KY NUK ËSHTË NJË DIKTATOR

Fotografi belg Frederik Buyckx e njeh mirë Shqipërinë. Kur ia sjell hera të vijë e të fotografojë aty, ai i shmang fare qytetet e mëdha, ku duket nuk gjen gjësendi interesante, dhe për këtë ka mirëkuptimin tonë të plotë.

Moda e një art deco-je të vonuar “murale” mbi pallatet e serta proletare të Tiranës kaloi shpejt. Në kushte të tilla, ai nuk zemërohet fare me shqiptarët, është i vendosur të mos i braktisë ata dhe madje shpreson t’u bëjë nder duke tërhequr vëmendjen publikut të tij me foto të Shqipërisë së thellë fshatare, ashtu siç ka bërë më parë me hijet anksiogjene që lëvvizin nëpër rrugët e favelave braziliane.

Në Flickr gjen një set të tillë të realizuar më 2007, ndërkohë që në sitet shqiptare në internet kohët e fundit u bë e njohur edhe një seri tjetër fotografish, Moving Albania, por pa asnjë informacion se kur janë realizuar. Autori i tyre nuk flet për ndonjë udhëtim të dytë në Shqipëri, por duke gjykuar nga stili, evoluimi i tij si fotograf, te vështrimi që ne shohim te ai, ndërkohë që ai na sheh ne, mund të thuhet se është fjala për dy sete fotografish të realizuara në kohë të ndryshme. Të paktën shpresoj të jetë kështu.

Ndërsa në udhëtimin e tij të parë (2007) ai është mrekulluar me pamjet e pashpresuara që i dalin përpara; shkrep aparatin mbi gjithçka që lëviz (një qen duke dalë nga kazani i plehrave), por edhe mbi gjithçka që nuk lëviz (një kokë bagëtie e sapotherur dhe e vendosur në një “sini” betoni). Ke përshtypjen se çdo gjë që i zë rrugën (në kuptimin figurativ por edhe blegtoral, se nuk mungon edhe klisheja e njohur e një tufe delesh që i zënë rrugën makinës ku udhëton një i huaj) është një zbulim i vërtetë për të, që ushtron ndikimin tundues-frikësues të një fenomeni paranormal . Mbase edhe është ashtu. Ne, kemi jetuar aq shumë midis një lloj arti të tillë, sa tani nuk e vëmë më re që jemi të rrethuar prej tij!

Në setin e dytë të fotografive kemi diçka tjetër. Ai është më reflektiv, seleksionon subjektin e tij dhe përpiqet të formulojë një mendim, para se të shkrepë aparatin. Kjo ka ulur pak dinamikën e fotove dhe në ndonjë rast me kujton stilin dhe punimet e H.C. Bresson-it, por mbase është fjala vetëm për një fazë kalimtare ose thjesht më duket mua ashtu. Megjithatë, nga kjo seri e fundit ne shkëputën njërën nga punët e tij që na tërhoqi më shumë vëmendjen. Është fotoja e një burri ende të ri, në intimitetin e dhomës së tij të gjumit. Ai është shtrirë në shtrat, me njërën dorë nën qafë dhe me tjetrën, mbase duke kruajtur gjenitalet.Fotografi belg F. Buyckx

Eshtë një fotografi e realizuar në standardin më klasik që mund të bëhet. Synimi duket ka qenë të sjellë sa më shumë informacion dhe jo ndonjë ndjesi të veçantë mbrëmësore, pra të na lërë të kuptojmë sadopak si e përjeton personazhi ynë kënaqësinë e gogësitjes pak para se të mbyllë sytë, pas një dite pune të rëndë. Në vështrim kompozicional gjithçka është mbështetur dhe favorizuar nga këndi i dhomës ku është vendosur shtrati dhe mbi të, si rrushi i thatë mbi kabuni, ndodhet portreti i diktatorit shqiptar. Pikërisht drejt tij, siç e kam shënjuar me vija të kuqe, konvergojnë e “çlirohen” të gjitha linjat e tensionet e kuadrit, ashtu sikundër jeta e një populli për gati gjysmë shekulli të tërë u var e tëra te një personazh i tillë që e mbylli vendin si një mizë e zënë brenda sepetit të gjyshes, mbi të cilën vuri edhe disa dyshekë të rëndë. Te ai pra, duhet kërkuar edhe qëllimi i ekzistencës së kësaj fotoje, ai portret është proteina e këtij “kompozimi me krevat”. E megjithatë, gjithçka aty duket mjaft e natyrëshme, intime e familjare, sa një shikues i huaj ka të drejtë të besojë se “ky nuk është një dikatator”. Se kudo në botë portretet të tilla zinin vend gjetiu, nëpër zyra, e shumta në një sallon pritjeje, por kurrë në dhomën e gjumit.

Përkundrazi, për ne fotografia është befasuese dhe na kthen në kohë. Hyjmë në një dhomë tipike fshati shqiptar, ku veç një qilimi sintetik të prodhuar mbase në Turqi, duket se asgjë nuk ka ndryshuar aty (natyrisht po të përjashtojmë edhe atë telin që varet në mur e që duhet të jetë i ushqyesit të telefonit, të cilin, për të qenë i qetë ai ka vendosur ta ruajë nën jorgan).

Fotoja e një artisteje lokale (besoj) me bukuri malësore, edhe pse në të njëjtën lartësi me atë të diktatorit, ka valencë mjaft të ulët për të na ndihmuar të dalim nga “kurthi” e të ruajmë sensin e kohës që jetojmë, të na mbajë larg një ndjenje sikleti që nis e të përfshin ngadalë.

Më bën përshtypje se synimi për të vënë në pah portretin e diktatorit, më saktë frika se mos humbet gjësendi nga lartësia e tij sugjestionuese, e ka shtyrë fotografin të mos luajë as edhe me një gamë minimale dritash më të buta. Dhoma ka një ndriçim pllakë, të theksuar e uniform, gjë jo fort e natyrshme në interiore të tillë, por duket se kështu ai është i sigurt se vizibiliteti i portretit në mur nuk do të bjerret nga ndonjë lojë e dyshimtë tonesh. Se është natë ose të paktën që dielli ka perënduar, këtë e kuptojmë vetëm nga mungesa e dritës përtej tylit që mbulon dritaren.

Dua të besoj sinqerisht se portreti qëndron aty që prej shumë vitesh dhe ka lëvizur herë pas here vetëm sa për t’i dhënë murit një dorë gëlqere. Asgjë nuk ndryshon edhe po qe se është zhvendosur nga shtëpia vjetër dhe ka zënë përsëri vend në banesën e re të ndërtuar në tokat e dikujt tjetër. Në fakt edhe mund të dyshohet për një gjë të tillë dhe portreti është aty për të kujtuar legjitimitetin që i jep ai shpronësimit të pronarve legjitimë.

Më tej, ka shumë të ngjarë që personi nën jorgan (duket ende i ri), të dijë vetëm fjalë të përgjithshme për të, histori të ngelura në kujtesë nga vitet e shkollës fillore, histori të deformuara nga propaganda e ditës (shtypi i Tiranës ka rolin e tij). Ka fort të ngjarë që ai vetë të ketë dashur të mbajë aty mbi kokë atë artisten apo këngëtaren dhe Hoxha të ishte diku tjetër, pak më larg, por i ati do të ketë këmbëngulur që ai të rrijë aty ku është se “nuk i dihet këtyre punëve”.

Gjithsesi, dua të besoj se edhe i ati ka patur mendimin e tij për E. Hoxhën, njeriun që i zbriti fshatarët në rang elementësh statistikorë të llojit “krah pune”, por pragmatizmi i njeriut të rraskapitur tokës, që shkon deri në kufijtë e hipokrizisë, ka rolin e tij që ai portret të ketë ende një vend në muret e shtëpisë së shqiptarve.

Problemi është se duke e patur për vite të tëra para syve një objekt të tillë, ata që e shohin kanë nisur ta harrojnë arsyen fillestare të pranisë së tij aty dhe heqja e tij tashmë prek një sferë irracionale, besëtyte, thua se shtëpia mbetet pa mbrojtësin e vet. Pra, tani është vetë portreti që krijon legjendën e tij.

Brezat e rinj e ruajnë atë ashtu sikundër të parët e të parëve mbanin mbi krye një medalion koranik që nuk ia dinte kush kuptimin a ndonjë ikonë me shpjegime në një gjuhë të panjohur. Moskuptimi i objektit e rrit më tepër dimensionin idhujtar. Gibbon-i më duket flet për adhurimin e fshehtë të disa romakëve për freskat e vjetra, që nuk i kuptonin më, ndërkohë që perandoria kishte përqafuar fe tjetër dhe idhujtarët ishin shndërruar në subjekte talljesh publike.

Tani të mos harrojmë se ajo foto nuk është realizuar nga ndonjëri prej nesh, por nga dikush tjetër që ka vizionin e tij për botën në tërësi e për ne në veçanti. Fotografët nuk njihen si njerëz të shquar të kulturës, ajo për të cilën kanë nevojë më shumë është instinkti i kapjes së çastit, por ajo pak histori që ai do të ketë mësuar për shqiptarët i ka bërë adhuruesit e atij portreti të marrin një dimension të menjëhershëm tragji-komik në sytë e tij. Në fakt më shumë komik se sa tragjik. Ka mjaftuar vetëm kjo që F. Buyckx të shkrepë aparatin dhe të realizojë një foto krejt të pazakonshme, tamam aty ku ne që e kemi atë çdo ditë nën hundë, shohim veçse diçka të bezdisshme, arkaike e pa interes.

Megjithatë edhe fotografi ynë belg, nuk del të jetë krejt pa një rol të caktuar dhe pa një farë “kontributi” të diskutueshëm në këtë realizim.

Kjo foto më solli ndërmend një artikull të famshëm i S. Sontagut, Bota e imazhit. Në faqen 237 të botimit frëngjisht (Œuvres complètes, vëllimi 1, meqë e kam këtu pranë) ajo për të ilustruar mendimin e saj se si e perceptonin kinezët fotografinë, përmend librin Hijet kineze të S. Leys, i cili flet për mënyrën se si ata synonin të rrënjosnin mendimin maoist nëpërmjet jetës së një rekruti të panjohur me emrin Lei Feng. Për këtë kinezët përdornin ekspozita shëtitëse me “dokumente fotografikë”, të cilat titulloheshin: “Lei Feng duke ndihmuar një grua të moshuar të kalojë në anën tjetër të rrugës”., “Lei Feng duke larë fshehurazi teshat e shokut të tij”, “ Lei Feng duke i dhënë bukën e tij shokut që e kishte harruar ta merrte me vete”.

Ne rregull, të gjitha këto për ne nuk janë fare të panjohura (falë portretit në fjalë nuk ishim larg një kulture të tillë politike. A nuk na tregonte S. Gradeci që sh. Enver vishte çorape të arnuara?), por i përmenda për të sjellë së fundi pyetjen që bën S. Sontag, e që lidhet drejtpërdrejtë me foton tonë: Si shpjegohet, thotë ajo, prania mbinatyrore e një fotografi në rrethana kaq intime të jetës së një njeriu? Kuptohet se edhe pyetja jonë është e njëjtë: Si shpjegohet prania e një fotografi belg (nga një “k” në fund të emrit të tij duhet të jetë me origjinë flamande), në çastet kaq intime të jetës së një fshatari shqiptar?

Është vërtet një problem i rëndësishëm që ka të bëjë me autenticitetin e fotos në fjalë dhe me të gjithë procesin e krijimit fotografik. Në vetvete, kemi të drejtë të dyshojmë se këtu është fjala për një “mise en scène”, se fotografi nuk ka hyrë në majë të gishtave në një dhomë gjumi në anë të rrugës dhe në çastin që ka shkrepur aparatin dikush që po flinte aty ka nxjerr kokën nga jorgani. Mund të hamendësohet se midis tyre ka patur një njohje paraprake dhe ai i ka kërkuar të zotit të shtëpisë, apo të birit të zotit të shtëpisë (se krevati është “single”) të shkojë e të futet në shtrat (për të treguar devocionin e tij, ky i fundit, ai ka hequr edhe pantallonat e, në nxitim e sipër, i ka hedhur mbi qilim), ndërkohë që autori i fotografisë rregullon objektivin e aparatit të tij dhe merr vendimin ta ndriçojë dhomën në mënyrë uniforme.

Gjithsesi, për të mos shkuar më tej, nuk kemi arsye të dyshojmë se në improvizim e sipër, F. Buyckx e ka gjetur portretin e Hoxhës nën shtrat apo në qilarin e shtëpisë dhe ka kërkuar ta ngjisin aty lart. Mënyra se si ai portret është fiksuar në pikën ku konvergojnë këndet e tre sipërfaqeve të dhomës, nuk të lë të besosh se është fjala për një mbërthim të improvizuar vetëm për nevojat e fotografisë në fjalë. Ai mbretëron aty si një relikt i një kohe tjetër, por i perligjur me arësye të pathëna sa pragmatike aq edhe idhujtariste. Dhe më shumë se sa një kureshti për të huajt, ajo fotografi drejton gishtin nga ne, për të na treguar se një udhëtar i largët edhe duke na hedhur një sy kalimthi, mund të zbulojë gjëra të fshehura tutje në pjesën më të errët të ndërgjegjes sonë, e mbase të zbulojë ndonjë arsye shtesë pse ka kombe që  nuk rriten.

F. Buyckx është një fotograf i vlerësuar dhe ka publikuar në disa nga mediet më të mëdha në botë. Ato pak punë që i njohim flasin për kërkesa të larta profesionale, me gjithë moshën e re që ka. Dhe pavarsisht nga ndonje “imperfection” ne sigurohemi në këtë bindje kur kujtojmë atë që thoshte H.C. Bresson: Dhjetë mijë fotografitë tuaja të para, janë ato më të këqijat.

Nuk ka komente

  1. ne dhomen e ndenjes zakonisht flejne te moshuarit, prandaj nuk eshte krevati i personit.. ka disa zhvendosje objektesh qe mund te jene evidence per falsifitetin e skenes – perdja e pare eshte rrezuar mbi krevat, ne borduren e dritares ndodhen dy rrota peri (ndoshta mamaka po rregullonte perden), poshte krevatit eshte nje kemishe (ndoshta gruaje, sepse personi i shtrire ne shtrat ka bluze dhe xhakete lekure), thesi i barbunjave eshte hedhur me shpejtesi brenda oxhakut (gjyshes i jane marre nga duart), varesja e robave eshte vendosur mbi oxhak (ndoshta aty kane qene pantallonat).. ben vaki skena eshte fotografuar ne castin kur po rregullonin ku do te bujtin miqte.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin