KURTHET E DISIPLINËS DREJTSHKRIMORE

Ende nuk njihen themelet filozofike të mënyrës së re të të shkruarit, që po përhapet me vrull në mediat shqip dhe në rrjetet sociale. Dikush flet për frymëzim nga lëvizja “Të çlirohemi nga prangat e programeve drejtshkrimore”, dikush tjetër përmend filozofinë neoliberiste në lëmin e gjuhës, ka nga ata që evokojnë demokracinë gjuhësore, kurse të tjerë akoma i referohen formalizmit juridik për t’ia aplikuar drejtshkrimit.

Meqenëse teoritë e cituara janë fantaziose në formë e përmbajtje, madje midis tyre në kundërshti të hapur, le të marrim një shembull të thjeshtë, por domethënës, nga shtypi shqiptar. Se ndonjëherë është shembulli që flet më shumë se e përgjithshmja, praktika më shumë se teoria, muskujt më shumë se truri.

Në shkrimin e rëndësishëm me titull: “Gwyneth Paltrow rrëfehet” nuk ka gabime drejtshkrimore, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Autori, por edhe redaktori, e më pas kryeredaktori, e ndoshta sekretarja, e kanë kaluar tekstin disa herë në sitën e programit që kontrollon drejtshkrimin e shqipes. Ka dalë i pastër, pa krunde; gati për t’u përtypur nga lexuesit ekzigjentë të shkrimeve me karakter psikologjik, biografik e sociologjik.

Për t’u lavdëruar është e gjithë redaksia, sepse po të ishte botuar nga ndonjë organ me gazetarë indiferentë, të pakujdesshëm e akritikë, dallimi do të dukej që në titull. Së pari, a ka burrë nëne ta shkruajë saktë emrin e aktores amerikane? Ja që ka, edhe bija nënash. Së dyti, është çudi e madhe që titulli nuk ka dalë kështu: “Gëyneth Paltroë rrëfehet“. Siç dihet nga të gjithë, ose më mirë, të gjithë e dinë, se kur shkruajmë me tastierë të huaj fusim shkronjën “w” në vend të “ë”-së. Pastaj e zëvendësojmë në fund të shkrimit me germën tipike shqiptare. Truk i vogël, por shpëtimtar. Megjithatë, për faj të këtij truku shpeshherë tekstet ne shqip dalin me “ë”-në e zëvendësuar edhe kur ajo duhet vërtet, siç është në rastin e sipërm.

Duhet të jesh vërtet maniak i drejtshkrimit që të nënvizosh me të verdhë kinse gabimet në tekstin e shkrimit, siç bëri një i njohuri im që e trajton gjuhën me rreptësinë e doganierit dhe me ftohtësinë e kirurgut. Në të vërtetë, artikullshkruesi ka shkruar nëpërmjet penës së vet, anipse tërthorazi, një traktat për drejtshkrimin e shqipes e për gjuhën në përgjithësi.

shembull-artikull-shqipLe të marrim drejtshkrimin e emrave të përveçëm. Ende sot shqipja nuk e ka vendosur saktë se si duhen shkruar. Atëherë autori, me urtësinë e Salomonit, e shkruan emrin Brad Pitt, një herë Bred (siç shqiptohet) e një herë Brad (siç shkruhet në origjinal). Jo vetëm që ka të drejtë, por u tregon lexuesve në mënyrë implicite se thellësia e shkrimit nuk varet nga tema që trajtojnë, por nga mënyra se si e trajtojnë.

Emrat e përveçëm që shkruhen si në gjuhë të huaj duhet të lakohen apo jo? Dilemë e vjetër, sa edhe shqipja. Meqë ra fjala, si i shkruanin pellazgët emrat e përveçëm të etruskëve? Nejse, në shkrim herë thuhet Pitt, herë Pitt-in. Rëndësi ka të ngrihet si çështje.

Disa konvencione drejtshkrimore të diskutueshme vihen qëllimisht në pikëpyetje nga shkrimi. P.sh. jo gjithnjë pas pikës duhet të fillohet me shkronjë të madhe, çka vlen edhe për hapësirën ndarëse midis shenjave të pikësimit. Ato vihen kur përmbushin kriteret estetike, përndryshe jo.

Fjalia “Ajo shpjegoi pas shuam vitesh motivin e ndarjes me Pitt” nuk ka asnjë gabim drejtshkrimor. Kuptimi është se motivi i ndarjes tashmë është shuar. Kur thotë se “Babai im pothuajse u shkatërruar” do të thotë se veprimi vijon edhe sot, pra dhimbja e ndarjes nuk është fashitur. Prekës e i sinqertë rrëfimi tjetër: “Mu deshën shumë 20 vjet që unë të piqesha“. “Mu” do të thotë edhe vendin, pikërisht atje, kurse fjala “shumë” është enigmë nga ana gramatikore, meqë këtu na shfaqet si ndajfolje por mund të jetë diçka tjetër. Megjithëse kuptimi del qartë: aktorja është e mërzitur që u poq për 20 vjet. Nuk ka kurrfarë kontradikte me moshën 22 vjeç, që përmendet pak më vonë, sepse dy vjet mund të jenë si njëzet, varet si piqesh. Prapë relativiteti…

Por thelbin e shkrimin e gjejmë tek citimi i fundit: “Nuk doja se çfarë po bëja“, në kuptimin që e bëja se isha e detyruar ta bëja, jo sepse nuk e dija se ç’po bëja, pra e bëja edhe pse nuk doja. A thua i referohet dashurisë, moshës apo profesionit? Apo është metafora që shpjegon botën e sotme postmoderne nën diktatura të padukshme? Përballja e përhershme midis të vetëdijshmes e të pavetëdijshmes?

Shkrimi vërteton katërçipërisht se nga një anë drejtshkrimi është varri i gjuhës, nga ana tjetër është rilindja e saj. Shembulli është i qartë. Rregullat, thotë ai, janë bërë për t’u shkelur, përndryshe nuk do të ishin rregulla nëse do të respektoheshin nga të gjithë, në kuptimin që do të ishin normale, të thithura nga psikologjia e njerëzve, e si rrjedhim do të kërkoheshin rregulla të tjera. Pastaj, a nuk lindin gjenitë nga mosrespektimi i skemave dhe i rregullave të konsoliduara?

Tani, mund ta quajmë si të duam dukurinë e lart treguar e mund ta kategorizojmë sipas qejfit me “-izmat” e zakonshëm të analistëve, por pa e reduktuar në çështje formale, sepse edhe etiketat kanë limitet e tyre.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin