NE PUSHTETIN, JU SHTETIN

Përpiqem të marr vesh se çfarë po ndodh me deputetin T. Doshi, por gjithë ç’dëgjoj janë deklarata të eksponentëve të PS-së që thonë se nuk dinë asgjë; përbri kontrapunktit që ofrojnë akuzat e përbindshme për kërcënime me vrasje, shantazh dhe sikarë, llogjet e mediave, dhe kakofonisë së krijuar, si herë të tjera, nga opozita.

Por s’e fsheh që më merr ndonjëherë malli të dëgjoj për ndonjë ngatërresë politike që të mos i ketë rrënjët – e vërteta ose të fshehura – në kriminalitet.

Marr vesh pastaj se T. Doshi ka kërkuar që ta dorëzojë videon inkriminuese te “përfaqësitë diplomatike të huaja” në Tiranë dhe se të paktën njëra prej tyre, ajo e ShBA, ka refuzuar që ta marrë këtë provë në dorëzim.

Natyrisht, nuk kam asgjë specifike ç’të them për këtë konflikt të fundit; edhe pse do të kisha dëshiruar që përplasja e Ramës me Doshin (ose e Doshit me Ramën) të kish ndodhur për diçka më “politike” – për shembull për reformën e sindikatave ose për rrogën minimale të punëtorit; fundja edhe për hapjen e dosjeve, si çështje jo ekzaktësisht kulturore.

Sepse këto muhabete për vrasje me porosi tingëllojnë, në fakt, poshtëruese për elitën politike në Shqipëri; dhe konfirmojnë një përshtypje të shumëve, sipas së cilës po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallosh, në atë vend, vijën që ndan bandat kriminale nga shoqëria civile dhe pushteti.

Nga ana tjetër, kur dëgjon që një njeri deri dje eksponent i rëndësishëm i partisë në pushtet vendos që një provë krimi të rëndësishme t’ua japë ambasadave në Tiranë – të cilat janë atje për të mbrojtur interesat e shteteve përkatëse – pra, kur dëgjon se këto ambasada po duan të përdoren si arbitër nga një person si T. Doshi, nuk mund të mos pikëllohesh për gjendjen e institucioneve të drejtësisë të Republikës.

Edhe një herë, një qytetar – këtë herë pjesëtar i kualifikuar i elitës në pushtet – zgjedh të mos u besojë institucioneve të veta; por i referohet atij mirazhi që gjetiu e kam quajtur përfaqësi të Perandorisë Zero në Shqipëri; ose bindjen e shumëve prej nesh se drejtësia dhe paanshmëria dhe vetë legjitimimi i pushtetit nuk mund të vijnë veçse nga një autoritet që qëndron jashtë sistemit; dhe se sistemi, pikërisht ngaqë është yni, nuk vlen për të na mbrojtur kur biem në vështirësi.

Në të njëjtën faqe ku lexova për këtë orvatje të Doshit për ta përdorur ambasadën amerikane në Tiranë si një zyrë të Prokurorisë, pashë edhe një lajm tjetër – se Crown Agents, një kompani e pajtuar nga qeveria për të vënë rregull në doganat, paska dështuar në misionin e vet. Natyrisht, edhe këtu nuk i kam hollësitë e nevojshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur pikërisht; por lajmi vetë më konfirmon edhe shpresën tonë – sa kolektive aq edhe idiote – se të huajt mund të shërojnë, si me magji, plagët e rënda strukturore të ekonomisë dhe të tregut në Shqipëri; dhe sidomos, mund të kompensojnë për qasjen tonë të papërgjegjshme ndaj ligjit dhe ligjshmërisë (informalitetin).

Edhe këtu, thelbi i problemit ka të bëjë me gatishmërinë e tregtarëve për të shkelur ligjin dhe për të mos paguar taksat përkatëse në doganë (dhe pikërisht akcizën, në rastin konkret); një lloj kundërvajtjeje masive të cilën qeveria ka dashur ta frenojë, duke marrë në punë “të huajin.” Vetvetiu, ky rasti i kompanisë britanike më kujtoi lojtarin e huaj, që një klub futbolli i varfër e blen me një mijë sakrifica, dhe pastaj e nxjerr në fushë, duke pritur prej tij mrekullinë.

Në të dy herët, dëgjojmë për institucione tonat që nuk funksionojnë, ndoshta edhe ngaqë publiku nuk ka besim në to; dhe pastaj zgjidhje të improvizuara, nga palët e interesuara për zgjidhje, të cilat kërkojnë të përfshijnë aktorë të jashtëm, që nuk janë pjesë e sistemit; sepse publiku ka ende besim tek i huaji.

Sidoqë ta rrotullosh këtë, mbetet sjellje tipike e një shteti që nuk ndihet mirë në sovranitetin e vet; ose të një shteti ku elitat që janë në krye, do të kishin preferuar të mbanin vetëm pushtetin, ndërsa punët e tjera të shtetit t’ia linin një force të tretë, sipas rastit të huaj ose mercenare.

Shënim: ky shkrim është pronë e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet marrja e tij nga sajte të tjera dhe media të shkruara, pa lejen eksplicite të një administratori të blogut.

Nuk ka komente

  1. Ke harruar Mesila Palmen qe :
    “Do kërkoja nga Departamenti Amerikan i Shtetit të ndërhynte për të sjellë një njësi speciale task force për të hetuar të gjithë politikanët shqiptarë. Hetim, ngritje akuze dhe gjykate speciale të instaluar në vend nga aleatët, një zinxhir fillim fund ndryshe nga gjithë kjo fëlliqësirë që po na mbyt. Eshtë e vetmja rrugë zgjidhje për një Shqipëri normale dhe shprese për një të ardhme të fëmijve tanë. Gjithë pjesa tjetër është retorike”, shkruan Doda.

    S’do ishte keq qe me kete rast te vinte edhe vete Obama meqe Nishani ka te ngjare te hyje ne greve urie bashke me infermeriet …

  2. Te paret e Amerikes me simpati dhe shprese per shpetimnga keqberesit shqiptare nuk eshte krejt e paarsyeshme.
    Rasti i Shefit te Shtabit te Ushtrise, i cili mori vize familjarisht pastaj edhe strehim politik ne ShBA ne mes te gjyqit ne Shqiperi ku ai ishte i pandehur eshte akoma i fresket ne mendjet e njerezve.

  3. Leverdia duhet parë pikërisht tek dallimi midis pushtetit e shtetit. I pari, kur ka të bëjë me ushtrimin e autoritetit, që mund të ndikojë e të urdhërojë të tjerët, është i leverdisshëm po të përdoret për qëllime personale. I dyti nuk ka përfitime ekonomike, sepse ka të bëjë me ligje e rregulla për komunitetin. Si rrjedhim është më mirë që lodhjen dhe përgjegjësinë t’ua lësh të tjerëve, për vete të mbash përfitimet. Sovranitet? E përse duhet, tha.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin