PASQYRAT E SHTYPIT

Gjithnjë e më shpesh, më ndodh që shfletimin e përditshëm të shtypit të Tiranës në ueb ta përjetoj si shëtitje përmes një Disneyland-i të absurdit, ku hilariteti vjen e bëhet e vetmja formë e konsumit të informacionit.

Për shembull, hap një ditë “Shekullin” dhe shoh, në krye të faqes, një mega-foto të një Pajtim Serjani, e cila lajmëronte me intervistën që i ishte marrë.

shekulli

Nuk e njoh mirë këtë person, as më intereson ta njoh; nuk pres prej tij të thotë ndonjë gjë kaq të rëndësishme në intervistë, sa të përligjë këtë shpalosje kaq masive në krye të faqes. Nga përmendja e një tjetër të kudo-gjenduri në kryetitujt, “Shullazit”, marr me mend që do të jetë punë krimesh, bandash dhe akuzash, të përsiatura dhe të përgënjeshtruara. Punë për agjencitë e ruajtjes së rendit dhe kushedi kronikën e zezë – por jo për të hapur gazetën; a thua se ky Serjani sapo kish fituar zgjedhjet, apo çmimin Nobel…

Nuk di ju, por mua gjithnjë më tërheq vëmendjen kjo mahnitje e medias pas punëve të zeza dhe personave të lidhur me krimin; nuk ka ditë ku të mos intervistohet ndonjëri prej tyre, shpesh edhe që nga brenda burgut. Kushedi gazetat e bëjnë këtë për t’u dërguar personave të caktuar kërcënime të fshehta; kushedi interesimi, madje obsesioni me kontekste të krimit ordiner, tradhton në fakt nivelin e lexuesit; kushedi edhe të bën të mendosh për pleksje interesash midis botës së jashtëligjshme dhe mediave.

Sërish te Shekulli, këtë herë në kryetitujt e sportit, gjej një mega-lajm për “Hasin që foli shqip” – ku Hasi nuk është tjetër veçse “strategu shqiptar që është votuar si trajneri i vitit në Belgjikë.” Good for him.

foli shqip

Duke lexuar lajmin, mësoj edhe se Hasi paska falënderuar në shqip familjen e vet, gjatë ceremonisë së marrjes së çmimit.

Njoftimi për këtë event planetar shoqërohet edhe me moralizimin përkatës: fitorja e Hasit “duhet të bëjë krenarë të gjithë shqiptarët, pasi ai është i pari trajner shqiptar që korr këtë sukses.”

Po çfarë ka të jashtëzakonshme për një shqiptar që falënderon familjen e vet në shqip gjatë një ceremonie publike? Mos po i vuajmë akoma pasojat imagjinare të asaj periudhe të shekujve otomanë, kur gjuha shqipe “ishte e ndaluar me dekret”? Apo mos vallë lexuesi i “Shekullit” dyshonte se trajneri Hasi nuk e fliste shqipen apo kish bërë bé që nuk do ta përdorte? Dhe, meqë jemi në temë, çfarë ka të jashtëzakonshme edhe për një ish-futbollist që të fitojë një trofe trajnerësh në Belgjikë?

Lajm i mirë për Hasin dhe të afërmit dhe miqtë e tij natyrisht; por jo i nivelit “o sa mirë me qenë shqiptar,” pavarësisht sforcimit të mbinatyrshëm të gazetës.

Dhe meqë jemi në temë, le të ndalemi një çast te Rita Ora, ose te “Shqipëtarja [sic] që na bën krenarë në çdo aspekt.”

Rita Ora

Së paku kështu e prezanton lajmin ResPublica, e cila pastaj shpjegon edhe arsyet e kësaj nevoje të menjëhershme për t’u ndier krenarë: Rita Ora paska firmosur kontratën me markën ‘Adidas’ dhe tashmë ka realizuar një set fotografik.

Jam kurioz të di se çfarë ndodh në mendjen e një bashkatdhetari, i cili ndihet krenar “në çdo aspekt” kur Rita Ora realizon një “set fotografik” për të reklamuar një firmë artikujsh sportivë.

Ashtu kushedi do të ndihesha edhe unë krenar, në mos në çdo aspekt, të paktën për bashkatdhetarët që kam.

Kujt i drejtohen pikërisht këto thagma? Çfarë lloj lexuesi po trajnojnë sot dhe çfarë lloj votuesi për nesër? A po shërben konfirmimi i të qenit shqiptar si një lloj terapie për humbësit totalë?

Me Rita Orën, hyjmë në hapësirat e një rubrike të përhershme të faqeve tona online – e cila i kushtohet mishit.

cicat.Lapsi.al, i cili kohët e fundit duket ta ketë zgjeruar këtë seksion përtej çdo sensi të masës, lajmëron lexuesin e vet për cicat e bukuroshes Nina Moric – të cilat janë shfaqur në edicionin e ri të programit Scherzi a Parte.

Natyrisht, lajmi shoqërohet me foton përkatëse, të një femre gjysmë-lakuriqe – klisheja më e shpëlarë e faqeve shqipe online; ose kartëvizita që i tregojnë çdo vizitori, madje duke ia rrasur me forcë në dorë. Deri këtu, asgjë për t’u habitur.

Por, vini re: kushdo që e ka shkruar titullin e lajmit, ka ndier një të kruar të lehtë turpi dhe s’i ka bërë dora ta shkruajë të plotë fjalën cicat; prandaj ka shtuar aty strategjikisht një *, për t’i lënë vend imagjinatës.

Për të na dhuruar, me siguri pa dashur, një kombinim fatlum të censurës leksikore tradicionale me libertinizmin e imazhit!

E gjithë kjo, pa çka se cicat e kësaj Ninës janë treguar fushazi, në foton më poshtë. Rëndësi ka që fjala të mos riprodhohet në plotësinë e saj – sepse fjala është tabu.

Prandaj ai asterisk brenda fjalës është më intrigues, më libidinoz se vetë cicat e aktores më poshtë; dhe njëfarësoj mishëron teknikën bazë, me të cilën media shqip i imponon vetes kode etike sado rudimentare: gjethen e fikut.

Nuk ka komente

  1. Une besoj XhaXha se kjo është edhe simptomë e një shtypi që qëndron në këmbë artificialisht, në një situatë ku kërkesa për shtyp është më e vogël se sa oferta e ndaj në kushtet kur kioskat e gazetave gëlojnë nga një numër i papërballueshëm titujsh, kur tregu online harliset si lianat në xhungël, lajmet, kronikat, shkrimet e reflektimet nuk munden veçse të bashkëjetojnë me njoftime të cilat t’i quash “trivial” u bën nder. Herë pas here më duket sikur një pjesë e mirë e titujve të gazetave janë thjesht pjesë e PR-it, marketingut apo strategjive të komunikimit të kompanive tregtare të pronarëve të mediave. Për këtë arsye, në një pjesë të mirë outlet-esh mediatike, përmbajtja është një kombinim eklektik artikujsh që në mënyrë okulte (ose jo dhe aq okulte) lëvdojnë bëmat e pronarëve përkatës, trash-it të tipit kontratat-e-firmosura-me-Adidas dhe / ose ndonjë reflektimi me pretendim intelektual që rrallë (ose të themi rrallë në përpjesëtim me bollëkun e shkrimeve) ofron një mundësi për lexuesit që të thellohet në një temë apo të mësojë në mënyrë të paangazhuar, neutral e jopartizane mbi një temë tjetër. Në fund, ajo që më tmerron më shumë (deri në ankth ekzistencial) është kur një shkrim i tipit të kontratës me Adidasin apo të një këngëtareje që tha mirëmbrëma në shqip duke performuar në një klub të Nju Jorkut, pra një shkrim i tillë klasifikohet në seksionin e quajtur “kulturë” të disa outlet-ve me pretendime në Tiranë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin