ITALI E HARRUEME

Gjatë një prej shërbimeve tona menjëherë pas dimrit vitit 1990, për llogari të revistës së bujshme por jetëshkurtër “Majekrahi”, patëm fatin të takohemi në Romë me të venë e Jakubin Zadesë, politikanit zogist të mërguar në fund të vitit 1944 dhe të dënuar pastaj me vdekje në mungesë nga regjimi komunist.

Zonja Gjystinë Zadeja, tashmë në moshë goxha të shtyrë edhe ajo, na priti në shtëpinë e vet, në lagjen Parioli; ku e kaluam gjithë pasditen nga një çaj aromatik në tjetrin e nga një biskotë magdalenë në tjetrën, nën krrokatjet e nënshtruara të Alejandro-s, papagallit rezidencial, edhe ai mjaft i plakur, i zbërdhylur dhe kushedi i kreshpëruar për shkak të pranisë sonë për të disi kërcënuese.

Kujtuam – ajo kujtoi – momente pikante nga jeta e zotit Zadeja në Italinë ende të sfilitur të viteve 1950; botën e emigracionit shqiptar të atëhershëm, mëritë dhe aleancat, infiltrimet nga provokatorët gjithfarësh, refuzimin për t’u marrë sërish me politikë dhe pamundësinë për t’u shkëputur nga politika, miqësitë e lidhura dhe të prishura sakaq; duelet (imagjinare); pastaj hapëm me ngé albumet e fotove dhe e shëtitëm qytetin e përjetshëm sipas itinerareve gjithnjë e më të tkurrura të ish-ministrit të qeverisë së dytë Frashëri e duke u futur me të në trattoria-t, klubet ekskluzive, kishën Sant’Attanasio, vicolo-n Scanderbeg, fushat e golfit, varrezat, zyrat e franceskanëve, rrobaqepësitë e burrave, bibliotekat private dhe teatrot e frekuentuara prej tij.

Zonja Zadeja solli në bisedë, me këtë rast, një kafé – me një emër që ajo e shqipëroi aty për aty si Zgavra e perëndive (Il covo degli dei), dhe ku zoti Zadeja e pat bërë zakon të shkonte shpesh mbrëmjeve sa kohë që i mbajti shëndeti; ngaqë aty bëhej bashkë me kolegë të vetët nga ditët e dikurshme në Tiranë, por edhe ngaqë i zoti i kafesë, një Silvio Pizzi, italian që kish jetuar gjatë në Shkodër, derisa ishte larguar edhe ai, në të njëjtin vapor me zotin Zadeja, drejt brigjeve perëndimore të Adriatikut; ky signor Pizzi, pra, e kish bërë zakon të thërriste në lokalin e vet gjithfarë artistesh të reja, aktore të tërhequra nga premtimet e Cinecittà-së, këngëtare, dhe vajza të tjera nga provinca në kërkim të fatit; që interpretonin këngë nga repertori klasik i muzikës së lehtë italiane, për klientët e kafesë, të kamur, por të rënë nga vafti. Tek e fundit, do të ishte mëkat dhe atentat ndaj vetë shpirtit mecenat të salloneve të Romës së mirëfilltë, që një publik kaq i lëçitur dhe i ndjeshëm ndaj artit, në mos edhe sensual, ta linte një gjinkallë të vuante urie.

Jazz SingerI përmendëm zonjës, gjithnjë me taktin që e kërkonin rrethanat e takimit tonë, se edhe këngëtarja e madhe italiane në vitet 1960, diva Vilma Gaber e “Non ti scordar”, kish kënduar në fillimet e karrierës së saj te Zgavra e Perëndive; madje kish shkruar për këtë në librin e saj të kujtimeve, La Bocca della Verità (Rizzoli, 1984), ku kish folur me respekt dhe mall të sinqertë për zotin Zadeja duke e veçuar prej të tjerëve dashamirës; meqë ky, në fakt, i paskësh dhuruar personalisht një tufë me kamelia në fund të spektaklit dhe, tek e kish takuar, i paskësh thënë se me zërin e saj, praninë skenike, shijen e rafinuar dhe talentin muzikor të pashoq, ajo e kish të sigurt ngadhënjimin në skenat e Italisë; mjaft të mos hiqte dorë nga përpjekjet, mjaft të mos ligështohej. “Një nga të paktët italianë në mos i vetmi që besoi me gjithë zemër tek unë,” kish shkruar Gaber-i, “ishte shqiptari Jakubin Zadeja.”

Dhe këtu zonja Gjystinë qeshi, ose kushedi u mbyt nga tymi i cigares Gauloise dhe u koll-gajas për një copë herë, duke na bërë shenjë me dorën aq të rënduar nga unazat, që të mos shqetësoheshim megjithatë. “Po natyrisht, natyrisht,” na tha, me sytë që i morën një shkëlqim si prej pelteje; “E kam lexuar librin e Gaber-it dhe më ka lënë mbresë vëmendja, por edhe kujtesa e asaj gruaje të rrallë. Por ashtu ka qenë, Jakubini im, ndjesë pastë; njeri shpirtmadh, i gjerë nga zemra dhe që e donte fort artin; dhe atë profeci për ngadhënjimin së shpejti në skenat e Italisë ua bënte, pa përjashtim, të gjitha këngëtareve dhe artisteve që vinin të interpretonin te skena e përvuejtun e Zgavrës. Pa çka se Vilma qëlloi të ishte e vetmja, për të cilën i doli fjala.”

[Ilustrimi: The Jazz Singer, (c) Ruu-the-Dasher, Deviant Art.]

Nuk ka komente

  1. “Një nga të paktët italianë në mos i vetmi që besoi me gjithë zemër tek unë,” kish shkruar Gaber-i, “ishte shqiptari Jakubin Zadeja.”

    Nje nga te paktet meshkuj qe e besoi, sepse Jakup Zadeja njihte femren me sy, me nje shikim, me nje gjest. Eshte fat i madh te njihesh keshtu, por fat edhe eshte edhe te dallosh kaq shume te “panjohur”, te njohshem, neteve te tilla. Sepse ndjen vetvetiu, si Vilma, qe po kerkon dike qe me te vertet ekziston, nuk ka sesi te mos ekzistoje diku, qofte edhe per te pikasur, kuptuar, e sidomos mbushur shikimin tend te zbrazet, e njekohesisht aq te mbushur me shpresen se eshte i njohur per dike. Vilma po me duket pak mendjehte qe e kujton Jakupin nga nje tufe me kamelia, kur Jakupi mund te kete kaluar nete te tera duke e pare, duke mos ia hequr syte, i dorezuar megjithe imagjinaten te kjo “rastesi” fatlume, duke jetuar momentet me te bukura, jo cfare them, te vetmet, te zeri, nata dhe trupi i Vilmes. Nuk shkruhen kujtime te tilla.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: