LËKURA E MITIT

Më tërhoqi vëmendjen një polemikë e hapur këto ditë, rreth një deklarate të aktorit Roger Moore, në lidhje me kriteret që duhet të përmbushë një aktor, për të përballuar personazhin e James Bond-it në ekranin e madh.

Roger Moore, që e ka luajtur vetë në atë rol vite më parë, e pat thënë këtë në kontekstin e një spekulimi për Idris Elbën si një nga kandidatët për të zëvendësuar Daniel Craig-un në atë rol.

Edhe pse shumëkush do të ketë mbetur indiferent ndaj këtyre shkëmbimeve pa bukë, çështja e etnisë, ose më mirë e “racës” së aktorëve që luajnë disa nga rolet më popullore, madje më mitike të imagjinatës kolektive nuk mund të shpërfillet si efekt anësor i marketing-ut.

Vetë James Bond-i është një relike e Luftës së Ftohtë, ose trashëgues i Britanisë së Madhe si fitimtare e Luftës II Botërore – duke ardhur kështu nga një kohë kur, realisht, zezakët nuk i gjeje shpesh në radhët e shërbimit sekret të atij vendi, as i takoje shpesh në korridoret britanike të pushtetit.

Kjo do të thotë se një James Bond zezak menjëherë do ta bëjë publikun të kërkojë arsyet për këtë zgjidhje regjisoriale.

Apo jo?

Kur e kam parë, në New York, baletin “Arrëthyesi” të Çajkovskit, në produksionin e mirënjohur të George Balanchine-it, menjëherë më ra në sy një nga balerinët ishte afrikan-amerikan.

Më ra në sy jo sepse nuk isha mësuar të shihja një balerin afrikan-amerikan në skenë, por sepse nuk e prisja që të shihja një aristokrat zezak në ballot e Rusisë cariste, së cilës i referohet origjinalisht baleti.

Njëlloj do të isha habitur sikur, bie fjala, balerini që luan Arrëthyesin të ishte dukshëm kinez ose inkas.

Nga ana tjetër, të presësh që aktorët në skenë ose në film t’u rrinë besnikë disa karakteristikave historike të caktuara është thjesht konvencion, që mund të shkelet jo vetëm për arsye artistike.

Shembullin klasik të kësaj kundërtie e ofron “Otelloja” e Shekspirit, në vëniet e saj të shumta në skenë.

Presim që, të paktën në shfaqjet që pretendojnë besnikëri ndaj konceptit dhe dramaturgjisë origjinale, që Otellon ta luajë një aktor lëkurëzi.

Kjo edhe ngaqë raca e Otellos, ose “arapit të Venedikut,” luan ajo vetë rol kyç në shpalosjen e konfliktit dramaturgjik.

Megjithatë, siç dihet roli rregullisht u është dhënë aktorëve të bardhë me fytyrë të nxirë me makijazh. Madje në ShBA hera e parë ku Otellon e luajti një aktor afrikan-amerikan ishte një shfaqje e vitit 1943 (edhe pse kish pasur tashmë produksione me krejt trupën e aktorëve të zinj.)

A do të na bënte përshtypje sikur Otellon sot ta luante një aktor i bardhë? Mua besoj se po – edhe pse e kuptoj se do të isha duke reaguar ndaj shkeljes së një konvencioni, jo të ndonjë rregullsie themelore.

Këtu do të vinte në vështrim, si dëshmi e kompleksitetit të temës, edhe një shfaqje të Shakespeare Theater Company ku Patrick Stewart e luajti Otellon në një produksion “foto-negativ” të regjisorit Jude Kelly – ku të gjithë aktorët e tjerë ishin të zinj.

Doemos, shembulli i “Otellos” nuk i jep përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes që shtrova në krye të shkrimit – meqë drama e Shekspirit i referohet pikërisht dallimit në racë, pavarësisht nga si zgjedh regjisori ta mishërojë personazhin në skenë: a mund të përfytyrojmë një Otello femër, në marrëdhënie lesbike me Desdemonën?

Përkundrazi, po të shohim Idris Elbën si James Bond, ose në një rol që i përket jo aq artit, sa mitologjisë pop, kërkesat për “realizëm” do të tingëllojnë më të përligjura.

Në të njëjtën mënyrë, publiku në Shqipëri nuk do ta pranonte – të themi – një Ismail Qemali që flet gegnishten veri-perëndimore, ose një Bajram Curri që flet çamërishte në skenë.

Ma merr mendja se kjo do të shkaktonte thjesht hilaritet.

Edhe pse Qemali ose Curri janë, doemos, figura historike – ndryshe nga Otelloja ose, mutatis mutandis, James Bond-i që i përkasin sferës imagjinare – sërish çështja e besnikërisë ndaj pritjeve të publikut nuk është se ndryshon shumë.

Një Ismail Qemali që flet gegnishten e Fishtës do ta bënte publikun – dhe kritikët – të pyesnin se pse e ka bërë këtë zgjedhje regjisori.

Dhe kjo do të ishte njëlloj, them, me pyetjen që ia bëra unë vetes se pse kish vendosur koreografi i Arrëthyesit që një prej aristokratëve rusë të ishte zezak.

A jemi gati për këtë James Bond?

A jemi gati për këtë James Bond?

Idris Elbën e kanë “marrë në pyetje” edhe kur luajti rolin e perëndisë nordike Heimdall në filmin “Tor”: a mund ta luajë një zezak këtë rol, në një vepër që i përket kulturës pop, ose që nuk pretendon të vërë në diskutim raportet e narrativës ose të inskenimit me realitetin?

Elba pat vërejtur, me atë rast, se filmi në tërësi i kërkonte publikut të pezullonte mosbesimin – për të pranuar fuqitë e mbinatyrshme të personazheve dhe elementet e tjera fantastike në rrëfim. Dhe, në raport me një varé mitike që e ndjek të zotin si të ishte qen, ngjyra e lëkurës e aktorit do të relativizohej krejt.

Çështja nuk është, pra, a mund ta luajë Idris Elba James Bond-in; por pse e kemi kaq të rrënjosur, në mendësi, kriterin e identifikimit të tjetrit sipas racës ose, më gjerë, prejardhjes (shenjave të prejardhjes).

Kur solla më lart shembullin e Isa Boletinit që flet çamërisht në skenë, më shkoi në mendje edhe se, për një kategori anglezësh, edhe Sean Connery –skocez nga origjina – do të jetë dukur i papranueshëm, në një rol që mishëron esencën e superioritetit anglo-sakson, në një film që, për nga natyra e vet dhe audienca së cilës i flet nuk mund të jetë veçse “realist.”

Aq më të vështirë do ta kenë, ma merr mendja, aktorët e një trupe teatrale në Lagos të Nigerisë, që të vënë në skenë “Otellon” – me synimin për ta përfshirë emocionalisht publikun ashtu siç do të kish dashur Shekspiri.

Në fakt, këtu përplasja ndodh midis artit si vlerë humane universale dhe miteve narrative, të cilat i kanë rrënjët në histori. Prandaj, për shumë prej nesh një Herkul vietnamez do të tingëllonte po aq blasfem sa edhe një Zeus perëndi hindu.

Pra, edhe kur, multikulturalistë të bindur, ia hapim dyert artit nga kultura dhe kontekste të tjera, nuk jemi gati të heqim dorë nga rrënjët historike të miteve narrative, sepse besojmë që ashtu miteve do t’u mbetej veç zhgualli.

Pa çka se kjo besnikëri jona ndaj historisë është po aq konvencionale sa, të themi, përdorimi i maskave ose i kukullave në disa forma të artit skenik kinez; i korit në dramaturgjinë greke klasike; ose fakti i mirënjohur që, edhe në Perëndim edhe në Lindje, rolet e grave në skenë i kanë luajtur tradicionalisht aktorë burra.

Në fakt, kjo nevojë jona gati metafizike për “realizëm” dhe riprodhim fotografik dikur në të ardhmen do të konsiderohet si një nga karakteristikat më absurde të kësaj periudhe që kemi fatin të jetojmë.

Nuk ka komente

  1. Se fundmi edhe Daily Show i John Stewart do te kete nje afrikano-jugor si drejtues.. jane mesazhe se show po shtrihet globalisht ne hapesire dhe ne kultura te ndryshme..

  2. Në thelb të kësaj nevoje për realizëm, Jameson e të tjerë me të, diagnostikojnë nostalgjinë postmoderne për të rikapur të shkuarën, përpjekje që përfundon në hiperrealizëm, sepse ideja e rindërtimit është iluzore. Për ta dhënë me shembullin e balerinit afro-amerikan tek “Arrëthyesi”: sigurisht prania e një aristokrati me prejardhje afrikane është anomali (në fakt nuk duhet të jetë domosdoshmërisht, sepse ka patur mulat me gjak aristokrat në sallonet evropiane, p.sh. Elizabeth Dido Belle, mbesa e Lord Mansfield, gjyqtarit të Mansfield Judgment, mbi tregtinë e skllevërve brenda dhe jashtë Britanisë). Për t’u kthyer tek “Arrëthyesi”, balerini afro-amerikan është shenja më e dukshme defamiljarizuese, por po të shkosh përtej dukshmërisë, arrin shumë shpejtë të pranosh që vetë realja ruse është një zhguall i mbushur me pritshmëritë, teknologjitë, imagjinatën e një tjetër kronotopi (epoke, kontinenti).

    Në rastin e James Bond, zhgualli mbushet kollaj me një aktor të çfarëdolloj ngjyre, edhe me një cyborg pse jo, sepse, ndonëse gjeneza e filmit është Lufta e Ftohtë, për ta thënë në zhargonin jamesbondian “the Cold War is not enough”: sfidat kanë ndryshuar fytyrë, armiqtë, makinat, orat, Q, Jame Bond vetë. Do qe traumë më e madhe nëse heroi i zëvendësueshëm nuk pi më “vodka-martini shaken, not stirred.” Shkurt, unë jam gati për Elbën, madje pa asnjë parapërgatitje.

    “Otello” është më problematik, sepse futet në lojë ajo, Xha Xha, që ti diskutove para disa ditësh: gjuha fashiste. Kur duka thotë: “Në qoftë, Zot, se ka një bukuri virtyti,/ Dhëndëri juaj ështe më i hijshëm sesa i zi.” (If virtue no delighted beauty lack,/ Your son-in-law is far more fair than black), duhet më shumë manipulim se sa përmbysja e ngjyrave si në rastin e çiftit Patrick Stewart-Patrice Johnson, aq më tepër sepse Jago ndërton gjithë strategjinë e tij mbi shndërrimin e errësirës/ të zezës sipërfaqësore në të zezë të brendshme morale, dhe është një traditë metaforike goxha e gjatë që të kundërvihet, duke filluar nga ajo që mëkati është i errët ose i zi dhe jo i bardhë në kulturën oksidentale. E çuar në ekstrem, një grupi teatral dhe spektatorësh në Lagos iu mungon vetëdija se janë të zinj, po të besojmë shkrimtaren nigeriane, Chimamanda N. Adichie, që thotë në një referat në TED se kur arriti në Princeton, mori vesh që ishte e zezë. Dua të them, se ndërsa i shoh Zeusin hindu apo japonez si zhguaj, që fare kollaj mund të mbushen me përmbajtje që ngjashme por jo identike (më vjen në mendje tani tregimi i Borges “La Casa de Asterion”, ku Minotauri i zbuluar në fund është kontur, i zëvendësueshëm kushedi me krijesat mitike të Malinçes, po t’i kish dashur pena mjeshtërit), kur hyn në lojë gjuha nevoja për realizëm kthehet në obsesion që kërkon sakrifikime më të mëdhaja nga të gjitha palët, p.sh. në një adaptim të “Otellos” në Lagos, pyetja mund të lind: çfarë duhet shpëtuar prej iluzionit të realizmit, gjuha apo shpirti i tragjedisë?

    P.S.: Xha Xha, faleminderit për një varg shkrimesh stimulues e zgjuarsisht të lidhura me njëra-tjetrën!

    1. Në fakt, përsiatja e një aktori me ngjyrë, si Elba, në rolin emblematik të James Bond-it do të ndodhte herët a vonë, edhe pse jo si pasojë e ndonjë progresi në të drejtat civile ose në përfaqësimin e minoriteteve në mitet “konstitutive” të qytetërimit perëndimor.

      Ndryshe nga Bondi i bardhë, patric përfaqësues i klasës së vet eprore dhe që lufton për të mbrojtur privilegjet e Britanisë së Madhe në një botë gjithnjë në lëvizje; por edhe primatin anglo-sakson në një botë ku fuqi të tjera kërkojnë hisen e tyre në diell; ndryshe nga ky Bond, pra, Elba do të vijë, dashur pa dashur, si një James Bond mercenar; që lufton ose për të kënaqur ambiciet e veta narcisike, ose ngaqë paguhet mirë.

      Dhe gjithsesi, jo ngaqë lufta e tij, gjakimi i tij dhe aventurat e tij kanë ndonjë lidhje çfarëdo me minoritetet raciale në Perëndim – qofshin këto në UK ose në ShBA.

      Bondi i Idris Elbës do të përfaqësojë vetveten: si mishërim i përsosur i individit “ideal” në shekullin XXI; edhe i emancipuar nga komuniteti përkatës, edhe i lidhur aq simbolikisht me të sa të mund ta përfaqësojë – për shkak të tatuazhit natyror të lëkurës.

      1. Ka drejtësi në skenarin që përshkruan, i ka ardhur koha një “Heimzahlung” në mos “Heimsuchung” si ky: që njeriu i ri i shekullit të ri, mercenar dhe veç simbolikisht i ankoruar, të mbart shenjat që njeriu i vjetër ka çnjerëzuar e shfrytëzuar deri në palcë.

        Por mund të ketë edhe një skenar tjetër, ku Bondi i ri funksionon si një Morpheus, mentor, ëndërrimtar dhe dora e djathtë, e një Neo-sistemi ose -Übermensch.

  3. Ndoshta po dal pak nga tema, por unë do t’i besoja më shumë raporteve që krijohen midis tekstit e lexuesit. Teksti, që në rastin tonë mund të jetë edhe film, t’i jep vetë udhëzimet se si duhet lexuar. Në qoftë se teksti nuk jep asnjë shenjë, pra ia lë mendjes së lexuesit të bëjë referimet ektratestuale, duke iu drejtuar edhe leximeve të mëparshme të së njëjtës vepër, është normale që Xhaxhai të habitet e të pyesë se përse regjizori kish vendosur tek Arrëthyesi që një prej aristokratëve rusë të ishte zezak.

    Një nga veprat të interpretuara më lirisht, tashmë e rrënjosur thellë në kulturën popullore, është “Konti i Monte Kristos” (Le Comte de Monte-Cristo), roman i Aleksander Dumasë. Personalisht, duke pasur parasysh variantet gjithnjë e më fantazioze që vënë në skenë, me fabula e personazhe që shkrimtari Duma nuk i kishte përfytyruar kurrë në roman, nuk do të habitesha fare sikur Edmond Dantesi të ishte me ngjyrë tjetër. Por pres që filmi ose teatri të ma thotë vetë arsyen e zgjedhjes, ose të më lërë të nënkuptojë se referimet historike nuk kanë rëndësi parësore. Tek e fundit, thelbi i Kontit të Monte Kristos, që si fabul zhvillohet në Itali, Francë e në Mesdhe, ka si bazë disa ndjenja njerëzore që prekin të gjitha kontinentet: dashuria, hakmarrja, drejtësia, falja, mëshira, besimi…

    Pra asnjë skandal nuk ka po të shohim një Otello të bardhë, ose femër, ose gay, me kusht që teksti i ri të ketë një lloj koherence brenda vetes; ku ta di unë, p.sh. që Desdemona të jetë afrikane, lesbike, mashkull, nuk ka rëndësi, por të ketë tension sentimental me protagonistin. Në paktin që bën spektatori me filmin që do të shfaqet në ekran, pikërisht kur merr tasin me kokoshka në dorë, nuk hyn vetëm fakti se ai e merr të mirëqenë lojën e aktorëve, pra sikur do të shihte nga vrima e çelësit një histori të vërtetë, por edhe pezullimin e leximeve të tjera që janë bërë më parë, nëse paralajmërohet në një farë mënyre. Kujtojmë se në titullin e Otellos, deklarohej që në fillim se ishte “arapi i Venedikut”. Tek e fundit tragjedia shekspiriane flet për dashurinë e për xhelozinë, ku ngjyra e sekset e subjekteve janë vetëm artifice të kohës e të fabulës. Por a është i gatshëm lexuesi t’i pranojë këto ndryshime? Varet se si ia paraqesim.

    1. E vështirë që filmi apo teatri të ta thotë vetë arsyen e zgjedhjeve intertekstuale (apo jo intertekstuale) që bën, sepse nënkupton që të jetë i parainformuar për eksperiencën intelektuale të të gjithë spektatorëve të tij.

      Zgjedhja e një Desdemona të bardhë, p.sh. një specialisti të teatrit Shekspirian i kujton se në teatrin anglez vetëm vonë i ka lënë personazhet në letër femra afrikane të ruajnë shenjat fizike të racës. Përkundrazi, nëse në letër çifti është Afrikan, madje të dy nga e njëjta krahinë, në skenë ai lyhet me makiazh, ajo jo. Pra, për femrën aplikohet literalisht “bardhëlarja” (whitewashing). Kështu që edhe “Arrëthyesi” me balerin afro-amerikan, kushedi një lexuesi të tillë i komunikon të tjera mesazhe e i zgjon një intertekstualitet, që realizuesit mund të mos e kenë patur hiç në mendje.

      Një studies në African Studies, me siguri, ka totalisht të tjera intuita intertekstuale. Ky studiusi, sidomos po të jetë marrë edhe me tekste të Renaissancës evropiane, zor ta shoh “Otellon” si tekst “për dashurinë e për xhelozinë, ku ngjyra e sekset e subjekteve janë vetëm artifice të kohës e të fabulës”, sidomos jo “artifice” Përkundrazi, këtij mund t’i vijë në mend teksti i Leo Africanus (1550), ku afrikanët përshkruhen si gjaknxehtë, syleshë dhe xhelozë. Prandaj kur Otello ngul këmbë në monologun final që në raportin që do t’i çohet Dukës në Venezia të rrëfehet për “Of one that loved not wisely, but too well/ Of one not easily jealous, but being wrought” (më falni nuk e kam Nolin këtu), nuk është fjala për xhelozi universale por për paragjykim racial.

      Dmth, në raportin tekst/lexues, teksti nuk mund të funksionojë a priori si legjendë e bagazhit që sjell me vete komuniteti i lexuesve. Kjo është edhe liria e tekstit e ndoshta një prej mënyrave si letërsia e shpërthen korsenë e gjuhës.

      1. I referohesha konceptit të “intentio operis” të Umberto Eco-s. Është e vërtetë që teksti ka nevojë për bashkëpunimin e lexuesit për të funksionuar si i tillë. Në një farë mënyre ai është plot hapësira bosh ku futet lexuesi me bagazhin e tij kulturor. Megjithatë, teksti përban disa udhëzime për lexuesin model, që e ndihmojnë në interpretimin e tekstit, pa u bërë i bezdisshëm, ose “ridondant” siç e quan Eco.

        Me fjalë të miat, lexuesi është i lirë ta interpretojë tekstin si të dojë derisa nuk prek të drejtat e tij. Sepse, për të rimarrë shembullin e mësipërm, kur që në titull thuhet se kemi një “arap të Venedikut”, teksti vetë i thotë “lexuesit model” se ngjarja ndodh në Italinë veriore e se protagonisti është me ngjyrë.
        Mund të citoj edhe shembullin që jep studiuesi I mësipërm, duke na kujtuar se kur rrëfimi fillon me shprehjen “Na ishte një herë” lexuesi e kupton se kemi të bëjmë me një përrallë, pra merre që në fillim deklaratën e parë, pra busullën si të orientohet në interpretimin e veprës.

        Kjo nuk do të thotë se lexuesi nuk ka gisht në leximin e veprës, sepse teksti është “mekanizëm dembel”, ka nevojë për energjinë e lexuesit; por ky nuk mund ta kuptojë titullin “Konti i Monte-Kristos”, sikur të ishte baron në Afrikë. Por kur vetë vepra jep mesazhe jo koherente, si shembujt që dhamë më sipër, lexuesi fillon e i bën pyetje vetes përse ekzistojnë këto inkoherenca të tekstit dhe cili ishte qëllimi i autorit. Në rastin e regjisorit, kemi jo vetëm një “intentio operis” të re, sepse lexuesi vepron mbi interpretimin që i është bërë veprës originale, njohuri që ndërveprojnë me procesin e leximit të “veprës së re”. I takon autorit të ri t’i japë disa kompetenca lexuesit model, në mënyrë që ky ta pastrojë veprën nga skoriet e ambiguitetit, që nuk do të thotë ta shndërrojë në vepër të mbyllur. Këto, tendencialisht, duhet të ekzistonin vetëm në shkencë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin