FURÇA PERANDORIT

… ose penela, photoshop, e ministri që janë kthyer në agjenci reklamash. Si pjesë e popullatës të vëmendshme ndaj punëve serioze të qeverisë, shpresova se së paku qeveria e re nuk do të reklamonte Shqipërinë në vendin e dytë pas Gjermanisë.

Në mos të kryente ndonjë gjë të madhe, talljen t’ja kursente popullit. Por nuk ishte e thënë. Dallimi ndërmjet informimit, domosdoshmërisë për të ndriçuar popullin mbi punët e qeverisë, dhe përpjekjes për disinformim, për ta mashtruar atë, është shumë i vogël. Kjo vërehet në raportet qeveritare që konceptohen si broshura reklamash, por që për shkak të disa kritereve profesionale dhe inercisë së procedurave administrative, duhet të përmbajnë edhe fakte konkrete për punën e qeverisë, të cilat bien në kundërshti me frymën e përgjithshme të raporteve.

Marrim si shembull raportin më të fundit të Departamentit të Administratës Publike, përgjegjëse për rekrutimin e nëpunësve të shërbimit civil. Në vitin 2013 raporti shprehet se

 … procesi i strukturimit u realizua në respekt të plotë të Ligjit nr. 8549, datë 11/11/1999, ”Statusi i nëpunësit civil”. Sistemimet e nëpunësve civilë në kuadër të ristrukturimit janë bërë në përputhje me procedurën dhe kriteret e përcaktuara në nenin 23, të Ligjit nr. 8549, datë 11/11/1999, ”Statusi i nëpunësit civil” dhe pikave 7, 8, 9 dhe 10, të Vendimit nr. 360, datë 14/07/2000, të Këshillit të Ministrave, ”Për lirimin nga shërbimi civil.”

Ndërsa në grafikët mbi emërimet në administratën publike vërehet një tjetër fakt, se numri më i madh i emërimeve nuk janë kryer në përputhje me ligjin dhe procedurat ligjore. Nga 525 vende të shpallura vetëm 116 emërime kanë kaluar procedurat ligjore (konkurset, lëvizjet paralele dhe rikthime në vendin e punës me vendim gjyqi). Në 525 shpallje janë realizuar 98 konkurse, me pak se 1/5. DAP shprehet se

Në përfundim të këtyre procedurave, u bënë 173 emërime të reja, nga të cilat 3 emërime sipas procedurës së lëvizjes paralele, 10 emërime nga lista e pritjes pa konkurs dhe 5 emërime për pasojë të zbatimit të vendimeve gjyqësore.

Pra nga 98 procedura konkurrimi dhe 18 lëvizje të brendshme, 57 emërime, gjysma e emërimeve për 2013 nga DAP kanë zbritur nga qielli. Në raport nuk paraqiten emërimet direkte të ministrive apo agjencive të tyre, por këto emërime janë të nënkuptuara në ato 525 shpalljet për vende pune (personat zakonisht emërohen përpara se të shpallet vendi i punës). Siç e kemi përmendur më parë, edhe pse numri i nëpunësve të vendosur në listë është i madh, gjasat që ata të rikthehen në punë janë të vogla – vëreni se në 525 shpallje janë vetëm 10 emërime nga listat në pritje.

Edhe institucionet që duhet të sigurojnë transparencën e qeverisjes janë në një gjendje ekstaze për të rrëfyer broçkulla. P.sh. Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit në mbledhjen e komisionit parlamentar në tetor të 2014 reklamonte se

Për 10 vjetëve e kaluar 2003-2013 janë referuar 55 kallëzime penale, vetëm për 7 muaj janë referuar 70 kallëzime penale. Kjo do të thotë dukshëm më lart, por edhe cilësisht janë kallëzuar zyrtarë me miliona pasuri të fshehura me funksione të larta, ambasadorë, anëtarë të Këshillit të Lartë, gjyqtarë, prokurorë dhe kallëzimet kanë prekur pothuajse të gjithë spektrin e zyrtarëve  që deklarojnë pasurinë.

Ndërsa, pa marrë parasysh mungesën e suksesit në këto akuza, siç u dëshmua ne rastin e anëtarit të KLD-së, Gjin Gjoni, vetëm 5-7 kallzime penale janë për fshehje pasurie. Të tjerat janë kallëzime penale për mosdeklarime pasurie. Vëreni në tabelën e mëposhtme për periudhën dhjetor 2013 – 19 janar 2015, edhe pse ka një mbivendosje pasi një pjesë janë të njëjtët persona për gjoba dhe kallëzime, vetëm 4 gjykatës, një prokuror dhe 1 kryetar komune janë dërguar për kallzim penal për fshehje pasurie. Të gjithë të tjerët në kategoritë me mbi 4 observime, janë kallëzuar apo gjobitur pse nuk kanë deklaruar ose deklaruar me vonesë.

Zelli i drejtuesve të rinj duket se është vetëm në rritjen e statistikave, se nga hetimet administrative të pasurive, deri më tani, nuk ka figuruar ndonjë gjë serioze që dëshmon vullnet të sinqertë. Janë rreth 51 drejtues të lartë të administratës publike në qeverinë qëndrore dhe agjencitë vartëse të ministrive, asnjë prej tyre nuk është akuzuar për fshehje pasurie. Nga këta një pjesë nuk kanë deklaruar pas largimit nga puna (ose me qëllim u kanë ngecur deklarimet në hallkat administrative). ILDKP i ka deklaratat e mëparshme e mund të hetojë pasuritë e tyre, por i duhet reklama.

tabela

ILDKP-ja, me shtimin e kompetencave edhe për konfliktin e interesave pas ndryshimeve në 2013, nuk u krijua të kryejë rolin e prokurorit, porse të rrisë transparencën për publikun dhe kufizojë incentivat për korrupsion të zyrtarëve publikë. Nëse do të niseshim nga perceptimi që ka publiku mbi korrupsionin, atëherë puna e këtij institucioni në vitin 2013, qoftë edhe duke u mbështetur në kallëzimet penale për mosdeklarimin e pasurisë, nuk është aspak në përputhje me pritshmëritë e publikut.

Graph

Ndërsa media, sikur edhe më parë, merr pjesë në këtë festë pa gosti duke amplifikuar zhurmën dhe tallavanë e agjencive të qeverisë.

Dokumente:

  1. Të dhënat e grumbulluara nga unë për gjobat dhe kallëzimet e ILDKP-së nga njoftimet për shtyp (www.hidaa.gov.al): 1 Dhjetor 2013- 19 Janar 2015 (Excel).
  2. Raporti i DAP për vitin 2013.
  3. Raporti i Transparency International 2013.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin