PIKËRISHT SOT

Dita e sotme duhej të ishte ditë reflektimi për fjalën e lirë, çfarë parakupton edhe reflektim për atë fjalë, së cilës disa duan t’ia presin krahët.

Shkrova diçka polemike paradite, për disa kushedi kontroversiale; nuk prita duartrokitje, por edhe nuk prita që të më përmendnin vdekjen. Të paktën jo pikërisht sot.

Por, shihni çfarë u tha në këtë faqe në FB: duke iu referuar shkrimit tim, një anonim – jo në kuptimin që nuk ka emër, por në kuptimin që nuk ka lënë dot emër – shkruan: “uroj që t’mos dalë ndonjë trap që ta vrasë ktë flliqsirën.”

threat

Se pse mund të vritet dikush, qoftë edhe nga “një trap”, ngaqë e qortoi mënyrën si u reklamua harmonia fetare e shqiptarëve sot në kryeqytetin frëng, këtë unë nuk e di.

Edhe karikaturistët e Charlie-t i vranë, në dukje, ngaqë kishin blasfemuar, ose kishin fyer profetin Muhamet.

Por ky tribun i Facebook-ut e ul më tej stekën dhe përfytyron vrasje edhe për një polemikë të thjeshtë; ose ngaqë unë kam cekur, këtë herë si edhe herë të tjera, tema që disa do t’i kishin lënë të paprekura.

Natyrisht, nuk e sjell këtë fakt këtu për të denoncuar ndonjë “kërcënim me jetë” – sepse jemi akoma në nivel karnevali; por e sjell vetëm për të treguar se, në mendjet e disave prej nesh, vrasja e dikujt për një fjalë të thënë publik ende funksionon si një lloj përgjigjeje, reagimi ose argumenti i mundshëm.

Dhe, paradoksalisht, janë po këta që shqetësohen me mua, pse e quajta të pahijshme “paradën e tolerancës” sot në Paris; dhe sidomos ngaqë u dukem si trouble-maker dhe njeri që e ka bërë huq të “përbaltë” simbolet kombëtare dhe ua prish këtyre ekstazat e konformizmit; prandaj u dashka hequr ose suprimuar nga hapësira publike, qoftë edhe nëpërmjet eliminimit simbolik (ose me një bedel imagjinar, të mbiquajtur “trap”).

Preokupimi i tyre me mua ka natyrë higjienike.

E kam thënë edhe më parë, dhe e kanë thënë edhe të tjerë me mua dhe paralelisht me mua: çfarë ne quajmë “tolerancë” është në fakt indiferencë; sepse kur vjen puna për gjëra që, për shkaqe çfarëdo, i mbajmë si të paprekshme, atëherë toleranca flijohet e para.

Muhabeti në faqen që solla më lart është realitet, po aq realitet sa edhe mesazhet vetë-përgëzuese të liderëve tanë poshtë e lart Internetit shqip; dhe gëlon kudo rreth nesh – në faqe mediash, në forume, në muhabete kafenesh. Nuk ka rëndësi tema, por reagimi; ose instrumentet që merren në vështrim për zgjidhjen e konfliktit.

Dhe qesharakja këtu është se këta njerëz të vrazhdë, që ia evokojnë pa të keq vdekjen tjetrit – qoftë edhe tërthorazi si ky më lart – e shohin veten të përfaqësuar te “marshimi i harmonisë dhe i tolerancës” që pamë sot në Paris.

Le të mos gënjejmë veten; dhe sidomos, le të mos gënjejmë veten duke i mbajtur disa tema tabú, me shpresë se ashtu nuk do të na prishet gjumi, as sot as nesër. Problemet që kemi mes nesh dhe egërsia me të cilën kërkojmë t’i “zgjidhim” nuk do të zgjidhen, as do të largohen, ngaqë marrim poza në publik.

Blogu “Peizazhe të fjalës” dhe unë si autor asnjëherë nuk kemi dashur, as kemi pretenduar të luajmë rolin e një Charlie për diskursin publik shqip; edhe pse kurrë nuk jemi trembur të prekim tema delikate dhe të shprehim mendimin tonë haptazi. Atje ku disa shpallin dhe sanksionojnë tabú, ne shohim orvatje dinake për t’i vënë pranga fjalës dhe mendimit, dhe për të themeluar një pushtet mbi dhunën e interdiksionit. Kjo nuk ka lidhje me fenë; por ka lidhje me gjithçka që përfundon e trajtuar shenjtërisht.

Dhe meqë flasim për Charlie-n, kujtoj se unë e provoj ndonjëherë dorën edhe me karikatura (si Krypa), për çka kam marrë, nga i njëjti burim, komplimentin e mëposhtëm:

urrej

Prandaj edhe e mora mundimin t’i ndaj me ju tani këto mendime.

Nuk ka komente

  1. Eshte i njejti tip, pa lidhje fare me fene apo kombesine. Jane njerez qe urrejne gjithkend qe e sheh boten ndryshe prej tyre. E urrejne deri ne bindje se duhet ta ekzekutojne. Keta ende nuk e kane kuptuar qe, mbi gjithcka tjeter, jane njerez, dhe kjo na lidh te gjitheve ne nje vellazeri. Ata e shohin veten ne te gjitha kthinat dhe ndarjet e vogla qe i bejne armiq me te tjeret, por jo ne njesine sublime dhe universale qe na lidh te gjitheve ne miqesi e komunikim. Cfare dhimbjeje!

  2. Situata e fjalës së lirë në Shqipëri është tepër alarmante. Dhe është e tillë deri në majat më të larta.

    Nuk i ndjek as fare programet televizive të Tiranës, porse pash me kurreshtje për herë të parë pas shumë vitesh Opinionin e Blendi Fevziut të 8 Janarit, për këtë cështje (terrorizmin në Francë). Ishte i ftuar midis të tjerësh edhe Ben Blushi. Ky i fundit në një moment filloi t’i kërkonte me ngulm një bashkëbiseduesi në studio, Ergys Mërtirit i cili sapo kishte marr fjalën, që të prononcohej fillimisht (përpara se të thoshte çdo gjë tjetër), se e dënonte aktin terrorist (në Francë (Dëno vrasjen sepse je në publik! – komandonte Ben Blushi). Ben Blushi ishte sigurisht natyrshëm në rolin e dikurshëm të sekretarit të partisë, porse kësaj radhe (duke qënë se partia nuk ekziston), në rolin e sekretarit të një bande që përpiqet tu mbyllë gojën, apo akoma më keq frikësoj e terrorizojë të tjerët, ndërsa vet flet gjepura.
    Ndëerkohë që më erdhi vërtet keq për Lubonjën, që ndërsa thotë në një shrim sot se I kishte shpëtuar galave të Ramës, nuk duket se I shpëton dot këtyre të Fevziut. Ky I fundit e trajton një program që quhet Opinion, dhe që duhet të nënkuptoj një lloj reflektimi dhe vetëpërmbajtje jo të zakontë, si një reality show. Really disgusting.

  3. 2xha: “…për disa kushedi kontroversiale; nuk prita duartrokitje, por edhe nuk prita që të më përmendnin vdekjen…”

    Ka te verteta ne c’ka citova nga ty Xhaxha.

    Solidarizohem me ty, ne ate qe invokime te tilla, sic eshte ajo deshira ekstreme per t’i marre jeten nje njeriu, jane jo te shendetshme dhe dashakeqe.

    Bile te hedhura pa pergjegjesi, si shperthime apo inate infantile, duke mos parashikuar pasojat, mund te sherbejne si terren pjellor, armiqesor, qe nxit nje fryme urrejtje, aspak legjitime dhe krejt te pavend.

  4. Ndaj këtij lloj sulmi njeriu e ka të vështirë të përgjigjet. E vetmja mënyrë është ta përcjellë me sarkazëm. Kërcënimi me jetë në emër të “Marshimit të paqes”, në emër të “tolerancës sonë të shenjtë” fetare është në vetvete absurd fort i goditur – edhe të duash, s’e sajon dot këtë shkallë indoktrinimi nën petkun e “shqiptarisë së paprekshme” – gjetje të tilla i has vetëm në natyrë, jo në letërsi. Njeriu shpesh e nënvlerëson natyrën dhe bujarinë e saj të pakufi.
    Ndoshta po të ishte gjallë J. Hasheku, edhe mund ta kishte përfshirë në rreshtat e romanit të vet këtë episod. “Unë të paralajmëroj, shiko se të vras, se po ofendon tolerancën që e kemi të shenjtë.” Një zot e di ç’qyfyre do të kish nxjerrë pena e tij. A thua të jetë mbjellë në këto troje, bashkë me te tjera gjëra, edhe pjesa përkatëse e idiotësisë së shëndoshë që ekzistonte në radhët e ushtrisë së lavdishme të perandorisë austro-hungareze, kur kaloi këtej njëqind vjet më parë? Apo ky lloj idiotësie është qenie endemike e rajonit tonë dhe s’ka lidhje, as gjaku, as krushqie, me atë që ka përshkruar Hasheku në romanin e vet?

  5. Ata miliona francezë dhe europianë që manifestuan në rrugët e Parisit kishin dalë për të mbrojtur fjalën e lirë dhe për t’i treguar botës se e vetmja rrugë e njerëzimit mbetet paqja dhe dialogu. Dhuna e terrori të ushtruar nga fundamentalistët e të gjitha siglave nuk është gjë tjetër veçse mohimi i Perëndisë, i fesë dhe i njeriut.

    Mirëpo këto vlera nuk duhen vetëm deklamuar – çka vlen veçanërisht për shqiptarët – por edhe duhen ushtruar, zbatuar, vënë në jetë. Çdo ditë, në të gjitha fushat, nga mëngjesi në darkë, në shtëpi e në punë, në politikë e në media, në kafene e në internet… Ne shqiptarët, ndoshta më shumë se të tjerët – ngaqë kemi një emër e traditë të mirë për të mbrojtur – duhet të tregojmë me vepra se mendimin ndryshe e pranojmë, madje e vlerësojmë. Sepse ai që mendon ndryshe nga ne, edhe kur nuk na vjen mirë, na konfirmon rregullat e demokracisë, çka do të thotë lirinë për të shprehur mendimin tonë.

    Prandaj edhe komentet denigruese që i kanë bërë në internet Xhaxhait , i cili ka solidaritetin tim, duhen marrë seriozisht për çka fshehin si mentalitet. Prapa fjalëve të rënda e kërcënuese (edhe kur bëhen në mënyrë të tërthortë) mund të gjejmë intolerancën ndaj mendimeve të Tjetrit, ndërkohë që kritika mund të shprehet në mënyrë paqësore, pa dhunë verbale, brenda etikës së komunikimit. Mirëpo nuk është e falshme që emrin e mirë që kemi krijuar si komb për bashkëjetesë ndërfetare ta fëlliqim në këtë mënyrë, sepse ai që pranon fenë e tjetrit, që tek e fundit është kredo e jo mendim, duhet t’ia pranojë Tjetrit më lehtësisht edhe opinionet, sidomos kur nuk përputhen me të tijat.

    Këto ditë jemi të gjithë në Paris me francezët, por në çdo kohë e gjithkund duhet të jemi të për lirinë e shprehjes.

  6. Xhaxha, kam përshtypjen që i ke nxehur keqas me faktin që nuk lejove komente tek “Karnavalet e Parisit”… meqë nuk e përdorën dot PTF-në si pështymore, iu vërvitën fejsbukut ku mërisë për prekjen e idhujve të rremë i shtuan edhe mllefin se nuk e përdorën dot PTF-në për të intelektualizuar përçartjet. Vër re se si ai / ajo që ka nisur yxhymin fejsbukian është lexues i faqes… në PTF njeriu nuk arrin rastësisht duke gjuajtur për lajme me Kardashian…

  7. Ka shume probleme ne keto komente qe deshmojne shkallen e civilizimit te shoqerise sone dhe te inteligjences, e cila ka deshtuar totalisht ne edukimin e nje brezi te ri. Se pari, keto kercenime jane serioze per sa kohe mund te kuptohen si sinjale te vulgut per politikane apo gazetare, qe i perdorin me pas per argument ne agjendat e tyre ekonomike e politike. Se dyti, qe personat dalin me emer ne facebook do te thote qe nuk kane turp dhe ndihen te perligjur ne mendesine e tyre. I perkasin pra nje perceptimi kolektiv mbi cfare eshte e pranueshme apo jo ne shoqerine tone. Se treti, etika e komunikimit reflekton instrumentet kolektivisht te pranueshme per trajtimin e konfliktive dhe kundershtive: sharja, vrasja, prerja, zhdukja etj.

    Prandaj jam dakord me F. Lubonjen (ose Lubonja me mua, se kete ide e kam pasur prej 10-ra vitesh), se eshte ky batak moral qe neser do te mbjelle nje brez te rrezikshem; i armatosur me ideologjine e pershtatshme do te mund ta shkaterroje kete sistem.

    Sdq. nxjerra e atyre klerikeve, si lapsat ne xhaketen e kryeministrit, ishte nje performance teatrale ne skenarin e gabuar; nuk behej fjale per bashkejetesen e besimeve (frances nuk i ka interesuar asnjehere), por per lirine e fjales.

  8. Xhaxha, përveç atyre që kanë thënë komentuesit e tjerë, dua të shtoj se ka një shtresë të gjerë lexuesish që nuk e kupton rolin tënd, në fakt profesionin tënd, si linguist dhe kritik letrar e kulturor. Nuk arrijnë të kuptojnë se ti nuk merresh me njerëz të veçantë por me fenomene, të cilat profesionist si ty i analizojnë siç analizohet një tekst, pra duke i bërë fije-fije elementët që janë ndërthurur për të krijuar ngjarjen, fenomenin, tekstin. Këtej rrjedhin gafa të mëdha dhe mllefe edhe më të mëdhaja.
    Shëmbuj ka sa të duash, varion petku po boshti mbetet ai:

    Ti shkruan për plastikën literare të “Kështjellës, ata thonë “mirë ia bëri Kadaresë”.
    Ti analizon ndërinfluencat e kabasë shqiptare, që nga muzika rome e deri tek Bela Bartok, ata qajnë se ti s’paske pikë atdhedashurie.
    Ti kap mburrjet e mbufatjet e mediave për delegacionin shqiptar në Francë, ata thonë “do të të vrasim se na nëpërkëmb unitetin fetar.” Që në fakt, kjo s’ishte koha që Shqipëria të krihej me mburrje, ndërsa Franca digjej, këtë ata s’e kuptojnë.

    Ky është një konsum kaq i gabuar i punë së kritikut, saqë të mbetet të preferosh që një tekst më mirë të mos kuptohet se sa të keqkuptohet në këtë farë feje. Ndoshta prandaj modernistët pranonin të ishin të pazbërthyeshëm e elitar për t’i bërë ballë banalitetit të keqkuptimit.

  9. Për të gjithë, ju, idhtarët e ‘fjalës së lirë’ (të Vehbiut),, pse mendoni që fjala e tij duhet të jetë më e lirë se ajo e të tjerve (aq më tepër kur kto i thotë në profilin e tij në fb)?
    Përse u dashka që të konformohemi me dëshirën e Vehbiut, që është më mirë ti prezantohemi botës me “gun quartet” se sa me “karnevalet e Parisit”?
    Unë, një njeri të tillë e konsideroj FËLLIQËSIRË…dhe, nqs e mendoni dhe ju si ai, natyrisht që për mua, jeni që të gjithë flliqësira.
    P.s: Që t’mos lini kokrrën e namit, përveç çka shkruan (sipas midesë, autori), hidhini një sy edhe figurave… aty do lexoni edhe statusin komplet…dhe mbase do e kuptoni se sa larg jeni shtyrë.

    1. Edrus,

      Nuk e kam shumë të qartë se cila është arsyeja e kundershtimit tënd për “Gun Quartet”, por nëse do spekulloja, do thosha që ka lidhje me faktin se ti nuk duron dot që shprehja “Nacional folklorizmi u frynë armëve të luftës” është përkthyer po kaq thjeshtë edhe në imazh. Ky lloj kundershtimi eshtë i njëjtë me atë të imazheve të Muhametit, por që ndyshe nga rasti i fundit ka një mbështetje ideologjikë shumë herë më të dyshimtë.
      Së dyti unë nuk të konsideroj të manipuluar (sepse e di se ashtu mendon vërtet, dmth. je i pandryshueshëm si qënië), dhe as fëlliqësirë, por thjeshtë të lodhur.
      Please, take some chilling pills!

    2. Sa zemërim që paske Edrus, kushedi pse… Ke menduar ndonjëherë të bësh gjëra më të dobishme në jetë se sa t’u hakërrehesh njerëve në mënyrë anonime?

    3. Edrus,

      Te shkrimi “Karnevalet e Parisit” Xha Xhai tha diçka qe e kane thene shume te tjere para tij:

      “Tek ne nuk ka tolerance fetare, por ka indiference fetare”. Me fjale te tjera, jemi tolerante sepse nuk jemi besimtare.

      Ky ishte thelbi i shkrimit te Xha Xhait qe te acaroi ty aq shume.

      Te njejten bindje qe Xha Xhai ka per shoqerine shqiptare, ka pasur pak a shume edhe Stéphane Charbonnier, drejtori i revistes satirike Charlie Hebdo, per shoqerine franceze.

      Shih, per shembull, kete interviste te tij ketu poshte:

      http://www.liberation.fr/culture/2015/01/10/charb-en-2011-j-en-ai-marre-qu-on-s-inquiete-de-voir-les-musulmans-moderes-ne-pas-reagir_1177658

      Ti mund te jesh ose jo dakord me ide te tilla, por nuk ka arsye te kercesh perpjete se nuk te shau kush nga robt e shpis. Sharjet nuk jane argument, jane thjesht halabakllek dhe injorance.

      1. Nuk me bije ndermend as per tolerancen dhe as per indiferencen fetare…jam ateist i bindur, por jo per kte nuk respektoj ata qe besojne.
        Ajo qe me grrici nervat, ishte binomi karnevale-parade klerikesh i dhene qe ne titull…dhe as qe e lexova, me mjaftoi ajo qe Zukbergu ma solli per t’marre me mend se si 2xh e kishte trajtuar.
        Pishaku qe eshte ne Itali, mund t’jua u spjegoje me mire ulerimat e legisteve ndaj komunitetit myslyman:”deklaroni qe denoni aktin terroristik” dhe shtyhen deri atje sa kerkojne qe, komuniteti myslyman te solidarizohet me gazetaret e Carlit.
        Per mua, qe e shikoj ne kte aspekt, parada e perfaqsuesve klerike shqiptare, te lidhur dore me dore ka nje rendsi ndryshe nga ajo me te cilen e shikon ti apo dikush tjeter nga Amerika…

        1. Ka dicka thelbesisht te kalbur ne nje shoqeri qe prodhon tipa si ti! Ti e pranon qe te mjaftoi titulli per te gjykuar shkrimin, autorin dhe me tej per te leshuar bajgen e radhes kundrejt tij. Je identik me radikalet e djathte, qe ngulin kembe ne vizionin e tyre dhe denojne ke nuk eshte gati te rreshtohet pas tij. Ti je akoma me keq se kaq por nuk ma lejon etika te flas. Te te them troll eshte pak sepse ka qene nje kohe qe faleshe ketu mengjes, dreke, e darke dhe ke patur tjeter mendim per kete hapsire dhe autorin. Por sic duhet eshte bere e modes te sulmosh tjetrin pa edhe piken me te vogel te zotnillekut. Dua t’ju them te gjithe juve qe e lexoni kete: njerez si ky na kane kapur peng. Keta jane ata qe lexoni lart e poshte neper Internet qe po minojne hapsiren e diskursit publik e qe nuk lexojne, meqe te verteten e kane me vete, dhe vetem japin leksione qesim. A ben te rikujtoj se A.V. jeton ne mes te NY… ate NY qe perjetoi 9/11 dhe politiken qe e pasoi? Ti do t’i japesh mend permes shembullit te legisteve? Je ne vete? Kot per lezet te rekomandoj nje liber te vjeter te tij dhe mos shko pertej titullit se te del e te tepron: Amerika – Midis Zhgenjimit dhe Mitit. Dhe nje gje te fundit: sic duket edhe shume te tjereve u ka ardh ne maje te hundes spektakli ne Paris. Blogu keto dy dite ka patur trefishin e vizitoreve te zakonshem. Dhe keto prej titullit u terhoqen, pse iu duk si drite mes erresires.

          1. Po, me mjafton titulli!
            Ndryshe nga ti, edhe pse mund te vloje me teper se ti, 2xh, thelle-thelle, ndihet i perkdhelur ne seder qe ka akoma ndonje qe e kupton se cdo te thote edhe duke i lexuar titullin dhe perzgjedhjen per shperndarje n’fb(dhe ktu s’ke ku fshihesh pas : “titullin ja ka vene redaksia”)
            – persa i perket pjesmarrjes time n’blogosferen shqiptarem kto 3-4 vitet e fundit, lexo pergjigjen qe mori e.p para se t’bente hartimin e 3P.
            – persa i perket “indinjates” time; ashtu si cdo cifut, homoseksual,apo besimtar nuk eshte prekur/lënduar kurre nga pena e xhaxhai, po ashtu preferoj qe dhe une (dhe shume te tjere si une), qe ngadhnjehemi me pak kuq&zi (kujdes!!!mos me ngatrro me kreshniker dhe parti politike), te mos behem objek ironie, talljesh dhe qesëndisjesh.
            -11/9 nuk ju kerkoi e as pretendoi gje prej myslymanve… ku, gjithsesi nuk vlen krahasimi yt per shoqeri me tradita multikulturore (Shba, Francia) me Italine.
            – ka patur shume vizita?! Po me ben te behem mendjemadh dhe te bej dhe une nje hashtag (megjithse nuk perdor twitter): #je suis edrus… duke pare numrin e komenteve tek shkrimi paraardhes, dhe tek ky, besoj se fajtori eshte ai trolli

        2. edrus: “…parada e perfaqsuesve klerike shqiptare, te lidhur dore me dore ka nje rendsi ndryshe nga ajo me te cilen e shikon ti apo dikush tjeter nga Amerika…”

          Duket sikur ne shqipot i stermendojme(overthinking) gjerat qa kane nje domethenie dhe nje shtyse me te thjeshte. Te gjendurit e kater klerikeve ne rruget e Parisit, ishte, mendoj une, thjeshte rezultat i nje rutine te dukjes, si c’ndodh perhere ne Shqiperi, kur ne evenimente publike, eshte bere tashme tradite qe ftohen te gjithe perfaqesuesit me te larte te kompozimit fetar te Shqiperise, per te ruajtur balancen fetare e per te qene politikisht korrekt. Kjo eshte nje histori e vjeter, qe nuk ka nisur sot, por mote te shkuara, kur zgjuarsisht shqiptaret per te ruajtur balancat nderfetare, per pasoje edhe politike, i vinin ne pah ne cdo grumbullim, ngjyrat dhe modelet e ndryshme te manteleve te klerikeve.

          Ndryshimi ne kete rast, qendron tek ajo, se keto njerez te veshur me mantelet fetare, e pane veten ne nje nga bulevardet qendrore te Parisit, ku turma pariziene reagoi ne menyre krejt dashamirese, me duartrokitje percjellese dhe “bravo-te” e fameshme franceze. Nese nuk do te kishte pasur asnje reagim vleresues nga ana e parizienve ne ane te rrugeve, nuk do te kishte pasur asnje lloj reagimi nga ana e shtypit apo blogosferes, parasegjithash shqiptare.

          Eshte fakt historik tashme, qe shqiptaret, nuk i kane vene ne pune fete e tyre per te lare hesapet me njeri-tjetrin. Dihet se ferkimet midis feve ekzistojne, edhe vendet me te zhvilluara, perdorin te njejten logjike te te qenurit, prezantuarit politikisht korrekt, ekspozojne ne cdo aktivitet apo tubim, faktin qe fete ekzistojne ne nje bashkeekzistence qe harmonizon, ben te mendur, marredheniet jo fort te lehta te fraksionalizmit fetar midis dy feve kryesore sic eshte kristianizmi dhe islami, por edhe ndarjeve dhe sekteve te panumerta te seciles prej tyre.

          Perseri, nuk eshte pune krejt pa mend, qe reagimin e parizieneve karshi klerikeve shqiptare, (te cilet e pane veten te befasuar nga nje reagim i tille qe me siguri nuk e prisnin), shqiptaret kerkojne ta kthejne ne kapital politik dhe social, duke i treguar vetes dhe botes, se pavarsisht rruges qe kemi ndjekur, fete nuk kane qene mjete, justifikime, per te prishur harmonine dhe larmine e tekstures kombetare.

          Kaq do te mjaftonte, pa qene nevoja per ta tjerrur me gjate. Tjerrja mund te jete edhe pasoje e te kompleksuarit mendor, psikologjik, barres jo fort te lehte te te qenurit shqiptar, pavarsisht se po shetisim sot, marshojme ne sintoni perkrah nacioneve te tjere ne bulevardet pariziene. Barre e rende, vertete. 🙂

  10. Edrus,
    Meqe nuk rrije dot pa perfituar nga liria qe jep ky blog dhe e ofrove mendimin tend, perdore sharje–arma e te dobetit–e tani mos dil me. Boll ndote!

  11. Ne vend te ketij artikulli do kisha preferuar nje shtjellim te 2xha–apo dikujt tjeter–ne lidhje mbi temat qe ceku ngjarja ne France, p.sh. ne lidhje me pergjegjsine publike (nese kane, sipas kendveshtrimit te secilit) te atyre qe bejne diskurse publike, aka bartesve te fjales se lire, si psh. gazetat ne pergjithesi dhe opinionistet e tyre ne vecanti (po fus dhe karikaturistet tek opininistet e gazetave). E kuptoj plotesisht reagimin e 2xha ndaj qasjes se mediave shqiptare me shkrimet e blogut PTF, dhe me pas ndaj sharjeve e kercenimeve qe pasojne per 2xha. Thjesht, ne emer te shqip-kolektivit internetist po vajtoj koston e oportunitetit, te te marrit me disa te marre ne itnernet, ne vend te nje diskursi me vlere.

    Nga njera perspektive, keto sharjet per 2xha nga ata ne Facebook, apo nga Edrus ketu ne blog, jane ironikisht Charle-ste; sipas meje ato jane thelbesisht ofendime ne emer te fjales se lire, sic shume karikatura te Charlie Hebdo ishin ofendime ndaj muslimaneve (te gjithe muslimaneve te botes ne pergjithesi dhe atyre qe jetojne ne France ne vecanti) ne emer te fjales se lire alla-frenge, medemek ne frenget keshtu e kemi. Per me teper, hipokrizia e Charlie Hebdo ne, fjala vjen, pushimin nga puna te dikujt qe perciptazi permend nje lidhje hebre te presidentit francez, e qit ne pah pikerisht te kunderten e nje pishtari te fjales se lire pa kompromis, sic Charlie e mban(te) veten se ishte/eshte. Ashtu sic fiksimi i shume bashke-patrioteve shqiptare me shkrimet dhe personin e 2xha i tradhetojne qasjet e tyre medemek puritaniste dhe patriotike (P.sh. komenti i Edrus eshte ne thelb talibanist; ai e thote hapur qe konsideron felliqesire (apriori) jo vetem 2xha, po cdo njeri tjeter i cili s’eshte dakort me Edrus ne lidhje me opinionin per 2xha).

    P.S. Per tu hapur ne nje tjeter dege, sa i perket qasjes se 2xha ne lidhje me tolerance vs indiference te shqiptareve ndaj feve te tjera; do thoja (2xha) qe nuk eshte fair ti ‘gjobitesh’ shqiptaret apriori si njesoj te patolerante ne mungese te krimeve fetare. Ose, le te jene dhe te tjeret indiferente si shqiptaret nese ajo mjafton qe te mos kete krime mbi baza fetare. Nuk dua te them se shqiptaret jane superiore; ne fakt s’ka pse te presem te jane/jemi superiore. Ama dua te them qe nuk eshte e drejte (fair) skontoja qe argumenti juaj i ben mungeses se urrjetjes fetare ne Shqiperi si “thjesht indiference ndaj fese”. Fakti eshte qe pergjithesisht ne shqiptaret s’kemi krime me baza fetare, sic kane shume popuj te tjere. Kjo eshte pozitive, pike. Ky eshte fakti, te tjerat pastaj (pse-te) jane spekulime argumentative (se si do ishim ne nese nuk do ishim indiferente, etj). Pra mendoj se duhet bere diferenca midis faktit dhe argumentit teorik, duhet vleresuar fakti pozitiv (sic duhet kritikuar ai negativ kur eshte prezent) para se te kalojme direkt ne skonto te ketij fakti, per x apo y arsye argumentative.

    1. Xhib, ai status ne fb ishte i imi.
      Pikerisht, duke patur parasysh faktin e pushimit nga puna te gazetarit, per antisemitizem, ne analogji me hipokrizine (qe s’ka pse te jete doemos qesharake edhe kjo, si marshi i kater klerikeve shqiptare, per 2xh), une shkruajta statusin qe lexohet ne fotot e mesiperme…dhe personat me nje nivel minimal arsyetimi (se t’flasesh per llogjike tek sophishqipja, eshte e tepert), e kuptojne fare mire sarkazmen.

    2. Xhibi, më vjen mirë që të ka shkuar mendja për të lexuar edhe një reagim timin ndaj terrorit në Paris, por ky nuk është se ka munguar, ngaqë jam marrë me sulmet ad hominem kundër meje.

      Nuk e njoh mirë situatën e myslimanëve në Francë, as njoh radikalizimin e tyre, refuzimin që ia bëjnë vlerave republikane dhe në përgjithësi Perëndimore dhe përplasjet, qoftë edhe për së largu, me radikalët e djathtë, fashistët ksenofobë dhe islamofobët. Prandaj preferova të sjell këtu fjalën e një filozofi që unë e çmoj dhe që këtë situatë e njeh shumë mirë: Todorovit.

      Vrasja e karikaturistëve të Charlie-t është shumë e rëndë për mua, siç ka qenë për miliona të tjerë. Por tani që e them këtë, duhet të pranoj edhe se nuk i besoj atij lloji “gazetarie” që bëhet nëpërmjet karikaturave kundër simboleve fetare.

      Prandaj nuk fola – ngaqë ndihem edhe unë njëfarësoj i goditur për vdekje, së bashku me viktimat e asaj dite; por edhe ngaqë, njëkohësisht, nuk e gjej dot veten në mënyrën si e kanë përdorur, ose më mirë shpërdoruar, ata karikaturistë lirinë e fjalës që ua garanton kushtetuta franceze.

      Besoj se satirë e mirëfilltë është ajo që drejtohet nga poshtë lart, ose kundër atyre që kanë pushtetin (punch up, not down, thonë amerikanët) – në një kohë që komuniteti mysliman, në Francë, është fare poshtë, në rrethin e fundit e hierarkive sociale. Fakti që feja e këtyre francezëve myslimanë dhe e shumë imigrantëve përkon me fenë nën flamurin e së cilës veprojnë gjithfarë terroristësh, nga Al Qaeda tek ISI, nuk mjafton, për ta vënë fenë vetë në shënjestër të talljeve, shpesh pa shije e të trasha.

      Do të pranoja një satirë që fshikullon liderët religjiozë fundamentalistë, demagogë, anti-Perëndimorë të komunitetit mysliman në Francë ose gjetiu në Europë; por jo karikaturizimin e Muhametit. Njëlloj nuk honeps dot talljen me Krishtin, ose – në një rrafsh tjetër – me Holokaustin; edhe pse do të kundërshtoja, me po aq forcë, që dikush të shkonte në burg ose të humbte vendin e punës, pse ka shkelur tabu të tilla.

      Midis axhamillëqeve sheshit dhe prangave që të hedh ligji, duhet të ketë dhe të mirëmbahet një hapësirë të qytetëruar, ku të veprojë bon sensi, profesionalizmi, dhe respekti për individin. Unë jam i tëri për këtë hapësirë, ku edhe fjala e lirë t’i vërë vetes, pa imponim, disa caqe të nevojshme.

      Kam shkruar për këto gjëra, kur kam pasur mundësi (p.sh. kur u debatua për karikaturat anti-Islam që botoi një gazetë daneze).

      Nëse donte të bënte satirë të mirëfilltë, Charlie duhej të vinte në shënjestër ata që kanë vërtet pushtetin në Francë: po a e ka bërë këtë? Nuk e di, sepse nuk e kam ndjekur ndonjëherë atë gazetë. Gjithsesi, di një gjë tjetër: që të vrarët e asaj dite ishin më shumë viktima se heronj.

      Ajo lloj karikature që tallet, në Francë, me Muhametin, më kujton gjithnjë një anekdotë që tregohej në kohën e Luftës së Ftohtë: bisedojnë një amerikan dhe një rus për lirinë e fjalës. Tek ne ka liri fjale, thotë amerikani – kushdo mund të dalë para Shtëpisë së Bardhë dhe të tundë një parullë ku të thuhet “Reagan-i është gomar.” Po edhe tek ne njëlloj është, ia kthen rusi. Kushdo mund të dalë para Kremlinit dhe të tundë një parullë ku të thuhet “Reagan-i është gomar.”

      Gjithsesi, kam parapëlqyer që këto polemika t’i rihap në një moment më të përshtatshëm. Ende nuk është tharë dheu, në varret e të vrarëve – prandaj në mos për gjë tjetër, të paktën në shenjë solidariteti me ta.

  12. Tregojnë se shkoi njëherë dikush tek doktori, i llahtarisur.
    – Po vdes, mbarova, – i tha, – shpëtomë.
    – Çfarë ke? – ia ktheu i alarmuar doktori.
    – S’e di tamam, por e kam në tërë trupin. Ve gishtin në gjoks, më dhemb, mbarova. Ve gishtin në bark, më ther për vdekje. Ve gishtin në kokë, më dhemb në shpirt. Ve gishtin aty poshtë, më dhemb njësoj.
    – Mor bir, ke thyer gishtin, – ia ktheu doktori.
    Kështu edhe puna e këtij “rusit” në ambientet e këtij klubi. Hyn në një vend, ndjen erë fëlliqësie. Shkon në një ambient tjetër, erë fëlliqësi ndjen edhe atje. Njësoj ndodh edhe në një vend të tretë, të katërt. Hundën e ka në rregull, nuk e gënjen për fëlliqësirën që ndjen. Vetëm se i duhet të sqarohet me veten nga i vjen ajo erë.

  13. Emrat e personave të përfshirë në këtë sulm kundër meje në FB i pata nxirë unë nga imazhet e Facebook-ut më lart, për të shmangur fokusin e diskutimit te personat e përfshirë dhe ruajtur privatësinë e tyre. Nëse e pashë me vend të shkruaja për këtë çështje që më prek drejtpërdrejt, nuk e bëra për të tërhequr vëmendjen ndaj X-it ose Y-it, sepse kjo lloj urrejtjeje e shfaqur në këto forma nuk ka të bëjë me marrëdhëniet ndër-individuale. Meqë personi në fjalë e pa me vënd të ndërhynte, edhe pse nuk është i mirëpritur në këtë blog, e lejova komentin e tij të kalonte, meqë ishte gjithsesi i prekur nga kjo mesele. Megjithatë, do t’ju lutem që të mos merreni drejtpërdrejt me të, pse të drejtat e tij këtu në blog janë të kufizuara dhe ai nuk bën pjesë në komunitetin e blogut. Kërkoi të përgjigjej, ia dhamë këtë mundësi – tani le të kthehemi gjithsekush në punët e veta.

  14. Xha xhai mirë ka bërë që i ka fshehur emrat se është nisur, duket, nga synimi i mirë për të mos e personalizuar diskutimin – kjo mënyrë shpesh i dëmton e jo rrallë i shkatërron diskutimet. Por në mjedise të tilla, ku për shkak të formatit të anonimatit, njeriu e ka të vështirë (në mos gjithmonë, të paktën në plot raste) të kuptojë në po debaton me një të rritur apo me një fëmijë, me dikë që, edhe në mos dashtë, e ka mësuar jeta t’i respektojë njerëzit apo me dikë që ende s’e ka nxënë këtë mësim, e në plot apo-apo të tjera. Ndaj njëfarë transparence jo rrallë është e nevojshme, në mos e domosdoshme, pavarësisht synimeve fisnike.
    Ne na pëlqen të themi se jemi popull i vjetër, paçka se historia na provon se nuk e kemi çarë shumë kryet të ndërtojmë ndonjë gjë që t’i mbijetojë kohërave e as të mbeten gjurmë që ta dëshmojnë këtë vjetërsi. Ka diçka tjetër, ama, që është pasuri e çmuar e këtij populli e që tregon për një kultivim social ndër kohëra, por që pak shtihet në përdorim. E këto janë rrëfenjat, historitë që tregohen e përcillen brez pas brezi për njëfarë kohe, por që shpesh humbasin në këtë proces përcjelljeje për shumë arsye, më kryesorja nga të gjitha ngase mbeten të pashkruara. Dhe për ta theksuar idenë time të mësipërme se humori, ironia madje sarkazma janë shpesh mjetet më të mira për t’i kaluar situata të tilla të krijuar nga kategori njerëzish të papërgjegjshëm, po ju rrëfej lexuesve të këtij blogu historinë e mëposhtme.
    Dikush, që për hir të rrëfimit tani e tutje do ta thërrasim shkurt agai, u vesh e në të ngrysur doli nga shtëpia e mori për nga lagjja tjetër, i ftuar në një dasmë në fshat. Kur mbërriti atje, hyri dhe u ul me burrat e tjerë, që po bënin muhabet në një dhomë duke pirë duhan e hequr nga një gotë raki me pak meze përpara, në pritje të shtrohej sofra tamam e ta ndiznin atmosferën sazet. Në muhabet e sipër, nisi të ndjente një si sëkëlldi në bark, ja se qe ftohur pak, ja nga ajo ç’kish ngrënë në drekë. Por përtonte të çohej e të dilte nga dhoma. “Të lirohem vetë, pa qeni qepën të hajë,” mendoi me vete dhe ia lëshoi jo një, por tre herë pordhës.
    Fshati qe i madh e njerëzit e tij njiheshin në krahinë për të shtruar e punëtorë. Ishin në përgjithësi njerëz mendjehapur e liberalë, ndaj dhe s’njiheshin për shumë rregulla të ashpra në mesin e tyre. Ato pak që kishin, ama, i respektonin, ndaj dhe i kujtonin fort për keq njerëzit që s’e kishin bërë diçka të tillë. E njëra prej këtyre rregullave ishte të mos e ofendoje tjetrin kur i kishe vajtur në shtëpi, për çfarëdo qoftë. Kështu që, pas asaj që bëri agai, në dhomë ra një heshtje varri. Më kot u përpoqën nja dy vetë të hidhnin ndonjë llaf e ta kthenin sërish bisedën në tryezë. Pa ç’pa, pas pak agai u çua, e la dasmën e u nis për shtëpi të vet. Udhës një e dy e turfullonte me vete: E o, pordhë bëra, kushedi ç’bëra, do kalojnë tre ditë e do harrohet.
    Por fshati nuk harronte aq kollaj. Dhe shpejt nisën ta thërrasin ndryshe aganë. Sa herë përmendej apo bashkohej në njerëz, thoshin: “erdhi ky pordhua”, “ai i tre pordhëve”, e gjer tek “ai i tri p-ve” apo shkurt “ai 3P-ja”, siç thoshte ndonjëri kur donte ta tallte. Agait iu bë jeta ferr. Në krye të vitit la fshatin e u nis larg, dy male tej, gjeti punë në ca të afërm e kështu u niste ndonjë para njerëzve që la prapa në shtëpi.
    Kaluan kështu një e dy e tre e pesëmbëdhjetë vjet. Një ditë, agait të mërguar i dërguan fjalë të kthehej në fshat, se i martohej fëmija. U nis tërë gëzim, por kur mbërriti pranë fshatit, ngurroi të futej. “Do më mbajnë mend? Do ma kujtojnë prapë atë historinë?” Këto pyetje po ia hanin shpirtin. Priti gjer ra errësira dhe bëri të hynte në fshat. Udhës ndeshi një bari që po kthehej tok me bagëtinë. “Pa ta pyes njëherë, të sigurohem,” tha me vete agai, paçka se bariu iu duk shumë i ri në moshë.
    – Na, more çoban! ç’është kjo zhurmë që dëgjohet gjer këtu? – e pyeti bariun agai.
    Bariu e pa njëherë nga koka te këmbët, para se të përgjigjej.
    – Qenke i huaj zotrote, ndaj s’ditke gjë. Në fshat ka dasmë.
    – Ja, sa mirë! E ku bien lodrat kështu?
    – Në shtëpinë e atij pordhos.

    1. Meqe i lexokerke te gjitha komentet, po shkruaj vetem per te treguar qe e lexova. Me pelqeu perpjekja titanike, deri diku e arrire me sukses, per te futur 3P-në n’valle.
      N’fillim doja t’beja nje kompliment, por fakti qe dhuntia e sintezes, ose nje perzgjedhje me efikase, t’mungon (t’pakten ne kte rast), nuk mund t’ofendoj sensin tim t’humorit duke t’komplimentuar.
      Ben mire qe e ndjek profet2xhiun…qe per elokuence e dinakri i heq kapelen, por qe t’behesh “[edited]” (lexoje si maksimum perqendrimi dhe sinteze t’nji hartim lavdrimi disafaqesh), te duhet shum kohe!

      1. Mbase të duket vetja ikonë shqiptarie. Mbase të duket vetja edhe certifikues lartësie mendimi e mprehtësie stili. Ndoshta edhe të shkruarit shpejt e shpejt të të tjerëve ashtu të duken, përpjekje titanike. Por, në më pyet mua si më duken këto pordhët e tua këtu në blog, ta them thjesht e me dy fjalë: si një burrë me vello që po më tundet përpara në bellidanc.
        Leri të tundurat e belit, se ke zgjedhur njerëz e vend të gabuar. Bujrum, hajde shpalosnai mendimet e mëdha, në ke vërtet të tilla. Dhe hiqe vellon, që ta shohim nga na vijnë idetë e ndritura.

        1. Të nderuar – le ta ndërpresim këtu këtë shkëmbim ad hominem, ju lutem.

  15. Gjykimi i vrasjeve të Parisit mund të bjerë i ndryshëm nga që ai për mendimin tim ai varet shumë nga rrethanat konkrete sociale e politike prej nga vëzhgohet ky krim. Si në të gjitha proceset e rëndësishme evolutive evropiane edhe në rastin konkret shoqëria shqiptare nuk ishte në gjendje ta reflektonte atë krim për hir të nevojave të veta të brendshme por preferoi rrugën e zakonshme, atë folklorike për soditësin e jashtëm. Mesazhi i vetëm konkret dhe funksional që unë munda të marr marshimi i katër klerikëve shqiptarë në Paris përkrah me Blendi Fevziun ishte se pati një lajthim në numërimin e komuniteteve fetare. Në fakt ato janë pesë; momentalisht media është tashmë feja e shqiptarit dhe pa dyshim Fevziu një lloj kryepeshkop i saj, ndërkohë që Papa apo Papët e kësaj feje janë Belusconi, Murdoch & Co..

    Në vend që ata priftërinj e hoxhallarë të kishin marrë rrugën për në Paris mund të kishin organizuar një të lutur të përbashkët të besimtarëve të tyre në Tiranë; por edhe këtu kam frikë, se do t’i kish shkuar pakkush e kështu do të kishin treguar, se besimtarët e tyre janë ca injorantë, që i mbledhin dot rreth vetes vetëm me kërcënimin e ferrit.

    Për të ardhur keq është që vrasja e gazetarëve në Paris u përvetësua menjëherë si një ndodhi që kish të bënte kryesisht me besimin fetar e jo me të drejtën e fjalës. Ndodhi kështu në Shqipëri, por ndodhi edhe kudo tjetër në Evropë. Groteske kjo, po të mbahet parasysh se ajo liri, për të cilën u masakruan ato viktima, nuk është përftuar gjë në vijim të evoluimit të mendimit laik, por në kacafytje me të. Kjo liri personale e të menduarit e të shprehurit publikisht e ka burimin tek procesi i gjatë i komplikuar i ndriçimit e i sqarimit (Aufklärung) të individit, proces i cili burimin e tij të vetëkuptueshëm e ka pikërisht në kundërshtimin e dogmës fetare. Çka u masakrua në Paris nuk ishte kultura kristiane, por ishte liria e qytetarit të Republikës Ideale për të menduar e shprehur i lirë; për mua tjetër gjë.

    Por duke u kthyer edhe një herë tek Shqipëria, ku shoqëria civile nuk mundi të organizohej vetvetiu publikisht e në mënyrë masive për të shprehur indinjatën dhe trishtimin. Unë besoj se kjo ndodhi, ngaqë liria e shtypit praktikisht në Shqipëri nuk ka asnjë vlerë, dhe për mendimin tim, atje ku liria e shtypit nuk ka vlerë, ajo edhe nuk ekziston. Liria e shtypit që të ekzistojë si e tillë ka nevojë për një shumicë qytetarësh, të cilët ta perceptojnë atë si të domosdoshme e jetësore në përditshmërinë e tyre si qytetarë të asaj Republikës Ideale. Në Shqipëri momentalisht kjo Republikë është shumë larg, madje edhe më larg se atëherë në fillimvitet ’90, kur ajo ishte vetëm një ideal apo një qëllim. Në këtë kuptim, çdo demonstrim publik ndërkombëtar i harmonisë fetare mbetet në rastin më të mirë një event folklorik dhe si i tillë për qytetarin shqiptar luan rolin e një bonboneje.

    Natyrisht që në Shqipëri ka edhe njerëz që mendojnë e gjykojnë në mënyrë kritike, evropiane e bashkëkohore. Nuk e kam fjalën për ato personazhe publikë televizive apo protagonistë të medieve, por për evropianë të zakonshëm shqiptarë, që në përditshmërinë e tyre nuk luftojnë për protagonizëm por mjaftohen me mënyrën kritike e analitike të gjykimit të gjërave për hir të procesit të përsosjes së tyre intelektuale dhe etike. Të tillë unë takoj gjithnjë e përsëri ca pasdite te qeta vjeshte ulur në një peshqir në plazh në Durrës apo nëpër rrugët e artit apo të jetës të Evropës Qendrore; anonimë të Shqipërisë, qytetarë të zakonshëm evropianë. Por se çfarë mendojnë ata është krejtësisht irelevante për shoqërinë shqiptare të telekomanduar. Ata kanë qenë me siguri fizikisht apo edhe me mëndje e me shpirt në marshimin e trishtimit në Paris apo diku tjetër në Evropë, apo edhe thjeshtë vetëm brenda vetes së tyre, por opinioni publik shqiptar nuk është pritës për këtë mendim. Dhe kjo ndodh, pikërisht se NE jemi/mbahemi mbrapa dhe se elitat në pushtetin politik kanë zaptuar me mjete ekonomike shtrënguese dhe me ndihmën e medieve gjithë hapësirën publike ku mund të zhvillohej shpengueshëm një mendim i lirë e i pavarur e intelektual. Në këtë kuptim unë e gjej edhe terrorin psikologjik të ushtruar mbi Vehbiun si një sulm apo si një evoluim cilësor të dhunës politike të telekomanduar kundër një mendimi ndryshe. Unë besoj se prej kohësh gjendemi në atë fazë, ku mund t’ju themi fëmijëve, se kemi jetuar një herë në të ardhmen e tyre.

  16. Këtu po e mbyllim edhe debatin për këtë temë. E nisëm pa ia përmendur emrin personit që u bë shkak për ndërhyrjen, por ky e kërkoi vetë të dilte hapur. Ashtu edhe e lejuam të komentonte megjithë një ndalim të mëparshëm, sepse ishte e drejta e tij të përgjigjej, sa kohë që e kishim përmendur dhe ia kishim cituar fjalën. Kjo “besë” merr fund sot dhe Edrusi si zë mbetet i pamirëpritur në “Peizazhet e fjalës”, edhe pse nuk ia duam të keqen dhe jemi të bindur se nuk ka ndonjë lidhje logjike midis shkallës së acarimit të tij dhe atyre që kemi shkruar. Për fat të mirë, virtualiteti u bën vend të gjithëve pa problem, dhe s’kemi pse t’i shkelim kallot njëri-tjetrit me zor. Ju lutem kolegëve të mos i referohen më në citimet e tyre.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin