KUQEZI JANË DILEMAT E RREME

Artikulli i Gresa Hasës, të cilin pas blogut tonë e botuan edhe shumë media të tjera, online dhe të shkruara, ngjalli shumë reagime, në pjesën më të madhe të cekëta ose të shëmtuara.

Meqë kam shumë vjet që në mënyra të ndryshme i ndjek këto tema kur debatohen, më duhet të them, i hidhëruar, se niveli i debatit nuk ka qenë ndonjëherë më i ulët se kaq.

Ndoshta kjo vjen ngaqë mendjet më kompetente janë lodhur dhe nuk duan të merren më me një temë që u kushton shumë; ndoshta vjen ngaqë rrjetet sociale e kanë zgjeruar shumë sferën e atyre që “preken” nga shkrime të tilla; ndoshta vjen edhe ngaqë prurjeve të reja në komunitetet virtuale shqip u mungon fibra qytetare.

Por edhe po t’i lëmë mënjanë shfryrjet emotive të disave ose moskuptimet e keqkuptimet e të tjerëve, përsëri mbetet çështja e radikalizimit, e cila nuk mund t’i faturohet vetëm padijes.

Dhe ky radikalizim lidhet, në rastin tonë, me vendosjen e një dikotomie ose dileme të rrejshme: asaj midis të qenit kuqezi dhe kozmopolitizmit; në kuptimin që kush thotë se “nuk jam kuqezi”, është duke e paraqitur veten si kozmopolit, ose duke e bërë hasha kombin e vet.

Është e vështirë të thuash se ç’kanë parasysh këta kritikë me kozmopolit; sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme, kozmopolit është personi që “e quan gjithë botën për atdhe”; por termi është përdorur, prej kohësh, nga e djathta fashiste dhe fashistoide, si eufemizëm për hebreun.

Përshtypja ime është se, në ligjërimin e sotëm publicistik shqip, kozmopolit po priret të shënjojë “atë që nuk e do atdheun,” duke e shtyrë debatin drejt sallës së gjyqit, ose vendit ku historikisht janë demaskuar dhe pastaj linçuar tradhtarët.

Por ky është një problem i dytë – edhe pse jo pa lidhje me të parin, atë të radikalizimit.

Natyrisht, të thuash a të nënkuptosh se kush nuk është “kuqezi” është “kozmopolit” do të thotë jo vetëm të ndash arbitrarisht më dysh një spektër psikologjish dhe qëndrimesh të shumëllojshme dhe të shumëngjyrshme; por edhe të lejosh që tonin debatit identitar t’ia japin dukuri anësore të kulturës pop, të tilla si një këngë ose video me simbolikë të theksuar kitsch ose koreografitë naive dhe herë-herë të dhunshme të tifozerive futbollistike.

Kuqezi janë ngjyrat e flamurit shqiptar, të cilat simbolizojnë identitetin kombëtar; por e bëjnë këtë në mënyrë të pavarur nga ekzibicioni pop, kitsch-i kombëtarist dhe aq më tepër tifozeritë.

largePërkundrazi, ekzibicioni pop, nacionalizmi kitsch dhe tifozeria futbollistike po duan ta uzurpojnë simbolikën kombëtare, kushedi edhe të nxitur ose të manipuluar nga forca ose lëvizje politike të caktuara; dhe ta uzurpojnë duke i privuar të tjerët nga e drejta për ta ushtruar dhe përjetuar identitetin e tyre kombëtar ashtu siç e shohin të udhës.

Çështja është se këngë si ajo për të cilën foli G. Hasa, turma e tifozëve në një ndeshje të kombëtares dhe fluturimi i një droni nga ku varej një mash-up imazhesh kombëtariste mbi një stadium futbolli janë dukuri që jo vetëm nuk i merr dot si përfaqësimtare të asaj çfarë është kombëtare në psikologjinë kolektive të shqiptarëve sot; por edhe të tilla që ta lënë një pjesë e madhe e qytetarëve të neveritur, jo për shkak të simbolikës kombëtare, por për shkak të abuzimit që i bëhet kësaj simbolike.

Në qoftë se kultura jonë dhe opinioni publik e lejojnë “të qenit kuqezi” të kapet peng nga turbo-tifozeritë dhe pasionet e turmave të frustruara, atëherë pikërisht te ky pranim konsumohet atentati kundër identitetit kombëtar të shqiptarit.

Prandaj edhe të distancohesh nga kjo mënyrë e ekzibicionit kombëtarist është, para së gjithash, gjest patriotik; madje detyrë patriotike e kujtdo që beson se uzurpimi i simbolikës kombëtare për qëllime ekzibicionizmi nuk i shërben as kombit, as vetëdijes shqip.

E kam thënë dhe do ta përsërit, se për mua patriotizmi sot nuk mund të jetë asgjë më tepër se gatishmëri për t’i shërbyer publikut; dhe se nuk ka gjë të përbashkët midis karnevalizimit të identitetit kombëtar – siç ndodh në video të muzikës pop ose në koreografitë e stadiumeve – dhe realizimit të këtij identiteti në veprimtarinë publike të gjithkujt.

Prandaj edhe besoj se, në momentin e tanishëm, denoncimi haptazi dhe pa ekuivoke i turbo-nacionalizmit ose i uzurpimit të identitetit kombëtar nga shtresa të margjinalizuara (përfshi edhe diasporën) dhe ideologji ekstreme (në thelb fashiste) në hapësirën shqiptare është, para së gjithash, jo vetëm gjest por edhe detyrë qytetare e kujt përnjëmend dëshiron dhe është i gatshëm t’i shërbejë atdheut të vet.

Madje, në një kuptim, përdhosja e simboleve kombëtare nga të gjitha format turbo të manipulimit të masave do t’u shërbenin, si justifikim në mos moral së paku estetik, të gjithë atyre snobëve që e konsiderojnë identitetin e tyre kombëtar si poshtërim, si pengesë ose si diçka për t’u konsumuar privatisht; sepse do t’u jepte një alibi për t’u distancuar prej të qenit shqiptar. Prandaj edhe kultura nuk mund ta kalojë me indiferencë këtë degradim të patriotizmit në kombëtarizëm; dhe as ta lejojë zëvendësimin e përkushtimit publik me llafologji atdhetare dhe folklor.

Nuk ka komente

  1. Deri diku, e mirëkuptoj pyetjen që bëri ndonjë komentues “pse i trembeni kombëtarizmit?”, e mirëkuptoj me njohuritë e mangëta të historisë, sidomos asaj evropiane, që zotron shqiptari mesatar, të cilit në fakt i këndojnë në kaptinë kumrijet për mbijetesë në një atdhe të dalë nga boshti. Në këtë kontekst kombëtarizmi merret si pilulë lumturuese, një prozac, që ta mban kokën në re.

    Mirëpo kënga e kuqezinjve, nga ta kapësh, nga teksti apo nga videoja, nuk lë vend për mirëkuptim. Të dyja përbëjnë një përzjerje gërditëse: teksti, lëre s’e përmbajtja nuk i shkon qëllimit për të cilën është kompozuar, frymës së lojës, dëfrimit, fqinjësisë që është bileta kryesore për t’u futur në garë, por edhe niveli parashkollor i fjalive, i simbolikës, vërteton se kombëtarizmi nuk është në gjendje të prodhojë estetikë për të qenë.
    Videoja ia ngre tekstit banalitetin në kub, sepse gjithçka është e reduktuar tek ngjyrat, tek shqiponjat, malet, flamuri, turma, një thjeshtëzim injorant e militant deri më sot i paparë i karakterit kombëtar (nëse ky merret si i qenë). S’po dua të përsëris instrumentalizimin politik me gjuhë të gabuar në vend të gabuar, se këtë e komentuan të tjerë tek shkrimi i G. Hasës.

    Më mungon formimi ta komentojë muzikën (të gërshetuar me imazhet) përveç se me gjuhën e trupit, dhe di të them se si muzika si videoja më çuan mornica ankthi. Tym, turmë, zhurmë, një amalgam i frikshëm (uncanny, unheimlich) sikur të jetë tubim ninjas, the FLAG-GANG, ku aq më keq as fëmijët s’lihen rehat, por përdoren si objekte identifikimi, ndonëse foshnjërakët e pashpresë janë ata që tundin flamurin e Digitalbit.

    Nuk duhet të futemi kështu në histori, tashmë u bënë 20 e ca vjet që kemi dalë nga burgu dhe duhet të kemi kaq pjekje sa të kuptojmë sinjalet që lëshojmë dhe sherrit që i themi lepe.

  2. Shkrimi i Greses kishte nje problem sipas meje, qe e konsideroj veten kozmopolit 🙂 Kishte nota ne shperpjestim me ngjarjen nga merrte shkas, dhe te linte ate shijen e nje skene filmi te sajuar. Cfare dua te them, eshte se rendesi te madhe ketu ka konteksti. Per cfare po flasim ? Per nje kenge stadiumi, sepse e tille eshte. Sponsori zyrtar i kombetares se futbollit, ka prodhuar nje kenge stadiumi. E dini cfare kendohet sot ne stadium : Xhamadani vija vija Eshte Kosova eshte Shqipnia ! Nuk me duket se ka ndonje kompleksitet kompozocional apo tekstual me te madh sesa kjo kenga e re. Pra kemi nje kenge tifozesh, prodhuar kryesisht per te kumbuar ne shkallet e stadiumit. Dhe tifozet (po perpiqem te perifrazoj xhaxhain tani) nuk shquhen per ndonje virtyt te madh, kane mes vete edhe racizem apo probleme te tjera patologjike, me perkufizim keto, sikurse nuk duhet ta kerkojme tek ta hapjen ndaj multikulturalizmit. Dhe une jam dakort me kete. Pra ky eshte konteksti. Qe Digitalbi e shperdoron te gjithe kete edhe ne kurriz te interesave komercial, kjo nuk eshte ndonje gje e re. Me kujtohet si tani ajo reklama ku ai zoteria del perpara avionit dhe i kerkon emigranteve te marrin Shqiperine me vete (pra digitalbin!!!).

    Tani, thene kete, reagimi dhe notat qe percillnin shkrimin e Greses, mua mu duken te shperpjestuara. Ketu budallalleqe me kontekst nacionalist ndodhin ne nivele shume me te rrezikshme sesa tifozera e futbollit, duke perfshire here pas here edhe rangje akademike, dhe xhaxhai, apo PTF me sakte, i ka trajtuar disa raste te tilla. Nese me patjeter duhej reaguar edhe ne kete rast, kjo mund te behej ne nje forme pak me fine. E thene shkurt xhaxha, eshte sikur ti te nisje nje debat mirefilli etimologjik shkencor me zotin Guri tani. Reagove vertete, por me shume finese dhe me tonet perkatese ndaj situates 🙂

    1. Pëshpëritës,

      “Xhamadani” shkon si krahasim, por qëndron pak më lart (paçka se kur e kam dëgjuar të kënduar në dasma e gosti, mendova se e kishim prekur fundin). Për arsye kohe veç dy fjalë rreth tekstit.

      “Kuqezi je ti”, që në titull, bën eksplicite atë që “Xhamadani” e arrin në mënyrë sinekdokiale, një pjesë veshjeje që përfaqëson trupin e shqiptarëve, vija-vija lë të kuptosh dy ose më shumë ngjyra, por sigurisht të brendshmit duan t’i marrin për kuq e zi.

      Te “Xhamadani” ka njëfarë narrative, malli, halli i ndarjes, i shkrehur nga bora që mbulon malet, që shkreh edhe këngën; ka ndonjë përpjekje për një epizëm në miniaturë, e shprehur me idenë e rrugëtimit të prirë nga valët e Drinit të Bardhë e të Zi, që mbush një strofë, por që në “Kuq e Zi” përfundon në një varg vijmë nga trojet tona. “Xhamadani” nuk ta përplas në fytyrë Shqipërinë etnike, Shqipërinë e Madhe, thotë “sa e madhe është Shqipëria” ku madhësia nuk i referohet direkt territorit fizik, por të le liri ta marrësh për shpirtërore, kulturore, vurja emrin vetë. Parateksti i “Kuq e Zi”, me banderolën, flamurin më të bukur në botë, me referencën insistuese territoriale i jep tonin gjithçka vjen më pas, që kjo është këngë revolte për haqet e lojës me Serbinë. Këngë e shëmtuar që nga motivimi.

      Vërtetë, shkrimi i GH përmbante indinjim, por shpërhapja e këngës me boritë e Digitalbit rrezikon ta mekë humorin e athët kozmopolit. A thua do mjaftonte ironia përpara etimologjisë fantasmagorike të Gurit nëse ky kishte trompetat e Digitalbit me vete? S’ma do mendja.

    2. Shume e vertete ajo qe thote Militschi. Kjo kenge e ben “Xhamadanin” te duket kryeveper. Nga ana tjeter edhe pse qellimi i artikullit te Hases ishte fisnik, menyra e transmetimit te tij ishte ku e ku me pak dinjitoze se kenga, madje me nota shume me agresive. Ajo qe dua te them, pa e dekurajuar Zn.j Hasa apo flamurtaret e tjere te kesaj kauze, eshte se banaliteti nuk mund te luftohet me banalitet.

  3. Me duket se Gresa, duke I bërë një kritikë arsenalit emocional te nacionalizmit ka bërë ca kapërcime po aq emocionale duke e bërë artikullin si shumë sterilizues. Ka pasur tashmë kritika të mira rreth tekstit dhe estetikes, por se teksti ishte një që “nëpërmjet dhunës mbjell[in] dhunë” do të duhej të ishte ‘kritika’ e fundit për nga rendi i saktësisë, dhe e para për nga rendi i shkualifikimit si e tillë. Teksti në asnjë moment nuk thërret në dhunë. Dhuna aty ‘përfytyrohet’ nga dëgjuesi si rrjedhojë disi e pashmangshme dhe kur shkruajmë, duhet ta themi, se përndryshe i ndërtojmë asaj një çark të shkurtër përmes leximit (e përfytyrimit) tonë. Hiper-emocionalizmat nacionaliste nuk janë të lidhura gjenetikisht me dhunën, ato vetëm mund të jenë katalizator i saj në raste të caktuara, e në rrethana specifike siç në fakt kanë qenë e janë disa universalizma.

    Problemi që kam më shkrimin është se mëton ta trajtoj një fenomen të caktuar – që lidhet këtu me nacionalizmin shqiptarë, apo vet atë – duke lënë anash tërësisht shtyllat mbi të cilat ai mbanë kulmin e tij, e muret ku ai i vendos kornizat e tij. Në Ballkanin tonë, është thjeshtë e pamundur të trajtosh nacionalizmin duke e izoluar atë nga marrëdhënia që njëri nacionalizëm ka me ata të tjerë përreth. Për aq sa ka masturbime ultra-nacionaliste në njërin, aq do të ushqehet e ekzaltohet edhe tjetri, e këtu protagonistë janë të gjithë. Kjo nuk është punë e ndonjë ‘mentaliteti shqiptar’ që paskësh disi njëfarë esence, e qeliza, por është muhabet njeriu e funksionaliteti grupesh e shoqërish. Atë që bën Gresa, është ta izoloj nacionalizmin X nga varësia që ka ai prej nacionalizmit komshinj Y Z . Para se të përpiqemi të sterilizojmë nacionalizmin tonë (nganjëherë në atë pikë sa të krijojmë gërdi ndaj ngjyrave) , duhet ta vëmë atë në perspektive. Lum Gresa që vet nuk është në atë vorbull, por kur tekstin e çunit apo vajzës të rritur me karamele , e lexon ai tjetri që ka të vrarë pesë familjarë të mitur, e që ndjek çdo ditë lajmet serbe, e që në nacionalizmin e tij figurë gati e përhershme qëndron dorasi etnik, ai pra s’do e lexoj kurrë siç e ka menduar autori. Për aq sa në Serbi ka votues që i dhurojnë gjithnjë më pak se 5% një partie (të vetme) e cila pranon haptas dhe dënon pa ‘por’ krimet e Serbisë, atëherë të gjitha llafet qe ne bëjmë për flamujt e këngët pa futur ne ekuacion topat, pankartat e fjalimet parlamentare të “Tjetrit” , ato do mbesin vetëm këtu, në mesin e rrethit ‘të gdhendur’ e ‘përndritur’, në kërkim të elacionit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin