LISTA

– Për punë minutash mbyllen dyqanet. Jepi shpejt se do mbetemi me gisht në gojë.

– Po hë, nxirre listën e ushqimeve!

– Si nxirre? Ti e more!

– Kur kështu?

– Kur më pyete ku është lista dhe të thashë te shporta e çelësave.

– Jo, s’e dëgjova. Ti veç mërmërite, siç bën kur bezdisesh nga pyetjet.

– Si s’e dëgjove? A ma ktheve “patjetër”?

– Po, pra, “patjetër, që mërmërin, kur je me buba.”

– S’isha me buba! Ku i pe bubat?

– Po s’të njoh që dje, mërmërimat më mjaftojnë.

– Kë quan mërmërim ti? … po ja edhe mërmërita, pse duhet të kuptohemi veç me të bërtitura?

– Tani po bërtet dhe një Zot e di pse.

– Si pse? Po bërtas, pra, të më kuptosh?

– Mos e ngri zërin!

– S’ke karar, kur mërmëris keq, kur ngre zërin keq. Asnjëherë s’e gjen gabimin tek vetja.

– Po s’kalove në përgjithësime ti! Pse ta gjej tek vetja, kur je ti që flet si miza në qyp? Ç’të kushton të thuash normalisht “lista është te shporta e çelësave”?

– Normalisht! Mos u tall … dhe metri i normales je ti?!

– Normal është normal.

– Po ty ç’të kushton të pyesësh normalisht: “çfarë the, se s’të dëgjova?”

– Sepse dihet që do përgjigjeshe: “s’e kam me ty, po mendoj me zë”, parathënia jote për t’ia nisur gërmimeve dhe pakënaqësive pa këmbë e krye.

– Ah! S’të intereson se ç’mendoj unë? Të duken humbje kohe pakënaqësitë e mia.

– A e kishim fjalën tek lista e ushqimeve?

– Tamam, ty të intereson lista, menaxhimet, rregullimet, gatimet, por jo mendimet e mia.

– Doemos, kemi gjithë atë milet për drekë nesër. Ç’mendim tjetër do kesh ti?

– Po kur di të m’i hamendësh mendimet kaq saktësisht, pse s’e more listën?

– Ta thashë pse, se ia nise avazit të mërmërimës…

– … e cila ty të fut të dridhurat e pakënaqësive …

– …s’ishte çasti për atë punë.

– Mos duhet të bëj gjë takim për të ndarë atë që më zjen në kokë me personin me të cilin ngrysem e gdhihem çdo ditë?

– Po, po s’t’u durua sa për takim, futu në temë direkt e mos na lodh me gjëegjëza.

– Kush është “ne”? Madhëria Juaj?

– Unë jam “ne”.

– Gjëegjëzat, hë … po ju pse s’pyesni?

– Sepse ti thua s’e kam me ty.

– Domethënë juve ju intereson vetëm ajo që ka të bëjë me ju. Ju jeni qendra e universit e përtej jush, u bëftë kiameti … puh, ç’egocentrizëm!

– Më i shëndetshëm së masokizmi yt! Je kahil të sfilisësh veten, duke pritur që unë të futem vetvetiu në kokën tënde. Pse ç’jam unë psikolog?

– Jo, njeri normal, njeriu im normal.

– Mos ndërro temë, e kemi muhabetin tek lista.

– Ç’ka ngelur për t’u thënë për listen! Ti s’e more, sepse të lodhet goja të pyesësh “çfarë the”? Po të më kishe pyetur, do të ta kisha përsëritur që lista ishte te shporta e çelës…

[zë nga altoparlanti]: Lajmërojmë klientat se qendra tregtare mbyllet, lutemi të proçedoni në dalje. Falëminderit që na zgjodhët sot, dhe po të doni, mirupafshim të hënën.

– Mania jote për të gjetur fajtorin s’njeh cak. Urdhëro shembullin: dyqanet po mbyllen, listën e le në shtëpi dhe më kryqëzon mua, sepse s’të pyeta për herë të dytë…

– …sigurisht, ç’më duhet lista, halli im je ti që pluskon në sipërfaqen e gjërave si peshk i ngordhur. Kapesh tek mërmërima, për t’i rënë shkurt, ky ësh…

– … më shkurt do i kish rënë po ta kishim marrë listën.

– E pse s’e more?

– Sepse ti mërmërite.

– Mos ndërro temë.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin