SI TË VRASËSH NJË BANKIER

nga Peep Kotli

Paskeni vendosur, pra, të vrisni një bankier?

Urime! Ndiqni këshillat tona më poshtë, dhe do ta shihni se kjo ndërmarrje nuk është aq e vështirë sa ç’mund të duket.

Si fillim, bankieri që do të vrisni duhet të jetë shqiptar dhe të jetojë në Tiranë, që është edhe kryeqyteti i Shqipërisë.

Pse pikërisht në Shqipëri? Sepse në atë vend askush, madje edhe mes atyre që e dinë se bankat kanë drejtor, nuk beson se drejtorin e bankës mund edhe ta vrasin.

Zgjidhni një bankier që të jetë në krye një banke të rëndësishme në kryeqytet.

Bankierin mund ta vrisni ku dhe kur të dëshironi, por më mirë që kjo të kryhet në mes të lagjes kryesore të Tiranës, afër vendit të tij të punës, në një orë të përshtatshme të paradites.

Në një hartë të Google Maps fokusohuni në ultësirën në Perëndim të Tiranës dhe caktoni atje një pikë, të cilën shënjojeni si pika A.

Gjeni një motor të cilindratës së lartë dhe hiqjani targat, ose – më lehtë akoma – gjeni një motor pa targa.

Gjeni një partner që e nget mirë motorin: Nëse ka diçka që mund t’jua komprometojë suksesin e misionit tuaj, këto janë gropat e rrugëve.

Gjeni një armë që t’u përshtatet shijeve tuaja.

Siguroni veshje të zeza fotozhenike për veten dhe për partnerin, të cilat mund t’i kombinoni me kaska motori të zeza.

Hyni në territorin e republikës me një mjet të përshtatshëm, p.sh. helikopter, deltaplan, hidroplan, hoverkraft ose edhe thjesht jaht. Shqiptarët do të admirojnë teknologjinë e avancuar të mjetit tuaj dhe do të interesohen menjëherë për vlerën e tij monetare.

Sistemohuni në një hotel me Wi-Fi në Ultësirën Perëndimore.

Ndiqeni makinën e bankierit për disa ditë rresht, derisa t’ju shohë edhe shoferi i tij.

Ditën që keni caktuar për atentatin, prisni te trotuari përbri bankës, duke pirë cigare me rojen, derisa bankieri që keni vendosur të hiqni qafe të dalë nga makina për të shkuar në zyrë.

Kur të afrohet viktima, pyeteni nëse është pikërisht ai që kërkoni dhe jo ndonjë V.I.P. tjetër, për shembull një deputet (ose dy).

Mos harroni: jeni në Tiranë për të vrarë një bankier, jo një deputet (ose dy). Për deputetët duhet ndjekur një procedurë tjetër, e cila as që përfshin likuidimin fizik të personit.

Pasi viktima t’jua ketë konfirmuar identitetin, qëllojeni disa herë me armë zjarri, pa e vrarë mendjen për rojen private të bankës.

Askush nuk do të guxohet t’ju afrohet dhe aq më pak të orvatet t’ju kapë, përveç kamerave. Është veçori kombëtare e shqiptarëve që t’i besojnë gjithçkaje, me përjashtim të çfarë u ndodh para syve ditën për diell.

Urime! Tani që e vratë bankierin tuaj, ju mbetet që të largoheni nga qendra vibrante e kryeqytetit shqiptar pa u bezdisur nga forcat e rendit.

blackPolicia shqiptare është profesioniste, e stërvitur mirë dhe me përvojë në luftën ndaj krimit të organizuar. Çfarë punon në favorin tuaj si ekzekutues të bankierit, është mungesa e fshehtësisë dhe faktori befasi: në Shqipëri krimet paralajmërohen, si rregull nëpërmjet mass mediave.

Ecni pra me motor pa e prishur terezinë dhe duke shijuar bukuritë e pakta, por të ashpra të vendit të shqiponjave: të gjithë do të nxitohen t’ju hapin rrugën, sepse do të kujtojnë se jeni pjesë e eskortës të ndonjë biznesmeni ose gangsteri të njohur.

Përshëndetuni me uniformat blu, të cilave do t’u lërë mbresë të thellë pamja juaj, me motor pa targë, veshje të freskëta rrëshqitëse dhe kaska pisë të zeza ku pasqyrohet qielli; kjo pamje rrezaton profesionalizëm dhe pushtet.

Edhe pse lajmi për vrasjen e bankierit tashmë do të jetë përcjellë me radio dhe gojarisht, përfshi këtu edhe nga roja private e bankës me të cilën u familjarizuat pak më parë, askujt nuk do t’i shkojë mendja që vrasjen e bujshme mund ta keni kryer pikërisht ju.

Vazhdoni të lëvizni të qetë me motor, derisa të arrini te pika që e kishit shënjuar në Google Maps si Pika A.

Zbrisni nga mjeti, vendosuni përballë njëri-tjetrit pa i hequr kaskat nga koka, kapuni për duarsh, mbyllni sytë dhe thoni formulën e mëposhtme “Lähme siit minema.”

Urime përsëri! Formula jonë do t’ju ketë çuar sakaq larg rrezikut dhe ashtu mund të lajmëroni për suksesin miqtë tuaj në Facebook dhe në Twitter, pastaj të filloni të planifikoni, pa vonesë, realizimin e dëshirës suaj të ardhshme.

Përktheu nga estonishtja: Shat Përroi.

Titulli i origjinalit në estonishte: Kuidas tappapankur.

© për përkthimin: Bullshit Productions

Shënim: ky tekst është pronë e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet marrja dhe përdorimi pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. une them se duhet te nxjerrim nje udhezim per pastrim parash. Madje disa udhezime e doracak per veprimtari te tjera si tregtin e droges, trafikimin e njerezve e prostuticionit, korrupsionin. Mendoj qe lexuesit e Peizazhe.com nuk angazhohen ne te tilla veprimtari.

    faktikisht kete punen e udhezimeve e kane kryer gazetare te njohur, si p.sh. Andi Bushati shpjegon nga psikologjia e vrasesve, dhe jo vetem, por edhe nga organizimi dhe disa ligje te pashkruara (sa per Omerta, qe na i beri kriminelet llafazane).

    ” Është e pamundur që një killeri, përveç parave, (dhe jo pak, por 500 mijë euro, sipas dëshmisë) t’i jepen njëkohësisht detaje se kush është porositësi, madje më tej akoma, edhe motivi për të cilën ai e kërkon këtë vrasje. Kush i njeh sado pak ligjet e kësaj bote të errët, e di fare mirë që rregulli numër një është mosdekonspirimi i urdhëruesit.”

  2. Administrator, të lutem pak emailin e Shat Përroit, se qenka shqipërues model i estonishtes. Dhe diçka tjetër, a ka shkruar ndonjë xhevahir tjetër ky Peep Kotli, udhëzues të dobishëm për shoqërinë si ky, e kam fjalën?

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: