SHOQËRI CIVILE

Shoh kallaballëk te këndi i lodrave për fëmijë në mëhallën time, mes tyre edhe gjeometrin Huxho.

“Ç’po bëhet këtu?” pyes një të njohurin tim të vjetër, Llazin.

“Thonë se do ta prishin,” thotë Llazi. “E ka marrë pronari, do ngrejë një pikë karburanti.”

“Po është gjynah,” i them unë. “Është krim. Ku do luajnë pastaj kalamajtë?”

“E mo, muhabet kot është,” më qetëson Llazi. “Sa thonë kështu dhe pastaj asgjë s’bëhet.”

Por mua më ka hyrë krimbi, më ka hyrë xixa, më ka hyrë xhindi.

Flas shtruar me gjeometrin Huxho, marr të dhëna teknike për projektin.

E ndjek punën me këshilltarët në Bashki, ngre zërin pranë autoriteteve kompetente.

Thërres gazetarët, televizionet private, përfaqësuesit e OJQ-ve.

Dal te Çani dhe te Fevziu.

U dërgoj SMS udhëheqësve të lartë të shtetit.

Krijoj faqe në Facebook dhe hashtag në Twitter.

parkI projektoj tekstet e mia në fasadat e ndërtesave kryesore të Tiranës.

U them: mos e prekni këndin tonë të lodrave. Mos ua bëni këtë fëmijëve tanë, që mezi i kemi. Mos i merrni borxh së ardhmes.

U them: larg duart nga këndi ynë i lodrave.

Dal edhe me kryeartikull në gazetën “Tema”, polemizoj fort në radio dhe në ekran, e prangos veten me zinxhirë te kangjellat e përfaqësisë së OSBE-së.

Hipi te Kulla e Sahatit dhe kërcënoj vetëvrasjen para kamerave.

Fjalos me megafon para kryeministrisë, para ambasadës amerikane (nga ku më dëbojnë), para Top Channel-it (ku më ftojnë dhe më japin ujë mineral).

Mbledh firma për një peticion online.

Mobilizoj fëmijët e shkollave, nëpunësit e administratës, turmat partiake.

Pajtoj më të mirin e avokatëve për ta çuar punën në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Ia qaj hallin që kam deri edhe shoferit të Presidencës së Republikës, që më kupton mirë.

Dhe më në fund mbërrin sihariqi: këndi i lojërave nuk do të prishet, pika e karburantit nuk do të ngrihet.

Fitore! Fitore! Le ta festojmë! Të hapet shampanja!

Takoj gjithë entuziazëm Llazin.

“E more vesh? Nuk do ta prishin!” i them.

“E shikon, pra?” më thotë. “Të doli fjala ime. Kot e prishe gjakun atëherë.”

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: