KULTURË APO TRASHËGIMI

Sa herë që dëgjoj për veprimtaritë e Ministrisë së Kulturës, gjithnjë më duket zgjidhje e gabuar që kjo ministri të mbulojë edhe Kulturën, edhe Trashëgiminë kulturore – e gabuar jo aq në vetvete, sa për rrethanat specifike të Shqipërisë dhe të shoqërisë shqiptare sot.

Natyrisht kultura dhe trashëgimia kulturore kanë shumëçka të përbashkët; por a mjafton kjo përbashkësi, për t’i mbledhur ato së bashku nën një ministri; aq më tepër kur bëhet fjalë këtu për ndoshta një nga ministritë kryesore, të paktën për nga dukshmëria e punëve dhe e projekteve, por edhe pesha që i jepet në veprimtaritë qeveritare?

Dhe këtu vijnë në vështrim veç anëve të përbashkëta, edhe dallimet mes kulturës dhe trashëgimisë kulturore; duke qenë e para më shumë energeia (ενέργεια), ose veprimtari, ndërsa e dyta më shumë një ergon (ἔργον), ose produkt (në kuptimin që iu jep këtyre koncepteve Wilhelm von Humboldt-i).

Si popull, ne kemi ruajtur dhe vazhdojmë të mirëmbajmë një perceptim të fortë historik të kulturës – duke e parë këtë si një koleksion figurash të rëndësishme dhe momentesh e monumentesh kyçe nga e shkuara. Ndërkohë, adoptimi kargo-kultist i rregullsive dhe kritereve të ekonomisë së tregut në kulturën si veprimtari ka bërë që kjo të përthithet pothuajse e tëra nga dëfrimi (entertainment).

Në këto rrethana, edhe trashëgimia kulturore edhe kultura kanë nevojë për vëmendjen dhe kujdestarinë e institucioneve qeveritare – e para, për t’u mbrojtur nga shkatërrimet dhe sidomos nga destruktivizmi i njeriut post-komunist; e dyta për t’u mbrojtur nga grykësia e dëfrimit dhe rreziku tepër real i shuarjes, përballë konkurrencës që i vjen nga plehu dhe krimbat që rriten atje.

Ndërkohë, për arsye që lidhen kryesisht me konceptimin fund e krye kitsch të punëve kulturore nga politika, kur është fjala për të zgjedhur midis trashëgimisë kulturore dhe kulturës, dihet se e para do të fitojë gjithnjë – një muze do të marrë përparësi ndaj një ekspozite; një kështjellë e restauruar ndaj një teatri të ri të muzikës jazz ose të teatrit alternativ; kremtimi i përvjetorit të një poeti të sigurt si De Rada ndaj fatit të letërsisë bashkëkohore në epokën e analfabetizmit funksional.

Një mënyrë si mund të zgjidhet kjo kontradiktë, është që kultura, si veprimtari e gjallë dinamike dhe përftuese vlerash të reja të ndahet krejt, sa i përket raporteve me administratën publike dhe financimeve përkatëse, prej trashëgimisë kulturore.

E kam të qartë që në disa vende dhe për disa mendësi Perëndimore vetë ideja e një ministrie të Kulturës do të ngrinte vetulla – por Shqipëria nuk e ka luksin të ngrejë vetullat; sepse, në fakt, nuk ka as vetulla, në momentin e tanishëm. Kultura bashkëkohore shqip është duke lënguar, me segmente të tëra që i janë nekrotizuar; dhe kësaj situate alarmante nuk i vjen asnjë zgjidhje nga meremetimet që u bëhen fortifikatave osmane ose nga rekuperimi i llagëmeve dhe i aparaturave të përgjimit të periudhës totalitare; sikurse nuk i vjen asnjë zgjidhje nga iluzioni – kriminal – se punët e kulturës do t’i zgjidhë tregu(!).

Nga ana tjetër, nëse trashëgimia ka nevojë urgjente për vëmendje mbrojtëse dhe restauruese nga ana e institucioneve, trajtimi si trashëgimi kulturore i kulturës veprimtari (energeia) do të çonte herët a vonë në funeralin e saj – nëpërmjet dhe falë mumifikimit.

Dhe nëse trashëgimia kulturore qenka me vlerë të paçmuar për turizmin, sikurse po thuhet, atëherë le t’i kalohet ajo në administrim një ministrie të Turizmit dhe të Trashëgimisë Kulturore; duke e lënë ministrinë e Kulturës të merret me librin, me filmin, me muzikën bashkëkohore, me teatrot dhe festivalet, me kujdesin për artistët dhe krijuesit, e kështu me radhë.

Ose fundja le të eksperimentojmë me një Ministri të Historisë…

Përndryshe, ambiguiteti i pashmangshëm i termit kulturë veç do të krijojë keqkuptime dhe do të rrezikojë mbijetesën e vetë dukurisë së emërtuar.

Natyrisht, këto janë vetëm ca mendime të miat shkeleshko, të cilat i sjell këtu pa kurrfarë autoriteti veç atij që më jep dëshira për t’i ndarë me ju, kryesisht për të ftuar kolegët të diskutojnë rreth temës.

Prandaj do t’ju lutesha të shprehnit mendimet tuaja, nëse ia vlen dhe sa ia vlen që trashëgimia kulturore dhe kultura të vijojnë të administrohen nën të njëjtën çati, sa kohë që problematikat i kanë kaq të ndryshme dhe zgjidhjet e ofrueshme po ashtu; dhe nëse është e vërtetë, siç më duket mua, se obsesioni me “trashëgiminë” po ua largon vëmendjen, institucioneve publike, nga kultura si veprimtari e gjallë, e përditshme dhe krijuese; dhe sidomos, se kjo ngatërresë ndonjëherë pa dashur dhe ndonjëherë e qëllimshme midis kulturës dhe trashëgimisë kulturore, përfaqëson edhe ajo, në vetvete, një rrezik real për jetën kulturore.

Nuk ka komente

  1. Them se kjo ndarje, apo ky diferencim, do kishte vlerë atëherë kur kultura si veprimtari, siç e përcaktoni ju, do ripërcaktohej tërësisht e pavarur nga administrata qëndrore, në atë masë përshembull që mund të jënë, apo duan të jenë, universistetet dhe arsimi i lartë.

    Përse e them këtë?

    Sepse për nga vetë natyra pushteti është instrumentalizues. Këtë ai e bën edhe me kulturën. Ne si shoqëri nuk kemi asnjë mjet që për ta parndaluar këtë. Përkundrazi, ne duket se jemi skllevër të pushtetit, dhe ia nështrojmë dashur pa dashur gjithë shoqërinë uniformitetit dhe konformizmit, sepse nuk ndihemi shumë rehat me pluralizmin.

    Kjo jo për shkak të atributeve individuale, por për shkak të roleve që kemi marrë në shoqëri, të cilat nuk i kemi aq të lehtë për t’i ndërruar saç kujtojmë.

    Ndaj nëse ka ndonjë shpresë për t’i dhënë shoqërisë një frymë pluraliste – sido që të jetë kjo, politike ose jo politike – është kultura në kuptimin e gjërë, qoftë e angazhuar politikish, qoftë si sipërmarrje.

    Them se implikimet e këtij propozimi shkojnë, dhe duhet të shkojnë, përtej kulturës – në politikë dhe ekonomi – dhe ia vlen të merret shumë seriozisht.

  2. Thelbi i këtij provokimi është mëse i drejtë, sepse ndarja e kulturës nga trashëgimia kulturore duhet bërë fillimisht në koncept e më pas në konfiguracionin administrativ. Pra rëndësi parësore, për mendimin tim, ka ndarja konceptuale, në kuptimin që duhet të jetë e qartë për politikanët, qytetarët e administratorët, se janë dy fusha të ndryshme.

    Në këtë kuptim, veshja juridiko-administrative që u jepet strukturave shtetërore është dytësore. Në rast se dallimet midis fushave, siç e shpjegon shumë mirë artikulli, do të ishin të qarta në Shqipëri, atëherë edhe emërtimet e institucioneve qendrore nuk do të kishin ndonjë rëndësi të madhe. Fatkeqësisht edhe kjo është çështje kulturore, sepse ne e kemi të vështirë kulturorisht ta bëjmë ndarjen e veprimtarive përkatëse. Në pamundësi për të arritur këtë gjë, vjen natyrshëm propozimi (nga lart) i ndarjes me thikë i institucioneve, pra krijimin e dy Ministrive, ose zhvendosjen e pjesshme tek një tjetër.

    Në një shtet normal Ministria e Kulturës duhet të kishte departamente të ndara qartë, madje me zv/ministra të ndryshëm që merren me kulturën e me trashëgiminë kulturore. Sintezën politike mund ta bënte Ministri vetë, i cili merret me zbatimin e programit qeveritar në fushën më të gjerë të kulturës. Mirëpo kjo nuk ndodh, siç u tha nga Xhaxhai, madje shkon në dëm të njërës fushë e në favor të tjetrës, duke rrezikuar shkrirjen përfundimtare njëjtësuese.

    Paradoksalisht mund të bëhej edhe Ministria e Kulturës, Trashëgimisë Kulturore, Turizmit, Rinisë e Sporteve. Si zgjidhje politike mund të shpjegohej me nevojën e thjeshtimit. Mirëpo kjo nuk do të thotë që Turizmi të ngatërrohet me Kulturën, edhe pse rrethpriten në shumë pika, as Rinia nuk mund të ngatërrohet me Turizmin, edhe pse piqen ta zëmë tek dëshira për qejf e udhëtim. Duhet të ekzistonin nën/ministri të fuqishme me autonomi të plotë e me objektiva të qarta. Porse këto të fundit kërkojnë fillimisht që të jenë të qarta kulturorisht, sepse në qoftë se edhe historiografia është në funksion të turizmit atëherë po bëjmë një mishmash të paparë. Pra formula juridiko-administrative mund të gjenden gjithfarësh, problemi është në krye, tek koncepti që duhet zbatuar. Nga kjo edhe vlera kryesore e shkrimit. E kuptoj megjithatë se përcaktimi i një organizmi të ri si Ministria e ndihmon kristalizimin e ndarjes kuptimore e kulturore.

    Propozimi i Xhaxhait, më solli ndër mend idenë e vjetër të Ministrisë së Diasporës, ose të Emigracionit. Çështja është e ngjashme, sepse emigracioni është fushë ndërsektoriale, në kuptimin që ka aspekte që lidhen me rendin, me politikën e jashtme, me punën, me shanset e barabarta, me kulturën, e kështu me radhë. Megjithatë e ka specifikën e vet. Fakt është se emigracioni ka mbetur pa ndonjë vëmendje të qartë institucionale, duke e trajtuar shpeshherë si fushë të dorës së dytë, nën zërin “dërgesa financiare” ose remitanca. Kjo vjen ngaqë nuk perceptohet as konceptohet si domosdoshmëri nga pikëpamja semantike e politike.

    Në këtë kuadër, ndihma më e madhe që mund t’i jepet Shqipërisë është pikërisht nënvizimi i dallimeve mes kulturës e trashëgimisë kulturore. Formula administrative, pra nëse bëhet Ministri, ose Drejtorì pranë Këshillit të Ministrave, duhet gjetur në bazë të autonomisë që duhet të ketë. Sepse në Shqipëri mund të jesh edhe ministër, me ose pa portofol, por pa ndonjë liri të madhe veprimi, në rastin e mirë kur di ç’të bësh, pra kur ke një program të qartë politiko-kulturor për të vënë në jetë.

  3. Konceptualisht , ndarja eshte e qarte ndermjet asaj qe quhet trashegimni kulturore (te themi “e vdekur”, ne kuptimin e finalizimit si produkt ) dhe asaj qe quhet “kulture e gjalle”, ne kuptimin qe i jep Xha Xhai-si veprimtari te reja krijuese , plus institucionet perkatese te administrimit dhe promovimit te sherbimeve/krijimtarise kulturore-artistike.Kjo duket qartazi po ti referohesh web site te Ministrise se Kultures.
    Me duket se shqetsimi Xha Xhait adreson menyrat e menaxhimit dhe administrimit te ketyre dy fushave/sektoreve, pra tek fakti qe mbajtja e te dyjave-e trashegimnise kulturore dhe veprimtarive kulturore nen sqetullen e nje Ministrie, ka rrezikun qe e para (trashegimnia) te marri prioritet, per arsye pragmatike politike por edhe lehtesie perdorimi dhe instrumentalizimi, kundrejt aktiviteteve kulturore, te cilat per nga natyra e tyre krijuese dhe dinamika perditesuese, kerkojne menaxhim krijues, burime financiare te mjaftueshme, qasje te reja konceptuale dhe nje sinergji me te gjithe aktoret , agjensite, grupet e interesit, komunitetet e krijuesve dhe perfituesit/konsumatoret e sherbimeve/aktiviteteve kulturore.
    Trashegimnia kulturore perfshin muzete, parqet arkeologjike, keshtjellat, monumentet, qendrat historike dhe kulturen shpirterore (foklori).Menaxhimi trashegimnise kulturore materiale kerkon :mirembajtje, monitorim dhe studim , funksione te cilat aktualisht jane te ndara mes Institutit te Monumenteve te Kultures dhe Agjensise se Sherbimit Arkeologjik. Ministria e Kultures aktualisht, percakton politikat e ruajtjes se trashegimnise kulturore dhe financon aktivitetin e Institutit, ne mos gaboj.
    Nje zgjidhje optimale, ne favor te fokusimit te Ministrise tek kultura dhe aktivitetet krijuese artistike, do te ishte kthimi Institutit ne Agjensi Kombetare e Trashegimnise Kulturore, me kompetencat e menaxhimit, monitorimit, mirembajtjes, studimit dhe promovimit te gjithe trashegimnise kulturore, me fond autonom , nje ent i cili prej Ministrise merr orientimin e politikave/strategjive te trashegimnise kulturore. Agjensia , ne funksion te kthimit te muzeve, parqeve arkeologjike, qendrave monumentale etj. ne atraksione turistik bashkepunon me Ministrine qe mbulon turizmin, me operatoret turistike , me pushtetin vendor etj.
    Aktualisht, per shkak te burimeve te kufizuara financiare por edhe nga veshtiresite qe sjell mbajtja e dy kungujve nen nje sqetull, lene per te deshiruar si perkujdesi per trashegimnine, ashtu edhe nxitja e aktiviteteve kulturore dhe artistike.Copezohet si vemendja e pamjaftueshme ,ashtu dhe fondet e kufizuara. Po te shikosh kalendarin e aktiviteteve kulturore te mbeshtetura nga Ministria gjate vitit 2014, nga reth 60 aktivitete ne total, 16 i jane perkushtuar trashegimnise kulturore ( kultura shpirterore-klarienta, ,isopolifonia, oda dibrane,- tezgjahu, kulinaria, artizanati, ritet pagane,kodiket, lapidaret etj). Nuk e kam te qarte se si i ka mbeshtetur Ministria keto aktivitete, me finaca apo koordinim, por nje pjese emire prej tyre, fare mire mund te organizohen nga bashkepunimi operatoreve lokale (pushtet vendor, shoqata kulturore, biznesi, shkollat, etj).Nuk ka perse Ministria te merret me traditen e tjerrjes se leshit!
    Sikur Ministria e Kultures te fokusohej vetem ne ate qe quhet mirefilli kulture, nje fushe e pamate hepet perpara, qe nga politikat per librin, bibliotekat, muziken, artet pamore, teatrot, ekspozita, festivale, konkurse, panaire dhe te gjitha keto jo vetem ne metropol por edhe ne nivel lokal, atje ku pothuaj gjithcka eshte e vdekur.Rrofte Portokallia, rrofte digitalbi! dhe ndonje koncert veror . Ka shume hapsira qe duhen eksploruar , ka nevoje urgjente per te rigjalleruar tradita tashme te vdekura ne shkolla, si konkurset teatrale , nxitja e talenteve ne muzike, recitim, pikture, konkurse letrare, puna me librin, biblotekat levizese, panaire lokale te librit te miksuara mne aktivitete artistike, mbeshtetja e teatrove lokale, e grupeve te reja muzikore, percjellja e kenges dhe valles tradicionale tek breznite e reja. Tashme keto mungojne dhe gjithcka eshte zevendesuar me konkurse misesh, me Gjeniun e vogel, The voice of Albania-te gjitha ne kutine e TV.
    Ne kontekstet e reja social-ekonomike, kur shoqeria rrezikohet te ckulturalizohet perballe komercializimit dhe tregut, nxitja e aktiviteteve kulturore, krijuese, artistike , eshte jetike.Por po kaq real eshte rreziku i shkaterrimit te trashegimnise kulturore materiale (keshtjellat, muzete, parqet arkeologjike, qytetet historike, qendrat historike etj.) per shkak te indiferences se institucioneve, rrenimit, urbanizimit betonizues. Pa folur per elemente te trashegimnise shpirterore, per tradita qe duhen ruajtur dhe promovuar. Ne kete aspekt, nuk shikoj ndonje perkushtim kushedi se cfare per trashegimnine kulturore. Sikur te ishte keshtu, do kishim shmangur gjysmen e te keqes. Problemi nuk eshte se perse u kremtua pervjetori De Rades por tek fakti se evente te tilla si ai per pritjen e Papes, per BunkArt apo Shtepine e Gjetheve perthithin pjesen e luanit te fondeve dhe cfare mbetet, shperndahet ne cikerrima pa ndonje jehone dhe impakt me te gjere kulturor per shoqerine.

  4. Duke u nisur nga efikasiteti i pak ministrive të mirëorganizuara si ato shtatë zvicerane, të quajtura departamente, them se duhet t’i mëshohet organizimit dhe kuptimit të përgjegjësive që mbulon çdo ministri.

    Zhvendosja që propozon Xha Xhai është lëvizje strategjike për të çuar vëmendjen e Ministrisë së Kulturës tek kungulli i parë që duhet të mbaj nën sqetull e jo ta tërheq zvarrë: krijmtaria e përditshme. Ka diçka që nuk shkon rrënjësisht në konceptimin që i bën kjo ministri detyrave të saja: po e kupton kulturën si zbavitje, diçka që bëhet e ndërmerret në kohën e lirë, madje më komode në kohën e rezervuar për turizëm ose, më rëndom, në vend të kafes së n-të të ditës. Ministria e Kulturës duhet të udhëhiqej nga njerëz që kuptojnë ndryshimin dhe lidhjen mes punës kulturore në prodhim e sipër, dhe kulturës që trashëgohet ndër breza si produkt. Dhe mendoj se duhet t’i kuptonte edhe në këtë renditje prioritetet: kultivimi i krijmtarisë/ forcës krijuese aktuale është kusht për të arritur tek kultivimi i trashëgimisë.

    Të dyja janë detyra të kësaj ministrie, sepse edhe produkti i trashëguar nuk na vjen i gatshëm, por kërkon restaurim, rinterpretim, rintegrim, pra, edhe si produkt nuk është i shkëputur nga krijimtaria/veprimtaria/energeia që duhet kultivuar fillimisht. Mendimi se bërja e trashëgimisë kulturore përgjegjësi e Ministrisë së Turizmit do t’i lërë vend të marr frymë aktiviteteve të artit, letërsisë, kinematografisë, etj. është e kushtëzuar nga komercialiteti që po i atashohet trashëgimisë kulturore nga qeveria e tanishme. Ky ështe komodifikim i kuptueshëm në vende të varfëra, për të bërë lekë të shpjetë, por pikërisht për shkak të këtij rreziku, nuk duhet t’i lihet kalkulimeve të ftohta tregtare. Sepse kam përshtypjen vetë trashëgimia do barsadohej në gjëra gjysmë të bëra, të cilave do na duhet t’i kthehemi shumë shpejt sërish, ngaqë janë bërë sa për të thënë që e bëmë diçka.

    Ministria e Kulturës duhet të kuptoj se trashëgimia fosilizohet pa investimin në dhe aktivizimin konstant të krijimtarisë së përditshme kulturore. Pikërisht kur kjo e fundit të bëhet e para, projekte si BunkArti do ofrojnë vërtetë informacion, për të cilin ama, fillimisht duhen historianë (edhe nga ata të artit) dhe artistë të kultivuar.

  5. Më duket se debati duhet riorientuar pasi të bihet dakord se menaxhimi dhe drejtimi strategjik janë dy gjëra të ndryshme. Shkrimi i Xhaxhait çelet me shqetësimin se Kultura dhe Trashëgimia Kulturore menaxhohen nga e njëjta Ministri ndërkohë që me shumë të drejtë më pas ngrihet propozimi se qasja dhe drejtimi strategjik duhet të kalojë nëpër dy hulli që ndryshojnë nga njëra tjetra si nga vizioni e qëllimet, ashtu edhe nga mënyra se si zbatohet ky vizion e arrihen ato qëllime.

    Personalisht nuk mendoj se problem është drejtimi nga e njëjta Ministri por mungesa e vizionit për sa më lart. Duke iu bashkuar edhe unë shqetësimit të ngritur nga shkrimi e të përcjellë edhe nga komentuesit e mësipërm, desha edhe të theksoj një tendencë – sipas meje – që i ka rezistuar kohës dhe është (keq) përdorur nga menaxherët e Ministrisë së Kulturës ndër vite.

    Pjesë të fondeve për konsolidimin e Trashëgimisë Kulturore kanë shkuar edhe për të restauruar objektet apo ambientet që evokojnë misteret apo tmerret e së kaluarës sonë të afërme, pra të regjimit komunist. Teksa nën drejtimin e PD-së kjo ishte një fushatë kryesisht politike me qëllim goditjen e kundërshtarit politik dhe imponimin e fajit nëpërmjet një artifici psikologjik kolektiv të transmetimit ndërbreznor (bijtë fajtorë për mëkatet e etërve), nën drejtimin aktual të PS-së kjo (Shtëpia e Gjetheve apo Bunk-Arti) është një fushatë gjoja kathartike që synon në të vërtetë jo pastrimin e shpirtit tonë kolektiv (sepse si kolektiv as që jemi të gatshëm apo të interesuar ta bëjmë këtë pastrim), por pastrimin e imazhit të PS-së së sotme dhe shkëputjen e lidhjeve me trashëgiminë e anatemuar.

    Do të thosha kështu që Trashëgimia Kulturore është drejtuar ndër këta dy dhjetëvjeçarët e fundit nga një strategji e mirëfilltë që për fat të keq është frymëzuar midis te tjerash edhe nga qëllime thjesht dhe pastër politike per grumbullim kapitali politik në disfavor të kundërshtarit.

  6. Tema prek edhe nje problem per te cilin nuk thuhet gjithnje e verteta, ai financiar. Kujtoj se kur u ndodha me afer problemeve te kesaj natyre isha shume admirativ kur kolege te vendeve te tjera te Lindjes (Armenia, p.sh.) me tregonin se per Ministrine e tyre te kultures, shteti vinte ne dispozicion 2.5 deri 3% te buxhetit te shtetit. Para habise sone ata thonin se ishte nje problem i madh kombetar forcimi dhe venia ne pah e identitetit te tyre kulturor. Qeveria ishte e ndergjegjeshme per kete dhe nuk kursente… Ne nivel informativ permend se buxheti shqiptar i Kultures,te pakten ne dhjete vitet e para pas renies se regjimit komunist, leviste nga 0.75 deri 1%. Sa here qe dilte ndonje problem tjeter, ishte ai qe i kalohej zdrukthi se pari.
    Tani perfshirja e Trashegimise kulturore ne kete buxhet (nepermjet perfshirjes se Trashegimise ne Ministrine e Kultures) eshte nje dredhi e vogel e te gjitha qeverive per te bere sikur japin e per te mos dhene asgje per mbrojtjen, konservimin dhe restaurimin e Trashegimise.
    Bashkimi me turizmin nuk me duket produktiv, edhe turizmit nuk i jepet asgje dhe kete asgje ai duhet ta ndaje me Trashegimine (pergjithesisht ata jane te kenaqur me fondin e dietave per te marre pjese ne ndonje konference ndekombetare, nderkohe qe ne vend nuk ka asnje lista dhe kritere seleksionimi te hoteleve ne baze te cilesise se sherbimit).
    Duhet evituar debati nese Trashegimia eshte apo nuk eshte kulture. Dashamiresit thone se eshte kulture, qe luan kete e ate rol etj.. E po mire atehere, kjo i intereson qeverise dhe si kulture ajo duhet te rrije aty ku eshte dhe rrjedhimisht te vihet nen regjim urije, siç ndodh sot e gjithe diten. Ministria edhe pa Trashegimine monumentale, ka shume per te bere me Trashegimine muzeale etj., per te cilan vitet kalojne dhe ende nuk ka nje profil te qarte se çfare perfaqeson ne veshtrim te nje strategjie kulturore kombetare.

    Eshte e mundeshme qe administrimi i Trashegimise monumentale (perfshi kerkimet arkeologjike) te jete me i mire duke ngritur intitucione te fuqishme kombetare, ne nivel sekretariati shteteror, te pavarura, me buxhet te vetin e te pa llogaritur ne ate 1 perqindeshin fatkeq te kultures.

  7. Trashegimia kulturore dhe kultura si art dhe krijimtari perbejne dy shtyllat baze te struktures organike te ministrive te kultures edhe ne vendet e tjera, ne Ballkan por edhe ne Europe.Pra problemi nuk qendron tek mbajtja e te dy sektoreve nen nje cati. Problemi, sikurse tregon dhe praktika, besoj se qendron sa tek qasja (vizioni, prioritetet, kultura menaxheriale) po aq edhe tek burimet e financimit.
    Lidhur me konceptimin , me ben pershtypje struktura organizative e Ministrise se Kultures, ku drejtoria e planifikimit strategjik te artit dhe kultures ka dy drejtori :drejtoria e krijimtarise dhe edukimit ! dhe drejtoria e krijimtarise se fjales dhe perkthimit!! Emertime te cuditshme kur i krahason me ministrite analoge te vendeve te tjera. Duket se qenia e Ministres si perkthyese, ka lene gjurme qysh ne emertimin e drejtorise, duke e nxjerre perkthimin si nje drejtim strategjik te politikave kulturore!! Nqs minister do te vendoset ndonje piktor, pritet te kemi emertimin : Drejtoria e Piktures dhe arteve te tjera.Sigurisht qe paresore eshte substanca por edhe emertimet jane konceptuale dhe rrefejne prioritetet.
    Nqs kultura si krijimtari performative ne kushtet e ekonomise se tregut mbartet nga nje pluralitet aktoresh (shteti, nismat private, fondacione kulturore, agjenci joqeveritare) , trashegimia kulturore mund te ruhet dhe rivitalizohet vetem me suportin e shtetit. Ne fushat e tjera te krijimtarise artistike shteti pervec asaj qe ofron dhe financon vete, ka hapsiren e nxitjes se partneriteteve dhe suportimin e nismave private. Ne nje vend me tranzicion permanent, me nje ekonomi cope cope, me emergjenca dhe burime financiare te kufizuara, kultura eshte e destinuar te mbetet ne fundin e listes se prioriteteve.
    Perhere ekziston rreziku i instrumentalizimit te trashegimise kulturore dhe aktiviteteve artistike ( kultura e spektaklit ), ne sherbim te politikes se dites. Nqs tek ne politika sherben antikomunizmin si kale beteje, Maqedonia eshte nje shembull sesi politika perdor trashegimine historike dhe kulturore per fabrikimin dhe farketimin e identitetit kombetar ne nje shoqeri multietnike.Qendra e Shkupit eshte mbipopullluar me gjithfare skulpturash dhe monumentesh butaforike, me ndertesa neoklasike dhe nje arkitekture brutale ne funksion te ndertimit te narratives nacionaliste.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin