detyrim të punoje për të mirën publike, gjë që në një farë mënyre e bëri fillimisht të lindë dhe më pas e konsolidoi edhe përshtypjen dhe ndjesinë për të mirën publike. Këta që erdhën më vonë nuk ditën të bënin gjë tjetër vetëm se t’i vinin kazmën dhe ta shkatërronin.

      Nuk dua t’i shkruaj këto fjalë dhe jam tepër i trishtuar të pohoj publikisht diçka të tillë, por kam përshtypjen se ka ardhur prej kohësh momenti t’i bëjmë vetes pyetjen, se cili sistem ka qenë më i mirë për shqiptarët? Diktatura e djeshme? Qelbesirhanja e sotme?

      Një goxha grua që jeton në Tiranë, zonjë relativisht e përmbajtur në zgjedhjen e fjalëve, kur e pyeta para ca ditësh “si jeni?” me tha tekstualisht: “ka marrë muti shalën”. Unë nuk e kuptova se për çfarë e kishte fjalën dhe ma shpjegoi se njerëzit nuk ndjehen vetëm si të menderosur në brekë, por që gjendja është vërtetë shumë më fatale dhe se dimensioni fekal ka një dinamikë tredimensionale tejet ekstensive. Ma tha në lidhje me zhvillimet e fundit në politikën shqiptare; e kish fjalën lidhur me ata gangsterë e vrasës banalë që qeverisin.

  2. une jam nje dashnor i perhershem i trenit, qe i vogel simbolizonte per mua largimin, udhetimin eksplorimin, edhe kur rrija ne kembe pse plote me studente e familjare. Ne cdo vend qe me ka sjelle Perendia i kam hypur trenit, ma kerkon trupi, nje lloj droge.

    Me keqardhje p.sh. kam pare stacionet e trenit ne St. Louis apo Chicago ne SHBA, me dhembi shpirti, stacione ku jetonin e kalonin miliona udhetare ne muaj, tani jane kthyer ne qendra te shemtuara komerciale (ajo e St. Louis ne hotel, disi me mire). Ne Cleveland p.sh. e kane zhvendosur stacionin ne nje zgec, nga ku ishte ne mes te qytetit, Ne St. Louis e kane cuar ne stacionin e autobuzave te shemtuar te Greyhound. Penn Station ne New York nuk eshte me vend qendrimi, Amtrak i ka bllokuar stolat me gardhe, per te ndaluar hordhite e endacakeve te pushtojne hapesirat. E ne shume qytete te tjera ne SHBA o i kane mbyllur, ose i kane shnderruar stacionet gjigande, ne Los Angeles, San Diego apo Atlanta.

    Por shkoj ne Gjermani dhe me kenaqet shpirti, ne Itali gjithashtu, ne Angli vazhdojne ende gjithashtu, edhe pse shtrenjte. Ne Evropen Lindore, Varshave-Prage-Budapest-Beograd-Podgorice mund ta besh per qejf me tren. Nuk di c’behet andej nga Rusia, por ndalesa ime eshte Vladivostoku me patjeter, e me tej Shanghai. Ah.. enderra

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin