FSHIJ E SHKRUAJ

A mund ta rrëfejmë, ose edhe ta rishkruajmë historinë tonë kombëtare, pa mistifikuar? Me sa duket, kjo mbetet një nga sfidat madhore të historiografisë shqiptare sot, veçanërisht në nivelin sub-akademik.

Ndodhi që ndërroi jetë këto ditë Ded Gjon Markagjoni, një pasardhës tashmë i moshuar i familjes së njohur të kapedanëve të Mirditës, i persekutuar rëndë nga regjimi komunist.

Një nga autorët e nekrologjisë-peticion, Agron Gjekmarkaj, vëren sot në “Panorama” se “Te familja Gjonmarkaj, ku mbaron historia, fillon legjenda e sapo mjegulla e kësaj të fundit davaritet, shfaqet fakti, personazhi dhe bëma.”

Dhe pikërisht se, në periudhën otomane “vetëm një zonë, një komunitet dhe një familje më shumë se kushdo tjetër e ndalin kohën në kapërcyellin e shuarjes së fisnikëve arbër. Mirdita, mirditorët dhe familja Gjonmarkaj, një trini sa religjioze aq edhe pagane, a diçka mes të dyjave, e bënë këtë. Aty Arbëria mbeti e rrudhur, strukur mes malesh, arbrit mbetën arbër, princërit mbetën princër, abacitë abaci.”

Dhe më tej: “Gjonmarkajt ishin shtëpia e parë sipas këtij kanuni [të Lekës] në themel të së cilit rrinte liria absolute e individit, ndoshta edhe prej gjakut të përbashkët me Lekën [Dukagjinin] që u rridhte dejeve.”

Dhe më tej akoma: “Gjonmarkajt janë e vetmja familje që mund të konsiderohet pa ndoshta e sikur nobilta (fisnikëri) shqiptare. Familje të mëdha ka pasur edhe të tjera, të cilat deri pak para 28 nëntorit 1912 mjaft syresh thoshin hamdyrylah jam turk me gojë e shkrim si testament flirtimi.”

Ka edhe të tjera si këto, që kush të dojë mund t’i lexojë vetë në linkun më sipër.

Nekrologjitë kanë gjithnjë pak mistifikim brenda; dhe momenti kur dikush ndahet nga jeta nuk është më i përshtatshmi për të korrigjuar vlerësimet historike përkatëse. Për fat të keq, kultura jonë e ka bërë zakon të kujtohet për personalitete e personazhe të rëndësishme, të aktualitetit dhe të historisë, vetëm kur vdesin.

Ky nekrologjizim i historiografisë ka edhe një efekt tjetër negativ: kur dikush vdes, thuhen zakonisht fjalë të mira, dhe kush kërkon t’i kundërshtojë këto fjalë do të stepet, për të treguar pak takt kontekstual.

Por në rastin e familjes së Gjonmarkajve (Markagjonëve?) po ngatërrohen shumë gjëra bashkë – dhe nga njerëz që duan të përfitojnë nga podiumi dhe mikrofoni, për ta çuar përpara vizionin dhe versionin e tyre vetë-shërbyes të historisë.

Prandaj le të reflektojmë pak së bashku.

Një diskurs të cilit i duhet dhënë përparësi, është ai i respektit dhe nderimit për viktimat e dhunës komuniste, përfshi këtu edhe familjen e Gjonmarkajve; por ndoshta më mirë duke i mbajtur veç këto viktima krejt të pafajshme, nga ata të tjerët, të cilët me vetëdije vendosën të luftojnë hapur kundër komunistëve dhe pastaj e paguan këtë shtrenjtë, me jetë ose me burg ose me mërgim; jo se këta patën ndonjë faj, por sepse u përfshinë me vullnetin e tyre në një ndërmarrje që ua vuri kokën, jetën dhe mirëqenien në rrezik; në kuptimin që e morën parasysh se çfarë i priste.

Një diskurs tjetër, ka të bëjë me qëndrimin e disa prej Gjonmarkajve ndaj Frontit Nacional-Çlirimtar dhe marrëdhëniet e tyre me forcat e tjera politike në vend, përfshi edhe pushtuesit fashistë dhe më pas nazistë. Këta u rreshtuan haptazi kundër Frontit, duke u bërë palë në një luftë për jetë a vdekje, e cila synonte, mes të tjerash, edhe fatet e pushtetit në Shqipërinë që do të dilte nga lufta. Lexoj tani (por nuk po e verifikoj dot) se ndonjë Gjonmarkaj bashkëpunoi haptazi me italianët më parë ose me gjermanët më pas; nëse pastaj ky u përndoq egër prej komunistëve si kolaboracionist, mund të diskutojmë për meritat dhe shkallën e fajit, por nuk mund ta konsiderojmë dot viktimë.

Një diskurs i tretë, ka të bëjë me vetë statusin e familjes Gjonmarkaj në historinë e Mirditës dhe të Shqipërisë, sidomos në periudhën osmane dhe të përpjekjeve për pavarësi.

Kështu, A.Gj. shkruan se kundër kësaj familjeje dhe historisë së saj janë ngritur “historianët, manipulatorët më të mëdhenj të vetëdijes kombëtare, të dalë nga llumi i revolucionit jakobin, mbushur me komplekse të vjetra dhe të reja, ngarkuar me kujtime topitëse stërgjyshërish e etërish, kund andartë e kund azapë të sulltanit, vetë produkt i injorancës, çirakë të ideologjisë, urdhrit, ligësisë dhe egërsisë sadiste…”

Në fakt, familja e Gjonmarkajve dhe vetë institucioni i Kapidanëve të Mirditës ka qenë produkt tipik i rendit politik otoman në Shqipëri.

A nuk është e vërtetë që Kapidanit Porta e Lartë i jepte gradën e pashës dhe këtij i lejohej martesa me një grua nga familje të parisë myslimane (të cilën e pagëzonin paraprakisht); dhe që kish gjithashtu për detyrim t’i siguronte sulltanit ushtarë (lexo: mish për top) për luftra gjithfarësh? Ndonjë më i ngeshëm se unë, mund edhe të vihet e të krahasojë sa kanë luftuar Kapedanët dhe çetat e tyre, në shekuj, përkrah Sulltanit dhe sa kanë luftuar, përkundrazi, për t’u shkëputur prej tij ose për t’i dëbuar osmanët nga Mirdita e nga trojet shqiptare.

Prandaj autori ynë te “Panorama”, që flet me kaq emocion për stërgjyshër dhe etër me prejardhje osmane e muhamedane (duke më kujtuar ushtarin japonez Hiroo Onoda që e gjetën në një ishull të Filipineve dhe që nuk e kish marrë vesh se Lufta II Botërore kish përfunduar tashmë), duhet ta dijë që këta “gjakprishur” mund t’i ketë pikërisht brenda familjes së Gjonmarkajve – mjaft t’u shohë atyre përkatësinë familjare të nënave e të gjysheve (meqë flasim për gjenealogji).

Më tej akoma, le ta admirojmë qëndresën anti-otomane të Kapidanëve të Mirditës dhe përpjekjet e tyre për një Shqipëri të pavarur, por le të mos harrojmë edhe partikularizmin e tyre dhe faktin – sërish të mirënjohur – se këta më se një herë u përpoqën veç për krahinën e tyre; madje edhe duke dashur ta shkëputin nga Shqipëria në kohë kritike (Republika e Mirditës). Dhe ta bëjmë këtë jo për hir të ndonjë paanshmërie objektiviste, por sepse vetëm ashtu mund të kuptojmë sadopak se çfarë i frymëzonte dhe i vinte në lëvizje këta burra të një kohe tjetër, kaq të ndryshme nga jona.

Ato kanë qenë sjellje tipike feudale, të përfaqëuesve të një familjeje e cila, si çdo familje tjetër feudale e destinuar të luajë për një kohë të gjatë rol në historinë e krahinës së vet, ka nxjerrë heronj dhe burra të shquar, sikurse ka nxjerrë edhe figura të dyshimta ose thjesht të përbuzshme dhe njerëz që kanë qenë gati të shiten për tridhjetë aspra.

Gabimi që bëhet këtu – dhe është gabim aq madhor sa më shtyu t’i shkruaj këto rreshta – ka të bëjë me glorifikimin që synohet t’i bëhet një familjeje, një fisi ose një krahine të caktuar gjatë një procesi çmitizimi të nevojshëm. A. Gj. (që duket të jetë vetë me origjinë nga ato anë) dhe kolegët e tij të gojës e të penës duhej ta kishin marrë vesh tashmë, se çdo individ është vetë i përgjegjshëm për veprimet që kryen e për vendimet që merr; dhe se të glorifikosh një familje për meritat e këtij apo atij pinjolli të saj është, në thelb, e njëjta gjë me ndëshkimin e mbarë një familjeje për “fajet” e këtij apo atij pinjolli të saj.

Dhe këtë praktikë të fundit, sikurse e dimë mirë edhe për vetë familjen e Markagjonëve, e përqafuan me këmbëngulje komunistët, duke e shndërruar në një nga instrumentet më mizore të dhunës që ushtruan ndaj qytetarit.

Është imperative që ta kapërcejmë këtë mendësi feudale të bazuar në lidhjet e gjakut, nëse duam vërtet të jemi pjesë e modernitetit.

Gjekmarkaj thotë se “jam i bindur që shqiptarët sa herë që kanë nevojë të mburren për ndonjë gjë të mirë në histori duhet të trokasin në dyert e Gjonmarkajve dhe t’u kërkojnë leje për të përdorur emrin e tyre.” Mirëpo, në fakt, shqiptarët – para se të mburren me punë të historisë së tyre që nuk i dinë mirë ose për të cilat i kanë gënjyer dhe vazhdojnë t’i gënjejnë – duhet ta mësojnë këtë për së mbari; duke u njohur edhe me dritëhijet e personazheve të saj kyçe, përfshi këtu Kapidanët e Mirditës.

Të cilët nga një anë luftuan për t’ia ruajtur një mëvetësi krahinës prej Portës së Lartë, por e siguruan këtë shpesh duke u detyruar të bëhen pjesë dhe vegël e pushtetit të Sulltanit; luftuan për Mirditën e tyre, por e bënë këtë ndonjëherë edhe duke shpërfillur që Mirdita ishte pjesë e Shqipërisë; udhëhoqën çeta luftëtarësh të zotët dhe trima, por jo rrallë këta u përgjakën për lavdinë osmane, madje edhe në përpjekje me bashkëkombasit e tyre (Suli më vjen në mendje dhe Marko Boçari).

Shkurt: Kapedanët nuk i nxjerrim dot as i kuptojmë dot jashtë kontekstit osman; sepse Mirdita, me gjithë statusin e saj të posaçëm që gëzonte brenda Perandorisë dhe kanunin e Lekës dhe të tjera karakteristika shpesh specifike, ishte në fakt krahinë tipike e Perandorisë Osmane dhe – le ta themi – një nga më të prapambeturat në pikëpamje ekonomike dhe kulturore.

Me fjalë të tjera: le të tregojmë respekt dhe nderim të thellë për viktimat e dhunës komuniste totalitare, nga gjiri i kësaj familjeje; le të përpiqemi për një njohje më të thelluar e përpjekjeve të atyre pinjollëve të familjes Gjonmarkaj, që luajtën rol të rëndësishëm në rrugën drejt pavarësisë së Shqipërisë – por larg mistifikimeve, historirave me “princa” dhe vjershave për kalamaj; dhe sidomos, le të mos harrojmë t’ia shpojmë tullumbacen këtij diskursi arkaik, që kërkon të çmitizojë historiografinë komuniste duke sendërtuar mite të tjera alternative.

[Shënim: këto shënime janë pronë e blogut dhe e autorit. Ndalohet riprodhimi i tyre në media të tjera të shkruara ose elektronike.]

Nuk ka komente

  1. ” Më tej akoma, le ta admirojmë qëndresën anti-otomane të Kapidanëve të Mirditës …”

    Per çfare qendrese e ke fjalen xha xha? Xh. Belegu te Historia e Lidhjes se Prizrenit flet pak si ndryshe. Ai tregon se edhe mirditoret, sikunder bujaret e tjere shqiptare u ftuan ne koalicionin te krishtere ballkanik kunder forcave otomane me 1389. Kapedani me forcat e tij, thuhet aty, u nisen ne Fushe Kosove, por nuk u futen ne beteje. U fshehen ne male e priten si do te shkonte fati i saj. Kur koalicioni ballkanik po thyhej, ata dolen nga ferrat dhe u rreshtuan me forcat osmane dhe i u versulen vellezerve te tyre! Per kete akt tradhetie, thote Belegu, Porta e Larte leshoi nje dekret, qe i linte mirditoret te vetqeveriseshin, por jo te mos paguanin taksa. Taksen do ta mblidhnin vete e do t’ia shpinin ne dore nepunsit te qeverise.Thote po ashtu Belegu, se ky lloj fermani ruhej deri ne vone ne shtepine e bajraktarit, dhe sa here fillonte ndonje ekspedite kunder shqiptarve kryengrites, kapedani nxitonte te nxirrte ate shkresen dhe ia tregonte tugrutve te radhes qe vinin me ushtri ne ato ane. Ata kalonin anash dhe thernin te tjeret, por jo mirditoret.

    Ndersa ajo puna e Republikes se Mirdites, nuk eshte aq fort e theshte. Eshte tradhetia me e ndyre qe i eshte bere vendit ne ate shekull. Kapedani Gjonmarkagjoni e shpalli Mirditen te bashkuar me Beogradin, duke i krijuar probleme serioze shtetit te ri shqiptar, madje edhe diplomacise evropiane qe kerkonte te ruante unitetin e territoreve shqiptare.
    Ishin operacionet energjike ushtarake te A. Zogut, qe e zgjidhen kete pune, se ndryshe demet do te ishin te pariparueshme…

    Jam shume i ndjeshem ndaj persekutimit te kesaj familje te vjeter nen komunizem, por roli i saj ne historine e vendit, eshte i frikshem.

    1. Lyss, kur flisja për merita në qëndresën anti-osmane, kisha parasysh sidomos Prenk Bibë Dodën dhe ndihmën që i dha ky, mes të tjerash, Lidhjes së Prizrenit.

      1. Një ide për gjendjen në dioqezën e Lezhës dhe të Mirditës, në mes të shekullit XIX, nën lidershipin e “familjes më fisnike të shqiptarëve”, na e jep ky përshkrim i Emile Wiet, konsull i Francës në Shkodër, në vitet 1860, i botuar tani në anglishte nga Robert Elsie.

        Nga 17,279 katolikët në Dioqezë, shkruan Wiet, vetëm nja pesëdhjetë (50) dinë të lexojnë dhe këta pak fare. Dhjetë dinë të hedhin firmën. Shkollat nuk ekzistojnë (mungesën e shkollave në krahinë e konfirmon edhe një relacion i Preng Docit gati 30 vjet më pas, ose në 1896).

        Në dioqezë nuk ka asnjë mjek; por ka, megjithatë, njerëz që dinë si të mjekojnë plagët e armëve të zjarrit.

        Prodhimi bujqësor (misër) mjafton vetëm për të ushqyer një të tretën e shtëpive në Mirditë.

        Blegtoria: 20,000 dele në famullinë e Fanit, 5,000 në atë të Oroshit dhe 10,000 në atë të Spaçit. Dhitë më të mira gjenden në Fan, Vela (?) dhe Bulgari (?). Ka edhe lopë dhe kuaj (një për shtëpi, ose për çdo dy shtëpi).

        Lumenjtë janë të pasur me peshq.

        Prodhimi industrial (manifaktura) nuk ekziston, me përjashtim të ca tekstileve të leshit, të cilat i endin gratë.

        Tregtia: qymyr druri, dru zjarri dhe rrëshirë dërgohen në Shkodër; qereste pishe në Prizren.

        Importi kryesor i krahinës është kripa.

        Rrugët janë në gjendje të tmerrshme; përveçse të pasigurta, për shkak të kusarëve.

        Në dioqezë nuk përdoren urat. Njerëzit transportohen nga një breg në tjetrin me trungje të gërryera (Lundra dhe Trape?).

        Për të shkuar nga Lezha në Orosh duhen tre ditë (sa e madhe ka qenë Shqipëria atëherë!)

        Popullsinë e ka dhjetuar gjakmarrja. Banorët janë katolikë të bindur, por nuk mungojnë shenjat se zona dikur i përkiste kishës greke ortodokse (ato pak relike të shenjta që ruhen në dioqezë janë të stilit bizantin).

        Gratë trajtohen si skllave dhe bëjnë punët më të rënda. Shkelja e kurorës nga një grua dënohet me vdekje dhe dënimin e kryen personi më i afërt me të.

        Të ketë qenë ky çmimi i “autonomisë” së krahinës dhe i intrigave politike të Kapidanëve me Malin e Zi dhe me Serbinë?

    2. Lyss: “Ndersa ajo puna e Republikes se Mirdites, nuk eshte aq fort e theshte. Eshte tradhetia me e ndyre qe i eshte bere vendit ne ate shekull. Kapedani Gjonmarkagjoni e shpalli Mirditen te bashkuar me Beogradin, duke i krijuar probleme serioze shtetit te ri shqiptar, madje edhe diplomacise evropiane qe kerkonte te ruante unitetin e territoreve shqiptare.
      Ishin operacionet energjike ushtarake te A. Zogut, qe e zgjidhen kete pune, se ndryshe demet do te ishin te pariparueshme…”

      Gjerat ndoshta duhet dhe mund te shihen ne kendveshtrime te ndryshme dhe mendoj se varet edhe nga informacioni qe disponohet dhe behet i njohur per lexuesin, sebashku me kontekstin historik e lokal.

      Duke lexuar dizertacionin e Besnik Pules (http://deepblue.lib.umich.edu/bitstream/handle/2027.42/84596/bpul?sequence=1), ku nje seksion i kushton vemendje levizjes te mirditoreve kundra qeverise qendrore, meson detaje interesante rreth shkaqeve qe e cuan Gjon Marka Gjonin te ngrinte krye dhe te shpallte “Republiken e Mirdites” dhe se ne fund te fundit, Zogu nuk e konfrontoi dhe e mundi ushtarakisht krahinen, porse arriti ta nenshtroje nepermjet negociatave.

      Po ashtu, Besnik Pula, ne kapitullin e katert te punimit te tij, shpjegon dhe organizimin administrativ, legjislativ, ekonomik te malsive si krahina ne fakt autonome, ne te cilen futet edhe Mirdita. Po te kihen parasysh te gjithe keto faktore, mund te kuptohet dhe mirekuptohet edhe arsyet e moszhvillimi urbanistik, mosaplikimit te teknologjise apo agrikultures sipas kohes.

      Nje fakt kurioz, Kapidani i Mirdites, Bib Doda, qe ne gjysmen e dyte te 1800tes donte te fuste industrine e shfrytezimit pyjor dhe te eksportonte mallin, lenden drusore ne Europe. Ekzistonin plane qe te ndertohej nje hekurudhe qe do te vinte se paku deri ne gryken e Milotit, etj. Por ishin truqit ata qe kontrollonin ultesiren dhe planet te tilla sigurisht qe do te deshtonin. Bib Doda, u syrgjyn 30 vjet ne Anatoli dhe pas vdekjes(vrasjes) duke qene pa trashegimtar, u zevendesua nga nipi Gjoni, qe nuk e kishte staturen, autoritetin dhe kulturen e Bib Dodes.

      Mirdita si krahine, kishte shtrirje gjeografike me te madhe se cfare ka sot dhe farefisnia dukagjinase shtriheshe deri ne Kosove. Per te kuptuar dinamizmin e popullsise kristiane dhe musulmane, ne vitet 1880, ne kohen e Lidhjes se Prizrenit, disa shifra mund edhe te ndihmojne.

      Shqiperia veri-perendimore kishte nje popullsi ku mbi 90 mije ishin katolike dhe me pak se 90 mije ishin myslymane(mbi 70 mije). Ketu perfshiheshin Tirana, Kavaja, Durresi, Kruja, Lezha, Shkodra, Mirdita, malesite ne rretheqarkun e Shkodres, fiset e Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, etj.

      Mirditoret ishin minoritet brenda popullsise tjeter katolike, rreth 10,000 mije fryme dhe shpesh nuk ndiqnin ngritjet dhe zbritjet e pjeses tjeter, sipas politikes se momentit. Por eshte mendoj nje fakt i patjetersueshem qe asnjehere nuk kane dale kundra ceshtjes kombetare, por e kane mbeshtetur ate, duke iu bashkuar pjeses tjeter. Per kete kane pasur rol mendoj, edhe Kapidanet e Marka Gjoneve, qe me te drejte eshte e vetmja familje qe mbijetoj nga familjet fisnike paraotomane.

      1. Read Me, çudia ne keto pune eshte se ne origjine gjerat jane te qarta e te thjeshta. Me tej komplikohen me “disertacione” . Ti sikunder une e di mire se si behet kjo pune.
        Cduhet bere atehere? Asgje me shume se t’u referohesh ngjarjeve burimore. T. Zavalani qe e njihte mire kete histori, rezervohet te jape opinionin e tij dhe citon Lordin Fisher: “Te gjitha kto prova, – thoshte lordi ne raportin e tij, – i japin aresye qeveris britanike me perfundue se eksiston nje plan jugosllav per me ckepute Shqipnin e veriut nga qeverija e Tiranes, tue INKURAJUE DISA KRENE TE MIRDITES te rebelohen dhe te shpallin “Republiken e Mirdites”. (Dhe ketu te siguroj se eshte fort i matur se jane vete keto krene qe shkuan e u afruan sherbimin e tyre autoriteteve te Beogradit, qe pranonin t’u njihnin Prizrenin si qender administrative. Eshte naivitet i madh te mos kuptosh se ne nje faze te dyte, te gjitha keto territore do t’i bashkoheshin mbreterise Jugosllave.”
        Une nuk e ve ne dyshim B. Pulen, por kur eshte fjala f.v.j. per L2B gjithnje me pelqente te degjoja rrefimet e dr. Dishnices se sa te lexoj tekstet e Paskal Milos.

        1. Lord Fisher: “Eshte naivitet i madh te mos kuptosh se ne nje faze te dyte, te gjitha keto territore do t’i bashkoheshin mbreterise Jugosllave.”

          Pikerisht, Gjoni, sipas edhe Besnik Pules, nuk e kishte kuptuar se dredhia, loja e mirditoreve, qe tradicionalisht kishin luajtur midis fuqive perreth per te ruajtur dominionin e tyre autonom, kishte riperkursione politike shume me te gjera se sa lokale(pg.198) dhe kostoja qofte edhe personale ishte shume me e larte.

          Besnik Pula, perdor “prime sources” sic eshte Nikaj, Vllamasi, Frasheri, etj. Analiza e tij, tregon se mirditoret te udhehequr nga kapedani i tyre, perdoren te njejten taktike qe kishin perdorur per qindra vjet, duke mos qene ndoshta koherente per kontekstin e ri lokal, nacional dhe internacional dhe konseguencat ne kushtet e ekzistences se shtetit te ri shqiptar, qe kerkonte te konsolidonte pozitat, duke harruar, apo fshire menjane shpesh edhe nevojat imediate te popullsive lokale.

          1. Read Me, je duke kërkuar qimen në vezë. Diskutimin e tezave të reja të Besnik Pulës le ta bëjmë në një kohë më të përshtatshme.

  2. kam idene se keta shesin per patriotizem cdo mercenar – vec qokave te rastit, keto nekrologjite jane monumente rere a akulli, shkermoqen a shkrijne me stinen e kobit.

  3. Herë pas here do të bënim mirë t’i hidhim një sy edhe mënyrës si i kanë parë vetë anëtarët e kësaj familjeje punët e fisnikërisë së tyre, termat me të cilat i janë referuar botës së tyre këta anëtarë, ashtu sikundër edhe bashkëkohës së tyre abatë të Mirditës që u kanë thurur vargje.

    Para pak vitesh është botuar korrespondenca e mbajtuar nga Gjon Marka Gjoni dhe djali i tij Ndue Gjonmarkaj me Mustafa Krujën, botuar në punimin e këtij të fundit me titull: Kuvend letrash me Miqtë, Vëll. I, 2012. Në një nga letrat e tij drejtuar Mustafa Krujës, Ndue Gjonmarkaj flet për familjen e tij dhe lidhjet e saj me Ali Pashë Tepelenën.

    Shkruan Ndue Gjonmarkaj: “Lleshi i Zi ka marrë pjesë aktive në ndihmën luftarake krahas me Ali Pashën. Thonë se i biri i Lleshit të Zi, Marka Lleshi, ka pasë pi gjak me Ali Pashën. Shpijat e vjetra t’onat qi në Mirditë i quejnë Saraje e janë në Grykën e Oroshit e qi ti i njef, ato janë ndërtue me ndihmat e Ali Pashës”.

    Abati i Mirditës, D. Pjetër Zarishti, në vjershat e tij, është përkulur edhe ai me kujdes të posaçëm t’i shquajë termat e botës së Gjonmarkajve/Markagjonëve. Ndër të tjera, abati i Mirditës i këndon edhe hyqmit të pesë bajraqeve të Gjonmarkajve, çilfigjeve, oxhakut e bukurisë së sarajeve të familjes. Vjershat në fjalë janë botuar në Hyllin e Dritës më 1913-1914.

    Vjersha të D. Pjetër Zarishtit Abatit t’Mirditës

    Derës t’Gjonmarkut

    I

    Nji Deer paska gjith Arbnija
    Deer oxhake vaku s’hershem :
    E Gjonmarkut janë Nipnija
    Âsht Bib Doda trim i ndeershem.

    Nde çifleqe te vilatit
    Mâa i lum kush se ti nuk gjindet ;
    M’kamë tu’ t’ndêjun larg itatit
    Per t’madh t’ânnin gjith kush bindet.

    Kur lazem te bân ushtrija,
    Krebshem fort e njeshke shpaten :
    Mâmes n’bark u dridhka fmija,
    Gjith kahë t’shkelish reshë kraiaten.

    II

    N’at gjii gurit êmnuëm prejë qershiet
    Me shum hyjner saraje po qindrojnë ;
    Rreth e rreth qesin rreze bukuriet :
    Jesin syyt habitun kahë t’i shkojnë
    Gjak i sgiedhun e me nâam prejë moçmiet
    Ditt e veta me dyzen mûnd i shkojnë :
    E goditka Zoti me gjith nduer ganiet,
    Edhè per hyqem Pêsë Bajrakë i shtrojnë.

    Hylli i Dritës, Vjeti I, 1913-1914, f. 320-321.

  4. A është vërtet histori shkrimi që referoni? Pasi mua më duket më tepër si panegjirik nekrologjiko-historik, me gjasë prej shtysash e motivesh me bazë grupimi fetar, a krahinor, a ndoshta edhe farefisnor. Ngjan si diçka për të kaluar radhën, si “kritikë letrare” e nivelit të ditëve tona për një familje dinastike historike, sa për të thënë diçka, kur e ke mundësinë të shpërdorosh hapësirën publike të komunikimit brenda modulit të operimit të rubrikës së opinioneve në median e sotme. Ndoshta duhet marrë në konsideratë pesha që i duhet dhënë.

    1. E kuptoj edhe unë që shkrimi të cilit i referohem nuk është “historiografi”, por kam përshtypjen se atje ne shohim veç majën e një ajsbergu: ose mënyrën si e vështrojnë historinë një grup njerëzish, të cilët i gjen sot në universitete, qendra studimesh albanologjike dhe redaksi revistash me peshë. Shkrimi më lart është edhe më serioz se “historiografia” – ai tregon se si duhet të shkruhet për Gjonmarkajt tash e tutje. Dhe historiografia nuk do të vonojë – këtë e them në bazë të atyre doktoratave që i gjen edhe sot në ueb, dhe që duket sikur janë bërë nga kalamaj të klasës së 7-të; ose të llojit “në mos qoftë u sajoftë”. Me këtë rast, hidhu një sy edhe atyre që nënshkruan peticionin në formë nekrologjie dhe që i ka përmendur “Panorama” (në artikullin tjetër që kam lidhur, në krye të shkrimit tim); disa prej tyre janë historianë të mirëfilltë, dhe nuk besoj se spekuloj ose e kaloj masën, po të them se ka në atë listë njerëz që i mendojnë këto punë njëlloj si A.Gj., madje që e kanë ushqyer A.Gj.-në me këto ide. Prandaj na duhet, them, vetëm pak durim për të parë dallëndyshet e para të kësaj historie të rishkruar, botuar në ato pak revista “peer reviewed” që dalin akoma (dhe që i paçim) dhe pastaj të përshëndeten nga të njëjtët njerëz që kanë botuar atje. Dhe, në fakt, unë e marr mundimin të shkruaj për këtë punë sepse besoj që ka akoma kohë për të ndërtuar një kritikë serioze dhe korrekte, ndaj kësaj orvatjeje për të zëvendësuar një ideologji me një tjetër; pse kur të vijë puna që të shkruhen doktoraturat do të jetë pak si vonë.

      1. Ndoshta keni të drejtë; ky lëmë, si plot të tjerë, është i panjohur për mua. Sidoqoftë, në rast se doni të bëni diçka në këtë drejtim, përveç të shkruarës, mirë do ishte t’i hapnit dritaret e PTF-së për autorë të tjerë. Mos prisni të afrohen me idenë se blogu është i hapur, gjasat të ndodhë kjo do jenë fare të pakta. Ftojini vetë njerëzit që mendoni se mund të kontribuojnë seriozisht në fusha të ndryshme, natyrisht në linjën e kontributit vullnetar të blogut. Kush do të angazhohet vërtet, do të shkruajë – le të jetë ajo edhe jashtë linjës së politikës redaksionale të blogut, kjo gjë mund të vihej në peshore e balancohej lehtë me praktikën e rubrikës së komenteve. Ndërsa të tjerëve, që ankohen se kanë ç’të thonë për shoqërinë por s’i dëgjon kush a s’kanë ku ta thonë, ua hiqni këtë pretekst. Edhe blogu do të bëhej më i shtrirë, apo edhe më “demokratik” si është moda të thuhet sot, edhe lexues të rinj do tërhiqnit, edhe – ç’është më e rëndësishmja – do të shtonit kontribuesit në shkrime.

        1. Falemnderit. Ftoj herë pas here miq e të njohur, privatisht; por synimi im kryesor ka qenë të gjallëroj debatin, jo të shtoj numrin e autorëve. Kur i shoh me vlerë mendimet e një kolegu, unë e ftoj menjëherë të shkruajë edhe si autor. Përkundrazi, më ka qëlluar të dekurajoj ndonjë autor edhe mik të mirë, që më dërgonte shkrime, por nuk angazhohej në debatet – me hidhërim, por ashtu e përfytyroj blogun: më shumë se numri i lexuesve më intereson cilësia e fjalës.

        2. Unë këtë që thoni kam parasysh kur flas për hapje të blogut. Debati mund të gjallërohet akoma më shumë nga paraqitja e këndvështrimeve të ndryshme për një aspekt a çështje të caktuar që ju e shihni me interes ta shtroni. Kritika e metodologjisë në trajtimin e një lëmi është e çmuar, por asaj pak vlerë i mbetet në fund kur nuk konkretizohet me paraqitjen alternative të çështjes, ndërtuar me tjetër metodologji (të ndryshme nga ajo që kritikoni ju). Që ta lidh konkretisht me shkrimin në fjalë: kritika juaj ndaj prezantimit mitiko-heroik të derës së Oroshit është e vlerë – unë përfundova së lexuari një panegjirë që as më ngroh, as më mëson gjë, as më informon, as më zbavit; lexova pastaj një kritikë mbi të që më informon e më sqaron për si është ndërtuar keq ajo, që ekspozon përpjekjet dylekëshe që çdo autor me dy fije shkollë, për interesa të vetat, bën për zëvendësimin e miteve të vjetra me të reja duke shfrytëzuar nënshtratin pjellor të formimit të ulët arsimor e kulturor ndër lexues për hedhjen rrënjë të çdo mitologjie, jo vetëm të atyre të përmendura këtu. Por ende s’kam lexuar një shkrim që më mëson e më informon për çështjen në fjalë. Dhe kur mendoj numrin e pafund të të diplomuarve në histori në këto dekadat e fundit, kjo – më e pakta – më duket e çuditshme.

  5. e.p. “…unë përfundova së lexuari një panegjirë që as më ngroh, as më mëson gjë, as më informon, as më zbavit; lexova pastaj një kritikë mbi të që më informon e më sqaron për si është ndërtuar keq ajo, që ekspozon përpjekjet dylekëshe që çdo autor…”

    Ne rreshtat e mesiperm ka transpiruar dicka prej te vertetes se thjeshte midis dy shkrimeve te A.GJ. dhe Xhaxhait.

    Shkrimi i A.Gj. eshte ne thelb nje eulogji qe me “panagjerizmin” e vet nuk pritet te jete kritike, sidomos ne rastin kur i dedikohet nje te vdekuri, qe sic mesuam shenoi fundin gjenetik/historik te nje dere te madhe, qe pavarsisht te tjerave, eshte pjese e historise shqiptare. Autori i eulogjise, nuk do t’i bente analize me drite-hije, me kontraste nje ngjarje te tille, ku ta zeme te sillte si shembull rolin e Gjon Marka Gjonit ne “Republiken e Mirdites”, apo qendrimin ndaj Frontit Nacional Clirimtar, etj. Aq me teper, kur dihet se sic jane rastet ne fjale, apo shume pika te nxehta te historise shqiptare, historite e shkruara apo te pashkruara, jane akoma “armiqesisht” te kontestuara nga palet e ndryshme.

    Kontestimet historike dhe analizat e figurave te caktuara, le t’i bejne historianet e mirefillte, qe sic kuptohet nga komentet dhe shkrimi, duket sikur akoma mungojne, apo nuk duken akoma ne horizont(konsideruar si vije imagjinare…). Kete lloj eulogjie zakonisht i takon ta shkruaje dikush qe e lidh dicka thelbesore me subjektin. Duket sikur A.Gj. ka marre persiper nje “reflektim ndershmerisht subjektiv” per deren e Markagjoneve, ndoshta, ndoshta, edhe sepse eshte malsor vete, katolik, dhe me sa kuptoj vjen nga nje dere qe ka njohur persekutimin ne kurriz dhe pasojat e lidhura me te.

    Nga ana tjeter, shkrimi i Xhaxhait eshte nje reagim krejt i kuptueshem, i cili vjen nga nje bagazh, ngarkese informacioni dhe opinionesh e qymtuar me imtesi ne vite nga leximet me bibliografi burimore te pasur ndoshta, qe nuk mund te injorohet me ndonje koment apo artikull ne media apo bllogosfere, por as edhe mund te thuhet se sjell te verteten qe duam te mesojme te gjithe, mbi rolin historik te Markagjoneve.

    Gjithe kesaj, i shtohet edhe aspekti emocional, qe ne rastin e Xhaxhait, nuk ka ndonje lloj ngarkese, si mase kritike, pra mundet te konsiderohet me nje pH neutrale rreth 7(as alkaline as acidike) qe ta lidhe me bemat e Markagjoneve. para se gjithash si perfaqesuese te nje krahine malesore katolike te Shqiperise me influence ne Veri.

    Por ne rastin e Gjekmarkaj eshte krejt ndryshe, eshte mendoj deri diku esenciale, sepse duke njohur natyren dhe karakterin e malsise nga edhe ku origjinon ai vete, ka nje te kuptuar tjeter, te ndryshem per natyren dhe te verteten e malsise dhe malesorit, rolin qe kane luajtur, per pasoje, i jep nje domethenie tjeter kontributit dhe bemave te Kapedaneve te Oroshit, keshtu qe neutraliteti, balanca edhe mund te prishet, mund te jeta me e vogel ose me e madhe se pH 7, sic eshte edhe rasti i eulogjise. 🙂

    Megjithate, nje eulogji, nuk mund ta tjetersoje historine, sidomos menyren qe eshte treguar deri tash, kur mendon se sa e vetme eshte kjo eulogji ne oqeanin e historive dhe opinioneve negative rreth Markagjoneve te krijuar dhe te ngritura ne art, edhe artistikisht nga instrumentet e partise, artistat, shkrimtaret, poetet, kineastet dhe ne fund e fillim historianet.

    U soll me te drejte roli i studiuesve, domosdoshmeria e historianeve te rinj dhe nevojen e punimeve cilesore te dale nga dora e tyre, duke filluar nga hapi i pare ne akademia, sic eshte nxjerrja ne drite e nje doktorature per te qene. Besnik Pula, per mendimin tim eshte nje shembull i mire, se cdo te thote te shkruash nje doktorature me nivel.

    1. Them se nuk ka arsye që publikut t’i jepen përjetimet subjektive të një individi, aq më keq kur ky ka lidhje personale dhe kushedi farefisnore me të ndjerin dhe familjen në fjalë (se shkruan I.K. për kukullën, nuk do të thotë që të ngrihet tani kush të mundë e të shkruajë për kukullat e veta). Këto gjëra mund të depozitohen në një libër përshtypjesh ose në një scrapbook për përdorim privat. Përkundrazi, kur një panegjirik i tillë me tone private të theksuara e gjen rrugën në faqet e një gazete kombëtare si “Panorama” shndërrohet në program në mos politik e historik, së paku kulturor (“Panorama” dhe “Mapoja” duket se i kanë mjaft qejf këto qasje kinse revizioniste, por në fakt patetike dhe të mbushura me mllef dhe urrejtje brendakombëtare, të tillë që nuk ua kam parë as hebrenjve për nazistët). Prandaj edhe fola në shkrim për nekrologjizim të historisë. Natyrisht, ky debat mbetet në nivelin publicistik, sepse edhe unë nuk se u ula të shkruaj e të dërgoj për botim një artikull polemizues me A.Gj. te një revistë prestigjioze, ta zëmë te “Hylli i Dritës” (oops!).

    2. Ndërsa shumë nga ato që shkruani janë të drejta, ka megjithatë një keqkuptim të asaj çka unë po shpreh. Puna e historianëve nuk është vetëm të shkruajnë libra historikë e doktoratura. Angazhimi i tyre në prodhimin e formateve më të thjeshta të informacionit, më të arritshme nga një masë më e madhe njerëzish është po aq pjesë e punës së tyre sa dhe shkrimi i vëllimeve të trasha akademike, në mos po pastaj mbetet që historinë të na e ligjërojnë publikisht blendët dhe agronët.
      Unë e kuptoj ngërçin që kanë profesionistët për t’u angazhuar në shkrime për publikim në median shqip, pasi kjo e fundit nuk operon me atë stil pune. Zakonisht kanë një dorë të vogël “gjithëditësish” të cilët i paguajnë me mëditje dhe që shkruajnë për gjithçka – e, kur munden, përfitojnë edhe të shkruajnë çfarë u teket – ndërsa pjesa tjetër e specialistëve të fushave të ndryshme dekurajohen të marrin pjesë në këto kolona të veçanta të shtypit nëpërmjet mospagimit të kurrfarë honorari, kritikave pa sens të redaktorëve të gjithëditur mbi punët që paraqesin apo mbi formatin e paraqitur, etj. Por mund të ketë (dhe është e pamundur të mos ketë të tillë) edhe specialistë fushash që kanë dëshirë të angazhohen publikisht, por që u rrinë larg mediave për shkak të “namit të mirë” që ato dhe pronarët e tyre kanë, për si mund të jenë trajtuar më parë diku tjetër, e tjera pa fund. Këtë kisha parasysh kur u sugjeroja administratorëve të blogut zgjerimin e bazës së kontribuesve. Mund të ketë edhe nga ata që mund të kontribuojnë vullnetarisht në blogje si PTF, thjesht sepse dëshirojnë të konsumojnë me publikun tema me interes të fushave ku janë specialistë, lëndën që konsumojnë në kërkime, gjetje të veçanta, lëndë mbi debate të hapura realisht o edhe artificialisht nga media, etj, etj. Kjo s’është nevoja të bëhet detyrimisht me doktoratura e libra vëllimorë, sepse mbahet parasysh publiku të cilit i adresohesh. Dhe këtu dalim tek pika tjetër: publiku.
      Nuk mund t’u kërkosh masës së njerëzve të lexojnë libra e doktoratura për të gjitha çështjet që hidhen herëpashere në diskutim publik. S’kam jetuar asnjë ditë në fshat, por më pëlqen gjuha në përgjithësi e drejtpërdrejtë e njerëzve që jetojnë aty, ndaj dhe ashtu po ta shpjegoj. Pasi ka mbaruar punët e ditës e mblidhet në mbrëmje në shtëpi, merr fshatari gazetën e lexon këtë shkrimin e A. Gjekmarkajt. E sheh që autori ia ka mbytur nga xhepi, por ç’të bëjë! Ju i thoni: merr lexo doktoraturën e filanit apo librin e fistekut. Ja ta zëmë i lexova, e kthen muhabetin ai, por para ca kohësh kishte një dy shkrime të tjera si ky, për Toptanët, për Muzakajt e për ca të tjerë. Si t’ia bëj? Merr lexo këta katër libra, se të sqarojnë, i thoni ju. Mo po kishte edhe një shkrim për Napolonin para një jave ajo gazeta tjetër, vazhdon ai. Ja ku i keni edhe gjashtë libra e tre studime edhe për të, i thoni prapë ju. Mor bir, nxehet fshatari, ha bukë ti, ha qepë, djathë, domate, rrush, mollë? Po të rri tërë kohës të lexoj këto librat që thua ti, kur do lëroj tokën unë, kur do mjel lopët, kur do prashis domatet e qepët, kur do krasis rrushin, kur do spërkat mollët? Ke ndonjë gjë ta lexoj në darkë në gazetë unë, të marr vesh edhe unë si janë këto punë, pa ato librat e trashë lexoji ti se je vetë i atij zanati, unë kam tjetër punë, ta pret shkurt fshatari. Kështu edhe puna e publikut. Kur nuk shkruajnë e kur s’kanë ku publikojnë profesionistët, vjen puna të na e mësojnë historinë politikanët, opinionistët, të gjithëditurit. Dhe katandiset puna të konsumojnë pareshtur mite, pastaj. Se janë të vjetra a se janë të reja, kjo s’ka pikë rëndësie, për sa kohë që vetëm ndërtojmë keq e i rrëzojmë pastaj ato ndërtime, e prapë vazhdojmë ndërtojmë në të njëjtin stil. Puna është të ndërtosh diçka të mirë.

  6. Xha Xhai ka te drejte kur shkrimin e A.Gjekmarkaj nuk e shikon thjesht si nje shperthim emocional te rastit por pjese e nje diskursi me te gjere i cili, ne emer te rishikimit dhe rishkrimit te historise, i hap rrugen miteve te reja dhe glorifikimit te figurave dikur te anatemuara.Gjithcka qe historiografia komuniste e konsideronte te zeze, antikombetare, sot krahu revizionues i historise e shikon si teresisht te bardhe dhe thellesisht ne sherbim te kombit dhe atdheut.
    Gjuha e perdorur nga Gjekmarkaj, profesor ne UT, nuk i le mangut shfryrjeve dhe hakerrimave anonime ne blogje dhe rrjete sociale.Fryma e shkrimit ,pervec se mllef, reflekton nje mendesi krahinariste dhe po te shikosh termat , ligjerimi korrnizohet ne te ashtuquajturen qasje katolikocentriste.
    Gjekmarkaj konturon qartesisht dy bote ne kontrast te plote: nga njera ane eshte “Republika e Mirdites” me te gjitha simbolikat, me princer, abaci/klerin katolik-,Kanunin-trinia e shenjte , Kullat si kuti te konservimit te shpirtit te paepur shqiptar, qendresa antiosmane, gegnishtja, Fishta, fryma antikomuniste-te gjitha te nyjetuara tek Dinastia e Gjomarkajve, gati -gati nje Kamelot i shqiptarise dhe perballe eshte pjesa tjeter e truallit shqiptar me shenja te tilla si sheriati, kadiu, sherbeti, hallva, callmat, orientale, azape, sllavo-komunistet, kriminelet, “opinga” si shkaterruese e visareve te kombit.
    Subjektivizmi “ndershmerisht i pranuar” nga A.GJ eshte nje lloj vetembrojtje per cdo kritike qe mund ti adresohet per “ndonje teprim” por jo per qasjen dhe frymen e cila flirton me platformat revizionuese te historise dhe narrataviat e reja eurocentriste.
    Permes relativizimit dhe selektimit te fakteve , historianet dhe studiuesit e rinj me frymezim antikomunist, nuk e kane per gje te rivendosin ne piedestalin e nderimit, figura historike teper te diskutueshme ose konsideruara me pare si tradhetare apo kolaboracioniste .Nje historiane, ish drejtuese e Arkivit te shtetit ne nje emision televiziv psh, mundohej ta justifikonte Estat Toptanin permes etjes per pushtet dhe ta shikonte si viktime e rrethanave te turbullta.

  7. Një nga problemet që kanë historianët është skremimi i kronikave të hershme nga yndyra e retorikës. Siç dihet, kronistët shkruanin për ngjarje të vërteta por duke thurur shpesh lavde e duke përdorur hiperbola pa hesap për udhëheqësit të cilëve u shërbenin me penën e tyre. Kjo ndodhte si në epokën e Romës së lashtë, ashtu edhe në mesjetë. Pra një nga detyrat e historianëve është edhe ballafaqimi mes burimeve të ndryshme, duke pasur parasysh defektet e tyre në përfaqësimin e realitetit.

    Problemi është se ne vazhdojmë edhe sot ta paraqesim historinë të mbufatur me superlativa e me zmadhime gjithfarësh. Himnizimi që i bëjmë, me vend e pa vend, personave, familjeve, fiseve, krahinave, duket si normale, por mjafton të përfytyrojmë një situatë në të cilën të gjitha familjet e krahinat, nga jugu në veri, e bëjnë një gjë të tillë, dhe del menjëherë në pah se diçka nuk shkon në këtë mesele.

    Nga ana tjetër, si politika ashtu edhe aktorët e ligjërimit publik shqiptar vuajnë nga sindroma e hartimit. Në vend t’u përmbahen fakteve, shkruajnë me figura stilistikore në fluturim e sipër. Historiografia është një nga ato fusha që nuk e pranon aspak sindromën e hartimit, madje e refuzon atë “a priori”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin