KONSUM CITATESH

Imagjinoni këtë skenë: Picasso dhe një admirues duke kundruar një pikturë; admiruesi pyet artistin se si duhet kuptuar vepra që ka përpara:

– Ç’kishit për drekë sot? – e pyet Picasso
– Goca deti.
– Ju pëlqejnë gocat e detit?
– Jam e apasionuar pas tyre.
– A i kuptoni gocat e detit?
– Jo!
– Po pse doni të kuptoni pikturën? – ia pret piktori. (Stein 169)

Më ka nxjerrë nga situata kjo anekdotë, njëherë kur gjendesha në prani historianësh të artit tek shijonim veprat e Miró-s, të cilin sa më shumë e pëlqeja aq më pak doja ta kuptoja, duke patur frikë se i humbte magjia. Dialogu mes Picasso-s dhe zonjës e bëri punën e vet, sepse më çliroi aty për aty nga barra e interpretimit. Veç se më vonë nisi të më gërryente dyshimi se e kisha keqpërdorur piktorin. Sot s’kam dyshim që e kam thjeshtëzuar.

Miro1

Thjeshtëzimi, tip jetërsimi, është në natyrë të vetë fjalës; në momentin që them diçka, fjala s’më përket vetëm mua, ngaqë i ka përkitur të tjerëve që e përdorën para meje, dhe nis t’i përkasë kujtdo, që e dëgjon apo lexon. Aq më i thellë është jetërsimi në rastin e citimit siç ilustrohet prej kësaj andekdote, kur unë pretendova se heshta dhe lashë të flasë në vendin tim Picasso-n e madh, një Big (Br)Other zor të refuzueshëm.

Ndesh shpesh, sidomos në shtypin shqiptar, artikuj që më kujtojnë këtë strategji, artikuj që i ngjasojnë një kuvendi të të Mëdhenjve: aty i gjen me Molière, Hugo, Hegel, madje edhe Konfucius-i nuk përton ta thotë të tijën prej Lindjes së Largët. Shpesh me citate të vënë në thonjëza, veçuara në rreshta vetjakë, me shkronja të pjerrëta dhe me emrin e krijuesit në kllapa (por jo burimin), këto tekste ngjajnë si basorelieve germash. Mentaliteti i këtij seleksionimi e përdorimi përsërit atë të konsumentit, që zgjedh i nisur nga nevojat dhe parapëlqimet për marka të caktuara, pa pyetur si, ku, kur, përse është prodhuar një x produkt. Sipas kësaj mendësie, pyetje të lidhura me kontekstin e prodhimit nuk s’ka pse të jenë hall i përdoruesit dhe kështu rrotullohet një botë e reduktuar në produktin që shihet me sy apo preket me dorë.

Pas gjase rasti arketipal i një reduktimi të rrezikshëm për kohën tonë janë dy citate të shqitura nga libri i iluministit skocez Adam Smith Wealth of Nations (Pasuria e Kombeve, 1776), vepër themeluese e ekonomisë kapitaliste. Këtu, po të dëgjosh partizanët e tregut të lirë, Smith formulon dy parime kyçe për një ekonomi botërore të begatshme: e para, që interesi vetjak është motor i mirëqënies së kombeve, dhe e dyta, se mekanizmat që sigurojnë këtë mirëqënie kanë aftësi vetë-rregulluese sikur të ishin të stisura për mrekulli nga një dorë e padukshme (“the invisible hand,” Smith 35). Ata që kanë parasysh se Adam Smith la gjurmë të pashlyeshme në kohën e tij me Theory of Moral Sentiments (Teoria e Ndjenjave Morale, 1759), vepër me ndikim të pacak mbi jetën estetike, shoqërore e politike të Europës së shekullit të XVIII, befasohen nga një thjeshtëzim i tillë. I njëjti Smith i ekonomistëve liberalë identifikon në Theory of Moral Sentiments konceptin e empatisë (sympathy) si aftësi primordiale e njeriut qënie morale. Ky koncept u eksplorua me sukses nga zhanëri i romanit, nëpërmjet të cilit i shtriu rrënjët deri në lëvizjen për të drejtat e njeriut gjatë Revolucionit Frëng (shih Inventing Human Rights). Atëherë si të shpjegosh që idera kaq të kundërta të kenë dalë nga e njëjta penë?

Ata që ngulin këmbë në kontekstualizimin e citateve dhe interpretimin e një vepre së bashku me simotrat e saja, thonë se Smith-it i bëhet padrejtësi. Më kot rreken të shpjegojnë filozofët se peshkaqenët e Wall Street-it janë në ujëra të gabuara, kur e përdorin teorinë e dorës së padukshme dhe interesin vetjak për të fortifikuar babëzinë e tyre mospërfillëse, sepse dora e padukshme përmendet në krejt tjetër kontekst. Fraza i referohet frikës prej importit si faktor dobësues për tregun nacional britanik. Disi naiv (por tjetër temë kjo), Smith-i, e spras këtë frikë, duke i siguruar kundërshtarët se çdo tregtar i jep vetvetishëm përparësi tregut nacional, çka bën që raporti i forcave mes tregut të brendshëm e të jashtëm të mbahet në balacë nga një dorë e padukshme. Propaganda Wall Street-iane e injoron kontekstin e shprehjes. Ndërsa, interesi vetjak, vazhdojnë filozofët, nuk duhet ngatërruar kurrsesi me egoizmin, Smith nuk është Hobbes! Prandaj, interesi vetjak dhe empatia, siç i kupton Smith-i, nuk janë forca asnjëanësuese.

Rasti i Pasurisë së Kombeve reflekton britshësinë e librave dhe citateve, krijesa të pambrojtura si Moisiu i lënë nga e ëma në mëshirën e rrymës së Nilit. Kur citohet kështu, cili është funksioni i citimit, përveç interesit ideplogjik për të patur një emër të madh si mburojë? Mendoj se në planin primar çdo citat është shprehi e dialogut të brendshëm me dikë jashtë vetes, ç’do të thotë se citatet shërbejnë si shkëndija që vënë në lëvizje ingranazhet e mendimit. Më tutje, përvetësimi i citateve, shkëputja nga konteksti dhe shpërngulja në një tjetër, është edhe një lloj deklarate pavarësie nga ana e përdoruesit, i cili ia lejon vetes të kuptojë e interpretojë çka lexon, si e gjykon ai me vend. Por citate që mëtojnë ta kryejnë detyrën thjesht duke qenë prezente, por jo si elemente aktive të diskutimit, të cilat kërkojnë të grindesh me to, këto do t’i quaja citate indeks. Më saktë, një përdorim i tillë funksionon sipas marrëdhënies së shenjës me objektin që shenjon. Ashtu siç tymi shenjon zjarrin, ashtu dhe një citat aksiomatik mëton të indeksojë erudicionin, nëmos autoritetin, e përdoruesit. Mirëpo, kjo llogjikë ka brenda edhe të kundërtën: duke kërkuar mbështetje e forcë tek fjalët e dikujt tjetër, pa i integruar këto në kontekstin e argumentit, unë shpalos pamjaftueshmërinë e fjalës sime. Si i tillë, citati indeks përfton status të lëkundshëm, në fakt hedh më shumë pyetje se përgjigje.

Sot citatet gëlojnë. Rrjeti ofron një larmi faqesh, kategorish, shkrimtarësh e rekomandimesh se si e kur mund të përdoret sortimenti i citateve të vëna në dispozicion: për ditëlindje, fatkeqësi, martesë, divorcë, lumturi, trishtim, humor, dashuri, hakmarrje, etj. Kjo mani nuk është e re, pa çka se mediat e reja tjetërsojnë popullarizimin dhe përhapjen. Tre shekuj më parë, në Europë qarkullonin libra citatesh (quotation books), të cilat mblidheshin e lexoheshin për kulturë të përgjithshme. Fjalori i Samuel Johnson A Dictionary of the English Language (1755), më i famshmi i anglishtes, i lëvduar si arritje kombëtare që sfidoi fjalorët e akademive franceze e italiane, dhe më në fund vuri në vend krenarinë e lënduar të britanikëve të mbetur prapa, është përveç se fjalor një rezervuar citatesh illustrative, siç mund të shihet në imazhin e mëposhtëm.

SJ

Citatet e zgjedhura nga veprat më të vlerësuara të filozofisë, shkencës dhe letërsisë britanike dëshmojnë erudicionin e Johnson-it. Aq mbresëlënës qe Fjalori për koleksionin e citateve të konceptuara si perla të trashëgimisë kombëtare, saqë lexohej si unë e ti sot lexojmë një roman, dhe jo thjesht si mjet reference. Në jetën e përditshme, kush synonte të rrezatonte epërsi intelektuale, dinte ta mbillte bisedën me thëniet e mendjeve të ndritura. Pra, në pamjen e parë, për sa i përket konsumit të citateve, duket se s’ka hiçgjë të re nën diell. Vetëm në dukje, sepse si çdo fenomen kulturor, përfshi nevojat e lexuesit dhe praktikat e leximit, as citati nuk i shpëton dot ligjit të ndryshueshmërisë.

Margreta de Grazia, e cila ka hulumtuar evolucionin e citateve të Shekspirit në antologji dhe libra citatesh, konkludon se deri në shekullin e XVIII, citatet funksiononin të shkëputura nga konteksti i veprës dhe investimi personal i shkrimtarit, aq sa të citosh, në këtë periudhë është sinonime me të vëzhgosh, të vëresh. Thonjëzat, me të cilat herë-herë shoqëroheshin citatet, nuk shënjonin afinitet me një vepër apo autor të caktuar. Të ndara nga autori dhe burimi, citatet propozoheshin si vëzhgime universale të vetëkuptueshme. Pra citati duke qenë jo-personal ishte edhe i të gjithëve. Vetëm në fund të shekullit të XVIII, citatet ndryshojnë status dhe kthehen në pronësi të krijuesit, dhe, në këtë kontekst të pronësisë intelektuale, harresa e thonjëzave nis të konsiderohet ofezë.

Sërish, mund të duket në sipërfaqe se fenomeni i citateve indeks paraqet një lloj kthimi tek citati e vërtetë universale. Por nuk është, e s’ka si të jetë, kthim identik, sidomos sepse përdorimi vetëshpjegues i citatit indeks në kulturën popullore bie ndesh me atë disputativ, pra, që kërkon kontekstualizim, argumentim, pse jo edhe grindje e shkëmbim (Ausseinandersetzung) në kulturën akademike, siç u mësohet studentëve që në semestrat e parë. Madje, duke qenë se citatet sot janë kthyer në mall shumice të gjetshme kollaj për pak qindarka për internet, kur përdoren si aksiomat e pakundërshtueshme të një të Madhi, citatet zbehin më shpesh se e mbështesin statusin e përdoruesit.

Referenca

Grazia, Margreta de. “Shakespeare in Quotation Marks”.  The Appropriation of Shakespeare. Ed. Jean Mardsen. 1991. 57-71.

Hunt, Lynn. Inventing Human Rights. Norton, 2007.

Smith, Adam. The Wealth of Nations. Vol 2. 1778.

Stein, Philip. Siqueiros: His Life and Works. International Publishers, 1994.

Imazh 1: Joan Miró, “Morning Star” (1940)

Imazh 2: http://johnsonsdictionaryonline.com/?p=3407

Nuk ka komente

  1. “…kur përdoren si aksiomat e pakundërshtueshme të një të Madhi, citatet zbehin më shpesh se e mbështesin statusin e përdoruesit…”
    Nganjehere te nxirrnin nga rrethana disi te ngaterruara e me rrezik. Kam njohur dike (gazetar me emer) qe kur mbetej keq per argumente, ia fuste nje:… siç ka thene edhe shoku Enver….” Kjo i jepte fund kundershtimeve e mungeses se argumenteve. Askush nuk guxonte te pyeste se ku e ka thene shoku ne fjale nje gje te tille, se pa dashje dilte qe nuk e ka studiuar me shume vemendje dhe “laps ne dore” vepren e tij … te thelle e te gjere!

  2. Sec pata nje zhgenjim ne fund te ketij shkrimi, ku prisja, ndoshta pa te drejte, se militschi do kishte thene dicka ne lidhje me Projektin e Arkadave te Benjaminit ku citatet lihen te komunikojne vete. Benjamin eshte jo vetem me interes historik ketu, ku citati sherben si celes i kalimit nga mode prodhuese ne mode krijuese, levizje tipike e postmodernizmit kjo, por edhe me interes si kundershembull, pasi citati aty, edhe pse thjesht prezent, perdoret jo per te shenjuar autoritetin, por per te krijuar nje tablo qe asnje prej citateve me vete dhe as fjala e autorit, vetem apo me citatet ne ndihme, nuk do ishte ne gjendje ta evidentonte.

  3. Nuk duhet të ketë qënë iluministi që ka folur në Wealth of Nations, por Adam Smith-i Calvin-ist. Në ndryshim nga kisha Katolike, por edhe nga Luther-i, Calvin-i e pranonte fajden dhe e shikonte kapitalizmin apo bërjen e pasurisë si “planin e Zotit per njeriun”. Kështu që ajo dora e padukshme e Adam Smith, në të vërtet është dora e Zotit. (The invisible hand… of God!) Gjthësesi ajo që them është jashtë teme dhe nuk ia zbeh shembullit vlerën e argumentit në shkrim.

    Ndërkohë, përsa i përket fenomenit të citateve, unë nuk e shoh pa lidhje me fenomenin e imazheve, që shkarasi është prekur edhe në shkrim. Imazhi, sikurse edhe citati e pretendon të vërtetën më shumë se fjala si shprehje e reflektimit të mendimit. Boll të shikosh se ç’bëhet me karikaturat në Paris për të kuptuar se sa të painteresuar, apo sa të pamundur e kemi për të reflektuar.

  4. militschi: “Atëherë si të shpjegosh që idera kaq të kundërta të kenë dalë nga e njëjta penë?”

    Me ngjan se per te ilustruar idene qendrore te shkrimit, eshte vene si “centerpiece” nje Adam Smith “i dyjezuar”: i pari, moralisti, ai qe shkruajti, Theory of Moral Sentiments dhe i dyti, i mevoneshmi, kapitalisti, ai qe shkruajti Wealth of Nations.

    Ne fakt, shkrimi kap nje te vertete te madhe, “konsum citatesh”, por pa lexuar veprat, analizuar, pervetsuar, kuptuar domethenien e tyre. Sa njerez qe vene ne pune citatet(ne rastin tone te Smithit), mund te kene lexuar te dy veprat e permendura me siper per shembull? 🙂 Keshtu duke mos kuptuar se Smithi i dyte eshte kompliment i te parit dhe idete qe librat percjellin, ne te vertete nuk konfliktojne me njera-tjetren.

    Shumica, ne rastin e Smithit, i referohen Marksit tek Kapitali qe shkruan: “Kontradiktat e Adam Smithit jane te nje rendesie te madhe sepse ato permbajne ne te vertete problemet te cilave ai nuk i jep zgjidhje, por te cilat i zbulon duke kontradiktuar(kunderthene) veten. Insistimi i drejte i tij ne kete lidhje(ed. kontradikte) deshmohet me mire nga fakti se pasardhesit e tij, mbajne qendrime te kunderta, bazuar ne njerin apo tjetrin aspekt c’ka meson ai.”

    Marksi si gjeni, e kupton dhe e vlereson perqasimin dialektit te Adam Smithit. Problemi eshte qe jo te gjithe qe citojne Smithin e kuptojne se ka nje lidhje dialektike midis asaj qe quhet “human self-interest” dhe “human benevolence”, si dy anet e ndryshme te te njejtes monedhe, qe eshte “human `nature”, natyra njerezore.

  5. Rasti i Adam Smith-it dhe sidomos dorës së padukshme është shembulli pivot i shkrimit, sepse është keqinterpretuar falë shkëputjes nga konteksti. Për mendimin tim, konteksti më pak i marrë në konsideratë është iluminizmi Skocez, të cilit Adam Smith i përket. (Me siguri Calvinizmi luan rol, por s’e ndjej veten të kualifikuar për ta kapur temën nga ajo anë.)

    Në zemrën e iluminizmit Skocez – ku futen Frances Hutcheson, David Hume, John Millar, Adam Ferguson, etj — primar nuk është homo clausus, por socialis. Individi nuk është individi abstrakt, kërpudha pa nënë e babë e Hobbes-it, por individi i varur nga dhe i lidhur me të tjerë që në minutat e para të jetës. Në shekullin e XX ky ndryshim themelor është diskutuar prej Norbert Elias The Civilizing Process dhe Society of Individuals, të cilat kanë gjeneruar diskutim që ende vazhdon. Ky ndryshim modifikon edhe konceptin e interesit vetjak apo të empatisë, dhe këtu ka zanafillë keqinterpretimi.

    Mospërmendja eksplicite e Benjaminit nuk do të thotë që ai nuk është aty. Vetë idea e konsumit, komodifikimit që ilustrohet me metaforën e përdoruesit-konsumator në shkrim, reflekton komodifikimin që montazhi i citateve në Passagenwerk denoncon. Po ashtu liria për të marrë një citat, për ta bërë tëndin në një dialog të brendshëm, i referohet idesë së citatit si çelës krijues. Sidoqoftë ky aspekt është dytësor për fokusin e këtij shkrimi, i cili ka marrë shkas nga disa artikuj me orientim persuasiv, argumentativ, dhe jo tekste literare të tipit të Passagenwerk apo të një tjetër shtylle të postmodernizmit The Waste Land të T. S. Eliot. Në fakt e anashkaloj këtë aspekt, sepse e kam diskutuar në një interpretim të Puthjes së Klimt-it si citim i poezisë dhe pikturës së D. G. Rossetti-it: https://peizazhe.com/2014/12/15/ne-buze-te-lendines-se/, ku e lexoj çiftin e Klimt-it si një kolazh të figurave të Rossetti-t.

    Po ashtu anashkaloj problemin flagrant të citateve të përkthyera as you like it, që problematizon “De Rada à la Carte” i Xha Xhait.

    1. Militschi,

      Në shrkim ju shpreheni:

      …Smith formulon dy parime kyçe për një ekonomi botërore të begatshme: e para, që interesi vetjak është motor i mirëqënies së kombeve, dhe e dyta, se mekanizmat që sigurojnë këtë mirëqënie kanë aftësi vetë-rregulluese sikur të ishin të stisura për mrekulli nga një dorë e padukshme (“the invisible hand,” Smith 35).

      Të dy këto parime kanë natyrë teologjike, pra natyrën individuale të besimt tek Zoti, dhe praninë e Zotit transhendental – dy parimet/shtyllat kryesore të Reformizmit (të Luther-it dhe Calvin-it) të ndryshme nga Zoti imanent që predikohej nga Kisha Katolike.

      Po ashtu Adam Smith, si iluminist nuk është se del krejtë sisht nga vetja kur paraqitet si Kalvinist.
      Përkundrazi, Iluminizmi nuk është gjë tjetër vecse një sintezë (sinkronike dhe dikronike) e humanizmit dhe reformizmit. “Institution de la Religion Chrestienne” të Calvin-it konsiderohen si baza gjuhësore dhe filozofike mbi të cilën mbështetet iluminizmi Francez, dhe gjuha moderne frënge.

      Ndërkohë vlen për t’u parë edhe rrethanat ekonomike dhe politike se si u adaptua Kalvinizmi (dhe më pas Iluminizmi) në Skoci. Dëshmohet se Skocia ka qënë nëgjëndje të mjerueshme përpara reformizmit.

      Po ashtu Adam Smith duhet të shihet në kontekstin e Iluminizmit Skocez (një lloj nacionalisti), dhe jo atij Francez. Në Francë reformizmi nuk arriti të aplikohej, c’ka solli si rezultat të mëvonshëm që Iluminizmi dhe revolucioni t’i deklarojë ndarjen e çeshtjeve të Zotit dhe të njerzve. Duhet thënë se kjo e fundit (ndarja e pushtetit religjioz nga ai politik) u adaptua nga bota anglosaksone si form dhe jo si thelb. Ndaj sot ndjeshmëria ndaj fesë është shumë më e madhe në Amerikë (si shembull i botës anglosaksone dhe reformizmit), sesa në Francë.

      Dhe meqënëse po flasim për kontekstin e gjërave, nuk mund të rri (sikurse edhe ju)pa përmendur ceshtjen “DE RADA A LA CARTE” në lidhje me këtë shkrim – sepse kjo është çështje nga ato me “Ç” të madhe. Duhet vënë re se deformimi i shkrimit të De Radës bëhet pikërisht nëpë rmjet deformimit të kontekstit, duke e sjell De Radën idologjikisht në shekullin e 21-të. Zhveshja e nacionalizmit të De Radës nga konteksti paraqet një dëm, apo rrezikshmëri do thosha unë, të dyfishtë: së pari nuk na lejon të kuptojmë si funksiononte Rilindja nacionaliste shqiptare, dhe së dyti, e zhvesh nacionalizmin e sotëm nga referencat dhe konteksti historik, për ta izoluar dhe kthyer atë në një nacionalizëm për hirë të nacionalizmit, jashtë funksionit të çështjes kombëtare.

      1. Ujku i zi, jam absolut dakort që reformacioni gërshetohet me mendimin iluminist. Hezitimi im ka të bëjë me rrugëtimin e Calvini-it deri në Skoci e deri në skrivaninë e Smith-it. Trajektoria është centrale dhe e mpleksur. Rrallë kam ndeshur konferencë rreth iluminizmit ku s’është përmendur Calvini, ama pyetja e programuar në çdo përqasje është: “Whose Calvin is it?” Domethenë, në rastin e Smith-it, ishte Calvin i Frances Hutscheson, mentorit të Smith, apo ai David Hume, apo edhe mos i përzjerë me Rousseau, pra Calvini i filtruar prej cilëve mendimtarë. Lëre pastaj Calvini i cilit përkthimi, dhe kjo na nxjerr tek De Rada ynë me porosi.

        1. Militchi,

          Një lexim i mirë për këtë, të cilit edhe unë i referohesha më sipër, është “After God” nga Mark Taylor. Aty shtjellohet trajektorja e mendimit Kristian drejt revolucionit financiar dhe atij teknologjik. Për të qënë të sigurt, Taylor sigurisht aludon, por nuk është se ia atribuon Smith-in tërësisht Calvin-it (në kuptimin e skrivanisë).
          Sipas Taylor, Calvin-i predikonte se “suksesi në këtë botë na jep sigurinë e shpëtimit, porse nuk mund të jetë asnjëherë arsyeja e tij” (Worldly success can provide assurance of being saved from achieving worldly success”). Kuptohet se në kuadrin e citimeve, siç i analizuat edhe ju, njërzit mund të lexojnë nga Calvin-i çfarë të duan, pjesën e parë ose pjesën e dytë të fjalisë (por vështirë se shumica ta ketë kuptuar si një të tërë). Po ashtu jo e pakët do ketë qënë ndikimi i justifikimit të fajdes, ndonëse sot duket si diçka krejt normale. Por është themelore për të kuptuar se çfarë vijoi më pas realisht.
          Ndërkohë duhet të ketë qënë shmë e vështirë për Smith-in t’i huazonte referencat e shkencës ekonomike nga Iluminizmi, dhe shumë herë më e lehtë për t’iu referuar Reformizmit, apo “etikës protestane” ashtu siç përcaktohet ajo nga Weber-i.
          Kurse ajo puna e skllavërisë mendoj se është gjithashtu etike, pak a shumë si ajo etika e të pandërgjegjshmes e Presjes, sidomos kur “assurance of being saved from worldly success” e justifikon.

          1. Ujku i zi, më zgjoi interes libri i Taylorit dhe desha ta lexoj fjalinë në kontekst sepse përkthimi m’u duk interpretim i lirë. Citatin që jepni: “Worldly success can provide assurance of being saved from achieving worldly success”, nuk e gjeta. Ai që gjeta është: “Worldly success, Calvin told his followers, can provide assurance that we are saved but can never be the cause of our salvation.” Tani përkthimi juaj ka më shumë kuptim.

            Lë për të dëshiruar lektori i University of Chicago Press që nuk i ka kërkuar referencë Taylor-it për një fjali që ofrohet si ligjëratë e Calvin-it (Calvin told). Madje do ishte mirë këtë ta kishim në frengjishten e Calvinit, sepse, për shembull, fraza si “worldly success” janë të ngarkuara me histori. “Worldly success” është më shumë se “sukses në këtë botë,” ngaqë ka rezonanca biblike për lexuesin e informuar anglo-sakson. Kujton Krishtin që thotë se i ka nisur dishepujt në botë, por ata nuk janë të botës. Ndryshimi është të jesh në botë v. të jesh i saji. Unë do ta interpretoja këtë lloj suksesi si sukses sekular, në terren sekular, duke marrë parasysh konotacionet e togëfjalëshve si “worldly values”, “worldly life”, “worldly man, woman”. Por nuk ia lejoj vetes ta interpretoj, përkundrazi para çdo interpretimi, dua të di si e ka shprehur vetë Calvin-i këtë ide në frengjisht. Ka rëndësi sepse siç thotë Taylor, fraza ka nuanca subtile që nuk janë vetëshpjeguese e keqinterpretohen fare kollaj. Po e stërholloj punën, sepse është një shembull tjetër për praktikën e citimit, shpesh direkt i interpretuar dhe gjatë procesit i holluar dhe tjetërsuar. Sigurisht pa interpretim s’ka mendim të ri, s’ka përvetësim, por prandaj kërkohet skrupulozitet. Aq më tepër, sepse citimi është praktikë joshëse; kur gjen diçka që mendon se përputhet me intuitën apo gjetjet e tua, hidhesh “eureka” dhe i vë kapak. Kushedi sa turkofobë, puristë dhe Eurofilë, janë ndjerë të konfirmuar nga De Rada i rektorit të Universitetit “Luarasi”.

  6. militschi: “Individi nuk është individi abstrakt, kërpudha pa nënë e babë e Hobbes-it, por individi i varur nga dhe i lidhur me të tjerë që në minutat e para të jetës.”

    Dhe vertete. Smith, si iluminist, shihet para se gjithash si filozofi moralist(ishte profesor i filozofise te moralit), i cili flet per ndergjegje te njeriut si qenie sociale, qe krijohet prej marredhenieve njerezore.

    Nese shume i referohen atij, si babai i shkencave ekonomike, kjo duhet marre me shume rezerva; observimet ekonomike dhe teorite e tij, jane bazuar para se gjithash ne themele moraliste dhe fetare(mos te ngaterrohemi me religjionin si institucion i organizuar, Smithi ishte deist).

    Dora e padukeshme qe fillimisht permendet ne librin e tij Theory of Moral Sentiments eshte nje metafore me shume “facets” per te treguar te mirat qe prej kesaj dore te padukeshme shoqeria perfiton, kur njerezit veprojne, sillen te udhehequr nga interesat e veta. 🙂

  7. E drejtë Read Me, përmendet dora e padukshme pa e integruar në qindra faqet që e paraprijnë në Teorinë e Ndjenjave Morale.

    Pika e errët, ose blindspot i Smith-it mbetet tregtia Atlantike e skllevërve, tepër ironike mbyllja e syve para atij projekti dehuman, aq më tepër kur mendon se lëvizja kundër tregtisë së skllevërve (abolitionist movement) u bazua pikërisht në konceptin e empatisë, mastiçit shoqëror të Smith-it.

    1. Sado absurde mund te tingelloje sot, por ne historine e njohur te civilizimit, demokracia dhe sllaveria si institucione kane ecur paralel, kane bashkekzistuar per mijra vjet dhe nuk ka qene specifike per ndonje sistem, por ka qene pjese inherente e te gjitha sistemeve.

      Sigurisht qe, jo gjithmone nuk e kishte emrin(nuk nominoheshin) skllaveri, pavarsisht se si sistem ekonomik ishte ne thelb e tille. Ishte pjese e rendesishme ne demokracine athinase, ishte me evidente ne Romen e Cezareve, ishte ekzistuese ne bujkroberine, serfet e Mesjetes ne vendet europiane ku rilindi demokracia athinase, ishte institucionalizuar ne tregetine e sklleverve dhe ekonomine e plantacioneve, ishte e pranishme ne te gjitha vendet e lindjes nen daren e komunizmit, etj.

      Baballaret e Amerikes, Jefferson, Washington, Medison, Franklin, etj, ishin te gjithe skllavopronare, megjithese e dinin se kjo gje dhunonte vlerat themelore te lirise dhe idealeve te revolucionin amerikan. Asnjeri nga ata nuk i dha lirine sklleverve te tyre. Emancipimi njerezor gjithmone ka qene calaman. 🙂

  8. Militschi,

    Kërkoj ndjesë për citimin e gabuar anglisht të Taylor. Kjo si për të treguar se nuk bëhen këto punë ndërsa je duke prerë qepë dhe të djegin sytë. Po ashtu edhe unë do desha që Taylor t’ i kishte mbështetur me referenca thëniet e veta për fajdet dhe ‘wordly success’ të cilat ia vesh Calvin-it, por për sa më intereson mua nuk ka shumë rëndësi.

    Sikurse Calvin-i duhet lexuar në frëngjisht, ashtu edhe Smith duhet lexuar në anglisht, dhe në kuptimin jo vetëm të gjuhës, sidomos kur flet për ‘Invisible hand’..

    Për shembull Newton-i nuk e pa të nevojshme të përdorte ndonjë metaforë të fizionomisë njerzore (një qënie të plotëfuqishme), për të përshkruar teorinë e tij, por iu drejtua një fenomeni si graviteti, sepse ashtu shprehej më mirë ajo që ai donte të thoshte. Po ashtu Marx-i iu drejtua një fenomeni biologjik, energjive të ripërteritshme njerëzore, për të justifikuar “surplus-in” e vetë në teori.

    Por Smith-i kur i referohet një dore të padukshme, pra një qënie sipërore, nuk e bën këtë se nuk di cfarë thotë (të qënit naiv), porse argumenti i tij vetëm ashtu justifikohet (përndryshe do duhej të hynte në argumenta që ia dobësonin dhe zhvlerësonin teorinë), por edhe sepse ai donte t’i referohej një realiteti të caktuar moral dhe etik (ekonomia është në thelb shkencë sociale). Është plotësisht e mundur që tregtarët e atëhershëm, sikurse të sotmit, të mos e kenë pasur empatinë dhe aq të zhvilluar, ndaj edhe Smith e anashkalon.

    Ndërkohë thënia tradhëton një përqasje konservatore të tij kundrejt emancipimit të ekonomisë. Ai mund ta ketë mbështetur përshembull çmontimit e infrastrukturës religjioze në emër të emancipimit, sikurse e kërkonte Iluminizmi, por duket se nuk i ka besuar asaj deri në fund për t’i lënë në dorë principet ekonomike. Për këtë duket se ai ka preferuar të mbështetet mbi përvojën e etikës protestane të reformuar, që duket se e ka parë më të përshtatshme. Smith-i nuk kishte nevojë të ishte revolucionar sepse revolucioni ishte kryer me reformizmin, dhe nuk kishte terren ne Angli.
    Kurse në Francë kjo gjë nuk kishte ndodhur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin