DY SINDROMA

Një çetë – ndoshta tashmë bandë – artistësh të vdekur urie depërtojnë në vilën toskane të baronit Erdnussbutterschnier dhe ia kapin peng të bijën Alicia, kur baroni me të shoqen Karoline von Niedrighochbett ishin larguar për të marrë pjesë në konferencën vjetore të fondacionit të Strafgefängnis Plötzensee në Berlin.

Grabitësit i kërkojnë vajzës kodin sekret të kasafortës, ku thuhet se baroni, i njohur për shijen e tij të përsosur në fushë të artit, ruan një kryevepër përndryshe të zhdukur të Leonardo da Vinci-t.

Alicia, që ka simpati të madhe për artistët në përgjithësi dhe artistët e vdekur urie në veçanti, më kot përpiqet t’u shpjegojë se kodi i kasafortës që ata kërkojnë nuk ekziston, thjesht ngaqë në shtëpinë e tyre kasafortë nuk ka.

Kushedi do ta kenë ngatërruar me kasafortën famëkeqe të baronit tjetër gjerman Hugo Blumentopf, ku thuhet se gjendet testamenti i paçmuar i alkimistit Johannes Pharamund Rhumelius.

mooseAjo e lidhur me litarë kërpi pas një poltrone rokoko (Louis XV) në sallën e famshme të gjahut në vilë, ata të ulur rreth saj duke tymosur bar përbri vatrës ku valon zjarri bubulak, nata kalon si pa u kuptuar; teksa të dy palët zbulojnë se kanë shumë më tepër të përbashkëta mes tyre, se ç’kujtonin më parë dhe shkëmbejnë vështrime përvëluese, nën sytë e akullt të drerëve, rrëqebujve dhe hermelinëve të balsamosur.

Veçanërisht Alicia tani e kupton mirë se ç’i shtyn këta radikalë, shpirtra të lirë dhe flatrues, që t’i hynë rrugës plot rreziqe të krimit: nevoja e ngutshme për të financuar një rrjet artistësh pa perspektivë, anembanë Kontinentit të Vjetër.

Ç’mision fisnik dhe i domosdoshëm! Ajo dëshiron të jetë pjesë e tij, të bëjë diçka, të marrë pjesë në revolucionin e nëndheshëm; i ka mohuar prindët e vet, tani nuk i mbetet veç të mohojë vetveten:

Sindroma e Stockholmit!

Edhe pse kasaforta legjendare e baronit Erdnussbutterschnier është thjesht krijesë e imagjinatës së ndezur në underground-in paranoid të Vjenës, Pragës dhe Budapestit, vila e baronit ka shumëçka për t’u ofruar atyre që këmbëngulin.

E çliruar tashmë nga litarët prej kërpi, e lejuar të përdorë veç një fener me flakë drithëruese, Alicia i udhëheq artistët peng-marrës nëpër shkallët e ngushta, drejt bodrumeve labirintike të ndërtesës.

Mu atje, përtej një dere prej druri lisi masiv, shtrihen korridore të tëra me kuadro krejt të panjohura të Da Vinci-t, Raffaello-s, Arcimboldo-s, El Greco-s, Botticelli-t, madje edhe të mistershmit Sigismundo Gioia.

Nuk janë të baronit Erdnussbutterschnier, as i ka sjellë me prikën e shoqja Karoline von Niedrighochbett, por i përkasin një organizate sekrete, të njohur edhe me emrin Kaminanbetungversuch, e cila përgatitet në heshtje për momentin kur qytetërimi do t’i kthehet sërish kulturës primordiale të vatrës.

Artistët zorrëthatë nuk arrijnë t’u besojnë syve, teksa kryeveprat u shfaqen të zbuluara rishtas mur pas muri e kthinë pas kthine, nën dritën e pasigurt të fenerit magjik të Alicias.

Fillojnë të ndihen keq, u merren mendtë, nuk u mbajnë më gjunjët, halucinojnë, u vjen bresaola e baronit në grykë, dëgjojnë zëra, u relaksohen sfinkterët, u ntrashet gjuha, i zë gulçi, nxjerrin shkumë nga goja, u vjen të fikët, u bie sëmundja e tokës. Ndonjëri syresh, para se të humbë ndjenjat, tregon me gisht nga Alicia, për ta akuzuar se i preu në besë duke i helmuar njëfarësoj; por përgjigjja fshihet tjetërkund:

Sindroma e Stendhalit!

Vetëm Alicia mbetet e paprekur nga kjo formë histerie; nuk e ka kuptuar kurrë artin.

Më arrestoni edhe mua, më arrestoni edhe mua, u thotë ajo forcave të shumta të policisë që, të lajmëruara nga një alarm i rastit, dynden në labirintet e bodrumeve të vilës Erdnussbutterschnier për t’u hedhur hekurat trupave të shtrirë të artistëve, mu nën kryeveprat që i lënë megjithatë të lira.

Nuk ka komente

  1. Tregimi është vërtet i bukur! Çelësi i rrëfimit është tek shndërrimi i çetës në bandë, tek tensioni erotik midis Alicias e banditëve-artistë dhe injoranca shpëtimtare e vajzës së baronit. 🙂 Por protagonist është arti, që mbetet gjithnjë i lirë, pavarësisht nga artistët grabitës, lidhjet e dyshimta, sindromat, padija befasuese dhe forcat policore.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: