LUANËT E DETIT

Si ekosistem i ri social dhe kulturor, Interneti ka shërbyer për ngjizjen dhe kultivimin e gjithfarë specieve dhe dukurive të reja, të panjohura më parë, që shpesh kanë arritur të fshihen vetëm ngaqë nuk u ka vënë njeri emër.

Që këtej edhe nevoja për t’i emërtuar; njëlloj siç ndodh kur mjeku i vë një emër asaj diçkasë që po të torturon; dhe pastaj të gjithë qetësohen dhe të thonë “të shkuara”, madje edhe vetë farmacisti.

Flasim, pra, për etiketat. Një e tillë, që e ndesha – doemos rastësisht – dje, është kjo e luanëve të detit dhe e një dukurie që, për të mos ia nxirë faqen vetes dhe shqipes, po e lë në anglishte: sea-lioning; dhe që ka të bëjë me një mënyrë të caktuar të komunikuari online. Emrin e ka marrë nga ky rrëfim vizatimor më poshtë, nga kartonisti David Makli:

sea lion

Shohim atje një çift që udhëton me një makinë që, për kohën e vet, do të ketë qenë luksoze. Gruaja i thotë të shoqit: “Shumicën e gjitarëve s’i kam problem, por luanët e detit? Nuk i duroj dot.” “Mos fol kështu,” i thotë burri. Për fat të keq, bisedën e ka dëgjuar pa dashur një luan deti, i cili ndërhyn: “Më falni, por ma zuri veshi…” dhe më tej: “Dëshiroj të nis një bisedë të shtruar me ju, për këtë që thatë… A mund të më sillni ndonjë provë se ç’e keqe ju ka ardhur ndonjëherë nga luanët e detit?”  Gruaja mërzitet: “Ikni tani,” i thotë luanit të detit. “Nuk ka pse ta ngrini zërin,” thotë ai. “Thjesht dua të di nëse keni ndonjë burim në mbështetje të opinionit tuaj?” Gruaja proteston: “Po ju më keni hyrë në shtëpi!” Dhe luani, që tashmë është ulur përbri krevatit bashkëshortor: “Ju lëshuat një deklaratë në publik, të cilën e dëgjuan të gjithë. Vallë tani nuk jeni në gjendje t’u dilni zot fjalëve tuaja? Apo thjesht nuk dëshironi të hyni në një debat të arsyetuar?” “Të thashë, apo jo?” i thotë burri së shoqes. “Më lini të ha mëngjes,” i thotë e shoqja luanit të detit, që ndërkohë është ulur në tavolinë me ta. “Jam treguar i mirësjellshëm me ju, ndërsa ju gjithnjë më keni trajtuar me vrazhdësi…”

Te Know Your Meme, dukuria e sea-lioning shpjegohet si një term zhargoni në Internet që u referohet orvatjeve intruzive për të përfshirë në debat dikë kundër dëshirës së vet, duke u shtirur si i mirsjellshëm duke i kërkuar tjetrit, pa pushim, prova në mbështetje të diçkaje që ka thënë.

Te Simplication, sea-lioning shpjegohet si një lloj kurthi, që detyron dikë t’u përgjigjet pyetjeve të cilat, në fakt, nuk kanë synim të marrin informacion; por bëhen në keqbesim, sepse kërkojnë, në thelb, që ta poshtërojnë ose ta shkatërrojnë moralisht kundërshtarin, duke e detyruar të thotë diçka “që mund të përdoret kundër tij.”

Qëllimi i sea-lioning, gjithnjë sipas kësaj faqeje, nuk është pyetja për të marrë informacion, por marrja në pyetje – derisa “viktima” të thotë diçka idiote ose të nxehet aq shumë, sa të humbë kontrollin në publik.

Kur i lexoja këto arsyetime dhe diagnostikime, m’u kujtua menjëherë situata e krijuar pak muaj më parë, pas një shtrembërimi në përkthimin italisht të një esesë sime, që u botua nga revista Lettera Internazionale. Meqë shtrembërimi prekte tërthorazi një figurë të njohur publike, shkrimtarin Ismail Kadare, papritur e pashë veten në qendër të një procesi intensiv të marrjes në pyetje nga të panjohur, në gazetat e Tiranës dhe këtu në blog – që atëherë nuk e dija që qenkësh diagnostikuar si sea-lioning.

Kush ka interes për patologjitë e komunikimit online, mund t’u hedhë tani një sy atyre debateve, nën dritën e sa shpjegova më lart; për të parë luanët e detit në veprim: Minella Aleksin, vetë gazetën “Panorama” dhe mediat e tjera që i dhanë jehonë kësaj farse, dhe më në fund ndërhyrjet e një Risus Sardonicus këtu në blog – të cilët të gjithë tash e tutje jemi të lejuar t’i përfytyrojmë si luanë deti, që shullëhen në një shkëmb të lëmuar, diku në Kaliforni, duke shkëmbyer shkarkime squfurore me njëri-tjetrin (dhe duke dhënë kontributin e tyre modest në efektin serrë dhe në ngrohjen globale të sferës së komunikimit publik).

Edhe pse revista italiane publikoi një përgënjeshtrim dhe kërkoi të falur për ngatërresën; edhe pse çdo gazetar me interes minimal për këtë çështje përtej poshtërimit tim individual mund të kish marrë në telefon redaksinë e asaj reviste dhe të kish kërkuar sqarime të mëtejshme, sërish marrja ime në pyetje vazhdoi për një copë herë, së bashku me provat që më kërkonin, për të vërtetuar se nuk kisha gisht në këtë mesele.

Edhe pse unë u shqetësova atëherë, tani mund ta konsideroj të gjithë eksperiencën si një thesar me vlera edukative, sidomos për brezat që vijnë.

Se çfarë mendonte Roland Barthes për sea-lioning-un e kohës së vet, mund të lexoni këtu.

Nuk ka komente

  1. Ja edhe luani i detit që jam unë e çfarë mëton ai:

    si refugjat i ikur me ambasadat nuk më intereson fort mosthënia e mosthënies, mohimi i mohimit pra, ndonëse kjo nuk ka pse vlen për 2Xhain, por vetë thënia, me një fjalë fyerja publike që më është bërë mua dhe atyre të tjerëve që morën udhët.

    A është thënë ajo shprehje në mitingun e turpshëm që u mbajt pas ikjes tonë?

    Të njohur më sigurojnë se është thënë, natyrisht jo nga I.K. që s’ka qenë fare aty, por nga K.B., thashethem ky që mund të vërtetohej fare lehtë nëse do të mund të këqyreshin xhirimet e atij mitingu që është transmetuar nga T.V.SH. asokohe.

    Ku janë këto xhirime? – pyes unë e po ata të njohur dhe të tjerë më tregojnë se gruaja e të lartpërmendurit punon po në T.V.Sh. dhe i mban ato nën kyç e nuk lejon të transmetohen.

    Në janë të vërteta këto pëshpërima a thashetheme nuk e vërtetoj dot, përsa kohë xhirimet nuk tregohen.

    Këtij stërhollimi mund t’i jepej fund fare thjesht, mendoj, e I.K. të çlirohej fare lehtë nga shpifja që i është mveshur pa të drejtë, nëse ato xhirime do të tregoheshin.

    Po ja që për këtë nuk paska askush kurajon qytetare që ta kërkojë.

    Pse?- pyes veten unë. Dhe nuk gjej përgjigje.

    Sulm ad hominem ndaj K.B.?

    Nuk e shoh ashtu. Ad hominem, nga ana tjetër, më ngjan më shumë kur dikush më shpall nga ndonjë tribunë “jashtëqitje”, jo vetëm pa më njohur, por edhe me burracakërinë e të ndenjurit në hije kur përbaltet dikush tjetër për fjalët që i ka thënë një tjetër.

    Natyrisht që kjo më sipër nuk ka të bëjë me problemin që i doli Xhaxhait, i cili, në fund të fundit, u vu edhe ai në pozitën e I.K., tek përpiqej të sqaronte diçka që nuk e kishte shkruar i pari e nuk e kishte thënë i dyti.

    Ndërsa problemi im, i luanit të detit, është që dikush më paska quajtur “jashtëqitje” dikur.

    Kush është ai?

    1. Ti nuk po më dukesh si luan deti, sepse barazhi yt i pyetjeve nuk përfton ndonjë viktimë – sa kohë që nuk i je përveshur K.B.-së në faqen e vet në F.B. ose te kafja e lagjes.

      Ti paraqitesh si një qytetar që bën disa pyetje në publik, duke shpresuar se dikush do t’u përgjigjet; ose – nëse je veçanërisht pesimist – se dikush do t’i dëgjojë.

      Madje ti shpreson, më duket mua, që dikush tjetër – një i panjohur me përkufizim – të bëjë diçka që mund ta bësh edhe ti vetë kur të shkosh në Tiranë: të shkosh në Bibliotekën Kombëtare, të kërkosh gazetat Zëri i Popullit dhe Bashkimi të ditës së nesërme të mitingut dhe të verifikosh nëse e kanë përcjellë ato fjalimin e K.B.-së ose të kujtdo tjetër.

      1. Ide e mirë të verifikuarit në atë formë.
        Do e kem parasysh kur të jem në Tiranë.

        Nëse do i përvishesha K.B., nuk do të qe aspak shkaku se më ka sharë, porse që ka heshtur turpshëm gjithë këtë kohë, kur është përbaltur ndërkaq dikush tjetër.

        Por, dyshoj, se siç janë zhdukur xhirimet e atij mitingu, nuk para do të gjenden edhe numrat e gazetave në fjalë, pasi këta tipa janë totalë: punojnë me sistem për zhdukjen e gjurmëve. Është si hapja e dosjeve kjo punë.

        Për të mos folur që edhe mund të paraqiste rrezik për shëndetin tim fizik e gjitha kjo, duke marrë parasysh rrahësit e shumtë që gëlojnë në Mëmëdhe dhe vrasësit me silenciator, në mos kallëpthet e tritolit.

        1. Kallëpthet e tritolit? Me pëlqeka shumë diminutivi. Më ngjan si yshtja e përdorur tek “kolla e mirë” për pertussis-in apo “sëmundja e keqe” për kancerin. Sado th-ëra diminutive t’u shtohen kallëpeve të tritolit, sinjifikanca dhe simbolika e tyre (kallëpeve) është thjesht rrëqethëse…

        2. Po ti o njeri, po qe se vërtetë do ta dish këtë punë, shko në biblioteke e nxirri ato të shkreta gazeta dhe zgjidhja vetes hallin që ke. Se edhe kjo frika jote, se i paskan zhdukur gazetat, sikur nuk më duket nga kjo botë. Se në fund të fundit për gazeta po flasim e jo për ndonjë sekret shtetëror, që ruhet në një dosje dhe ja bën dot kollaj gropën. Unë po i bie diçka si më direkt me këtë ndërhyrje, ngaqë hovin për ta tepruar me frikë-ra e teori konspiracioni duket ashiqare se nuk e paske gjë në plan për ta fshehur. Sinqerisht e ke që Kiço Blushi do të shkojë në bodrumet e Bibliotekës Kombëtare me gërshërë në dorë për të shkulur prej atje paragrafët e tij të folur e përfolur? Apo që do të të gjëmojë me tritol apo me armë me silenciator? Për hatër të Zotit, na i kurseni këto trillime!

          1. Logjikë e mbrapshtë

            Të më kërkosh mua, jo vetëm si i pafajshëm në këtë mesele, por edhe një prej shkaqeve që pifto shkruan prej përtej detit, të shkoj e të gërmoj arkivat e Bibliotekës Kombëtare është pak a shumë sikur t’i kërkosh 2xhait të ngrihet, të marrë avionin e të shkojë e të zhbirilojë emrin e atij që ka shtrembëruar qëllimisht pasazhin për Kadarenë.

            Kjo është logjikë e mbrapshtë; është logjika e mprapshtë e Fevzinjve dhe Xhungave të kësaj bote, të cilët kanë edhe guximin t’i luten I.K.-së të përgënjeshtrojë diçka që nuk e ka bërë, kur detyra e tyre, e publicistëve, gazetarëve, e analistëve pra, e Minella Aleksave dhe të lartcituarve, nuk do të qe të bënin avokatin mbrojtës të të pafajshmëve, por prokurorin e fajtorëve.

            Kjo mund të bëhej fare lehtë: shkohet në arkivën e TVSH., gjehen xhirimet e transmetohen ato të shtunën a të dielën mbrëma.

            Nuk është aspak e ndershme t’u kërkohet viktimave, që jemi ne dhe të përndjekurit dhe të burgosurit politikë, që ta marrin hakun vetë; për këtë punë ka shoqëri civile, hulumtues, historianë e, jo së fundmi, analistë që s’mbetën njeri pa përgojuar e që analistë u thënçin.

            Ndaj o pifto, nëse qenkëshit kaq të indinjuar sa ç’bëni për ç’i ka ndodhur një të pafajshmi tjetër, 2xhait në këtë rast, bëjeni ju zemrën gur e shkoni deri në Arkivë për ne; energjinë negative për këtë e paskeshit, me sa duket nga ç’shkruani, me shumicë…

  2. Xha Xha, nuk doja të të prishja gjakun para ca ditësh, kur shkova në zërin për Kadarenë të Wikipedia-s në shqip e pashë, që më shumë se gjysma informacionit të publikuar aty për Ismail Kadarenë tregonte në fakt për sulmin tënd të pabesë kundër atij dhe kundërsulmit heroik e demaskues të Minella Alkesit.

    Shkoni, shikoni dhe pataksuni!

    https://sq.wikipedia.org/wiki/Ismail_Kadare

    1. Pifto, bëre mirë që e citove faqen në Wikipedia. Por këtu nuk kemi të bëjmë me luanë deti. Më keq, mendoj. Pjesa e dytë e faqes së Kadaresë, që për Kadarenë nuk flet fare, është riprodhuar edhe në zërin Ardian Vehbiu. Edhe atje më shumë përmendet Minella se sa titullari i faqes. Sikur të ishin kaq aktivë pë gjëra të hajrit…

    2. Për fat të keq, Wikipedia është platformë e hapur – çka do të thotë se kërkon një nivel të caktuar qytetërimi për t’u krijuar, mirëmbajtur dhe përdorur. I përket një modeli superior të qytetërimit dhe të komunikimit.

      Si edhe gjetiu, shumë nga ne shqiptarët – se nuk po dua të përgjithësoj – kanë gjetur shesh dhe kanë bërë përshesh, duke e përdorur këtë platformë për të parazituar në të, sepse vetëm ashtu kanë ditur ta përdorin.

      Kur shohim një hapësirë publike, ose që na ofrohet bujarisht për të kultivuar përfaqësimin tonë, këta të shumtë nga ne menjëherë tundohen për ta “xanun” – duke e spërkatur me urinë kundërmuese.

      Sillemi si të egjër – në kuptimin më të keq të kësaj fjale – në mes të një bote e cila nuk është e përgatitur për të përballuar babëzinë, paranojën dhe ndyrësitë tona meskine.

      Sillemi si endacakët – sërish në kuptimin e keq të kësaj fjale – duke lidhur kuajt tanë të zgjebosur dhe duke ngritur çadrat tona të rrjepura në mes të parkut urban.

      Ngremë pastaj në Wikipedia monumente për njerëz anonimë, mediokër dhe të panjohur; ose u biem kokës atyre që nuk na pëlqejnë, me shpresë se kështu po e ndreqim realitetin sipas midesë.

      Është shenjë e një qytetërimi shumë të ulët, shumë primitiv, që njerëzit t’i motivojë kryesisht përçmimi, urrejtja dhe dëshira për të bërë keq.

      Kjo mesele e tanishme për I.K.-në, jashtëqitjet dhe mua u sajua nga njerëz që kërkojnë të mbulojnë atë dhe mua me bajga, mundësisht edhe duke e mbajtur të ndezur zjarrin e “konfliktit” mes nesh.

      U përpoqa t’ia komunikoj këtë I.K.-së, me aq sa munda; por komunikimi është gjithnjë rrugë me dy korsi.

  3. Dhe meqë ra fjala për Wikipedia-n shqip – që nuk hyn në temën e këtij shkrimi por që nuk kam ndërmend ta trajtoj pikërisht tani si temë më vete – e kam ngritur si çështje dikur, madje më shumë se një herë: ajo ka mbetur në duar të personave inkompetentë, me axhenda personale, që ndonjëherë as shqipen nuk arrijnë ta shkruajnë mirë. Në vend që të pasqyrojë kulturën dhe shoqërinë shqiptare, kjo Wikipedia po kristalizohet si një mish-mash programesh politike dhe kulturore të grupeve të emargjinuara dhe krejtësisht pa peshë në bashkëkohësi. Këtë e provon edhe trajtimi kaq joprofesional që i është bërë faqes shqip të I. Kadaresë – edhe pse këtë nuk duhej ta kish lejuar së paku botuesi i këtij shkrimtari, le institucionet e tjera; të cilat harxhojnë fonde, ndonjëherë të bollshme, për t’ia rregulluar shkrimtarit shtëpinë e lindjes në Gjirokastër (dhe bëjnë mirë); por nuk kujtohen të harxhojnë fonde për t’ia rregulluar dhe mirëmbajtur atij dhe të tjerëve shtëpitë që kanë në botën virtuale. E papranueshme. Mendoni sa katedra të letërsisë shqipe ka në universitetet private dhe publike anembanë Shqipërisë dhe në Kosovë – mendoni edhe produktet që dalin nga këto katedra, si punë të studentëve dhe të profesorëve. Po sikur Ministria e Arsimit t’i ftonte e t’i udhëzonte këto katedra që një pjesë të punës “shkencore” që bëjnë me studentët dhe doktorandët t’ia kushtonin Wikipedia-s në shqip, për të mos ia lënë këtë në dorë njerëzve inkompetentë? A nuk është turp që përdoruesi i Wikipedia-s në shqip të mos ketë mundësi të lexojë një lemë dinjitoze dhe profesionale për shkrimtarin më të madh shqiptar; dhe që këtij t’i ofrohen përkundrazi gjithfarë intrigash dhe cic-micesh, të cilat nuk i interesojnë kujt?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin